Navigate archive
first first August, 2019 first first
Su Mo Tu We Th Fr Sa
1 2 3
4 5 6 7 8 9 10
11 12 13 14 15 16 17
18 19 20 21 22 23 24
25 26 27 28 29 30 31
Newsletter
Email:
Home | ESE | NAUN GRIGOR PRIFTI (DOKO), MESUESI, PATRIOTI DHE LUFTETARI I SPIKATUR NGA MYZEQEJA NE GJYSMEN E PARE TE SHEK. xx

NAUN GRIGOR PRIFTI (DOKO), MESUESI, PATRIOTI DHE LUFTETARI I SPIKATUR NGA MYZEQEJA NE GJYSMEN E PARE TE SHEK. xx

image NAUN DOKO - PRIFTI

NAUN DOKO - PRIFTI

 

   NAUN GRIGOR PRIFTI (DOKO), MESUESI, PATRIOTI DHE LUFTETARI I    

        SPIKATUR NGA MYZEQEJA NE GJYSMEN E PARE TE SHEK. xx

                              (ME RASTIN E 85 VJETORIT TE VDEKJES)                

  

  Naun Doko –Prifti , është një nga emrat më të njohur të krahinës së Myzeqesë jeta dhe kariera e të cilit është shfaqur si një meteor në horizontin e brustë të historisë shqiptare përgjatë viteve ‘30 të shekullit kaluar. Mësues, patriot, organizator dhe luftëtar i spikatur në përbërje të frontit demokratik të kohës, i burgosur gjatë Luftës së 20-ës për çlirimin e Vlorës, mbështetës i fuqishëm i lëvizjes Noliste më 1924, emigrant politik dhe pedagog në Universitetin shtetëror të Tbilisit në Gjeorgji, ai krijon performancën e një figure që rrezaton vlerat e saj më të larta e më përfaqësuese të kohës. 

 Naun Doko u lind në vitin 1896 në fshatin Libofshë nga prindërit Grigor dhe Maria Doko. Ishte djali i vetëm i familjes, midis 6 motrave. I ati i përkiste një familjeje me origjinë autoktone bujqish myzeqarë por, për një periudhë të shkurtër u mor edhe me detyrën e priftërisë në kishën e fshatit dhe nga ky shkak mbiemri i Naunit u dyzua në Doko dhe Prifti. E ëma, Maria ishte bijë e fisit të njohur të Saqellarëve të Kolkondasit.

   Në vitin 1904 Nauni filloi mësimet në shkollën greke të fshatit. Ndërkohë, me hapjen e shkollës së parë shqipe më 1908 në Libofshë, u ul në bangat e saj për të mësuar në gjuhën e nënës. Më pas vazhdoi sërish studimet e mëtejshme në shkollën greke të Ardenicës me mësues patriotin e njohur Ikonom Dhima. 

    Mbas mbarimit të shkollës u fut si çirak në dyqanin e një tregëtari në Libofshë. Në vitin 1915, u largua nga fshati dhe u punësua si shegert në një dyqan rrobaqepsie në Fier.

 

LUFTA DHE ANGAZHIMI I DOKOS

   Në rrethanat historike të Luftës së Parë Botërore, Shqipëria u bë shesh betejash dhe në mars të vitit 1916 në Fier erdhën forcat austrohungareze të cilat spostuan forcat italiane në jug dhe formuan vijën e frontit të luftimeve përgjatë lumit Vjosë. 

    Autoritetet austrohungareze ngritën flamurin shqiptar, hapën shkolla shqipe dhe nën kontrollin e tyre, organizuan administratën me nëpunës vendas. Në këtë situatë, shkolla Normale e Elbasanit hapi kurse disa intensive për përgatitjen e mësuesve për nevoja imediate të kuadrit pedagogjik. Nauni u rregjistrua në një kurs të tillë dhe në vitet 1917 - 1919 punoi mësues në fshatin Zharrnec të Lushnjes.  Kjo shkollë kishte gjithsej 40 nxënës.

