Newsletter
Email:
Poll: Letërsia
Cili është lloji juaj i preferuar i letërsisë?
Home | ESE | 120 VJETORI LINDJES BILAL GOLEMIT, MIKROBIOLOG DHE VETERINAR I SHQUAR.

120 VJETORI LINDJES BILAL GOLEMIT, MIKROBIOLOG DHE VETERINAR I SHQUAR.

Font size: Decrease font Enlarge font
image BILAL GOLEMI

 

Esse nga Luan Çipi

 

 

Bilal Golemi, lindi më 9 Mars të vitit 1899 në Golem të Gjirokastrës, Shqipëri   dhe vdiq në më 15 mars 1955, në Stamboll, Turqi.

Ishte mjek veterinar, mikrobiolog i shquar në fushën veterinare e mjekësore,  atdhetar e demokrat përparimtar.

Bilal Golemi në moshën 7 vjeç largohet nga fshati bashkë me familjen dhe vendosen në Stamboll. Pasi kryen arsimin e ulët dhe të mesëm atje, ai regjistrohet në Fakultetin e Veterinarisë Ushtarake Turke. Këtu mundi të studionte me shpenzimet e shtetit. E mbaroi këtë shkollë me rezultate të shkëlqyera dhe për tre vjet shërbeu në ushtrinë Turke, me gradën e kapitenit.

Bilal Golemi i zellshëm për studime kishte aspirata, por edhe aftësi e prirje të tjera nga ato që i lejonte një karriere ushtarake. Për këtë arsye, jep dorëheqjen nga ushtria dhe pas një konkursi, fiton të drejtën për t’u specializuar në fushën e mikrobiologjisë dhe për te vazhduar me shpenzimet e tij, studimet në Institutin e famshëm  “Pastër” të Parisit.

Gjatë specializimit, ai ra në sy të autoriteteve shkencore të Institutit, si një studiues i thellë me aftësi të spikatura në fushën kërkimore shkencore dhe për këtë arsye i propozohet që të qëndrojë me punë në këtë Institut, si bashkëpunëtor shkencor i tij.

Në Institutin Pastër, Dr. Bilali, pati një karrierë të shkëlqyer shkencore. Ai mbrojti dhe fitoi doktoraturën me një temë studimore të rëndësishëm dhe u caktua të punonte si bashkëpunëtor i profesorëve të mëdhenj Ramon e Duma.  Duhet theksuar se Prof. Ramon, ishte ndër pesë mikrobiologët më të mëdhenj të asaj kohe. Ai prodhoi për herë të parë vaksinën kundër difterisë së fëmijëve, serumin kundër tetanosit dhe ka studiuar anatoksinat dizanterike. Në këto shpikje, ai pati bashkëpunëtor, shkencëtarin e ri nga Shqipëria, që veç sa sipër, kreu në këtë institut edhe studime të tjera të rëndësishme.

Bilali, për aftësitë e tij teorike dhe praktike u caktua dhe si mësimdhënës. Në vitin 1926 ai u ngarkua të drejtojë në teori dhe në praktikë, kursin e specializimit, ku merrnin pjesë 33 mjekë, veterinerë dhe biologë nga të gjitha anët e botës. Për punën e tij në këtë Institut Qeveria franceze e ka dekoruar atë me medaljen “Legion d’ Honneur”.

Gjat kohës që ai punonte në Institutin Pastër, mbante lidhje me shumë studentë dhe intelektualë të tjerë shqiptarë që jetonin në Francë dhe ndiqte me interes çfarë ndodhte në Shqipëri. Informacionet tregonin për gjendjen e rëndë ekonomike, sociale e shoqërore dhe prapambetjen e theksuar të atdheut të tij dhe kjo gjë e brengoste pa masë e për këtë, kishte kohë që mendonte, se si mund ti shërbente vendit të tij.

Në kulmin e karrierës së tij akademike e shkencore, kur veç Institutit Pastër të Parisit ku punonte, i qenë bërë oferta pune edhe nga Institutet Mikrobiologjike të Berlinit, Stokholmit dhe Turqisë, Ai, lë shkëlqimin Parisian dhe me gruan e tij franceze Nelyfer dhe me vajzën Denisa, në mars të vitit 1928, vjen vullnetarisht për të punuar e jetuar në Shqipëri. Para se të niset për në atdheun e tij ai, ju bëri thirrje edhe shkencëtareve te tjerë shqiptarë të mërguar, që të kthehen e të punojnë në atdheun e tyre. Në telegramin e tij thuhet: “Atdheu ynë Shqipëria ka mbetur vendi më i varfër dhe më i prapambetur i Evropës. Ajo ka nevojë për mjekë, inxhinierë, agronomë e çdo specialitet tjetër. Kush duhet ti dalë zot veç bijve të saj, prandaj hajdeni të kthehemi e të punojmë atje, ajo do të na pres mirë”. Këtij telegrami ju përgjigjën menjëherë Dr.Vasfi Samimi dhe vëllai i Dr. Bilalit, që ishte inxhinier avionësh, Sami Golemi.

