Newsletter
Email:
Poll: Letërsia
Cili është lloji juaj i preferuar i letërsisë?
Home | ESE | Beteja e fundit e Zenel Gjolekës

Beteja e fundit e Zenel Gjolekës

Font size: Decrease font Enlarge font
image Timo Mërkuri

Beteja e fundit e Zenel Gjolekës

Sprovë

Nga Timo Mërkuri

Leskodukajt  në Bolenë, atë fund viti 1852[1]  hapën dyert e mortit. Ardhja e lajmit të vrasjes të Sadik Guxhës dhe Lesko Mingos[2]në luftë me malazestë ngjau me një tërmet që vithis malet nga vendi, duke lëshuar teposhtë  me orteqe dëborën. Lajmi i mblodhi bolenasit te shtëpia e Leskodukajve, gratë duke çjerë faqet e duke shkulur leshrat me logori e kujë, pleqtë të menduar dhe që nuk përpiqeshin fare të fshihni lotët.  

         Nuk qe hera e parë që Leskodukaj kishin hapur derën e mortit se djemtë e burrat e tyre 

Leksodukajtë të shtatë/ Zunë luft’ me një rigatë[3]….  Siç qenë të bukur, qenë edhe trima dhe domosdo që trimat bien të parët në luftë.  Nëpër këto shkallë me gurë të latuar  kishin prurë dhe Birbil Leskon  në vjeshtën e 1847, vrarë në Buzer e dhënë shpirt në krahët e Zenel Gjolekës, trimin e  bukur si yll, që edhe vajtorja përmes lotëve e ligjëroi e ja molloisi bukurinë me  fjalët: Ja ku e prunë Birbilë/ Shkallë më shkallë si yllë/ Se ç’u mblodhë edhe thanë/ Vall’ i kujt është ky djalë/ Vall’ i kuja është kjo pemë/ I Lesko Mingo Bolenë/ Cila nënë e ka pjellë/ Një Sose Kuçe e verdhë[4].. 

       Nëpër morte e trapeze, jo vetëm në Bolenë po në gjithë Labërinë  përmëndej vajtimi për Birçe Leskodukën, vrarë ato ditë të zjarrta të  vjeshtës së 1847 në Shushicë, ku i thoshnin … Ç’ësht’ ajo që po shkon tutje/ Pall’ e larë e Leskoduke/E mban Birçeja mbi supe/O Sadik, o Lesko/Pall’ e larë e Birçeso/Pall e larë e Leskoduke/Me ripa supe më supe/Moj e mjera s’u këpute/Sadiku lufton më këmbë/I prêt plumbatë me dhëmbë/O Sadik, o Lesko/Pall’ e lar e Birçeso[5]

       Ishin vrarë dhe djegur bolenasit me turkun e zi…..Djemtë tanë seç luftojnë /Të zezën Bolen’ e dogjnë /Ato shtëpitë me tavanë/ Erdhi turku u vu zjarrë[6]  Por kjo vrasje e dy Leskodukajve  pranë Taraboshit, mal që bolenasit as që e dinin ku binte i la pak të hutuar . Të hutuar i kishte lënë  edhe nisja e dymijë burrave me Zenel Gjolekën[7]për të luftuar ne veri, në një kohë që Labëria kishte aq shumë nevojë për ‘ta, se ishte me turkun e inatosur nëpër këmbë. Nuk ja falte turku Labërisë atë luftën e 1847 kur këta e ndezën zjarr e flakë gjithë Shqipërinë e jugut dhe bregdetin kundër tyre.

