Newsletter
Email:
Poll: Letërsia
Cili është lloji juaj i preferuar i letërsisë?
Home | ESE | NJË LIBËR PËR FILANTROPIN DHE FOTOGRAFIN KORÇAR, GEORGES D. BORIA

NJË LIBËR PËR FILANTROPIN DHE FOTOGRAFIN KORÇAR, GEORGES D. BORIA

Font size: Decrease font Enlarge font
image Qerim VRIONI


 Qerim VRIONI

NJË  LIBËR PËR FILANTROPIN  DHE FOTOGRAFIN KORÇAR, GEORGES D. BORIA

 

Kohët e fundit doli në qarkullim libri “Georges D. Boria... në tri dimensione-Monografi e ilustruar” e shkrimtarit  dhe studiuesit  të pasionuar Kristaq Balli. Autori ka botuar deri tani 12 libra artistikë, studime dhe albume mbi botën dhe kulturën shqiptare. Teksti i  botimit të fundit është shkruar në gjuhët shqip dhe anglisht, çka do të thotë se ai i drejtohet edhe publikut të madh anglishtfolës, gjë që duhet përshëndetur. Libri është shtypur në format katalogu, ndoshta me synimin për të pahtësuar rëndësinë e fotove në krahasim me tekstin e shkruar. Po kush është Georges D. Boria, emër fare i panjohur në Shqipërinë e para viteve ’90, të cilit i kushtohet ky botim prej 240 faqesh i studiuesit Balli ?

     Për jetën dhe krijimtarinë e Georges D,  Borias ka nisur të shkruhet në shtypin shqiptar vetëm  pas përmbysjes së diktaturës komuniste (në nisje të viteve ’90), sepse duke shërbyer për një kohë të gjatë në ushtrinë amerikane ai ishte njollosur në biografi në vendlindje nga diktatura komuniste me epitete të ndryshme përbuzëse. Veçse figura e tij poliedrike si artist muzikant,  piktor, fotograf e filantrop i shquar atdhetar, pa dyshim, e meritonte një libër të posaçëm, ku të përfshiheshin edhe të dhëna të plota e dokumenta autentikë, detaje nga jeta e tij komplekse,  përveç fotove të realizuara nga ai dhe të objekteve të shumtë të mbledhur nëpër vende të ndryshme.

Këtë detyrë siç duket i ka vënë para vetes studiuesi Kristaq Balli që, për një kohë të  gjatë (rreth 30 vjeçare), të gjurmojë, të gjejë dhe përzgjedhi materiale dhe objekte të Borias dhe t’i përfshijë ato në një botim të plotë. Veçanërisht e mundimshme puna për gjetjen e fotove më interesante që ndodheshin në Amerikë. Natyrisht, kjo nuk ka qënë punë e lehtë e pa vështirësi, e mbushur me letërkëmbime dhe blerje materialesh, e deri te marrëdhënie postare dhe elektronike me njerëz dhe institucione muzeale të largëta si psh, ato amerikane dhe japoneze. 

Në faqet e librit përshkruhen hollësisht e me dëshmi të forta dokumentare kohëndarjet e ndryshme të jetës së tij qysh prej fëmijërisë e deri në vdekje. Georges D. Boria, me emrin zanafillas Gaqo Mborja, i cili në krijimtarinë artistike do identifikohet edhe me emra të tjerë si Dimitri Boria, G.D.Boria, D.Boria, është lindur në fshatin  Mborje të  Korçës në vitin 1903, ai ishte djali i mësuesit në Liceun e Korçës Dhimtër Mborja.

Kthesë kryesore në jetën e Boria-s, pas një këmbëngulje të gjatë në familje, përbën largimi i tij  për në Amerikë, në moshën 17 vjeçare. E aty, në atë vend të madh e me mundësi të shumta formimi e punësimi, ai do ta përfundojë edhe udhëtimin e tij jetësor pas mbi gjashtëdhjetë vjetësh. Në kontinentin amerikan djali i ri nga Korça kreu punë të ndryshme dhe shkollim për art, duke i zbatuar me fantazi në jetën e përditëshme çka kishte mësuar, madje edhe në studio të Hollivudit. Me fillimin e L2B, Boria futet në Ushtrinë Amerikane, aty kryen një specializim komunikimi e fotografimi, duke nisur kësisoj këtë lloj veprimtarie së pari në Ballkan si fotograf i UNRRA-s, mandej në Lindjen e Largët, veçmas në Japoni, në Luftën e Koresë, Filipine, etj. Epiqendra e detyrës së tij si drejtor i Laboratorit  të parë fotografik amerikan me ngjyra në Japoni ishte në Tokio, pranë Komandantit të Shtabit të Përgjithshëm të OKB,  gjeneralit amerikan Douglas MacArthur, i cili për disa vite drejtoi   rindërtimin e  Japonisë  pas lufte.  Nga kjo periudhë në libër publikohen shumë  foto me ngjyra  të Boria-s, të cilat ngërthejnë fusha të ndryshme të jetës gjatë rimëkëmbjes. 