    Më 11 nëntor 1918 Lufta e Parë Botërore përfundoipor me tërheqjen e ushtrisë austrohungareze, vendin e saj e zunë trupat italiane. Kjo ngjalli indinjatë të thellë në popull dhe forcat patriotike e intensifikuan aktivitetin e tyre duke bërë prapagandë publike për të sensibilizuar ndërgjegjen kombëtare të popullsisë. Për këtë qellim u shfrytëzua edhe 28 nëntori, festa e Pavarësisë, e cila u organizua në qytete të ndryshme të vendit. Në qytetin e Lushnjes Naun Doko ishte pjesë e Komisionit përgatitor të festës dhe së bashku me ish mësuesin e tij Ikonom Dhima, i dhanë asaj ngjyra të ndezura kombëtare.

    Viti shkollor 1919 - 1920 filloi në një gjendje tensioni e frike, nga rreziku i copëtimit të Shqipërisë. Forcat patriotike vazhdonin prapagandën e demaskonin politikën shkombëtarizuese të fqinjëve, kryesisht atyre italianë. Një nga format e këtij demaskimi ishte organizimi i mitingjeve nga të cilët hartoheshin telegrame protestash e memorandume dhe i dërgoheshin Konferencës së paqes në Paris, për të kundërshtuar e hedhur poshtë përpjekjet e fqinjve dhe të Esat pashë Toptanit i cili bënte pazare tradhëtie në kurriz të kufijve të vendit. Naun Doko ishte pjesë e rëndësishme e këtyre organizimeve. 

    Thirrja e Kongresit të Lushnjes në janar të vitit 1920 ishte një hap i rëndësishëm për organizimin e shtetit të ri shqiptar. Midis detyrave të shumta të qeverisë që doli nga ky kongres, ishte edhe largimi  forcave italiane nga Vlora dhe rrethinat e saj. Për realizimin me sukses të kësaj detyre, në krahina të ndryshme të vendit, filluan të organizoheshin një serë protesta e mitingje në mbrojtje të Vlorës. Në zonën e Myzeqesë Naun Doko ishte në radhët e para të këtij aksioni. Krahas kësaj prapagande u krijuan edhe Komitetet e Mbrojtjes Kombëtare të cilët u morën me mobilizimin e forcve vullnetare për në frontin e Luftës së Vlorës. Sipas kujtimeve të patriotit vlonjat Kristo Karbunara, në prag të luftës, Nauni ka vajtur disa herë në Vlorë për të mar kontakte me disa nga figurat e njohura të kohës, rreth organizimit të forcave vullnetare nga Myzeqeja. “Naun Prifti dhe myzeqarët, - shkruan Karbunara, -  kishin ardhë disa herë në Vlorë e takoheshin me Jani Mingën, Halim Xhelon dhe priftin At Isaia, për të organizuar fshatarët e Myzeqesë në Luftën e Vlorës.”

    Për këtë qellim, nga fundi i muajit maj, Nauni së bashku me Ikonom Dhimën e myzeqar të tjerë, shkoi në fshatin Peshkëpi të takohej me Ahmet Lepenicën, në konakët e Avdul Kucit, për të siguruar armë. Ndërkohë, e trembur nga revolta popullore, Komanda e ushtrisë italiane, me urdhër të gjeneral Piacentinit shpalli gjendjen e jashtëzakonshme e filloi arrestimet, burgosjet dhe internimet e mjaft atdhetarëve të njohur. Pikërisht në këto momente, kur kthehej nga Peshkëpia për të marrë armë, Nauni u arrestua nga patrullat italiane dhe u çua në burgun e Babicës. “Në burgun e Babicës – shkruan një tjetër patriot, Fetah Meçe -  ishim mbi 400 të burgosur nga e gjithë Shqipëria, më pas na erdhi edhe Naun Prifti nga Libofsha me të cilin u bëm shok e miq të vërtetë.”

  Në fillim të muajit qershor, forcat italiane i trasferuan të burgosurit e Babicës në ishullin e Sazanit. Kur i sillnin në port, i grumbullonin në çisterrnat e transportit të naftës, e më pas i çonin në Sazan. 

    Nauni konsiderohej nga italianët si patriot i klasit të parë dhe mjaft i rrezikshëm për ta. Si i tillë ai së bashku me një grup prej 6-7 vetësh u veçua nga 480 të burgosurit e tjerë të ishullit dhe u trajtua me masa të rrepta sigurie. Italianët ndërtuan enkas për ta një kafaz hekuri, i futën brenda tij dhe ju ndërprenë çdo lloj komunikimi me jashtë. 

