Newsletter
Email:
Poll: Letërsia
Cili është lloji juaj i preferuar i letërsisë?
Home | ESE | PIKT0RI SKËNDER KAMBERI në 80 vjetor

PIKT0RI SKËNDER KAMBERI në 80 vjetor

Font size: Decrease font Enlarge font
image SKËNDER KAMBERI

PIKT0RI SKËNDER KAMBERI

në 80 vjetor

Esse nga Luan Çipi

 

 

 

Skënder Kamberi lindi më 2 Shkurt 1939 në Lagjen e Re të qytetit bregdetar të Vlorës, ku mori edhe mësimet e para në Shkollën 7 Vjeçare “Naim Frashëri”.

Gjatë viteve  1955-1960  kreu Liceun  Artistik ”Jordan Misja”. Mësuesit e ti të parë të tij ishin piktorët me të shquar të kohës: Nexhmedin Zajmi, Sadik Kaceli, Kel Kodheli dhe Guri Madhi, etj.

Tema e diplomës së maturës së tij ishte:”Punëtorët e ndërtimit”, vaj mbi kanavacë, (110 x 90 cm.). Bashkënxënës të Skënder Kamberit gjatë viteve të Liceut Artistik ishin: Llazar Myzeqari, Andon Lakuriqi, Qazim Arifi, Ferdinand Paci, Kujtim  Buza, Liljana Çefa, Bajram Mata. 

Gjatë viteve 1960-1965 në vazhdim kreu studimet në Institutin e Arteve, në Tiranë. Pedagogët kryesorë ishin: Danish Jukniu dhe Vilson Kilica. Tema e diplomës së maturës ishte “Leximi i shtypit”. 
Bashkë studentë të kursit ishin piktorët: Naxhi Bakalli, Sotir Capo, Gavril Priftuli, Fatmir Haxhiu. Në vitin e dytë të studimeve në kursin e tyre ju bashkëngjitën dhe studentët që i kishin ndërprerë  studimet në Leningrad (ish BRSS) dhe Pragë (ish Çekosllovaki): Llambi Blido, Kujtim Buza, Andon Lakuriqi e Bajram Mata, dhe  Llazar Myzeqari.

Skënder Kamberi u afirmua si një nga piktorët shqiptarë më të rëndësishëm të shekullit XX, si një piktor që po sillte risi në pikturën shqiptare edhe pse i kufizuar dhe brenda rregullave të rrepta të “realizmit socialist”.  

Ai u personalizuar qysh gjatë periudhës studimore, por u dallua sidomos, sa filloi punën si piktor në qytetin e tij të lindjes, duke inspiruar dhe tërhequr pas vetes edhe të tjerë piktorë vlonjat të talentuar, deri aty sa u formua dhe u shpall ai institucion popullor, ajo që u quajt “Shkolla e Piktorëve Vlonjatë” e nisur më herët nga piktori Vasil Talo. Këtu u shkolluan dhe u ritën deri në madhështi kombëtare e me tej,shumë artistë të vërtetë në fushën e pikturës si Skënder Kamberi, Nestor Jonuzi, Agron Dine, Rakip Shabani, Ilmi Bani, Sabaudin Xhaferi, Petrit Ceno, Agim Sulaj, duke vazhduar me më të rinjtë Skënder Milori, Ovanes Rapi, Agron Jakupi, Bujar Kapo, Zini Veshi, Edi Kojani, Arsen Kurti, Artan Shabani, Engjëll Dine, Kristaq Pavli, Roland Runaj, Ilirjan Hasko, Zamira Xhafa, Stoli Shehu, Fatos Zyberaj, Jorgji Tole, Ëngjëll Dine, Alfred Nini, Petraq Stefani, Ardian Tenaj,  Fate Velaj,  Edmond Diamandi, Koço Zhezha,  Luan Vrioni, Anila Kondi, Elton Çeçi, Dorina Elmazi, Ticiana Dine, Bedrana Hitaj, Veiz Rapi, Ergys Novruzaj, Shpëtim Xhema, Drini Shehu, Ervis Kote, Abedin Muhameti etj. si dhe  Ylion Belaj, Daut Shtino, Kozma Mone e Spiro Qirixidhi.