       Pas gjëmës e të qarit me bot e logori, ditën e dytë vaji qe më i shtruar, si lumi kur del në fushë.  Për këtë ndikoi edhe fakti që trupat e të vrarëve nuk ishin në shtëpi por edhe se hollësira mbi vrasjen, mënyrën e vendin e vrasjes akoma skishin ardhur. Ndaj edhe vajtimi ishte pakëz i përgjithshëm si….. Labëria ra në sterë/ Mbenë gratë me leshra serrë/ Mbajnë zi pr’ata të mjerë/ Që nxiruan Labërinë/ Për Gjolek e Hodo Alinë/ Mbenë larg nga vëndi inë/ Për të ruajturë kufinë…ose. .. Shqipëtarët u lëshuan/ Se ish lufta në kufi/ Nga të gjithë anët shkuan/ Me Gjolek’n  në Mal të Zi[8].

           Vaji po shndrohej në monument për Labërinë dhe nuk lartësonte vetëm emrat e dy Leskodukajve të vrarë, që u bëhej morti. Por kunata[9]e Lesko Mingos e mendoi pak ndryshe këtë rjedhë vajtimi. Ju duk sikur u haruan Leskodukajt e  vrarë dhe po lartësohej vetëm Zenel Gjoleka. Po a nuk qe ky Gjolekë që i mori prapa burrat e djemtë e Leskoduke dhe të Bolenës dhe i shpuri …të lënin kokën te Vlladika? Po si e qysh e haruan këto gra e plaka që zinë në shtëpi, në shpirt e në roba jua pruri kapedanllëku i Zenel Gjolekës.

            Me këto mendime, pasi u kollit pakëz si për të kërkuar leje për të zënë vajin , me një zë me tonalitet të lartë , duke vënë duartë në faqe, si në ritin e çjerjes nisi të vajtojë:

         Qaj mali me trëndelinë/ u’ a derëzeza….

         Është e zakonëshme që në vajtimet e Labërisë të vajtojnë edhe malet  kodrat e gërxhet, madje edhe lumenjtë. Kjo shërben për të lartësuar  figurën e të ndjeritdhe për ta barazuar atë me malet e kodrat apo gërxhet. Kjo jep një efekt emocional të fuqishëm sidomos kur i ndjeri është  një trim i vrarë në luftë. Lartësimin e kësaj figure e bën më evidente refreni, në të cilin gërma “u” me apostrof, një gërmë e vetme, si një xhuxh, që zvëndëson përemërin “unë”, gjithsesi edhe ky përemër është një fjalë shumë e shkurtër krahasuar me fjalën “mal”,”kodër”,”gërxh” etj. Mjeshtërisht vajtorja ju kujton të pranishmëve se ajo dhe ato janë shumë të vogla përpara të ndjerit që iku. Dhe më kryesorjë është fakti që dhe në qoftë se llogjikisht nuk kuptohet, emocionalisht ndjehet, madje gjer në atë shkallë sa që të 

krijon edhe rrënqethje në shtat.

        Tronditëse është togfjala ”derëzeza” që ka kuptimin e një dere shtëpie, (këtu- porta kryesore e shtëpisë) lyer me bojë të zezë. Tradita shqiptare njeh kryesisht bojën e bardhë për lyerjen e dyerve (portave) të jashtëme të shtëpive si dhe të dyerve të dhomave. Pranohet edhe ndonjë ngjyrë tjetër e çelur apo kombinim i dy ngjyrave të ndryshme nëpër kuadratet e e dyerve. Por kurrë nuk ka ndodhur që të lyhet porta apo dyert me bojë të zezë. E zeza është ngjyra e vdekjes, ngjyra e zisë dhe askush nuk e pranon në portën e shtëpisë të tij këtë ngjyrë.

