Newsletter
Email:
Poll: Letërsia
Cili është lloji juaj i preferuar i letërsisë?
Home | ESE | Dedë Gjó Luli Prijës dhe trim i çartur i popullit shqiptar

Dedë Gjó Luli Prijës dhe trim i çartur i popullit shqiptar

Font size: Decrease font Enlarge font
image Luan Çipi

 

Esse nga Luan Çipi

 

 Ded Gjo Luli, lindi në Traboin më 1840 dhe u vra barbarisht nga serbo-malazezët më 24 Shtator 1915. Traboini, fshat i Malësisë Veriore, ishte në Sanxhakun e Shkodrës të Perandorisë Osmane, tani në Tuztë Malit të ZiDedë Gjo Luli, i përkiste barkut Dedvukaj të fisit të Hotit. Në atë kohë Hoti mbahej i pari i bajrakëve të Malësisë së Madhe. Djali i parë dhe i vetëm i Gjon Lulit, morri emrin e gjyshit, Dedë Brocit.  Qysh në moshë të re Deda junior, ishte martua me Prende Gjeloshin nga Selishta e Grudës, me të cilën kishte pasur katër fëmijë, dy djem dhe dy vajza.

Për Ded Gjo Lul Dedvukaj është folur herë pas here në kujtim të disa ngjarjeve të hershme që kanë të bëjnë me luftërat për pavarësinë e vendit. Ai është një nga luftëtarët më të papajtueshëm ndaj Perandorisë turke osmane, që dha maksimumin për ruajtjen e trojeve shqiptare të veri-perëndimit, jashtë orekseve të fqinjëve dhe për pavarësinë nga Turqia osmane e asaj kohe. Ded Gjo Luli ishte trup vogël por me zemër të madhe dhe shumë i zhdërvjellët, trim e i zgjuar.

Është një nga rastet e pakta dhe vlerë e veçantë në Historinë e Shqipërisë, që një patriot si Ded Gjo Lul Dedvukaj, të marrë pjesë në të gjitha ngjarjet e mëdha të pas vitit 1878, në lëvizjet luftarake për liri e pavarësi nga Turqia e drobitur osmane, dhe në përpjekjet e mëdha të patriotëve shqiptarë si në veri ashtu dhe në jug të vendit për të penguar copëtimin e tokave shqiptare.

Veprimtaria e tij patriotike është nga më të rrallat dhe më heroiket në luftë për të çliruar tokat e veriut nga Turqia osmane, por dhe për ti mbrojtur ato nga lakmitë e fqinjëve malazezë dhe serbë, lakmi të cilat fatkeqësisht ishin përkrahur dhe nga fuqitë e mëdha Anglia, Franca, Rusia. 

Në moshën 21 vjeçare, qysh në vitin 1861, ai mori pjesë me lavdi, në luftë për të ndihmuar Oso Kukën. Dedë Gjo Luli u kishte prirë djemve të Hotit për të shpëtuar Oso Kukën nga flaka e barotit në Kullë të Vraninës. Epopeja që shkroi trimi Oso Kuka në Vraninë, ngeli legjendare në histori. Ai, pasi luftoi deri në frymën e fundit kundër malazezve, nuk u dorëzua i gjallë, por i vuri zjarrin kullës, ku pranoi të digjej dhe vetë. Ajo ditë është quajtur nga bibliografi i tij (P. Doçi) si dita e pagëzimit në zjarrin e luftës. Ishte një sprovë që i dha emër prijësit të ardhshëm të maleve. 

Ded Gjo Luli mori pjesë në Lidhjen e Prizrenit së bashku me Çun Mulën. Edhe atëherë Deda ishte i ri, por shumë i pjekur. 

Në gusht 1878 Kongresi i Berlinit urdhëroi, nëpërmjet një rezolute, që të vendosej kufiri midis Turqisë osmane dhe Malit të Zi, duke përfshirë brenda kufirit të ri malazez Plavën dhe Gucinë. Atëherë, Dedë Gjo Luli bëri një rezistencë të armatosur kundër këtij vendimi të padrejtë gjatë viteve 1879-1880. Dihej që popullsia bregdetare, përfshi dhe qytetin e Ulqinit, banohej nga shqiptarë. 

