Newsletter
Email:
Poll: Letërsia
Cili është lloji juaj i preferuar i letërsisë?
Home | ESE | SKELETI I NJË BISHE....

SKELETI I NJË BISHE....

Font size: Decrease font Enlarge font
image Pirro Loli

SKELETI I NJË BISHE....

Ese

Pirro Loli

 

Mish i ronitur keqardhje bar i thatë, e fshehtë e heshtur Kujtesë e ftohtë dhe shiu është kohë e shkuar Stina më e mirë për vetvrasje..

E shkuara e shekullit me yje të kuq skelet i një bishe, kremastar i ndryshkur mes  qytetit. E aftë për t’u bërë metamorfozë konstante. Me maska veshur, mish i qelbur e thashetheme. Shenja dhune në karakter dhe në fytyrën e foshnjës që akoma s’ka lindë.  Ëndrra të zvenitura mbetur udhës shkelur me opinga vjeshte...

Fat i vështirë ky yni. Të na drejtojë një busull e ndryshkur. Ose skeleti i një bishe...

Kujdes me këtë skelet, 

ajo dorë kur ta lëvizi drejt ndonjë muzeumi kombëtar do shohë shumë fytyra të bardha e të qymyrta, me maska e pa maska 

 banditë dhe mercenarë me grada.

***

Nga retorika mashtruese bolshevike e vërteta e së shkuarës (1941-1990)ka rënë në fund të pusit. Fundi i marrëzisë gjithnjë ka një pus. Fosil gjithandej infektues i patretshëm. Vërtet nën grahma agonie, vërtet skelet por thjesht vazhdon të jetojë si kufomë e pa kallur në mes nesh.  Kjo kufomë ndot tokën, ujin dhe ajrin. E vërteta e nëpërkëmbur. E pabesueshme për një vend që ka zgjedhur modelin evropian të të jetuarit të jetë kaq fatalisht i   indoktrinuar,  kaq fatalisht tru shpëlarë,  që nuk do të lëvizi as qimen nga istikami i kuq serbo – komunist, ose enverist

Dhe janë  akoma mes nesh, shumë. Me gjak skeleti tharë.

*** 

   E shkuara vakum; luftra  katastrofike, beteja të fituara , me funde tragjikë. Përçarje. Vëllavrasëse.  Kufoma pa varre dhe varre me heronj të dyshimtë. Dhe dekorata shumë. Të emëruar, patriotë dhe armiq. Ndjenja e fajit dhe e krimit i ka kalbur kurorat dhe ata, dëshmorët, misionarët e vërtetë të kombit,   po flasin nga varret... “Përse luftuam ne, përse? Monumentet nuk duartrokasin as rrugët, shkollat, lagjet me emra heronjsh të emëruar pa i njohur askush. Që u dekoruan në beteja jo heroike. 

...Dhe në varreza nuk ka qetësi.  Paskemi luftë klasash dhe midis dëshmorëve? Disa po ngrihen si fantazma dhe largohen. Të tjerë eshtra humbur e harruar gjer tani po kthehen në parcelën e nderuar... Është zhvarrosur dhe diktatori (udhëheqësi ynë i lavdishëm, por...,)Vinë dhe që përtej oqeanit për t’u prehur në baltën e mëmëdheut. Ne përkujtojmë data historike, (pa kurthet dhe  intrigat, pa prapaskenat ku fshihej djalli) betejash  të humbura, lindje e vdekje aspak historike,  kurora pa lavdi , data të mallkuara si prologë të akteve tragjike, projektuar nga mugoshët  për të derdhur gjak shqiptarësh; Plot tradhtarë, mercenarë, komunistë të kuq e të bardhë me kthetrat e tyre shqyejmë egërsisht shoqi shoqin. Nën dirigjentë të huaj, gjithnjë e gjithnjë kështu. 