           Por unë mendoj se ky togfjalësh ka një tjetër kuptim. Zakonisht nëpër luftra, turku apo çdo pushtues aplikonte si masë ndëshkimore edhe djegien e shtëpive shqiptare. Ngado që të vihej zjarri fillimisht si nga çatia apo mobiljet, zjarri i vihej edhe portës kryesore apo dyerve të dhomave. Përgjithësisht, për shkak të pozicionit të tyre vertical apo edhe për faktorë të tjerë ndodhte që portat dhe dyert të digjeshin në të gjithë sipërfaqen e jashtëme duke  i shndruar këto në një tip dërrase të  mbuluara me një shtresë kongjilli të zi. Kjo derë e djegur, e mbuluar me një shtresë kongjilli të zi shkaktonte një dhimbje të madhe shpirtërore te të zotët e shtëpisë sepse mbartëte në vetvete ngjyrën e zezë të zisë, por edhe faktin e shkatërimit nga armiku të mirëqënies familjare. Dhe kjo ishte shkaktuar vetëm për hakmarje. Pra mendoj se togfjalëshi “derëzezë” duhet të kuptohet “derë-djegur”. Jua lë juve të nderuar lexues të vlerësoni peshën emocionale të këtij togëfjalëshi të krijuar nga nënat labe të pa shkolla, por stoike në rezistencën e tyre. 

         Gratë dhe plakat vajtore e pëlqyen këtë nisje të vajit ndaj te refreni ju bashkuan  të gjitha vajtimit të kunatës së të ndjerit.
          Për Leskon e për Sadiknë…./ u’ a derëzeza….vajtuan të tëra gratë e plakat në një kor , duke e rritur e zmadhuar efektin e ligjërimit.
          Ç’ju ngjiti me prohirxhinë
[10]…./ u’ a derëzeza….ligjëroi kunata vajtuese, duke shkaktuar një hutim te vajtoret e tjera. “Prohorxhiu” me të cilët u “ngjitën” Leskodukajt ishte vetë Zenel Gjoleka. Pra vajtorja i pyetka se “ç’i ngjiti” me Zenel Gjolekën, kapedanin e Labërisë dhe komandantin e tyre. Po ajo duhej të krenohej që djemtë e Leskoduke ishin shokë me atë deli trim e kapedan. Ku do të dalë kjo me këto fjalë në vaj?

Gratë e plakat u bënë sy e veshë drejt kunatës së Lesko Mingos së ndjerë, trimit që 

mbante shpatën mbi supe, si Birçe Leskua. Burat nga oda e tyre ndalën muhabetin të dëgjonin. 

E kuptuan që do niste një nga ato “dyluftimet” e famëshme të vajtoreve, nga ato dyluftime që do molloiseshin mote e mote më pas. Zakonisht në odën e burrave flitej për trimëri e shkruhej histori, por kësaj historie i vihej vula vetëm në dhomën e grave, në vajtimet e tyre. Le të flisnin sa     të donin burrat e pleqtë, le të gdhëndnin histori sa të donin e si të donin. Këto histori do kishin jetë e do përcilleshin te fëmijët, nipërit e stërnipërit jo si i gdhëndnin burrat por si i qëndisnin gratë në vajtimet e tyre. Ndajë heshtja u bë e thellë në të gjithë shtëpinë,aq sa dëgjohej edhe frymarja e rrëndë e kunatës vajtore. Në këtë qetësi u gremis me rrokopujë, si një shkëmb i madh e i zi,  vargu i vajit ….

             Me Gjolekë batakçinë…/ u’ a derëzeza….
             Gratë  ulën kokën dhe e shoqëruan vajtoren me një gjysëm zëri. Burrat në odën e tyre panë njeri tjetrin. Ky varg ngjante me një sfidë të hapur, si ato sfidat që bëjnë kalorësit duke i hedhur doraçkën kundërshtarit dhe duke e ftuar me këtë gjest në dyluftim. Vetëm se ky varg-vajtim-doraçkë nuk i qe hedhur një burri a një gruaje  të vetme si sfidë e hapur, si ftesë për një ndeshje kaloriake. Ky varg-vajtimi i qe hedhur  gjithë Labërisë si një sfidë për dërgimin e dy mijë djemve e burrave pas Zenel Gjolekës …të lënin kokën te Vlladika, kur Labëria kishte aq shumë nevojë për mbrojtjen e tyre. Ata të mbronin gratë e fëmijët e tyre, kufirin në veri le ta mbronin …gegët…Ne s’kemi punë me ‘ta. Pastaj Zenel Gjoleka të ishte i mirë, nuk i linte të vriteshin në Tarabosh Leskodukajt. Pse pak luftuan në Shushicë më ’47, pse nuk u vranë atëherë?  