Dedë Gjon Luli kundër malazezëve, luftoi edhe në vitet 1880-1881 dhe i kishte bindur të gjithë se ishte mjeshtër i rrallë i luftës dhe shfrytëzimit të terrenit, të cilin e njihte me pëllëmbë në ato anë, duke mos u koritur asnjëherë përballë armikut. 

Në letrën që iu çua ambasadorit të Austrisë, me 1 mars 1880, malësorët shkruanin: “…Të jeni të sigurt se po të ndodhë kjo padrejtësi që nuk e besojmë, do të ndodhin medoemos gjana të papëlqyeshme…”. Në letër, malësorët përcjellin mendimin e tyre se ata ishin të vendosur që të jetonin të patundur në viset e të parëve. Por fuqitë e Mëdha e kishin shitur Shqipërinë. Trojet kishin dalë në ankand.

Edhe gjatë vitit 1883, Ded Gjo Luli luftoi me armë në dorë kundër dhunimit të tokave nga Turqia osmane por dhe nga sulmet e pareshtura të malazezve. Luftëtarët shqiptarë me Dedë Gjon Lulin në krye, nuk ishin dorëzuar asnjëherë. Ata po prisnin rastin e përshtatshëm për t’u kthyer në Malësinë e tyre dhe me 26 prill të vitit 1883 në Kuvendin e mbajtur në Kastrat, kishin vendosur të formonin "Lidhjen e Vogël" e cila jo vetëm që do ta kundërshtonte dhurimin e tokave tona vendeve fqinje nga Turqia, por edhe do të mbronte trojet shqiptare me armë në dorë nga sulmet e pareshtura pushtuese të Malit të Zi. 

Hafiz Pasha, në qershor të vitit 1883, do të organizonte një ekspeditë ushtarake ndëshkimore për çarmatosjen dhe nënshtrimin e Malësisë së Madhe, për ti detyruar me forcë shqiptarët që të pranonin dorëzimin e tokave të tyre, duke djegur Kastratin, Hotin e Grudën, me ç`rast luftime të ashpra ishin përhapur edhe në Spi, Qafë Kishë dhe Traboin, ku forcat mbrojtëse të udhëhequra me shumë sukses nga Dedë Gjon Luli, të cilëve me ardhjen në ndihmë të Hotit, Grudës dhe Trieshit, e kishin detyruar Hafiz Pashën që të kërkonte armëpushim. 

Prirjet panislamike dhe propaganda anti-katolike e turqve osmanë si dhe qëndrimi jo i sinqertë i drejtuesve të Vilajetit të Shkodrës të asaj kohe ndaj Marrëveshjes së vitit 1910 i detyroi malësorët nën udhëheqjen e Ded Gjo Lulit, të rifillonin një kryengritje me karakter kombëtar, por për arsye taktike Ded Gjo Luli hyri në aleancë me Malin e Zi me Krajl Nikollën. 

Sigurisht, shkaqet e revoltës dhe afrimi me Krajl Nikollën (sipas Romeo Gurakuqit), ishin aktiviteti i paparashikuar i xhonturqve. 

Ded Gjo Luli mori garanci edhe nga gjenerali italian Riçiotti Garibaldi. Kështu, duke u bërë komandant i një ushtrie prej 8.000 malësorëve dhe në 24 Mars 1911 e deri në gusht të po atij viti, kryengritja vazhdoi pa reshtur kundër xhonturqve, të cilët jo vetëm kishin penguar çlirimin e tokave shqiptare, por edhe kishin lejuar që fqinjët të futeshin lirisht në tokat dhe trojet shqiptare sipas marrëveshjes së Kongresit të Berlinit. Ded Gjo Luli shpresonte ndihmë edhe prej austro-hungarezëve. 

Në këto moment, krajli Nikolla Petroviç, i përkrahu kryengritësit dhe shtatmadhoria e Ded Gjo Lulit u bë Podgorica. Sigurisht, mbreti Nikolla i Malit të Zi kërkonte ti përdorte malësorët shqiptarë në luftë kundër osmanëve dhe për të zgjeruar kufijtë e mbretërisë së tij, por gjithashtu u përpoq që në pamje përpara fuqive të mëdha dhe të Turqisë osmanllie të dukej neutral. Ded Gjo Lulit iu ofruan dhe para për të ndaluar kryengritjen, por ai nuk pranoi dhe e vazhdoi kryengritjen për të çliruar trojet shqiptare.