    “Kur na çuan në ishullin e Sazanit, atje gjetëm edhe 480 të tjerë, - shkruan Kristo Karbunara. Por për çudi, italianët urdhëruan dhe ndërtuan një kafaz hekuri ku shtinë brenda në të: Jani Mingën, Hasan Sharrën, Ibrahim Shytin, Dom Mark Vasën, Ali Asllanin, Naun Priftin, Ahmet Nuren dhe mua. Ujët dhe ushqimet na i ipnin nga jashtë hekurave dhe na quanin më të rrezikshmit e  brigandëve.”

  Nauni, së bashku me të burgosurit e tjerë të Sazanit, filluan të liroheshin gjatë muajit gusht, mbas marrëveshjes së qeverisë shqiptare me Romën, si pengje në shkëmbim të ushtarëve italianë të kapur rob nga forcat patriotike gjatë sulmeve të para në rrethinat e Vlorës. “Kështu qendruam deri në gusht, kur u bë marrëveshja midis qeverisë së Tiranës dhe Romës,” shkruan më tej Karbunara. 

 

    KTHIMI NGA BURGU

    Pas kthimit nga burgu, Nauni mori sërish rrugën e Vlorës si delegat i Fierit në kremtimin e fitores mbi pushtuesit Italian së bashku me luftëtarët e tjerë myzeqar; Vangjel Lule, Kostandin Sharra, Llazi Spiro Shënpjetra, Ikonom Dhima etj.

    Në vitin mësimor 1921-‘22, Nauni u emërua në shkollën e fshatit Ngurrëz të Lushnjes. Lëvizja politike e kohës po përvijohej në një spektër të rëndësishëm e cila shprehte tedencat emancipuese të shoqërisë së kohës dhe ndarjen e thellë klasore. I vetëdijshëm për rolin e tij demokratik përparimtar Naun Doko zhvillonte një luftë të pakompromis me gjithë eksponentët e bejlerëve kudo ku ishin ata. Edhe me bejlerët e Ngurrëzës ku shkoi për të dhënë mësim zhvilloi të njëjtën luftë. Ky qendrim i revoltoi ata dhe për tu hakmarrë, organizuan në mënyrë tinzare një atentat ndaj tij. Një ditë, teksa vinte në tregun e Bubullimës, vrasësit i bën pritë dhe e qelluan. Plumbi e kapi në kofshë. Fshatarët që shkonin në treg e ndihmuan të ngrihej dhe e çuan për kurim në Lushnje. Pas kësaj ngjarjeje të hidhur Naunin e transferuan në shkollën plotore të Fierit. 

    Në janar të vitit 1923në Marinëz ndodhi një mosmarrveshje me mësuesin e kësaj shkolle i cili kërkonte të merrte edhe rrogën si psaltës në kishën e këtij fshati. Për rrjedhojë Naunin e shkëputën nga shkolla plotore e Fierit dhe e çuan të zëvendësonte mësuesin e Marinzës. Këtë vit mësimor shkolla kishte 47 nxënës nga të cilët 10 prej tyre vinin nga Kumani dhe Jagodina. 

   Sipas zakonit të kohës mësuesit e fshatit mbanin shkop në dorë ndërsa Nauni mbante kërrabë. “Një ditë, - kujton shoku i tij i afërt Vlash Papa, mësues i kësaj periudhe në Sheqisht,- duke udhëtuar për në Fier e pyeta:

 - Çështë shkaku Naun që mban kërrabë, kurse ne të tjerët të gjithë mbajmë shkop?

-  Kërraba Vlash përfaqëson vegjëlinë, opingën. Shqipërinë do ta shpëtojë opinga dhe jo bejlerët dhe agallarët – më tha ai.”   Në kujtimet e veta, njëri nga ish nxënësi i tij në Marinëz, Nikolla Miloti shkruan se në këtë kohë në Marinëz, ka ardhur për të takuar Naunin edhe lideri i lëvizjes demokratike të kohës, Avni Rustemi.

