Newsletter
Email:
Poll: Letërsia
Cili është lloji juaj i preferuar i letërsisë?
Home | ESE | 100 VJETËT E LAVDISË SË GJENERALIT BURRËROR RRAHMAN PARLLAKU

100 VJETËT E LAVDISË SË GJENERALIT BURRËROR RRAHMAN PARLLAKU

Font size: Decrease font Enlarge font
image SHPENDI TOPOLLAJ dhe RRAHMAN PARLLAKU

SHPENDI TOPOLLAJ

100 VJETËT E LAVDISË SË GJENERALIT BURRËROR RRAHMAN PARLLAKU

 

Askush, shkrimtar apo historian qoftë, nuk duhet të mendojë se është e lehtë të shkruash për njerëz që me veprën e tyre janë kthyer në legjendë, e ca më shumë kur ata janë gjallë, sikurse ndodh me Heroin e Popullit dhe Nderin e Kombit, gjeneral leitnant Rrahman Parllakun, i cili më 17 Prill të këtij viti mbush plot 100 vjeç. Çdo titull që mban ose mund t`i akordohet atij, ndofta nuk mund të na e japë më mirë portretin e rrallë të këtij biri të thjeshtë të Kuksit, të rritur në Vlorën e trimave dhe të dashur në gjithë viset shqiptare, falë vlerave të tij të jashtëzakonshme si luftëtar i lirisë dhe drejtësisë, sesa fjalët që Napoleon Bonaparti 210 vjet më parë, ia drejtoi Gëtes në kremtimet e Erfurtit: “Ja një burrë! Ju jeni një njeri zoti Gëte”. Një Njeri, një burrë i madh dhe i palëkundur mbeti gjithë jetën e tij të gjatë dhe të mbushur me suksese, peripeci e vuajtje, gjeneral Rrahmani. I mençur, i urtë dhe përherë i qeshur, ai dinte të fitonte lehtësisht zemrat e të tjerëve, t`i frymëzonte ata dhe t`i hidhte në aksione. Jo më kot, shumë shpejt, “gegës” që bënte ëmbëlsira së bashku me babanë dhe vëllanë, ju besua që nga fillimi i Janarit të vitit 1943, drejtimi i njësiteve guerilje të Vlorës dhe më pas u emërua në funksione e detyra nga më të rëndësishmet si zv. Komisar i Brig. së VIII - të S. dhe në vazhdim me brig. e III - të merr pjesë në luftrat për çlirimin e Kosovës.

Duke parë aftësitë, guximin, pjekurinë dhe talentin e tij në organizimin e betejave, në prag të çlirimit të Shqipërisë, emërohet komandant Divizioni dhe qëndron si kuadro drejtuese në ushtri si Drejtor Personeli në ministrinë e Mbrojtjes, Drejtor Politik i saj me gradën e kolonelit, prej nga dërgohet në vitin 1948 me studime në Akademinë Ushtarake “Klement Voroshillov” në Moskë. Pas kryerjes me sukses të studimeve, Rrahman Parllaku sërish punon në këtë ministri, tani në detyrën e zv. ministrit të Mbrojtjes dhe njëkohësisht atë të Drejtorit të Prapavijave, por me gradën e gjeneral majorit. Deri në vitin 1961 i besohet detyra e zv. ministrit të Mbrojtjes për Përgatitjen Luftarake të Ushtrisë, gjersa në vitet 1961 - 1969 drejton Forcat Ushtarako - Detare si komandant, me gradën e gjeneral leitnantit (1964) e më pas komisar i tyre. Për afro dy vjet, ka qenë komisar i Forcave Ajrore dhe në vitin 1970 kthehet si zv. ministër i Mbrojtjes për Përgatitjen Luftarake dhe pastaj zv. Shef  i Shtatmadhorisë së Ushtrisë, ku qëndroi deri në vitin 1974, kur e ashtuquajtura “Fshesë e hekurt” goditi pa mëshirë dhe preu koka gjeneralësh e kuadrosh të rëndësishëm me akuza nga më absurdet. Çfarë shpifjesh të neveritshme nuk sajuan edhe për Heroin e Popullit, deputetin e shtatë legjislaturave në Kuvendin Popullor dhe anëtarin nga më të vjetrit të Komitetit Qendror të Partisë, Rrahman Parllakun, i shquar për besnikëri e ndershmëri ndaj Atdheut e detyrës së ngarkuar, gjersa e dënuan me 25 vjet burgim, nga të cilat 17 i vuajti në skëterrën e Burrelit, kur e mundonte edhe sëmundja e diabetit. Gruan e tij të mrekullueshme dhe vajzat ja internuan në Kavajë, duke ua ndërprerë perspektivën e jetës. Nga burgu, gjeneral Rrahmani doli në 17 Mars të vitit 1991, pra kur diktatura e egër komuniste, të cilës ai i kishte besuar, u përmbys me turp. U kujdes pa humbur kohë që t`i drejtohej Gjykatës së Lartë që ta shpallte të pafajshëm, duke ju kthyer edhe të gjitha dekoratat e shumta të luftës dhe punës, ç`ka ju plotësua me një vendim të posaçëm. Edhe pa atë vendim, ne që e kemi njohur, e kemi ditur mirë se Rrahman Parllaku ishte i pastër si ai përroi që rrjedh nga Bjeshka e Kallabakut drejt Novosejës së tij. Ai, ishte mbi të gjitha një atdhetar i madh, që dallohej për fisnikëri, dashamirësi, tolerancë dhe sidomos për një takt atëror që do t`ja kishin zili edhe pedagogët më të mëdhenj. Në rrugën e tij një shekullore, Rrahman Parllaku i dha vendit të tij më shumë nga ç`mori prej tij.