Betejat më të njohura janë ato që u zhvilluan në Deçiç me 6 dhe 22 prill dhe 3 maj 1911, ku u ngrit dhe Flamuri shqiptar me shqiponjën e zezë me dy krerë për herë të parë. Pas betejës së Deçiçit, qeveria osmane turke vendosi të shuante kryengritjen me mjete paqësore sepse kjo kryengritje kishte tërhequr vëmendjen e fuqive evropiane. Në këtë betejë u plagos dhe e famshmja, Nora Luli ose Nora e Kelmendit (që e kishte Ded Gjo Lulin vjehërr). 

Për të bashkërenduar kryengritjen me Ded Gjo Lulin, erdhi direkt nga Italia në Mal të Zi në Podgoricë, Ismail Qemal Bej Vlora dhe Tiranli Kemal Beu rreth datës 12 qershor 1911. Takimi u bë në Gerçe në 23 qershor 1911 dhe marrëveshja u quajt ”Memorandumi i Gerçes” (apo `Libri i kuq` për shkak të ngjyrës së kapakëve), me disa kërkesa bazë, drejtuar Perandorisë osmane dhe Evropës veçanërisht Anglisë. Memorandumi u firmos nga 22 kapedanë shqiptarë prej trevave të Hotit, Grudës, dhe Shkrelit, 5 ishin nga Kastrati, 3 ishin nga Kelmendi dhe 2 nga Shala. Memorandumi i Gerçes, midis të tjerash, kishte dhe një pikë ku thuhej për bashkimin e katër Vilajeteve në një dhe krijimi i një Shqipërie Autonome (pra jo të pavarur). Memorandumi i Gerçes, është dokumenti më i rëndësishëm për pavarësinë e Shqipërisë, para Shpalljes së Pavarësisë në Vlorë, më 28 Nëntor të vitit 1912. 

Të gjitha këtyre veprimeve heroike dhe politike, u priu Dede Gjo Luli me guximin, ndershmërinë dhe largpamësinë që e karakterizonte në çdo çast historik. Ky memorandum u përkrah dhe u shoqërua nga propozimi i Turgut Pashës për amnisti të kryengritësve. Për këtë qëllim vetë Sulltan Mehmeti i V, disa ditë përpara Takimit të Gerçes, vizitoi Shkupin dhe më 15 qershor në përkujtim të betejës së Kosovës më 1389 vizitoi fushën e Mëllenjave, ku u prit nga 100.000 shqiptarë kosovarë, turq dhe myslimanë, dhe u përshëndet madje dhe nga kreu i seminarit ortodoks serb, i cili këndoi këngë turke. Shumë shqiptarë e bojkotuan ngjarjen, por prania e kaq shumë njerëzve në atë kohë tregon për simpatinë ndaj Sulltanit, nga një pjesë e mirë e popullsisë së atëhershme kosovare.

 Në atë takim, Sulltani firmosi amnistinë për kryengritësit e vitit 1910 dhe 1911. Turgut Pasha ua deklaroi propozimin e amnistisë kryengritësve malësorë të udhëhequr nga Ded Gjo Luli. Sidoqoftë, përfaqësuesit osmanë i takuan veç e veç përfaqësuesit e kryengritësve të vilajetit të Kosovës dhe përfaqësues të vilajetit të Shkodrës, sepse kryengritësit nuk arritën të takohen me një përfaqësi dhe arritën një marrëveshje me ta. Madje, Mbreti Nikolla, për nder të kryengritësve, bëri një poemë për kryengritjen e Malësorëve .

Me 6 prill 1912, ditën e diel, pranë kishës së Traboinit në Hot, Kol Ded Gjoni me urdhrin e të atit, Ded Gjo Lulit, shpalosi flamurin kuq e zi . Populli brohoriti dhe u qëllua me batare pushkësh për këtë eveniment të rrallë. 

Po, në betejën e 29 gushtit 1912, u vra i biri i Ded Gj Lulit, Gjergji 22 vjeç. 