 “Ato ditë pranvere të vitit 1923, s’më kujtohet muaji - shkruan Miloti, - në Marinëz erdhi Avni Rustemi me një shoqërues të dërguar të “Bashkimit.” Të dy ishin me bruca dhe me qylaf të zinj. Atë natë  në shkollë erdhën disa njerëz: Ramadan dhe Feizi Velmishi nga Velmishi, Petro dhe Siku Kola nga Jagodina, Asllan Kumanaku nga Kumani, Leks Nushi, Jani Prifti, Kozma dhe Gjergji Mita nga Marinza etj. Në mëngjes Nauni më tha të ruanim, kushdo që të vinte të lajmëronim. Kur dolën nga mbledhja , mësonjësi më tha: - Unë dhe këta zotërinjtë do shkojmë deri në Berat dhe prej andej në disa qytete, prandaj do vonohem më shumë se herët e tjera”. Mësonjësi largohej dendur nga shkolla. Kësaj radhe u kthye mbas 10 ditësh.” 

 Më 30 shtator 1923 Parlamenti u shpërnda për t’i lënë vendin fushatës së re zgjedhore. Gjatë kësaj periudhe në Shqipëri u polarizua jeta politike dhe u ashpërsua më tej debati klasor. Në këtë fushatë së bashku me figurat më të njohura të kohës si Kico Konomi, Llazar Kilica, Vangjel Lule, Xhemil Muço etj. Nauni zhvillonte një aktivitet të gjerë prapagandistik në favor të forcave demokratike të kohës. Në pazaret e Bubullimës, Lushnjes, Libofshës, Fierit e kudo, si fliste para popullit, mbante fjalime të zjarrta e demaskonte me urrejtje sistemin e kalbur feudal. Sipas kujtimeve të Milotit në prill të vitit 1924 Nauni u largua nga Marinza. Është koha kur ai  përfshihet në ngjarjet e vrullshme të lëvizjes Noliste të Qershorit 1924. Vrasja e Avni Rustemit, idhullit frymëzues të rinisë shqiptare ishte preludi i këtij revolucioni. Nauni i prekur thellë nga kjo vrasje, u bë pjesë e përfaqësisë së Fierit që vajti në Vlorë, në ceremoninë e varrimit të Avniut më 30 prill 1924. “Në ceremoninë e varrimit të Avni Rustemit kam qen unë, Shuk Radoja dhe Naun Prifti (Doko)” - shkruan Vangjel Lule në kujtimet e tij.

    Nga Vlora, Nauni u radhit me armë në dorë në përbërje të forcave revolucionare. Ai mori pjesë në disa luftime të kryera në Myzeqe kundër forcave qeveritare dhe po me armë në dorë, marrshoi drejt Tiranës duke dhën një kontribut të spikatur në lëvizjen Noliste të qershorit. Ahmet Zogu së bashku me krerët e qeverisë dhe një pjesë të deputetëve ikën në arrati. Në Tiranë u vendos qeveria demokratike e Nolit e cila ishte kthyer në shpresë zhvillimi për gjithë demokratët.

    Në verën e vitit 1924 në Fier, Lushnje e kudo u krijuan degët e shoqërisë “Bashkimi.”Naun Doko krijoi degën e bashkimit në Libofshë me anëtar: N. Doko, J. Loshi, L. Gjergji, K. Mino, M. Hoxha, A. Xhindoli, S. Xhindoli, A. Qerimi dhe Z. Ndreko. Ndërkohë, Naunit ju shfaq sëmundja e mushkërive dhe filloi ti keqësohej shëndeti, por nuk u tërhoq nga aktiviteti politik. 

    Në periudhën e verës gjatë muajve korrik – gusht 1924, djemtë e “Bashkimit”ndërmorën disa aksione duke zhvilluar manifestime patriotike antifeudale në mbështetje të qeverisë. Parullat e demostruesve ishin: “Poshtë feudalizmi”, “Poshtë bejlerët!””Nauni, - shkruan Jakov Milaj, - ishte oratori më i dendur, por njëkohësisht edhe më i dashur nga masat fshatare. Ai fliste për programin e qeverisë demokratike, për reformat që do të bëheshin, për luftën kundër tiranëve. Fierakët që e kan njohur, nuk mund ta përfytyrojnë Naunin, veçse të hipur mbi togje thasësh misri duke u folur fshatarëve të varfër e të rreckosur.”