            Kunata e Lesko Mingos pa rreth e rrotul si e hutuar nga heshtja që pasoi ligjërimin e saj.

Dhe e kuptoi se çfarë kishte bërë. E kuptoi që kishte qëlluar në malin me borë, bora qe vithisur dhe heshtja tregonte se po formësohej orteku. Orteku që do nisej në formën e një gruaje apo plake me një oshëtimë vajtimi…

 

Vijon….



[1]Në  pranverë të vitit 1852 princi Danilo I i Malit të Zi, ndryshoi statusin  e qeverisjes së vendit  duke e shpallur “Principatë laike”. .Por ky ndryshim nuk i leverdiste sulltanit, prandaj nisi luftën me Malin e Zi. Njëkohësisht ju bëri thirje për pjesmarje në krahun e tij edhe krerëve fisnikë dhe të kryengritjeve shqiptare për faktin se malezestë synuan Shkodrën. Kësaj thirjeje   ju përgjigjën edhe  Bibë Doda (që kishte marë në 1849  titullin “Pasha”) si dhe prijësit lebër Zenel Gjoleka, Hodo Aliu,  Gjikë Thanasi, Jani Ligori, Halim Toto etj. të cilëve sulltani u fali dënimin për kryengritjen e 1847 dhe i liroi nga internimi.

[2]Informacioni mbi familjen e  të vrarëve dhe afërsinë e vajtores na erdhi nga bolenasi Delo Aliaj  të cilin e falnderojmë.

[3]Rigatë- folklorizim i emrit “Rex”, mbretëri. Pra zunë luftë me një mbretëri.

[4]Mexhit Kokalari “Trima të kryengritjeve popullore” II Sh.Botuese “* Nëntori” 1983 fq 36

 

 

[5]Mexhit Kokalari “Trima të kryengritjeve popullore” II Sh.Botuese “8 Nëntori” 1983 fq 34-35

[6]edhe…Po aty  37

[7]Zenel Gjoleka (Kuç 1806 - Kerstiq, Mali i Zi, 1852) “Nderi i Kombit”  Zenel Gjoleka është biri i Hito Gjolekës dhe Sabo Qordukes.  Mbeti jetim nga babai qysh në moshën 6 muajsh dhe u rrit nga nëna dhe i afërmi i tij, Mehmet Qorri. 

 

 

[8]  Këto këngë janë përfshirë në një seri shkrimesh, studimesh dhe përmbledhjesh të botuara, janë shumë të njohura dhe citohen edhe sot e kësaj dite nëpër morte apo këndohen nëpër dasma, prandaj si referencë nuk mund të citojmë vetëm një rast konsultimi sepse si konsulencë kemi patur shumë referenca. 

 

[9]Ky debat vajtoresh është tepër i njohur në Labëri dhe në Bregdet dhe përmëndet akoma dhe sot si nëpër morte ashtu dhe nëpër dasma. Por e shkruar fillimisht është te “Bleta Shqiptare” e Thimi Mitkos, prej nga e kanë marë një numër jo i pakët studiuesish të folklorit dhe të traditës zakonore. Është botuar në një sërë shkrimesh si te G.Ziles, G.Llojdia etj. Jemi konsultuar me të gjitha shkrimet e gjetura në internet, por kemi preferuar për t’u bazuar te burimi gojor.

[10]  Bucjelabërës. Familja e Zenel Gjolekës merej me prodhimin e bucjelave

Comments (0 posted):

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
5.00
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1