Ded Gjo Luli nuk u paraqit në Vlorë më 28 Nëntor 1912, ditën e shpalljen e Pavarësisë. Si delegat nga Shkodra ishte paraqitur vetëm Luigj Gurakuqi. Shkaqet e mosparaqitjes nuk dihen saktë, por dihet se Memorandumi i Gerçes ishte deklarata më e fortë e bërë ndonjëherë nga shqiptarët para shpalljes së pavarësisë dhe ngritja e flamurit në Deçiç, një vit para ngritjes së Flamurit në Vlorë, nuk e zbeh rëndësinë dhe trimërinë e këtij Heroi të Popullit. Ndoshta, vrasja e djalit Gjergj, më 29 gusht e pengoi udhëtimin e tij për në Vlorë për shkak të zisë. Megjithatë, pjesëmarrja e një shkodrani si Luigj Gurakuqi në ngritjen e Flamurit të Pavarësisë, dhe zhgënjimi që trojet shqiptare të Hotit dhe të Grudës nuk ishin pjesë e shtetit të ri shqiptar, mund të ishin faktorë të mospjesëmarrjes.

Pas tre vjetësh do të vritej vetë Ded Gjo Luli 75 vjeçar, në 24 shtator 1915 në Sheshëz afër Oroshit, nga një pritë e bërë nga malazezët e serbët. Ai, edhe pse e parandjeu grackën, edhe pse e paralajmëroi vetë Nora, e reja e tij, që ai e quante me përkëdheli "Djali ma i mirë i babës", që të mos udhëtonte në kohë të turbullta, për besë burrash shkoi në takim. Vetëm, kur në vend të prijësve, i doli përpara kapiteni serb Gjura, ai gjakftohtë, u tha mirditorëve, që e shoqëronin : - ... paskemi mbarue! Nuk e dha veten. As kur e prenë me bajonetë bashkë me shtatë mirditorët, nuk e lëshoi veten dhe dha jetën në Sheshëz të Oroshit në Mal të Shenjtë, e atje në grykë të shpellës së Akullit, që është 15 metra e thellë në tokë .

 Eshtrat e Ded Gjo Lulit, françeskanët i kishin ruajtur në varret e tyre për t’i bërë një monument. Nga ana e saj, Shkodra e nderoi vetëmohimin e familjes Gjo' Luli. Në maj të vitit 1923, me përpjekjet që banë e bija, Nareja dhe e reja, Nora, (Bashkëshortja e Kolës), u bartën prej Oroshit eshtrat e Dedës dhe prej Vlore, ato të Kolës dhe u sollën në Shkodër.

 

Ndërkohë në Shkodër qe formuar dhe "Komiteti Dedë Gjo' Luli", që do t'i ngrinte një monument këtij patrioti të shquar. Luigj Gurakuqi, i zgjedhur bashkë me Avni Rustemin e Risto Siliqin, anëtar nderi të komitetit, shkruante: "...due të shtoj dy fjalë edhe mbi dy inisiativa të tjera që janë marrë; me i ngritun një monument edhe kreshnikut tonë me famë botërore Skënderbeut e malcorit të madh Dedë Gjo' Luli..." Patrioti tjetër i shquar, Avni Rustemi, do të shkruante që nga Roma: "Gëzohem që u mur iniciativa për t'i ngrehur një monument Burrit pa frikë e pa njollë të malësive tona, që kështu të jehojë emri i të ndjerit në brezat e ardhshëm. Ju faleminderit që më keni emëruar si pjesëtar nderi."

Poeti Risto Siliqi do të shkruante fjalë zëmre për luftëtarin e madh: "Sot pa farë dyshimi mund të thuhet se gjeneracioni i jonë i sotshmi e ka kuptue rëndësinë e veprave patriotike... që trupat e fatosave martirë të shporuem pa mëshirë me bajonetat e armikut mos të kalben nën dhè bashkë me veprat e tyre. Emni i Dedë Gjo' Lulit, i cili nuk triumfoi me kombinacione, por me vepra të gjalla, që e dëshmojnë edhe krepat e thepismë të maleve tona, vuloset i gdhendun në historinë tonë kombëtare" .

Figura e këtij burri, malësori e atdhetari të kulluar, është përmendur në histori 

dhe është e njohur dhe e nderuar në popull. Dedë Gjo’ Luli është personifikimi i 

maleve shqiptare, në kuptimin organizativ vetëmbrojtës dhe si ushtarak. 