Shqipëria e asaj kohe ishte vendi më i prapambetur i Evropës, vendi i varfërisë dhe analfabetizmit, i pishës dhe kandilit, i plasjes, malaries, tërbimit dhe tuberkulozit, i kasolleve me kashtë dhe i kullave me frëngji, prej nga shqiptarët vriteshin me njeri tjetrin.

Dr. Bilali tashmë ishte një mikrobiolog i famshëm, por kur erdhi në Shqipëri, ai nuk mund të kishte atë luks që të vishte bluzën e bardhë dhe të kishte punë vetëm me librat dhe mikroskopin, por ai u angazhua që nga punët më të rëndomta e deri tek ato që kërkonin kualifikim të lartë.

Blegtoria në atë kohë në Shqipëri ishte dega bazë e ekonomisë që jepte gati gjysmën e prodhimit kombëtar dhe meqenëse Dr. Bilali profesionin bazë kishte atë të Veterinerit, në Ministrinë e Ekonomisë, ai ngriti për here të parë, Drejtorinë e Blegtorisë me tre seksione, themeloi për herë të parë shërbimin veterinar dhe hartoi ligjin e posaçëm për këtë shërbim.

Një sëre sëmundjesh të asaj kohe shkaktonin dëme të mëdha në blegtori dhe lëngata e vdekje në njerëz, prandaj detyrë imediate ishte ngritja e laboratorëve mikrobiologjikë. Për here të parë Dr. Bilali ngriti laboratorin bakteriologjik veterinar, ku vetë ai prodhoi serume e vaksinat e plasjes, lisë, kolerës së shpendëve, këmbëzezës etj. Me iniciativën e Dr. Bilalit u ngrit, gjithashtu,  Shoqata e Mbrojtjes së Kafshëve me kryetar të famshmin Mithat Frashëri.

Në atë kohë në Shqipëri ekzistonte një laborator bakteriologjik për njerëzit ku punonte një francez, që nuk e kishte arsimin e lartë dhe bënte vetëm ca analiza të sifilizit dhe ca vaksina kundër tërbimit. Dr. Bilali sa erdhi në Shqipëri e vizitoi këtë laborator dhe aty pa nivelin e ulët e primitiv të punës që behej atje. Me insistimin e tij ky laborator u transferua në Tiranë në një godinë të përbashkët me laboratorin veterinar dhe të dy laboratorët filluan tashti të punojnë nën drejtimin shkencor të mikrobiologut Dr. Bilal Golemi. Ai i kompletoi këta laboratorë me pajisje të kohës dhe krijoi edhe grupimin e kafshëve të eksperimentit si kavje, me lepuj, pëllumba etj.

Në bashkëpunim edhe me Dr. Bajram Emirin, që edhe ai sapo ishte kthyer nga jashtë shtetit, zbuluan për here të pare në Shqipëri, sëmundjen Leishmanioza në disa fëmijë të Tiranës dhe ishte Dr. Bilal Golemi që diagnostikoi, gjithashtu për të parën here në Shqipëri, sëmundjen e Leprozës tek një punonjës i një konsullate të huaj.

Kështu, në një periudhë prej 4 vjetësh, që Dr. Bilali punoi në Shqipëri, u hodhën bazat shkencore të trajtimit të sektorit të blegtorisë, u hartuan ligjet përkatëse, u zhdukën ose u frenuan disa sëmundje në kafshë dhe u bënë shumë përmirësime në gjurmimin, diagnostikimin dhe luftimin e disa sëmundjeve që prekin edhe njerëzit si plasja, bruceloza, tuberkulozi, tërbimi, lija etj, të cilat në atë kohë shkaktonin fatkeqësi të mëdha.