Ai, veç sukseseve, provoi shumë vështirësi, pengesa, vuajtje e dhimbje, por megjithatë mbeti i papërkulur në karakter, duke u bërë simboli i vlerave më të larta të shqiptarit, përfaqësuesi më tipik i virtyteve të racës tonë, dhe dashje pa dashje të kujton lavdinë dhe kalvarin e Krishtit dhe shumë njerëzve të tjerë që mbetën në memorien e popujve si pika referimi dhe modele që duhen ndjekur. Rrahman Parllaku, ai njerëzori e gojë ëmbëli deri në kufijtë e të pabesueshmes, u kthye për këdo që e njohu, punoi apo dëgjoi në ekrane televizorësh e takime të ndryshme, në një yll të ndritshëm udhërrëfyes drejt mirëkuptimit, vëllazërimit dhe përparimit. Në çdo rrethanë nga kaloi jeta e tij me tallaze, pra edhe kur fati i ktheu krahët dhe e goditi pa mëshirë, asnjëherë nuk predikoi e nxiti hakmarrjen. Gjithmonë, dhe sidomos prej kohës që drejton me dinjitet e largpamësi OBVL - në,  foli me objektivitet e konsideratë të lartë për luftën antifashiste të popullit tonë, për trajtimin e drejtë të ngjarjeve të asaj kohe, për domosdoshmërinë e pavarsisë së Kosovës, për nderimin e luftëtarëve të saj, për mirënjohjen ndaj ndihmës së SH.B.A. dhe vendeve evropiane, për bashkimin e  trojeve shqiptare etj. Kujtesa fenomenale e tij, duke sfiduar moshën e bën këtë njeri aq të besueshëm te kushdo, sa shpesh e identifikojnë me vetë historinë. Ne, që kemi qenë vartësit e tij, do ta kujtojmë sa të kemi jetë, me respektin e dashurinë më të madhe këtë komandant e komisar, këtë zv. ministër të Mbrojtjes. Veç të tjerash, ai do të mbahet mend gjatë për kujdesin e tij për oficerët dhe familjet e tyre dhe sidomos për vëmendjen që i kushtoi përherë shkollës së mesme ushtarake “Skënderbej”, prej nga dolën kuadrot më të mira të ushtrisë. Ja pse me gjithë zemër i urojmë atij jetë sa më të gjatë dhe mendje të freskët, dhe i themi të ketë parasysh porosinë e Wallace Stegnerit se: “Po të jetë që të plakesh, duhet të plakesh sa më shumë të mundesh.” Se gjeneral Rrahmani ka të drejtë më shumë se kushdo të pohojë me gojën plot, fjalët e vetë Gëtes: “Qeshë unë njeri në këtë botë / qeshë një luftëtar kjo do të thotë”.

Comments (0 posted):

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
0
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1