Profesori gjerman, Dr. Ferdinand Huepe shkruan: “Vetëm në malet shqiptare 

u zmbraps furia e valës sllave”.

Francezi Ciprion Robert theksonte: “Malësitë janë nervi kryesor i Shqipërisë”, 

ndërsa Dora d’Istria do të pohonte se në malësitë e veriut ka gjetur strehë shpirti i

pavarësisë”.

Nuk ka dyshim se malet shqiptare kanë luajtur një rol shumë të rëndësishëm në historinë e kombit shqiptar, por historia jonë e shkruar nuk e ka vënë në pah ende sa duhet e si duhet këtë rol. 

Pushtimi osman i Shqipërisë  vijoi plot një shekull nga luftimet e para pranë Gjirokastrës më 1380 deri në rënien e Shkodrës më 1479. Gjatë kësaj periudhe në Shqipëri u krijuan bashkësi fqinjësore (jo fisnore) vetëmbrojtëse të quajtura male, të cilat historianët e shquar Hamilton Gibb e Harry Bowen i kanë quajtur vatra të forta qëndrese në Shqipëri. Nga këto male, Hoti përmendet qysh më 1416, më 1459 mali i Tomadhesë, më 1469 mali i Benes e në vijim edhe të tjerë.

Në këtë mjedis, pra në malin e Hotit, vatër qëndrese, i cili jo rastësisht njihet në popull si mal i parë, lindi e u rrit e u burrërua Dedë Gjo’ Luli. Aty ai mësoi kuptimin e detyrës themelore kombëtare, siç ishin vetëmbrojtja e malit të Hotit dhe lufta për liri e pavarësinë e Shqipërisë. Këtë e mësoi Deda se në ato male kurrë nuk u shua fryma skanderbegiane e lirisë. Këtë na e dëshmon vetë Deda. Në letrën që i çon arqipeshkvit të Shkodrës më 27.2. 1904, theksonte: “Në qoftë ndokush meshtar shqyptar gjakut e vllaznisë sonë po e përbejë për mund e gjak të Skanderbegut, që ka derdhë për Shqypni të na dalë zot tenzotnia  jote”. Mundi dhe gjaku i Skënderbeut ja çka ishte për Dedën - beja më e madhe!

Simboli i lirisë dhe i pavarësisë së popullit shqiptar, Heroi kombëtar Gjergj Kastrioti ishte për të më i shtrenjtë dhe më i shenjtë se çdo gjë tjetër. Që fryma Skënderbegiane e lirisë dhe e vetëveprimit ishte trupëzuar në mendjen e Dedës, ne e shohim në kërkesat e vijueshme të tij.  

Duke e kundruar Dedën si ushtarak, mund të pohohet pa lëkundje se ai krahasohet me gjeneralë të shkolluar evropianë e ua tejkalonte gjeneralëve turq. Si ushtarak, gjeneral me aftësi të shquara, si në fushën e organizimit e mobilizimit ashtu edhe të komandimit, të shfrytëzimit me mjeshtëri të cilësive taktike e operative të terrenit të thyer malor, Deda dallohet si askush tjetër. Duke i njohur këto cilësi në vitin 1879- 1880 Dedën e shohim në detyrën e komandantit të forcave të malësisë dhe zëvendës komandantit të përgjithshëm në Jug, ku komandant ishte Preng Bib Doda e për qytetin e Shkodrës e rrethet, Hodo Sokoli.

Deda kishte aftësi të rrallë që ndjenjën fetare ta përdorte në shërbim të çështjes kombëtare. Duke qëndruar disa kohë në llogore, malësorët luftëtarë kërkuan të shkonin në kishë për të pas meshë. “Jo, u përgjigj Deda. Do të vijë prifti në llogore e të thotë meshën. Kështu edhe detyrën nuk e braktisim, edhe meshën e shohim”.

Kështu që, duke tërhequr mbi vete gjithë ato forca goditëse, viset e tjera kishin mundësi të shpërthenin kryengritje fare lehtë. Berati e Vlora qenë gati. 