Në këtë mënyrë, Dr. Bilali hodhi bazat e vërteta të mikrobiologjisë si shkencë në Shqipëri dhe me emrin dhe veprën e tij janë të lidhur ngritja dhe organizimi i shërbimit të veterinarisë, themelimi i të parit laborator bakteriologjik të veterinarisë, importimi i racave të kafshëve, ngritja e të parave stacione shkencore të përmirësimit racor si në Selenicë e Rozafaj, si dhe prodhimi për herë të parë në vend i vaksinave kundër disa sëmundjeve të bagëtive, përgatitja e kuadrove të para veterinare, duke ndihmuar në organizimin e zhvillimin e shkollave të para bujqësore në Tiranë, Kavaje e Lushnje.

Ai çeli kurset e para për infermierë veteriner dhe policë veteriner. Ai propagandoi gjendjen e blegtorisë, organizimin veterinar shqiptar, propagandoi arritjet dhe kështu ka dhe meritën e themeluesi të publicistikës blegtorale në revistat e para “Bujqësi dhe Blegtori” ,”Ekonomia Kombëtare” etj. Ai ka marrë pjesë në disa kongrese dhe konferenca ndërkombëtare. Ai atje jo vetëm e bëri të njohur shërbimin veterinar shqiptar, por me autoritetin e një shkencëtari tashmë të njohur, e anëtarësoi shërbimin veterinar shqiptar  në forumet ndërkombëtare.

Ndërkohë ai është një martir i shkencës, që për hir të saj e ktheu trupin e tij në laborator studimi e vëzhgimi e cila duke iu infektuar rëndë, i kushtoi me jetën e tij. Ai ishte sa shkencëtar aq edhe njeri i thjeshtë e i dashur, atdhetar e demokrat  përparimtar, që gëzonte simpati e dashuri të jashtëzakonshme nga njerëzit brenda e jashtë vendit tonë.

Studimet e tij kanë një vend të merituar në analet e shkencës botërore. Ai i takon atij brezi që solli deri në ditët tona frymën iluministe, virtyte të larta intelektuale dhe atdhetare. Si çdo komb, ashtu dhe i yni ka korifenjtë e tij të shkencës dhe diturisë. Ndërmjet tyre edhe mjekësia veterinare ka figurat e saj të shquara , e njëri prej tyre është Dr. Bilali. Ai është rast unikal, ndoshta nga të rrallët në botë, që iu përkushtua shkencës, sakrifikoi jetën për të, u kthye në atdhe, në kushte jetese mjerane, duke lënë Francën e lakmuar nga intelektualet e botës, dhe punën e çmuar, të vlerësuar e të shpërblyer mirë, në një nga institutet më prestigjioze të kohës, siç ishte  “Instituti Paster”.

Pikëpamjet politike të Dr. Bilalit, ishin ato të një liberali demokrat, pro Republikës dhe kundër Sulltanatit Turk dhe Mbretërisë në Shqipëri. Që kur ishte student në Turqi, por sidomos kur punonte si oficer i ushtrisë Turke, ai u përfshi me gjithë energjitë e tij në revolucionin e udhëhequr nga Qemal Ataturku dhe për këtë është dekoruar nga qeveria Turke me medaljen e “Indipedencës”.

Ai e donte Shqipërinë siç ishin edhe vendet e tjera të përparuara, Republikë Parlamentare, dhe nuk u pajtua me shtypjen dhe shfrytëzimin e egër, prapambetjen e theksuar dhe varfërinë e madhe, prandaj u pozicionua përkrah forcave demokratike përparimtare dhe merr pjesë në lëvizjen e Vlorës që drejtohej kundër regjimit obskurantist të Ahmet Zogut.  Për këtë arsye ai u konfrontua me regjimin dhe u dënua me 101 vjet burg, por si rezultat i presionit të qarqeve shkencore evropiane, ai pasi bëri tre vjet burg, së fundmi u lirua, por u urdhërua të largohet nga Shqipëria.

Ai deshi të shërbente edhe më tej  në atdheun e tij dhe për këtë arsye kërkoi të punonte qoftë edhe si një veteriner i thjeshtë i ndonjë komune, por kjo kërkesë nuk ju miratua dhe ai me zëmër të thyer, u largua për në Turqi.