... E shkuara qiell i plagosur gri me yje të zinj, plot vrima në kujtesën e natës...Ajo nata jonë, me një yll të huaj; copa thashethemesh, e shkuara e padepërtuara, e  ftohta pa autor;  përqafuar rrinë si në varr xhelati dhe viktima... Patrioti dhe tradhtari. Luftë klase në varreza.(luftë civile). Dhe ne, tradhtarë pa emër. Nuk po shpëtojmë dot nga shpëtimtarët.  Të shitur dhe krenarë. Gjithnjë  e gjithnjë kafshime gjaku në trupin e kombit. Përçarje. Mallkime. Varre. Dhe balada, shumë balada me besë dalë bese;  

... E shkuara jonë e pa verifikuar. E pa hetuar.  E padënuar. Gëzhoje e ndryshkur mbushur me baltë të zezë. Pa kartë identiteti xhelati dhe viktima. Armiq ose patriotë. Patriotë ose armiq! Bardhë e zi. Në trurin tonë shpëlarë.

... Provojeni kujtesën. Pas asaj lufte nuk mund të themi asgjë për luftën. Fashizmi u mund. Komunizmi fitoi. Pushteti, si thelb i saj lufte, u mor , dhe lufta vazhdoi barbare dhe dinake dhe në paqe. Lufta e shpallur  po mbush një shekull që ka mbaruar dhe ne nuk i kemi pastruar betejat, gjeneralët, heronjtë, dëshmorët, varret, tradhtarët, çlirimtarët.  

... E vërteta dhe mashtrimi përqafuar faqe më faqe; Kriminelët krenohen me dekorata, ndere kombëtare e pensione speciale. Aristokratët, elitën kombëtare i vramë i persekutuam, Ç’na mbeti tani? Dhe iu kthyem vetvetes, komunistëve, (fillimisht , 200 petritëve, një nga një lisave pranë tij të prerë)... bomba, akuza, agjentura,  grupe tradhtarësh brenda shtëpisë. Dhe intriga  nëpër këmbë në Bironë e Enverit dhe në Kupolën e Mehmetit. Vrasje makbethiane; (Sa qe Enveri kryeministër, vrau katër ish kryeministra, e gjer sa mbylli sytë , vetë personalisht, zbuloi dhe zhduku dymbëdhjetë grupe armiqësore. Partizanë e veteranë. Na duheshin tradhtarë. Qindra mijëra të vrarë , të persekutuar , të torturuar;  mbushur kampet dhe burgjet komuniste, dhe varret.) Rrofshin xhelatët brohorasim akoma. Dhe xhelatët e vdekur janë akoma gjallë. Të nderuar e të respektuar gjoksit mbushur dekorata heroizmi e  kujtimi e na dalkan tradhtarë dhe nga varret. Rrofshin xhelatët brohorasim akoma. Dhe tradhtarët akoma i kërkon e vërteta. Nga pala tjetër domosdo. 

***

Drejtësia hesht. Nuremberg nuk ka për këtë takëm stalinistësh që,  asnjë çast nuk hoqën dorë nga vrasjet makabre brenda shportës së karavidhave bolshevike. Armiqtë, tradhtarët i mbaruam. Gjeneralë, ministra, besnikë që putheshin në buzë me Enverin, na dolën tradhtarë agjentë... Po turma njerëzish, të pa shëruar nga indokrinimi enverist-o-serb, enverist-o- stalinist, enverist-o -cini-ma-cin;. gazeta,  kanale TV, analistë, profesorë, doktorë... e engjellorë të alarmuar,  shfryjnë urrejtjen nga kaceku i mbledhur kundër kthimit të eshtrave të Mid’hat Frashërit, këtij burri të madh të kombit dhe misionerit më elitar të shqiptarizmës. Si ka mundësi të shpërthejë  kaq agresive urrejtja!? A thua frikë nga të ikurit?! A thua frika nga vetvetja? Dhe si mjegull e zezë na shfaqet që nga Lufta. Të vërtetat tashmë publike që flakërojnë në qiell përballen me mashtrimin akoma të kuq të serb-o-komunistëve shqiptarë.?