Në ditët e para të marsit, mirditasit sulmuan garnizonet turke në Orosh e Kashnjet. Komandanti i Divizionit 24 i dislokuar në Shkodër e çmoi gjendjen si shumë të rrezikshme. Për të përballuar sulmet në Mirditë tërheq nga Tuzi 4 batalione këmbësorie dhe, duke u shtuar edhe disa të tjerë nga Shkodra, nën komandën e shefit të shtabit kolonel Pertef  beut, i nisi urgjent në Mirditë. Edhe nga Prizreni në drejtim të Mirditës u dërgua një detashment këmbësorësh i shoqëruar me artileri malore.

Duke parë se garnizoni i Tuzit ishte pakësuar shumë, prandaj një sulm i befasishëm do të çonte patjetër në sukses, Deda dërgoi Nik Gjelosh Lulin e të birin, Kolën për të nisur këtë sulm. Kështu që më 24 mars sulmohet e merret posta e Rapshës. 

Më 25 mars merren postat në Stare, Pikale e Selishtë, ndërsa Kelmendi theu kishën

e merr armët e mbledhura aty më 1910

 

Kur mbushi 75 vjeç Dedë Gjo Luli tregoi trimërinë e fundit në jetë. I gjendur në një kurth, i lidhur këmbë e duar, i zhveshur pothuajse lakuriq, i vjedhur nga gjithçka që kishte në xhepa, atë 24 shtator të vitit 1915, plaku i maleve u vra përmes bajonetash të ngulura në trup dhe njëkohësisht nga plumbat e një batareje pushkësh, nga rreth 30 ushtarë serbë në Sheshëz të Oroshit, në Mirditë.

Shqiptari që kishte luftuar një jetë të tërë kundër serbëve, vetëm në këtë mënyrë mund të vritej prej tyre.

Dedë Gjo Luli kishte bërë shumë beteja në jetë kundër serbëve. Por në atë të së premtes së 24 shtatorit u gjend pa asnjë mundësi për t’iu kthyer atyre. Mes afro 50 malësorëve, i gjendur në një fushë në Orosh, përballë tyre plaku nuk kishte asnjë mundësi. Tufa e ushtarëve serbë e lidhën atë bashkë me të tjerët, e zhveshën, ia grabitën gjithçka në xhepa dhe në fund e ekzekutuan. Rapsodi mirditor e ka gdhendur në vargje dhe muzikë momentin e vrasjes së tij:

 

Në bjeshkë të Oroshit na u derdh zani, se ç’ban me ne serbjani,/

Si ata trimat kanë rrethue, me vargonj na i kanë shtrëngue,/

Zana e malit t’jam ankue, curril gjaku tue u shkue/

Mu në Sheshëz burrit të botës, pa iu tremb qerpiku i lotës,

Serbi thikën i ngul në krahnuer/ Dedë Gjo’ Luli burrë malcuer,

Po i thotë këto fjalë açik: Gjaku em të shkojë fli, Për me pshtue të shkretën Shqipni.

 

Për vdekjen e Dedë Gjo Lulit, mes dëshmitarëve okularë, ka vetëm një që ka lënë gjurmë. Në punimin e tij Si u vra Ded Gjo Luli në Mirditë, Përgega shkruan se Fran Lulgjuraj, në moshë 78-vjeçare i ka treguar:

“Në vitin 1980 kam takuar në Podgoricë në shtëpinë e tij, në rrethina, mirditorin e zgjuar Frrok Bisaku. Malësorët dhe kosovarët e merrnin Frrokun kur kishin probleme gjaku dhe ngatërresa, të cilat ai i zgjidhte si njohës i thellë i Kanunit. 

Ai më ka thënë se Dedë Gjo Lulin e ka parë të shtrirë përdhe të vrarë. Ishte vetëm trupi i tij pa jetë. Ia kishin marrë çakshirët, armët dhe e kishin lënë me mbathje të gjata, me çorape e këmishë të bardhë…”

Deri më sot studimet njohin vetëm një variant për mënyrën e ekzekutimit, por dy variante për autorësinë e kurthit që i është bërë Dedë Gjo Lulit. Nuk ka asnjë dilemë apo mungesë të dhënash se ai u vra. Por diskutimet dhe debatet vijojnë edhe sot se cilët ishin ata shqiptarë që e futën në kurth dhe bashkëpunuan me serbët për ta vrarë.

Studiuesit vazhdojnë të jenë të ndarë nëse kjo është tradhti apo e gjithë ngjarja ishte një kurth serb?