Libri është pajisur me shumë foto, thuajse   të gjitha të Borias, të botuara për herë të parë për publikun shqiptar, disa bardhë e zi të tjerat me ngjyra. Në foto paraqiten kryesisht vende, njerëz dhe ngjarje nga periudhat e veprimtarisë së Borias në Japoni (pranë shtabit të Gjeneralit McArthur) gjatë rindërtimit të vendit dhe të Luftës së Koresë (1950-1953).Në këto të fundit ai paraqitet edhe si një fotoreporter lufte me aftësi të veçanta. Një pjesë e fotove të Monografi e ilustruar paraqesin objektet e shumtë e të ndryshëm të ekspozuara në pavionet e Muzeut të Artit Oriental ”Bratko”  të  Korçës. Shënojmë se, edhe sipas librit të Ballit, Boria ka mbledhur eksponantet nga më të rrallat e më ekzotiket prej vendeve të tilla si Japonia, Tajlanda, Indonezia, Kina, India, Rusia, Korea, Irani, Turqia, Afganistani, Etiopia etj, duke i dhënë muzeut një përfytyrim virtual multikolor, siç edhe shkruhet në një nga faqet e monografisë së Boria-s.

Me vlerë të veçantë në libër është botimi i plotë në të i Testamentit përfundimtar prej trembëdhjetë pikash i George Borias, i hartuar në datën 26 tetor 1989, vetëm disa muaj para ndarjes së tij nga jeta. Ai është përpiluar me mendje të ftohtë dhe dashuri të madhe për atdheun e tij, Shqipërinë. Përcaktohen aty me detaje të hollësishme shpërndarja e pasurisë së tij pas vdekjes, të afërmve dhe institucioneve të ndryshme në ShBA dhe në vendlindje. Del në pah brenda faqeve të librit edhe një karakteristikë tjetër e Boria-s, filantropia, çka ishte në traditën e njohur për qytetin e Korçës qysh nga fillimi i shekullit XX..

Mbresëlënëse është ideja fisnike e Borias që me objektet arkeologjike dhe etnografike të mbledhura në disa vende të krijohej në Korçë një Muze me emrin e tij në pronësi të Bashkisë së qytetit, gjë që u realizua pak vite pas vdekjes së tij. Sot  Muzeu i Artit Oriental ”Bratko”, mbahet si një nga objektet muzeale më të vizituara të qytetit. Po ashtu ai kërkon në testament që hiri i mbetur nga djegia e trupit të tij, bashkë me dy pëllumba, të vendoset ne vendprehjen e fundit të nënës së tij në varrezat e qytetit të Korçës, porosi që gjithashtu u plotësua, pas rrëzimit të diktaturës në Shqipëri.

Të ngjallin mbresa të veçanta, sidomos pikat 10 dhe 11 të Testamentit, ku shprehet se vendlindjes i dedikohen trashëgimet e caktuara prej tij vetëm nëse sistemi politik i Shqipërisë do ndryshonte, pra pasi të ishte shembur diktatura staliniste komuniste dhe të ishin rilidhur marrëdhëniet diplomatike midis saj dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Këto flasin për qëndrimin e prerë të Boria-s kundër diktaturës që kishta pllakosur në Shipëri pas mbarimit të L2B.

    Duhet theksuar gjithashtu edhe se ky libër me vlerë i Kristaq Ballit i shtohet fondit, deri tani modest, të literaturës shqip mbi botën e madhe të “dhomës së errët” dhe autorët e saj, ndonëse veprimtaria krijuese e Boria-s në lëmë të fotografisë nuk është zhvilluar në Shqipëri dhe pa shpërfaqur ndonjë tematikë shqiptare brenda tyre. Natyrisht, nuk mund të fajësohet shumë fotografi i lindur në Korçë për mungesën e botës shqiptare në opusin e madh të tij prej mijra fotosh, shumica e të cilave ndodhet në Muzeun Douglas MacArthur në Virxhinia të ShBA.

Sidoqoftë, edhe për shkaqet që u përmendën më sipër, Georges D.  Boria, u njoh dhe vazhdon të njihet më mirë pas shuarjes së tij, pasi siç shkruan në mbyllje të librit autori Balli, “ai u përket njerëzve që bëhen më të njohur pas vdekjes, sepse gjatë jetës ata s’kanë kohë për të humbur e për të mbajtur kokën pas. Ata priren të kërkojnë kohën përpara, kohën që ende s’e kanë jetuar”.  Për t’u bërë edhe Boria postmortem i përjetshëm, sigurisht do japë  ndihmesën e tij të vyer edhe ky botim i nevojshëm dhe i arrirë i studiuesit Kristaq Balli.

Comments (0 posted):

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
0
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1