 A ka fajtor kjo luftë , a ka zgjidhje kjo urrejtje? Ç’ farë mund të pritet nga ai veterani me pesë vjet shkollë, që paska qenë në luftë 5, 10 apo 15  vjeç,   i mbushur me kaq urrejtje?! Zotërinj, lerini të vdesin komunistë. Me gjithë tesrën e kuqe të Partisë. Është e drejta e tyre. Ata tridhjetë vjet që nuk e kurdisin orën, nuk e ndryshojnë baterinë. Është e drejta e tyre. Demokracia nuk e burgos kundërshtarin ideologjik.  Ai është i lirë.  Liria qenka nëna e të gjitha luftërave. Mashtrimi ideologjik u është bërë lëkurë e dytë,  i ka rraskapitur.  Kjo verbëri absurde ndaj figurave madhore të kombit shqiptar, më duket një përpjekje diabolike e stërnjohur për të shpëtuar nga dëshpërimi...

...  Kurrë nuk kemi qenë më afër e më larg se sot t’i bëjmë atentatin e njëmijtë të vërtetës... Kur do zgjidhen dilemat tona për të shkuarën tonë kaq heroike dhe kaq hipokrite; akoma duhet të kemi frikë nga të vdekurit, frikë nga frika?! As Zoti nuk është më Zot në vendin e vet. 

... Nga iluzionet ishim plagosur të gjithë. Të gjithë. Ata që e dinin të vërtetën i quajtëm tradhtarë. Nga “helmi” ynë nuk po shpëtojmë akoma, as nga përçarja tradicionale që trashëguam nga turqizma dhe komunizma.  Akoma gjallojnë vrasës ordinerë me dorën e tyre , duke shkelur dhe ato të ashtuquajtura ligje,  të pagjykuar, hetues, policë, prokurorë, partiakë poste lartë të inkriminuar, të privilegjuar që   tundin dekoratat. 

***

Ata kanë tepruar nga pylli prej krome, të kuq

të kuqërremtë të pandryshueshëm – vrasës gjakftohtë –

me pika gjaku në sy. Hetues, gjykatës, prokurorë. Pseudoçlirimtarë në pension, shkurre prej krome që pshurrin nën vete, të etur për hije pemësh të larta e aktesh heroikë. Mashtrues. Frikacakë. Nuk e lënë dot një lulëkuqe harrimi…Nuk guxojnë të ikin. Nuk guxojnë ta mbulojnë fytyrën e zverdhur, të marrin me vete dhe gjurmët

dhe zhgarravinat e rrufeve të dikurshme. Dhe si hijet të hiqen zvarrë, nuk guxojnë të heshtin siç heshtin gjethet e rëna në baltë…

***

 Kemi harruar të mendojmë. Mos mohoni. Ne duam të dimë dhe të pranojmë që vijmë nga një e shkuar “heroike “ dhe hipokrite. Jemi bërë të huaj edhe për vetveten. Po flasim për të shkuarën pasi ka shkuar, për mashtrimin pas mashtrimeve, për luftën pas luftës...po për lirinë dhe të vërtetën , kur, kur  do flasim, kur do kemi ligje, zyra shteti, drejtues seriozë e të aftë, prokurorë të pa shitur, semaforë, vija të bardha dhe ...? Veteranët e nderuar po na vdesin veteranë të pa ndryshuar. Nuk duhet ta lëmë gjyshin, babanë,  vëllanë, të vdesin të verbër, nuk. 

... Diktati partiak i majtë dhe këmbëngulja për të mos ta zbardhur të vërtetën, për të mos u përgjigjur dhjetëra pyetjeve thelbësore që kanë të bëjnë me kombin dhe njeriun shqiptar, por dhe me vetë PK, PPSH, PS. pra, të majtën, ku brenda saj gati në një shtrirje afër njëqind vjeçare, ka personalitete të shumta për t’u rivlerësuar e shumë të tjerë për t’u dënuar me në krye prijësin “legjendar”, stalinist,  që bota e rreshton me diktatorët më gjakatarë të shekullit të fundit. ( Për ne,  dy a tre herë  “Hero i Popullit” !) Tashmë kjo përbën një faj historik(krim) dhe  ka krijuar një pështjellim dhe një prani absurde historike gjithëkombëtare gjer në dhimbje brezash të paditur e të habitur...