Mbështetësi i tezës se bajraktari i Oroshit, kishte gisht në vrasjen e Dedë Gjo Lulit është Pal Doçi. Në librin e tij “Malcori i madh Dedë Gjo Luli” ndër të tjera ai shkruan:

“Në vjeshtën e vitit 1915, në shtëpinë e Ded Gjo Lulit, në Shkodër vjen një lajm prej kapedanit të Mirditës që e fton në Orosh për të biseduar “për fatet e vatanit”. Së bashku me të birin, Ded Gjo Luli, bën disa ditë rrugë nëpër bjeshkët e Mirditës vetëm e vetëm për mos t’i dalë fjale krerëve vendas. Por këtu, në këto bjeshkë, kishte zënë pusi vetë tradhtia.

Ndërsa shkonte drejt kishës së Oroshit, atij i dalin përpara rreth 30 serbë të armatosur. Plaku gjendet ngushtë dhe i befasuar, por e kupton menjëherë tradhtinë. Ai kërkon të takojë me bajraktarin e Oroshit, por ky i fundit, anipse e ka thirrur, diku është fshehur, pyjeve të mëdha të Oroshit.

Serbët pasi e lidhin e kontrollojnë Dedën nëpër xhepa. Ai kupton këtë kontroll dhe nuk mungon të thotë; “Haj, haj, po ju kini kujtue se unë kam luftue tan jetën për pasuri? Po kjo asht marre. Burri i Shalës lufton veç për vatan o shkja të ndymë!” Krismat e armëve presin në mes fjalën e trimit. Ishte 24 shtatori i vitit 1915.

Por për këtë variant ka një pyetje më se normale: A mund të fshihej bajraktari i Oroshit?

Ky detaj është pak i besueshëm. Rregullat dhe zakonet e asaj kohe nuk e pranonin që bajraktari të fshihej dhe si i tillë ky variant nuk është i mbështetur bindshëm.

Serbët kanë qenë mjeshtra të ngatërresave dhe intrigave sidomos kur vinte puna për të eliminuar shqiptarët. Duket që ka qenë një plan i mirëorganizuar duke lënë përshtypjen që edhe vetë shqiptarët të ngatërrohen me njëri-tjetrin. Gazetari, studiuesi dhe kryeredaktori i gazetës “Dielli” në Neë York, Dalip Greca, jep një version më se të besueshëm:

“Ai edhe pse e parandjeu grackën, edhe pse e paralajmëruan miqtë që të mos udhëtonte në kohë të turbullta, për besë burrash shkoi në takim. Vetëm, kur në vend të prijësve, i doli përpara kapiteni serb, ai gjakftohtë, u tha mirditorëve, që e shoqëronin: – paskemi mbarue!

Nuk e dha veten. As kur e prenë me bajonetë bashkë me pesë mirditorët, nuk e lëshoi veten. Trupin e tij e gjetën pas dy javësh dhe e varrosën në kishën e Oroshit” Askund nuk përmendet ndonjë bajraktar në ditën kur u vra Ded Gjo Luli. deri në vdekjen tragjike në Orosh të Mirditës nga dora gjakatare e pushtuesit serb.”

Esad Pashë Toptani dhe Dedë Gjo Luli nuk janë takuar kurrë në jetë. Por të dy e kanë njohur mirë njëri-tjetrin. Esadi kishte dëgjuar për plakun që luftonte kundër serbëve, por edhe plaku Dedë Gjo Luli kishte dëgjuar për tradhtitë e Esadit. Po a ishte Dedë Gjo Luli personazhi i radhës për të cilin Esadi kërkonte eliminimin për llogari të serbëve? Por fakti që atij iu bë një kurth ka një pikëpyetje të madhe: Përse plaku 75-vjeçar, i zgjuar nga natyra, udhëtoi drejt Oroshit kur rreziku ishte i dukshëm? Studiuesi Kolec Traboini nuk ka dilema, për tradhtinë e Esad Pashë Toptanit.