Personaliteti, talenti dhe karakteri i tij ekspresiv e i drejtpërdrejtë, u bë qendër e artit dhe e kulturës për Vlorën dhe në njëjtën kohë, duke u mbështetur fort te shokët e tij të talentuar, e çau rrethimin  e ngurtësimin kohor. 

Në muajin prill të vitit 1966 u në Shtëpinë e Kulturës Vlorë hapet e para ekspozitë personale e piktorit Skënder Kamberi, i cili sapo përfundoi Institutin e Lartë të Arteve Figurative të Tiranës. U ekspozuan 52 punime; portrete, peizazhe, skica të ndryshme me bojë kine si dhe dy kompozime. 

“Piktura ime, thotë Skënder Kamberi, ishte produkt i psikikës time dhe i kulturës artistike evropiane që kisha marrë gjatë viteve të shkollës që nga primitivizmi deri tek Picasso. Me këtë lloj mënyre ajo nuk kishte asnjë lidhje me “realizmin socialist” nga pikëpamja e tematikës e për më tepër nga pikëpamja e formës. 

Piktori Skënder Kamberi, talentin e gjeti brenda vetes si një dhunti që ja fali natyra e Vlorës me bujari, për ta shoqëruar si bashkudhëtar në tërë jetën e tij krijuese. Këtë pasuri të lindur, e të frymëzuar nga natyra shumëngjyrëshe e qytetit bregdetar, mbushur me ullinj e portokall dhe me reliefin det, fushë, kodër mal, Skënderi e konceptoi dhe e shfaqi qysh në fëmijëri. Në moshën 11 vjeç, shkëlqeu në klasën e pestë si nxënës në shkollën “Naim Frashëri” të Vlorës. Mësuesi i vizatimit, i ekspozonte në klasë vizatimet e Skënderit si model për të frymëzuar dhe nxitur shokët e tij. Shkëlqimi i talentit të tij rritej nga viti në vit. 

Talenti, që të përfshihet në artin e kultivuar duhet ushqyer me punë, që të zhvillohet e të bëhet një pemë pjellore. Talenti nga ana tjetër duhet ushqyer pak nga pak e vazhdimisht, për t’u ndezur si një zjarr i madh e i pa shuar kurrë. Jeta, puna dhe vepra e Skënder Kamberit, tregon dhe përligj këtë postulat: Punë me këmbëngulje, ego profesionale e pasion të pashuar, pa të cilin nuk do arrinte majat. 

Vepra e parë artistike e piktorit, që do ngjiste shkallët e suksesit, hap pas hapi, ka qenë “Ndihma e Shokut”, e njëjtë me motivin e tij bazë. 

Vepra e parë, ngjan me fëmijën e parë dhe ka brenda vetes një gëzim të madh. Ndaj dhe Skënderi e kujton me nostalgji dhe krenari punën e tij të parë. Tematika e kësaj tabloje tregon për ndihmën që i jep partizani shokut që ka në krah në llogoren e luftës, në ditë të acarta dimri. Duke parë shokun që po dridhej nga të ftohtit, heq pallton e tij dhe ja jep shokut. Ky subjekt u kritikua si pacifiste nga kritika e kohës. Por kjo se ligështoi Skënder Kamberin dhe as nuk e demoralizoi për të ndjekur rrugën delikate të artit, plot ferra e gjemba, drejt suksesit. 