    Më 20 gusht të këtij viti, djemtë e “Bashkimit” të Fierit e të Vlorës organizuan një ceremoni funebre përpara sarajeve të Vrionasve në shenjë simbolike për fundin e tyre. Ata improvizuan një arkëmort me një trung druri dhe e shetitën kortezhin përrreth sarajeve duke hedhur parulla ndëshkuese. “Poshtë feudalizmi, poshtë Vrionasit!” Me organizimin e ceremonisë, përgatitjen e arkëmortit dhe qirinjve u morën: Naun Doko, Xhemil Muco, Vangjel Lule, Zoi Xoxa, etj. Nauni foli edhe në miting së bashku me Kico Konomin. Në fjalën e tij ai mbështeti qeverinë demokratike të Fan Nolit dhe e mbylli ligjëratën me thirrje të nxehta kundër bejlerëve dhe pashallarëve të Fierit.  

    Në vitin mësimor 1924 – ’25, Nauni u emërua drejtor i shkollës plotore të Lushnjes. Sipas kujtimeve të ushtarakut Ibrahim Selimi, i cili ishte caktuar në këtë kohë me shërbim në Lushnje dhe Peqin, Nauni bënte kudo një prapagandë intensive kundër bejlerëve dhe agallarëve. “Një ditë në tregun e Lushnjes, - tregon ai- u zhvillua një manifestim i fshatarëve kundër feudalizmit. Midis anëtarëve të shoqërisë “Bashkimi” të këtij qyteti, u dëgjua edhe zëri i fuqishëm i Naun Priftit, i cili u fliste fshatarëve hipur mbi një karrocë: “Nuk duhet ti njohim të tretat e bereqetit, të mos u bëjmë punë angari, por të punojmë për vete! – u thoshte.

   Më 24 – 26 nëntor 1924 “Bashkimi” mbajti në Tiranë kuvendin e jashtëzakonshëm.  Midis delegatët që merrnin pjesë nga gjithë Shqipëris si: Haki Stërmilli, Ibrahim Arapi, Hysen Selita, Haxhi Zeka, Sejfulla Malëshova, Selim Shpuza, Xhemal Kondi, Ejup Xhindi etj, merrte pjesë edhe Naun Doko si delegate i Libofshës.

    Ahmet Zogu i arratisur në Beograd, me ndihmën e Pashiçit, kishte krijuar një forcë të armatosur deri në dhëmbë dhe në dhjetor 1924, mori rrugën drejt Tiranës. Qendra e shoqërisë “Bashkimi” bëri thirrje për ta pritur kthimin e Zogut me armë. Në radhët e këtyre forcave, ashtu si dhe në qershorin e fitores, Naun Dokua mori pjesë sërish me armë në dorë. 

 

     ARRATISJA PAS ARDHJES SE ZOGUT

    Hyrja e Ahmet Zogut në Tiranë më 24 dhjetor , i detyroi nolistët të iknin në arrati. Revolucionarët rreth 350 vetë, u larguan nga Shqipëria me mjete të ndryshme, kryesisht me rrugë detare. Nauni iku nga Durrësi me anije në Vlorë, e nga Vlora shkoi në Bari. Tashmë për Naun Dokon, ashtu si për gjithë nolistët e qershorit, filloi jeta e vështirë e emigrantit politik.

   Më 25 mars 1925, me ndihmën e Federatës Komuniste Ballkanike, në Vjenë u formua organizata: Komiteti Nacional Revolucionar (KONARE), me kryetar Fan Nolin. Nauni u bë anëtar i kësaj organizate. KONARE siguroi në Bashkimin Sovjetik edhe 14  bursa studimi për emigrantët politik shqiptar, midis të cilëve edhe Nauni.

    Në shtator të vitit 1925, Nauni u largua nga Italia për në Austri dhe mbas një qendrimi të shkurtër në Vjenë, u nis për në Moskë. Në Vjenë bëri vizita te mjekët e atjeshëm, më të mirë e më të njohur, por sëmundja sa vinte e përkeqësohej.

