Newsletter
Email:
Poll: Letërsia
Cili është lloji juaj i preferuar i letërsisë?
Home | ESE | Vrapi i zemrës nuk matet me kilometra

Vrapi i zemrës nuk matet me kilometra

Font size: Decrease font Enlarge font
image Nase Jani

Nase Jani

Etyd

Vrapi i zemrës nuk matet me kilometra

(Etyd për gazetarin dhe kompozitorin e talentuar,  Kastriot Gjinin në 59 vjetorin e jetës)

Kastriot Gjini e nisi jetën në korrik të vitit 1949 dhe nuk e mati jetën me vite.  Në 29 vjetët e jetës ka vrapuar, ka vrapuar me zemër...

    Më erdhi ky mendim në kokë, kur po ndiqja me interes veprimtarinë përkujtimore të organizuar nga tërbaçiotët e Athinës në përvjetorin  e jetës së “Otit” artist... Mendimet nxitonin të shfaqeshin nga kanionet e kujtesës, duke shkelur rregullat e qarkullimit mendor...

Mendimi 1

 Nga fillimi i viteve ’80-të të shekullit të shkuar, isha mik në Tërbaç të Vlorës. Tërbaçi, me bëma në histori, me trimëri të kënduar në shekuj, m’u shfaq aq i zakontë e i pazakontë njëkohësisht. Aty mbi fshat rinte zgjuar “Shpella e Bilbilejve” që tregonte e heshtur për çetën famëmadhe... Dhe unë shkrova:

 “Te kjo shpellë përmbi Tërbaç

ka bërë vend dhe historia:

dy binjake, rritur bashkë,

besa edhe trimëria...

 

I thonë Shpellë e Bilbilejve”,

siç mund t’i thonë: “Shpellë e besës”

Fustanellë e Bilbil Shakos,

hapi fletët e qëndresës...

 

Dimër i egër. Në ato vite,

këtu erdhën  Bilbilejtë...

i takuan tërbaçiotë,

një nga një të trembëdhjetë...

........

Dyzetë ditë e dyzetë net,

te ky strall e mprehën thikën,

te kjo pllakë e grinë duhanin...

tymi i zi arrinte Çikën...

 

Këtu vinte bukë e ngrohtë,

djathi i napës, këtu vinte...

Ndënë një futë, aty në shportë,

zemra e Tërbaçit ishte...

 

 U dhanë besën dhe i fshehën

te kjo shpellë në gji të malit...

Besa e dhënë e tërbaçiote,

prishi vulat e sulltanit!

Kisha ardhur pas kaq vitesh në Tërbaçin e trimërisë e të mikpritjes. Në trapez, veç të tjerash, dollia me raki të tërbuar, kënga labe me iso gurgullimë... dhe në fund nga një pjatë-me akullore-tërbaçiote:  borë e zbritur nga Çika e “mëlcuar” jo vetëm me sheqer Maliqi. “Tërbaçiotët edhe malin ta zbresin në tavolinë!” Kështu mendova atëherë. Dhe sot e respektoj këtë mendim, kur pasurohem me jetën gjithmonë të re të artistit tërbaçiot, Kastriot Gjini.

Mendimi 2

Duke pirë një kafe, nga termusi i Gaqo Veshit (Hyskë Borobojkës), që e mban gjithmonë në çantën e personazheve të tij aq interesantë, udhës për te “Ditlindja e Otit”, biseda vajti në fshatin-qytet: Vithkuq të Korçës, nga ku ka nisur rrënjë qumështi i gjirit që ka thithur “artisti-magji”.

      Vithkuqi i ideologut të parë të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, Naum Veqilharxhit, me ata njerëz të mirë e të mençur, me atë ujë-qelibar, që kalon portë më portë, me atë histori, që kanë ç’të thonë vitet... Në Vithkuq u xhirua  edhe filmi “Beni ecën vetë” i regjisores Xhanfize Keko, që u nderua edhe me çmim ndërkombëtar... Sa personazh interesant mbetet Beni! Po sikur ta kishte emrin Oti?! Do bënte më shumë çudira me vetveten. Do luante me fizarmonikë, do shkruante vjersha, e do kompozonte këngë... Dhe 11 vjeçar do hynte në “Trapezin e burrave” ku detyroi duhan pirësit me çibuk t’i hapnin udhë: “Ti e meriton çmimin e parë në Festivalin e Fëmijëve! Ta gëzosh!”

Mendimi 3

Në një intervistë që bëra me këngëtarin Sherif Merdani, aty në zyrën e tij në Ministrinë e Punëve të Jashtme në Tiranë, fjalë e kënduar ishte dhe emri i Kastriot Gjinit, me këngët “Fqinja”, “Kabina numër 3”, “Kartolina” etj... Sherifi, fliste me pasion-malli dhe këndonte. Kryefjala e tij ishte: “I mrekullueshmi Kastriot Gjini!” Unë dëgjoja i zhytur në ato ndjesi, që vitet e mia të rinisë m’i kishin ruajtur me kujdes....

Mendimi 4

Mbi dy orë, aty në sallën e Qendrës Kulturore “Athinais”, u fol e u këndua për “magjistarin e muzikës së lehtë”... Ne, personazhet e gjallë, dëgjonim e duartrokisnim... Një vajzë 3-4 vjeçare, që e kish marrë e ëma me vete, gjatë gjithë kohës “theu rregullat”, deri sa u ngjit në skenë, afër portretit të mbështjellë nga lulet, ku buzëqeshte Kastriot Gjini... Vraponte nëpër skenë, duke ecur në udhët e saj të mendimit... Kujtova Kastriot Gjinin, që në 29 vjetët nuk e ndali vrapin e jetës, deri në pavionët e spitaleve të matanë-detit... Vrapi i zemrës nuk matet me kilometra dhe as me vite-jete që shënohen në kalendarë... Njerëzit që vrapojnë me zemër kapërcejnë shekujt dhe s’dinë të ndalen... Kastriot Gjini ka vrapuar me zemër... Ndjeva një dang-dang kapriçioz në gjoksin tim. Ishte zemra ime e lodhur, që më kërkonte falje...

Athinë, Verë 2006-2008

 

Comments (1 posted):

Guri Naimit D(Dh Xhoga) on 07/02/2019 00:32:19
avatar
"Trinitrine";Poezia:
"Vrapi i Zemres(JOTI)
Nase Jani-POET-sjelle.

Zemra ka vite,m'shoqeron me "ishemi"
"Ishemi cerebral"mbetur tranzitore,
Fatlum,ne Torono kjo e fundit;
Si"trinitrine e dyte;poeza-"JOTI".
Sjelle sonte Nase Jani nga Athina
Si ta dinte dobesine time per Te,
Per Kastriot Gjinin,binjak me te;
Nga Zall-Dajti;Petritin Dajti-Valltar
"Vallen e trashegimis" me te at'ne,(1)
Kecyer at'e bir ne ate festival
Festivale,nga Lezha ne Gjirokaster
Mediat e kohes,JOTI-PETRIT- sjelle.
Kater mendime e tua,Nase Jani Poet
Do me shoqerojne,keto vite mbet.
Ma kujtimet Tuaja,deri Vlore perjetuar
Mos vdeksha une 83 vjecari pa shkruar.
Me Panajot Gjinin nisur nje Elegji
Kur u nda nga jeta,buzequmeshti JOTI
Faleminderit,Poeti yne ne Athine,
Jeton,me Heronj artiste te tille.

Toronto06-0202019 Dhimiter Xhoga(GND)

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
0
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1