Një dhunti e veçantë e Skënderi, si  njeri artist, ka qenë dashuria ndaj shokëve dhe përkrahja dashamirëse e talenteve të reja. Njihet xhelozia profesionale veçanërisht në art, po kjo karakteristikë e gjithëkundëshme nuk qëndronte te Skënderi, virtyt që u kultivua dhe te piktorët e tjerë vlonjat. Ata punën e shikonim si një produkt shoqëror, njerëzor e human. Organizonim ekspozita në shkallë rrethi, e vendi, sidomos duke shfrytëzuar festa jubilare. Punimet që nuk arrinin të ekspozoheshin në rang rrethi apo ato kombëtare, thotë Skënderi: “nuk i linim të shpërdoroheshin, por i çonim në shkolla dhe ndërmarrje shtetërore, ku me kohë merrnin vlerat që meritonin. Në këtë mënyrë ne vlerësonim dhe inkurajonim edhe punimet fillestare të talenteve të reja, që rritej besimi për punën e tyre për të ngjitur  më lartë shkallët e artit. Kjo filozofi, bëri që Vlora të krijoj një ansambël të piktorëve me emër, që edhe sot veprat e tyre janë të preferuara në galeritë e artit, jo vetëm brenda vendit por dhe në vende të ndryshme të botës.

Për të nxitur krijimtarinë dhe për të rritur kualifikimin, ata organizonin vazhdimisht diskutime krijuese duke u ballafaquar me rrymat e huaja ndërkombëtare, ku ndesheshin mendime të kundërta artistike. Për model referimi për një kohë, merrnim krijimtarinë e piktorit gjenial vlonjat David Selenica.

Lindja e talenteve në Vlorë, u kultivua më tej me hapjen e Liceut Artistik “Naim Frashëri”, në këtë qytet, ku Skënder Kamberi ishte ndër mësuesit e parë.

Grupi i njohur i piktorëve të viteve 1980, me punimet e tyre të larmishme plotësuan një boshllëk historik në pasqyrimin e artit pamor, qysh nga mesjeta e deri në ngritjen e Flamurit, Shpalljen e Pavarësisë, luftën e 20-tës, luftën Nacional- Çlirimtare, rimëkëmbjen e vendit e deri te veprat ndërtimore. Pavarësisht nga ndonjë ndikim ideologjik i kohës, siç tregon Skënderi, “në epiqendër të krijimtarisë në kanavacë ka qenë njeriu si hero, larg abstraksionizmit. Njeriu s’është parë thjeshtë si qenie filozofike, por si qenie konkrete, reale, që e lëviz shoqërinë përpara”. 

Skënderin nuk e shqetësojnë ata snob që duan të errësojnë dhe mohojnë krijimtarinë e pasur 50 vjeçare. Për t’i ironizuar disa nihilist, të dështuar, gjoja modern, ai tregoi një episod nga një piktor i famshëm helen që kishte bërë një tablo me Aleksandrinë e Madh hipur në kalë. E panë disa kritizerë, që nuk e realizonin dot madhështinë e tij dhe filluan ta ironizonin me romuze. Kali i gjallë i Aleksandërit, vajti afër pikturës. Dikush nga të pranishmit tha: “kali i Aleksandërit merr vesh më shumë se këta që flasin këtu”.

Tematika e veprave në pikturë e Skënder Kamberit është e larmishme. Ajo përfshin ngjarje nga historia shekullore e popullit Shqiptar përfshirë Kosovë e deri në Epirin Jugor. Në studion e tij ballafaqohen dy epoka. Ai, ka pasqyruar me vërtetësi dy kohët e jetuara aktivisht, periudhën e djeshme të Socializmit dhe atë të sotmen të Kapitalizmit fillestar. Arti si pasqyrë e botës shpirtërore të autorit, rrok mbarë Shqipërinë, por e ndarë në parcela ku ka shkelur këmba e tij dhe ka mundur të pasqyroj jetën e njerëzve realë. Veprat e tij të takojnë me shumë vise Shqiptare. E gjen afër Brozdovecin e Korçës me Divjakën e Lushnjës, Konispolin e Çamërisë me Vermoshin e Malësisë së Madhe, Ulqinin e Malit të Zi, me Strugën e Maqedonisë, Llogorain e Vlorës me Kaonet e Skraparit, Lumin Kiri të Shkodrës deri te burimet e Vjosës, e shumë vepra të tjera. E gjithë kjo gjeografi punimesh, tregon qartazi se krijimtaria e autorit ka një diapazon të gjerë, që pasqyron botën shpirtërore shqiptare në të gjitha trevat shqipfolëse, në etapa të ndryshme historiko-shoqërore.