   Kur mbriti në Moskë për të filluar studimet e larta, sëmundja e mushkërive ju rëndua edhe më tepër. Dimri i ashpër i Moskës me temperaturat e ulëta disa gradë nën zero, nuk ishin të përshtatshme për shëndetin e Naunit dhe për këtë arësye u dërgua në Kaukazin Jugor ku klima ishte më e butë. Këtu u regjistrua në Universitetin Komunist të Transkaukazit në Tiflis, në fakultetin e ekonomisë politike. 

    Gjatë periudhës studentore, më 21 mars 1928, Nauni u antarësua në organizatën komuniste të këtij universiteti dhe po këtë vit, me krijimin e grupit komunist shqiptar në ish Bashkimin Sovjetik,  u bë anëtar i tij. Ndërsa dy vjet më vonë më 1930, u antarësua në radhët e Partisë Komuniste Sovjetike në organizatën e Tfilisit. Ndërkohë, krahas studimeve merrej edhe me përkthime të ndryshme të karakterit politik dhe shkencor të cilat do ti dergonte në Shqipëri për botim.

    Më 1930, Nauni përfundoi studimet universitare dhe më 3 prill të këtij viti, u emërua si punonjës shkencor në Institutin e Kërkimeve shkencore të Komisionit të planit të shtetit për Transkaukazinë. Më 20 maj të këtij viti Naun Prifti u zgjodh si i plotfuqishëm i Bashkimeve Profesionale të Institutit me të drejtat e Kryetarit të Komitetit Lokal. Me gjithë gjendjen e rëndë shëndetësore dhe ngarkesën e punës në Institut, Nauni vazhdonte edhe aspiranturën në sektorin e planifikimit, zhvillonte një punë shoqërore të gjithanshme, drejtonte rrethin politik dhe jepte mësime mbi ekonominë politike në Institutin e bonifikimeve dhe vaditjeve të Transkaukazisë.

   Ndërkohë, malli për atdheun e të afërmit po e digjte si prush.  Në shtator – tetor 1931 shkoi në Moskë të rregullonte lejen për tu kthyer në Shqipëri, por mjekët nuk e lejuan të udhëtonte për shkak të sëmundjes.

    Në maj të vitit 1932, mbaroi aspiranturën dhe u aktivizua intensivisht në punë shkencore, mbante leksione mbi ekonominë politike dhe  filloi të kryente funksione drejtuese në Institucionet e larta arësimore të Gjeorgjisë. 

    Në prill të vitit 1933 Nauni u emërua shef i degës mësimore në Institutin e ndërlidhjes të Transkaukazisë e më vonë zëvendës drejtor i degës mësimore në Institutin e inxhinjerëve të ndërlidhjes elektrike të Trankaukazisë. Ndërsa më 20 shtator 1933 në urdhërin e Institutit Nr. 112, thuhet se, “ Zëvendës drejtori për anën mësimore, shoku Naun Grigor Prifti, do të vazhdojë përmbushjen e detyrave të veta, dhe me qënë se Drejtori largohet, detyrat e tij i ngarkohen Naun Grigor Priftit.”Në këtë Institut, ai drejtonte katedrën për lëndët politiko – shoqërore, ku ka zhvilluar një punë të madhe.

   Vlen të shënohet se universiteti shtetëror i Tfilisit ishte një institucion shumë serioz. Sipas historikut të ekspozuar në faqen zyrtare të këtij institucioni, ai u hap më 26 janar 1918 dhe ishte universiteti i parë kombëtar në Kaukaz. Rektor i pare i tij u zgjodh një figurë e njohur akademike, Petre Melikishvili i cili kishte mbaruar studimet në San Petërburg. Ndërsa në vitet 1930 kur Nauni mbaroi studimet e deri në fundin e jetës së tij më 1934 rektor në këtë universitet kan qenë: Ivane Vashakamadze (1930 – 1931), Aleksandre Erkomaishvili (1931 – 1932) dhe Levan Agniashvili (1933 – 1935). Të tre këta ishin gjithashtu figura të shquara akademike dhe të zgjedhur sipas rregullores me votim nga këshilli akademik i këtij universiteti.