“Forcat serbe kishin pushtuar Oroshin dhe me ta ishin forcat e Esat Pashë Toptanit, kryetradhtarit të Shqipërisë. Tre emrat që duhen përmendur për masakrën në Sheshëz të Oroshit janë Kapiten Gjura i Serbisë, Sheh Hamdiu dhe Ali Fehmiu, esadistë, bashkëpunëtorë të pushtuesve. Këta dy të fundit ndërsa morën me vete Kolë Tomën dhe Preng Mark Prengën e të tjerët, Dedë Gjo Lulin ua lanë në dorë serbëve, të cilët e morën të lidhur për në vendkomandën e tyre në Nënshejt, por rrugës e ekzekutuan…!”

Pasi e vranë, serbët nuk lejuan askënd që ta merrte trupin e Dedë Gjo Lulit. Ata e vendosën trupin në Shpellën e Akullit, në Mirditë duke e lënë aty të shoqëruar me roje. Por popullsia e zonës nuk e lejoi gjatë këtë përdhosje. Pas dy javësh trupi i tij u nxor nga shpella dhe u varros në oborrin e kishës së Oroshit, me një ceremoni fetare nderimi, që i takonte. Ndërsa varrimi i dytë i është bërë në vitin 1923, në Shkodër, në një ceremoni madhështore, duke i dhënë vlerën reale, këtij heroi të papërsëritshëm.


E shanë, e torturuan, pastaj e vranë dhe më në fund e masakruan. Ky burrë shqiptar kishte shkuar atje në Orosh të Mirditës për bisedime, edhe pse kishte një parandjenjë se atje do të vritej.

Testamenti i nënshkruar një ditë më parë se të nisej, tregon parandjenjën e tragjedisë së tij, pavarësisht se të gjithë e kishin këshilluar që të mos shkonte.

Por Dedë Gjo’ Luli ua kishte dhënë fjalën krerëve të Mirditës. Ishte ditë fatkeqe e shtatorit kur u vra trimi legjendar i Shqipërisë, Dede Gjo’Luli i Hotit.

Atë ditë u shua nga qielli shqiptar një yll i lirisë kombëtare.

Tërë bota e kuptoi se shqiptaret janë gati te bëjnë sakrificën me të madhe për atdhe.

Shtypi evropian dhe botëror shkruante çdo ditë për trimërinë dhe vendosmërinë e shqiptareve. Politika dhe diplomacia evropiane mësoi shume nga kjo luftë.

Patriotet shqiptare përgatiten dhe nënshkruan Memorandumin e Greces, që është dokumenti me i rëndësishëm për pavarësinë e Shqipërisë, para Shpalljes së Pavarësisë në Vlorë më 28 nëntor të vitit 1912.

Të gjitha këtyre, si dhe veprimeve të tjera heroike dhe politike, u priu Dede Gjo’ Luli me guximin, ndershmërinë dhe largpamësinë që e karakterizonte në çdo çast historik.

Për luftërat dhe atdhedashurinë e tij kanë shkruar me shume se 100 autore shqiptarë dhe të huaj. 

Vendlindja e tij dhe gjysma e Malësisë se Madhe gjendet edhe sot e kësaj dite nën pushtimin serbo-malazez. Kulla e Dede Gjo’ Lulit është shndërruar në një gërmadhe. Deciqi dhe Bratila janë troje shqiptare që u lanë me gjak për lirinë e Shqipërisë. 

Flamuri i Kastriotit është ngritur për herë të parë në Bratile dhe në Deciq; atje është larë me gjakun e djemve dhe vajzave më të dalluara të Malësisë, ashtu siç është larë me gjak Prekazi i Drenicës nga Adem Jashari dhe bashkëluftëtaret dhe anëtaret e familjes së tij.

Dede Gjo’ Luli është ndër të paktët brezni luftëtaresh heroik, që është shuar me far’ e me fis për flamur e për lirinë e vendit. Por, politika shqiptare nuk është treguar kurrë e plotësuar, për t’i çmuar në nivelet që e kanë meritën, ato familje të nderuara, që u shuan me heroizëm tërësisht, për lirinë e vendit.

Në këtë jetëshkrim janë përdorur materiale nga Wikipedia si dhe të autorëve Mark Ndoja, Lazër Radi, Pirro Prifti,  Zef Pergega, Dalip Greca, Kolec Traboini, Pal Doçi, Romeo Gurakuqi, etj.

 

Tiranë, më 15 Maj 2019

Comments (0 posted):

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
0
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1