Siç thotë studjuesi Ago Nezho për bashkëqytetarin e vet te adhuruar, Skënder Kamberi: “Arti, është pasqyrim i botës shpirtërore të njeriut por edhe ndikimeve të natyrës. Në mënyrë metaforike, do shpreheshim se në veprat e Skënderit, merr frymë edhe natyra e bukur shqiptare. Marrin “frymë” mali i gjelbëruar i Dajtit me ahishte, ujëvarat e jeshilta të kaoneve të Skraparit, deti i zëmëruar Jonian, që e mbulojnë dallgët dhe buzëqeshja e ngrohët dhe e qetë e detit Adriatik, që përpin brenda vetes një botë të pasur enigmatike, nënujore. Në koloritin impresionues dhe befasues të veprës së tij, gjen të shprehur artistikisht: njeriun, natyrën dhe botën shpirtërore të autorit, që kanë një unitet dialektik mes tyre”.

 Skënder Kamberi ka një veprimtari të gjerë artistike. Përveç ekspozitave të shumta vetjake, ai ka marrë pjesë në të gjitha ekspozitat kombëtare. Krijimtaria e tij në pikturë përfshin deri në vitin 1990: 50 kompozime, 70 portrete, 800 peizazhe, vepra në teknikën e vajit të akuarelit, si dhe mjaft skica e vizatime të botuara në shtyp. Kompozime e tij: “Çrrënjosja”, “Betimi i Vrana Kontit”, “Nëndetëset kthehen në bazë”, “Dhurata e jugut për veriun”, “Lufta e Gjolekës e Tafil Buzit”, “Buka e duarve tona”, “Vëllezërit Frashëri në Vjenë”, “Rrëzimi i beut nga kali”, “Zgjimi i thellësive”, “Djepi i shqipeve”, “Amanetet e flamurit”, “Greva e bukës” e të tjera. Skënder Kamberi është piktor që kërkon e realizon shprehje të tilla artistike, që ngjallin mendime e emocion. 

Piktura e tij jep një përshtypje të shqetësuar dramatike përmes kompozimeve origjinale, kontrasteve të dritës, e ngjyrave të thella dhe të një linje vizatimi të përthyer me art e frymë novatorë. Disa nga ekspozitat vetjake janë hapur pikërisht në ato vende ku autori jetoi dhe punoi për disa kohë, si në Patos, Ballsh, në fshatrat e rrethit të Vlorës, Gjirokastrës e të tjera. 

Krahas krijimtarisë artistike, autori ka dhe veprimtari të gjerë shoqërore. Ai ka qenë dhe Sekretari i degës së lidhjes së shkrimtarëve në rrethin e Vlorës. 

Deri në vitin 1988 ai kishte bërë mbi 43 kompozime dhe vazhdonte të punonte për të tjera. Por, vazhdonte të lëvronte edhe peizazhin, portretin dhe natyrat e qeta. Në Tiranë u shfaq për herë të parë pas pesë ekspozitave pararendëse që kishte hapur, nga të cilat tre në Vlorë një në Lushnjë e një në Patos, Fier. Për vizitorët që i kishin ndjekur ekspozitat e tij, nuk kishte qenë surprizë lëvrimi i gjinive të ndryshme në pikturë, përveç kompozimit. Në ekspozitën e Tiranës, lëvrimi i disa gjinive do të shkaktonte surprizë, pasi artdashësi tiranas e njihte Skënder Kamberin vetëm në gjininë e kompozimit, pasi në ekspozitat kombëtare, ai ishte paraqitur vetëm me kompozime. 