***

Komunizmi ka vrarë vetveten. Si Kronosi i fillimit të njeriut që hëngri fëmijët e vet... Por, Kronosi në fakt, nuk ishte vrasësi i fëmijve të tij, por i trillimit të tij, jo gjak nga gjaku i tij,  por një ëndrre të frikshme  nga ëndrra e tij. Realiteti i metaforës shpesh është më tronditës se lufta civile. Dhe brenda familjes. Njeriut shqiptar i duhet të luftojë ndaj vetvetes;  të vrasë djallin vetjak, ta heqë  zvarrë drejt varrezash, atë pjesën e tij të kalbur e të gangrenizuar qysh moti. Sot nuk mund të bashkëjetojë më e sotmja me të djeshmen, maska me fytyrën, qelbi me gjakun. Jeta është prani aktuale, e shkuara mos prani; kjo jona, kujtesë që dhëmb. Mësuese e keqe; gojë humnerike që ka gëlltitur të vërtetën; xham i thyer copash me mijëra pa funksion, memorie e plagosur, ku secili mund të shikojë fragmente fantazmash fytyrash të trishta...Bashkëveprimi dhe mirëkuptimi shqiptar për të shkuarën tonë( veanërisht(1943-90), e ka emrin përçarje. 

...

Diga është carë vertikalisht deri në themel. As në Olimb nuk ka më qetësi ... Sfinsi qyshkur, kërkon një përgjigje për të shkuarën e vërtetë. Dhe Varret kërkojnë emrin e saktë. Mijëra të vdekur kërkojnë varr. Ka prej tyre pa kartë identoiteti. Me yll e me shkabë. 

E shkuara jonë e afërt, e manipuluar -  burg i zi  me dyer e dritare  të hapura që,  dhe kur dëshiron njeri dikush të  dalë në liri,   si pa kuptuar, me mjegulla të errëta në kokë,  kthehet atje tek ajo  natë mbushur me dreqër e dokrra leninist- o- staliniste  për të kafshuar vetveten. Të gërmosh të shkuarën tonë, do të thotë të gërmosh në galeritë e fajit. I vdekuri ka vetëm një të mirë – nuk kthehet më  -  e veçanërisht për ne shqiptarët( lexo politikanët),  në mos duam të kthehemi para erës së re,  atdheu i së shkuarës duhet të jetë plagë e mbyllur, temë e ndaluar, përndryshe, në darkë do ta gjejmë shtruar në tavolinën e bukës. 

...

Drita e vetëtimës nuk të ndrit nuk të ngroh  dhe as jargavanin  nën dritare e vdekjes nuk e sheh...Të jesh intelektual i ndershëm, (pavarësisht nga mosha) do të thotë të jesh i vetëdijshëm për të vërtetën; të bëhesh ai që je  do të thotë  të flesh faqe më faqe me  brengën e kombit tënd...Imazh kaotik me dy skaje ekstreme, e vërteta dhe gënjeshtra. Kryqëzim dhimbjesh ulëritëse dhe vlerash të masakruara..

Majmunllëk, masa shkon pas njëshit që e mashtron.  Këtu nuk ka vend për dituri. Të gjithë janë të ditur. Xhelati dhe viktima.  Hajdutët ankohen për hajdutë. Tradhtarët për tradhtarë. Mafiozët për mafiozët.  Të vërtetat heshtin. Gënjeshtrat sulmojnë. Hierarki idjotësh në piramidën drejtuese të shtetit. Kryeministra të padenjë.

Shoqëria jonë vazhdon të përpëlitet nëpër mjegullat e një kompleksiteti absurd. Pa e kuptuar ç’është kompleksi. Të tillë na zë gjumi e të tillë na gjen mëngjesi. Ne nuk jemi çliruar nga vetvetja. Ne gënjejmë veten me slogane dalë boje e përralla bajate. Shikoni sa domethënës e alktual tingëllon logjika e të madhit piktor, italianit  Piero Manzoni për pikturat e veta. “Kam konservuar e shitur mutin tim me etiketën.  “Mut, qind për qind i pastërt artistik!” 

Comments (1 posted):

faruk myrtaj on 10/03/2019 10:17:01
avatar
Tingellon ashper, E Verteta e Plote, E Thene, me ne fund...
E Thene, E Verteta cliron
E Heshtur mund...

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
5.00
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1