Me të mbërritur në Turqi, Dr. Bilalin e kërkuan njëkohësisht Ministria e Shëndetësisë dhe ajo e Bujqësisë për institucionet e tyre, por ai pranoi të punojë në atë të shëndetësisë dhe filloi punë në “Institutin e Higjienës” në Ankara, fillimisht si Zv/ Drejtor i atij Instituti dhe më vonë si Sekretar i Përgjithshëm. Gjatë kohës që ai punoi në Turqi, pati një karrierë të shkëlqyer shkencore. Studimet që ai kreu atje u botuan në revistat e buletinet e institucioneve më të famshme shkencore të Evropës si dhe në shumë tekste mikrobiologjie universitare. Ai filloi punën me prodhimin e serumeve hiperimune për prodhimin e vaksinës së difterisë së fëmijëve, tetanosit, tuberkulozit etj, me një cilësi edhe më të lartë se ato që si bashkëpunëtor i Prof. Ramon, kishte, prodhuar në Institutin Pastër. Sëmundja Brucelozë, që prek njerëzit dhe kafshët, ishte shumë problematike në Turqi. Dr. Bilali kreu një studim nga më të thelluarit e asaj kohe, duke analizuar gjakun e 2500 njerëzve dhe kafshëve si dhe qumështin e bulmetoreve të Ankarasë dhe fermave për rreth, prej nga ku konstatoi se sëmundja ishte shumë e përhapur. Në një kongres të mikrobiologjisë në Turqi, masat e gjurmimit dhe luftimit që propozoi Dr. Bilali u kthyen në ligj, të cilat edhe sot janë po të tilla.

Një kontribut i veçantë i tij ishte studimi i dy sëmundjeve që në Turqinë e asaj kohe shkaktonin shumë vdekje në njerëz, siç ishin Tularemia dhe Ethet “Q”. Studimet e Dr. Bilalit mbi këto sëmundje ishin të një niveli të lartë shkencor të cilat u botuan në revistën mjekësore të Akademisë së Shkencave Franceze dhe në dhjetëra organe të tjera të shtypit shkencor. Duke punuar në laborator atij i ra në sy një pikë e kulturës mikrobike të Tularemisë. Mendoi se pas gjithë atyre provave që kishte bërë në kafshët laboratorike, eksperimenti në trupin e tij, ishte një rast i mirë që do të sqaronte shumë gjëra rreth Tularemisë dhe ai nuk u mjekua por i mbyllur në laboratorin e tij për tetë ditë, e la sëmundjen të rrjedh, duke studiuar gjithë kuadrin klinik të saj.

Në vitin 1952, kur gjendja e tij shëndetësore nuk ishte e mirë, ai emrohet drejtor i prodhimit të vaksinës së tuberkulozit në njerëz (BCG), por edhe në këto vite ai nuk e reshti veprimtarinë e tij kërkimore shkencore dhe caktohet ekspert i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, duke u bërë i pari shqiptar në këtë detyrë.

Astma bronkiale, prej së cilës, kishte vuajtur gjatë gjithë jetës, por sidomos ndikuar nga eksperimenti që bëri në trupin e vet, e mposhtën dhe i shkurtuan jetën dhe në moshën më të mirë, në kulmin e prodhimtarisë së tij shkencore, ai ndërroi jetë në moshën 56 vjeçare. Saktësisht më 15 Mars 1955, pushoi zemra e këtij shkencëtari të shquar e atdhetari të madh. Në krye te varrit të tij në Stinje në Stamboll është gdhendur me mjeshtëri, një libër i madh, ndërsa ne faqet e hapura të librit të gurtë, është skalitur në basoreliev një mikroskop.

Më 1952 për studimet e tij shkencore në mikrobiologjinë veterinare, qeveria franceze e dekoroi me medaljen "Legion d’honneur –Merite”. Nga qeveria turke është dekoruar me medaljen e “Independencës”

Në nderim të veprës së tij, Institutit te studimeve veterinare të Shqipërisë. iu dha emri "Instituti Dr. Bilal Golemi”. Gjithashtu Shqipëria e ka nderuar me Urdhrin e Punës të Klasit të I-rë, dhënë nga Kuvendi Popullor më 1969.

Ka ardhur koha që ai të zër vendin e merituar në radhët e korifenjve të shkencës shqiptare, duke e nderuar  me urdhra e tituj, me emërtime rrugësh, lagjesh duke nderuar shkencëtarët e rinj shqiptar me tituj e urdhra me emrin Dr. Bilal Golemi, duke i ngritur buste e deri monumente në disa sheshe e qytete kryesore të vendit tonë.

Për krijimin e këtij jetëshkrimi u shfrytëzuan materiale nga interneti, Wikipiedia si dhe shkrime e studime nga Maxhar Taka, Agim Nelaj, Mehdi Mulaj, Thimi Çollaku, Flora Dervishi, Vasfi Samini- Hulo Hajdëri, etj.

 

Tiranë, më  9 Mars 2019

 

 

Comments (0 posted):

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
0
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1