Veprat artistike të Skënderit dhe ekspozitat e tij brenda dhe jashtë vendit në shumë shtete të Evropës dhe më gjerë, janë të shumta. Piktori Skënder Kamberi, duke jetuar në dy kohë diametralisht të kundërta, atë të monizmit të djeshëm dhe të demokracisë së sotme, ka ditur ta shfaq veten në dy dimensione të ndryshme. Në kohën e monizmit, para viteve 1990, ai ka marrë pjesë në shumë vende të botës me punimet e tija të zgjedhura nga juritë që organizonin ekspozita me veprat më të mira të piktorëve Shqiptar. Kështu mund të përmendim disa nga ekspozitat shtetërore të prezantuara në  Grac të Austrisë (1971), Bukuresht (1971) Hamzhou te Kinës  (1973) Pekin, në Athinë (1982), Aleksandri e  Kajro të Egjiptit (1986) Algjeri (1986), Hamburg Gjermani (1994), Romë (1997), etj. 

Do veçonim disa nga kryeveprat që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në kujtesën e adhuruesve të pikturës dhe që janë më përfaqësuese në galerinë e veprave të autorit. Një ndër to është “vajza e valëve”, që ka për tematikë plagët e emigracionit dje dhe sot. Një tjetër punë me një diapazon të gjerë historik është tabloja “Rrethimi i Parë i Krujës”, me Kont Uranin. Kjo pikturë e ekspozuar në një ekspozitë në Vjenë, është cilësuar si “qilimi Persian”. Ndërsa në Bukuresht, shtypi i kohës ka shkruar me admirim për krijimtarinë e piktorit Skënder Kamberi, duke e cilësuar “pasqyrë e ndritshme e kohës”. Një vepër tjetër madhështore është “ Greva e Bukës”, që ka për motiv urrejtjen ndaj okupatorëve Italian. Krahas veprave me tematikë epike, radhiten disa vepra me karakter lirik. Ndër më të spikaturat janë: “ Pusi në Kavalonë”, ku tregon se si mblidheshin vajzat në mbrëmje dhe komunikonin me djemtë e fshatit. “ Buka e duarve tona”, një tablo që i kanë bërë jehonë mediat televizive italiane, spanjolle dhe disa gazeta turke. 

E para veçori dalluese e piktorit të shquar Skënder Kamberi janë ngjyrat. Ai është marrë me ngjyrat posaçërisht qysh student, duke studiuar efektet e dritës sipas Njutonit.  

Piktori Nestor Jonuzi, miku i tij më i mirë duke folur për Skënderin thotë se “Skënderi na mësoi ngjyrat”. Skënder Kamberi vepron mirë me simbolikën e ngjyrave (Betimi i Vrana Kontit, Vallja Labe), raportet estetike të tyre ( Buka e duare tona,  Vajza e valëve) etj.