 

   SEMUNDJA DHE VDEKJA E NAUN PRIFTIT 

   Në mars – prill të vitit 1934, i rënduar nga sëmundja, Nauni shtrohet në sanatoriumin “Shtëpia e kuqe”në Gulripshi. Por avancimi i tuberkulozit ishte mjaft i shpejtë dhe më 10 maj 1934, në moshën 38 vjecare, Naun Doko Prifti u nda nga jeta. Trupin ja varrosën në vorrezat e sanatoriumit, ndërsa lajmi i vdekjes u përhap kudo nëpërmjet gazetave të kohës. Gazetat “Komunisti”organ i K.Q.P.K Gjeorgjisë  më 17 maj 1934 jepte këtë njoftim:“Presidiumi i K.Q. të MOPR-së të Gjeorgjisë njofton gjithë anëtarët e MOPR-së dhe emigrantët politikë se më 10 maj na sanatoriumin e Gulprishit vdiq para kohe emigranti politik, aktivisti i MOPR-së shoku Naun Prifti.” Ndërsa gazeta “Zarja Vostoka” njoftonte në kohën e funeralit: “Kombinati mësimor i Transkaukazisë për ndërlidhjen njofton mbi vdekjen e ish zëvendës drejtorit për anën mësimore Naun Grigor Prifti në Gulripshi më 10 Maj 1934.”

  Jehona e vdekjes së parakohshme të Naun Priftit qe e dhimbshme. Ai nuk mundi të realizonte në vepra të botuara dituritë dhe aftësitë e tija shkencore, nuk mundi, të vinte në Shqipëri, dhe mbeti në dhe të huaj si një qiri që digjet përjetë nga zjarri i lirisë sociale dhe malli i vendlindjes. Në shenjë kujtimi në shtëpinë ku banonte                                                                        në Tfilis u vendos një pllakë përkujtimore, ndërsa në Muze është ekspozuar një stendë e pasur me materiale biografike për jetën dhe veprën e tij. Në Shqipëri u ngrit kulti i heroit, kulti i një luftëtari të pushkës e të penës, të fjalës e të veprës, në shërbim të idealit të shenjtë të demokracisë dhe lirisë së njeriut. Në vitin 1961 qeveria shqiptare solli nga Gjeorgjia objektet e tij: krevatin, librat dhe mjetet e tjera personale. Në Libofshë u hap një dhomë muze e paisur me të gjitha këto objekte personale, ndërsa në sheshin qendror të fshatit u ngrit busti i tij.

    Emri dhe vepra e Naun Dokos është nderuar e vlerësuar në vite. Në periudhën e socializmit Naun Doko është dekoruar nga Presidiumi i Kuvendit Popullor të Republikës Popullore të Shqipërisë, në vitin 1998 Presidenti i Republikës Rexhep Meidani i akordon urdhërin “Naim Frashëri” i Artë, ndërsa në vitin 2004 është nderuar me titullin e lartë, “Nderi i Qarkut Fier.”  Shkolla 9 vjecare e Marinzës sot mban emrin e tij.

  Në shtypin e kohës gjatë dhjetra viteve jan shkruar mbi 40 artikuj në 40 gazeta e revista si: “Politika”,“Zëri i Popullit”, “Bashkimi”, “Drita”, “Mësuesi”, “Drapër e Cekan”, “Koha jon”, “Panorama”, “Telegraf”, “Myzeqeja”, etj. Në vitin 1965 shkrimtari i shquar Jakov Xoxa i kushtoi romanin e tij të parë “Lumi i vdekur” me shënimin: “Naun Grigor Priftit – komunistit të parë të Myzeqesë.” 38 autorë tekstesh kan shkruar kujtimet e tyre nga ish nxënës, kolegë e të afërm të Naunit. 

    Jeta dhe vepra e tij është përmbledhur edhe në dy monografi të shkruara nga dy autor të ndryshëm, Esat Reso dhe Naun Kule. 

    Me kultin e ngritur në vite, me veprën e përkushtuar, jetën e shkurtër e intensive, me mbrujtjen e idealit demokratik dhe sakrificat e tij sublime,  Naun Grigor Prifti përbën shembullin e lartë të një figure dinjitoze që rrezaton pa ndërprerë vlerat më të larta e më përfaqësuese të krahinës së Myzeqesë.

 

Nuri Plaku

Drejtor i Muzeut Historik Fier

Comments (0 posted):

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
5.00
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1