Newsletter
Email:
Poll: Letërsia
Cili është lloji juaj i preferuar i letërsisë?
Home | ESE | Veritizmi letrar i Pëllumb Kullës

Veritizmi letrar i Pëllumb Kullës

Font size: Decrease font Enlarge font
image Pëllumb Kulla

Veritizmi letrar i Pëllumb Kullës

Dr Fatmir Terziu

 

Pëllumb Kullën e lexoj dhe e ndjek lexueshëm prej kohësh. Sot e lexova tek “E bukur, e trishtë…”. E lexova dhe e rilexova, se sado e lexon këtë shkrimtar, natyrisht është pak një lexim i thjeshtë, një i tillë i lehtë. Dhe teksa e lexoja dhe rilexoja mendja më shkoi larg në vitet gjashtëdhjetë, kur lindi dhe u përfshi “veritizmi” si ideologji socio-filozofike e promovuar të ndërhynte në shkrimet letrare. Veritizmi letrar mbron idenë, që njeriu nuk është paraqitur me dëshmi bindëse, duke u besuar ekzistencës së një hyjnie të veçantë, ose njësisë supreme dhe kështu nuk ka asnjë justifikim për të arritur ndonjë lloj konkluzioni mbi natyrën e një qenie të tillë, përveç asaj se është një forcë e mirë. 

Mirëpo ky është përkufizimi i veritizmit. Ky është aneksi teorik që të shpie gjëtkë tek fakti. Atë që Hamlin Garland, në rolin e shkrimtarit “realist” të periudhës së viteve 1920-30 e quajti çështje klasike, që mbeti dhe një preambulë, tek e cila teoria e veritistit, mbi të gjitha, është një formulim i pasionit të shkrimtarit për të vërtetën dhe për shprehje individuale (1963) e gjej si një arsye tek shkrimi i Kullës, që ndan si gjithnjë medalje vërtetësie. Vërtetësia e një shkrimi të tillë nuk është thjesht pasioni, pasi e dimë që pasioni për të vërtetën nuk buron nga teoria, dhe kjo pasi dihet që teoria ngrihet mbi dashurinë e vërtetësive. Kështu dhe me tekstin që paraqet Kulla: “Trafik i çmëndur. Shi dhe dëborë. Ftohtë, acar. Luftë e egër politike. Uri e papërmbajtur pasurimi. Mashtrime…” A ka më mirë se një veritizëm të tillë shkrimi, që vjen e zien në kokën e lexuesit që në kapjen e parë? 

Nuk ka si të ndodhë ndryshe me një fakt të përmendur nga Garland… Një djalë i ri shkoi tek një piktor, duke i thënë: “Mësues, më mëso të pikturoj”. Piktori, pa u mendur thellë, iu përgjigj: “Unë nuk mësoj piktorë, bëj piktura, nuk ka pasur kurrë dhe kurrë nuk do të ketë mësues të tillë, sikurse i kërkon ti. Por një mësues, një mësues është ama…Nuk është mësuese ajo?!” Dhe me një rrahje të krahut të tij ai i tregoi të riut shkëlqimin e livadheve dhe të dritës së diellit. “Shkoni të mësoni prej saj dhe dëgjoni gjithçka që ajo do t’ju thotë, nëse ajo nuk thotë asgjë, atëherë shko në zyrën e një noteri dhe kopjoi letrat, që, të paktën, nuk është e pandershme dhe është më mirë se kopjimi i kotësive”. Jeta, natyra, këto duhet të jenë mësuesit tanë. Ata janë mjeshtra që nuk e skllavërojnë njeriun. Të tjerët e dëshpërojnë dhe e skllavërojnë jo vetëm njeriun, por edhe shpirtin e mendjen e tij. 