Ajo që vërehet në krijimtarinë e Piktorit të Popullit Skënder Kamberi, është jo vetëm larmia e tematikës, por dhe diapazoni që rrok ai me penelin e tij, duke na dhënë vepra të pavdekshme me karakter epik, lirik dhe së fundi edhe tragjik. Një nga veprat që ka për objekt tragjizmin është “Otrantoja”, ku shohim të mbytur burra, gra e fëmijë, që shkojnë në fund të detit dhe që për varreza kanë “mure hekuri” dhe kurorë me dallgë uji, “buqeta” dallgësh mbi krye. Efekti psikologjik i kësaj vepre, dhe emocioni që ngjall ajo te shikuesi, shprehet fare qartë nga shumë shikues evropian, që sintetizohet nga një thënie e vizitorëve anglezë, ku të mahnitur para saj, janë shprehur: Ç’është kjo “tragjedi kaq e bukur”. Kuptohet që impresionet dhe emocionet bëjnë punën e tyre, se nuk ka tragjedi të bukur. Këto dy fjalë, flasin shumë për madhështinë e veprës. Një tjetër vepër e kësaj gjinie ku autori nëpërmjet saj simbolizon kohën tonë është epirotja, “Kleopatra”. Pa dashur ta lodh lexuesin me përshkrime të tilla, sepse shumëkush mund të vizitoj studion dhe ekspozitat e këtij talenti vlonjat, që në veprat e tija gjen aromën e pyllit, flladin e malit, blegërimën e deleve dhe dallgët e detit, që janë kurora e gjithë krijimtarisë së tij të pasur me karakter të theksuar kombëtar.

Krijimtaria artistike e Skënder Kamberit është sa e gjerë dhe e larmishme: Ai ka punuar vizatime, portrete dhe autoportrete, ndo dhe natyra të qeta, peizazhe dhe kompozime ne teknika te ndryshme vaji dhe akuareli, pastel, karbon, etj. Kudo që është Skënderi në pikturë te flet me ngrohtësi, dashuri, me zë të lartë dhe  gjithnjë madhështor.

Skënderi të tërheq me çdo punë artistike të krijuar prej tij, po mendoj se te “kompozimi” të mahnit, sidomos me këndvështrimin historik e atdhetar: “Betimi i Vrana Kontit (1968), “Demonstrata e bukës” (1971), Kapedan Sali Vranishti” (1972), “Tragjedia e Otrantos” dhe “Kleopatra” pas vitit 1990, etj.

Skënder Kamberi dallohet për stilin e tij të veçantë në pikturë, për larminë e ngjyrave dhe lojën e dritës, që e kthejnë pikturën e tij në poezi te vërtetë, tërheqëse, aspiruese dhe të adhurueshme. Me anën e ngjyrave te ai ndien aromën e pyllit, fëshfërimën e pemëve, flladin e malit, valët e detit dhe rrjedhën e lumit

Piktori Skënder Kamberi  e sheh me sy kritik ecurinë artistike e kulturore ne vend dhe asnjëherë nuk ri indiferent, përkundrazi kurdoherë dhe kudo ndihet zëri i fuqishëm i tij. Ai godet qëndrimin e pakujdesshëm, shpesh indiferent të Ministrisë së Kulturës për lënien në harresë të veprave të autorëve shqiptarë. Ai thotë: “Drejtoritë e artit në Ministri të Kulturës nuk kanë pyetur për botimin e veprave për më shumë se njëzet vjet. Pavarësisht se është Instituti i Monumenteve të Kulturës që merret me restaurimet, çfarë po bëhet për studimin e veprave të pikturave murale, sepse i kanë lënë në harresë. Kot i ka ministria specialistët e saj? Po  çfarë bën edhe Instituti i Monumenteve të Kulturës. Pse mos merren me këto sepse është kultura jonë, historia jonë. Ne kemi mozaikët, kemi David Selenicën, etj. Të bëhen studime dhe botime për të pasqyruar artin tonë”,. Për piktorin Skënder Kamberi nuk duhet të ketë justifikime përballë këtyre problemeve, është ministria ajo që duhet ti organizojë punët dhe të mbështesë studimet. “Ne kemi antikitetin çfarë po bëhet? Asgjë. Ministria nuk di si ta bëjë këtë vetëm po rri me specialistët e saj. Ministria është sektori që duhet të organizojë këto punë, i kanë lënë në harresë artet. Mozaikët dhe skulpturat antike kanë çmendur evropianë dhe tek ne asgjë. I kanë lënë në heshtje”, shton më tej piktori Kamberi. Sipas tij edhe për artin para çlirimit nuk është treguar interesi nga institucionet. “Ne kemi vepra të artit shkodran, çfarë po bëhet për to? Pse nuk botohen studime e katalogë? Arti i Shkodrës para çlirimit ku është sot në vëllime? Një tjetër botim të jetë për artin vlonjat, mungon dhe kjo. Po ne sot kemi piktorë të kishave, duhet të botohen vlerat e tyre”, shton më tej ai.

Po kështu qëndrim kritik mban ai dhe për Galerinë Kombëtare te Artit.“Galeria Kombëtare e Arteve është institucion kombëtar, më e madhja dhe e rëndësishmja në vendin tonë. Fatkeqësisht ajo duket se është një galeri private, personale. Por Galeria Kombëtare e Arteve duhet të kthehet në një muze arti, të jetë siç janë dhe galeritë e tjera nacionale në botë”. 

 Galeria ka një fond të pasur dhe ajo duhet ta ekspozojë këtë fond veprash arti për publikun. Në të gjithë botën galeritë kombëtare janë muze arti, ndërsa ato që janë private janë për ekspozita. Por kjo gjë është lënë në harresë, është neglizhuar, muzeu i artit është arkiv shpirtëror”. 

Duke përfunduar me shumë konsiderata e respekt për mikun tonë të dashur Skënder Kamber dhe duke i uruar atij jetë dhe krijimtari, do ta karakterizonim me çka ka shkruar, me rastin e 75 vjetorit te lindjes së tij, piktori shqiptar Bashkim Ahmeti. Ai, e çmon Piktorin e Popullit Skënder Kamberi për përdorimin e ngjyrave, për qasje teknike të avancuara të kohës dhe shpejtësi në konceptim e pikturim, si i ndikuar nga abstraksionizmi e kubizmi dhe si “lab, që së fundi, këngës ia merr vetë”.

Për  këtë jetëshkrim janë shfrytëzuar të dhëna nga interneti: Wikipiedia, shkrime te Ago Nezhos, Julia Vrapit , Vaso Patës, Bashkim Ahmetit, etj.

SKËNDER KAMBERI

DHE SHKOLLA VLONJATE E PIKTURËS

Ju pyes, dijetarë, e shpjegoni dot,

Është fenomen apo rastësi:

Pse dhjetëra piktorë ka kjo Vlora sot,

Një ndodhi e rastit, apo ligjësi?

 

Ata, midis shokësh, zënë vende nderi,

Që nga Selenica, flakërim shandani,

Në krye, krenar, rri Skënder Kamberi,

Ndrin Nestor Jonuzi dhe Rakip Shabani.

 

Vazhdon yjësia, si ylberi feksi:

Mjeshtër Agim Sulaj, artist Petrit Ceno

Mësues Ilmi Bani, grafist Arben Meksi

Skicat Agron Dine, idetë Fate Velo.

 

Aty Pirro Stefa dhe Agron Jakupi

Sabaudin Xhaferi,  Luani i Hysniut

Shpëtimi dhe Koçua, Zeqir Alizoti

Alfredi, Kristaqi, Bajrami, Zihniu...

 

Dikush thotë: - Mjaft, numërove boll!

-Jo, vëlla i dashur, s’është se po e zgjat,

 Është radh’ e madhe, kot si thonë Shkollë.

Lavdia traditë: ”Piktorët Vlonjatë”.

 

Secili me vlera, kushdo me një emër

Po, Skënder Kamberin, unë e kam në ballë:

Me dorën të artë dhe me mendjen femër,

Mjeshtër në ngjyrime, në tablo i rrallë.

*

-Ku është  e veçanta, ku qëndron sekreti

Pse vallë vlonjatët, me  kaq shumë piktorë?

                      -. “Ngjyrë” në portokaj, te mali, te deti...,

Veç, sa të përkulesh...dhe e ke në dorë.

Comments (0 posted):

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
0
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1