Ngjashëm Kulla na tregon mes tregimit të tij realistik, të shkurtër, veritizmin e tij si më poshtë, pasi është i shkurtër e japim të plotë: 

 “Dje isha në zyrat e “Vizion Plusit”, për një bisedë pune me artistin e dashur të komedisë Agron Llakaj. Nxitoja drejt një takimi tjetër dhe Gonia, këtë radhë në cilësinë e drejtorit, porositi një makinë të Vizion-it për mua. I thanë se pas jo më shumë se pesë minutave, automjeti do të ishte përpara shkallëve të ndërtesës në rrugën Dom Bosko. U ndava me Llakajn, i cili po niste një mbledhje me artistët e tij dhe dola tek shkallët që më thanë. Kaluan aty më shumë se pesë minuta dhe unë nisa të shqetësohem. Asnjë makinë me mbishkrimet “Vizion Plus” nuk po qëndronte përpara shkallëve. Aty kishin zënë vend dy taksi, të cilat po i shihja si zgjidhje të nevojshme për të mos humbur takimin që më priste. Vendosa për këtë lloj zgjidhjeje, por taksisti i parë më tha se ishte i zënë. Atëherë iu ktheva taksistit të dytë, që aty pranë meje po shuante një bisht cigareje me majën e këpucës”.

“Po ju? A jeni i lirë ju, apo prisni ndonjë pasagjer?”

“Nuk pres asnjeri, ,” ma ktheu ai. “Po ju vetë, m’u duk se dikë prisnit.”

“Nuk pres më,” i thashë pa hequr sytë nga rruga. “Më premtuan një makinë të Vizionit, por mesa duket…”

Edhe taksisti nisi të vështrojë nga makinat, që na kalonin para syve. “Duke ardhur do të jetë,” arsyetoi ai. “Ka një trafik të ndyrë sot.”

“Nuk e pres më.” Vendosa.

Ai buzëqeshi me nervozizmin tim dhe u mundua të më bindëte të prisja edhe dy-tri minuta.

“Do të më paguash kot mua, kur dikush po të bën nder duke ta dhënë mjetin në urdhërat e tua,” rrahu të më bindëte më tej.

E pashë edhe me buzë në gaz.

“Po ti,” i thashë jo pa gaz në buzë edhe unë, “do që të punosh, apo ke vendosur të qash hallet e mia?!”

Qeshi dhe ai dhe u bind të më fuste në taksinë e tij. Zumë vend dhe ai u kujdes që dera nga ana ime të mbyllej më mirë. Ndezi motorin por gjithnjë pa ia ndarë sytë pasqyrës që tregonte rrugën prapa tij.

“Prit,” më tha befas. “Më duket se ajo, …që të kanë thënë…”

Zbriti me ngut dhe pas disa sekondash qe siguruar dhe u kthye.

“Erdhi makina që kanë nisur për ty!” më tha dhe fiku motorin e taksisë së tij.

E pashë në sy dhe pata frikë se ata të mijtë do të më ishin njomur.

“Si të quajnë?” e pyeta.

“Petrit,” m’u përgjigj me zërin e tij të butë.

Ia shtrëngova dorën fort.

“Faleminderit, Petrit! Qoftë ky një vit i mbarë për ty.” Dhe dola nga taksia.

***

Shokët që po më prisnin ishin të gjithë të një mendje se ky episod ishte edhe i thjeshtë, edhe i rrallë, edhe i bukur, edhe i trishtë…

Dhe unë që nga Tirana sjell për Petritin këtë tregim që është edhe i thjeshtë, edhe i rrallë, edhe i bukur, edhe i trishtë…

Dhe unë ulem e shkruaj në këtë ditë janari. Ditë që sot është edhe ajo: edhe e thjeshtë, edhe e rrallë, edhe e bukur, edhe e trishtë…. (Tiranë 10 janar 2019). 

Pra, më fund veritizmi i realizmit modern po vjen! Është përmes këtij varaku të thellë, që të bën edhe të qeshësh edhe të qash, të tekstit plot frymë të Pëllumb Kullës. Nuk ka nevojë të shkosh tek poterat e zyrave shqiptare, zhurmat e makinave të ndryshme, as të gjesh harpën e ligjshme të muzikës së sotme, nuk të duhet boleroja e mendimit, as karikaturat e ditës. Të gjitha përtej veritizmit, larg trishtimit! Këtu ka vetëm mjeshtëri, pavarësi mendimi, sinqeritet dhe individualitet. Gëzuar ditëlindjen Pëllumb Kulla!

Comments (1 posted):

p. kulla on 10/01/2019 23:01:47
avatar
faleminderit per te gjitha sa shkruan dhe uron, i dashur Fatmir!

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
5.00
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1