Newsletter
Email:
Poll: Letërsia
Cili është lloji juaj i preferuar i letërsisë?
Home | ESE | Treshja kosovare që ringjalli legjendën

Treshja kosovare që ringjalli legjendën

Font size: Decrease font Enlarge font
image MERUSHE BADOLLI

Treshja kosovare që ringjalli legjendën

 

Kadri Tarelli 

 

MERUSHE BADOLLI, DERVISH SHAQA, DEMUSH NEZIRI. 

 

Çdo ditë, madje dy herë në ditë, me biçikletë kaloja në Shënavlash dhe “Nish Tulla“, (lagje e Durrësit), kështu që, më jepej rasti të ndeshja në udhë apo në kafene rapsodët Demush Neziri e Dervish Shaqa. Demushi i gjatë dhe me trup të mbushur, të lidhur e shpatullgjerë, të ngjeshur si shkëmb mali, ndërsa Dervishi ishte shumë elegant, i gjatë i hollë dhe me fytyrë tipike të malësorit shqiptar, që hijeshohej nga mustaqet e plota allashqiptarçe, fytyrë nevrike dhe e sertë në pamje, model i përkryer për piktorët dhe skulptorët, për të pikturuar e gdhendur racën tonë. Nuk ishte e vështirë t’i njihje, pasi dalloheshin prej së largu nga veshja dhe nga plisi i bardhë në kokë. Dervishin edhe më lehtë, pasi në dorë mbante përherë sharki, që thuajse ju kishte bërë gjymtyrë e trupit, sa që shkrimtari Adem Istrefi e thëriste Dervish Sharkia.

Ishte një periudhë e pakuptimtë e heshtjes ndaj Kosovës shqiptare, aqsa te njerëzit e thjeshtë, ajo dukej si copë toke e një shteti të huaj, madje disa habiteshin që kosovarët flisnin shqip. Dalja e tyre në skenë, thyente kornizat dhe shqiptarët po njihnin dhe po e donin këtë truall të shenjtë shqiptarie, që historia na e shkëputi padrejtësisht e mizorisht

Të dy, duhet thënë të tre, bashkë me valltaren Merushe Badolli, edhe kjo me origjinë kosovare, më shumë i njoha përmes skenës, nëpër koncerte, që zhvilloheshin në Pallatin e kulturës “A. Moisiu“, në Durrës, më pas edhe nga televizori, kur trasmetoheshin koncertet dhe festivalet në Gjirokastër, Tiranë dhe në qytete të tjerë. Ata ishin bërthama e Grupit Kosovar të Rrashbullit, që përfaqësonte Durrësin në të gjitha veprimtaritë artistike lokale dhe kombëtare. Artistët, Dervish Shaqa, Demush Neziri, Merushe Badolli, i lindi Kosova, i rriti kënga, i bashkoi shpirti, i përjetësoi oda dhe skena. Ata sollën e përcollën tek ne, në mjedisin shqiptar, folkun shqiptar të Kosovës, si një pasuri shpirti dhe kulture të magjishme, por të fshehur, të penguar e të mohuar deri atëherë. 

Sa herë shikoj në televizor “vallen e shpatave“, apo kur bie fjala në biseda mes shokësh dhe me familjarë, seç më ngacmon të kujtoj legjendën e hasur në Berat, kur dy trima e azganë, Tomori dhe Shpiragu, ndeshen me njëri-tjetrin, për një dashuri, për një vajzë bukuroshe. Pas dyluftimit, ata ngurtësohen në dy male: Tomori gropa-gropa, nga goditjet e topuzit dhe Shpiragu vija-vija, nga të prerat e shpatës, kurse “Zana e malit” hyn në mes për ta shuar e ndaluar dyluftimin. Ajo shndërrohet në rrjedhë lumi, jo për t’ i ndarë, por për t’ i bashkuar, për t’i freskuar trup e shpirt, si një damar gjaku, mbushur me lëng jete, që sjell e mban jetë. Eh! Trojet shqiptare me plot legjenda, që i bëjnë jehonë që nga lashtësia, duke i sjell e shtuar dritë jetës, edhe në ditët tona.

Ata, që i kanë njohur nga afër këta artistë të mëdhenj të flokut shqiptar, sidomos drejtues dhe pjestarë të veprimatrive artistike të kohës, si Enver Plaku, dikur drejtor dhe regjizor i teatrit “A. Moisiu” në Durrës, Ermir Dizadari, dirigjent dhe udhëheqës artistik, Qemal Kërtusha këngëtar, Naim Kërçuku këngëtar, Shpendi Topollaj, më herët officer, sot shkrimtar, në kujtimet dhe shkrimet e tyre, edhe sot nuk i ndajnë nga njëri-tjetri. Madje kur shikojnë veprimtari, apo lexojnë krijimtari, mbi jetën artistike të atyre kohëve, trishtohen, sepse disa përpiqen t’i ndajnë, t’i veçojnë, a thua se i zbehin vlerat e njëri-tjetrit. Është një lloj marrëzie e heshtur e natyrës së shqiptarit, sepse, si pa dashje harrojnë, se kur ata ishin bashkë, secili në madhështinë e vet, plotsonin aq natyrshëm shoqi-shoqin. Ata ishin magji dhe sillnin magjinë e artit shqiptar të gjysmës tonë, duke mbajtur ndezur zjarrin e lirisë dhe të bashkimit të kombit. 

Enver Plaku, në kujtimet e tij, veçon: “Ishte viti 1968. Në grupin kosovar të Rrashbullit, ku spikasnin rapsodët me emër, Dervish Shaqa, Demush Neziri dhe plot shokë të tjerë, vallëzonte edhe një vajzë e shkathët, me një temperament të veçantë të karakterit, e cila i binte dajres, këndonte dhe njëkohësisht kërcente. Ishte një mrekulli e pazbuluar më parë. Ajo demonstronte vetëm, shpesh si soliste, por edhe e shoqëruar në grup. Ishte kjo mrekulli, që menjëherë Panajot Kanaçi, koreografi i shumënjohur i Ansamblit shtetëror të Tiranës, na e kërkoi, që pas festivalit, (festivali i Gjirokastrës), ta merrte disa ditë në Teatrin e Operas dhe Baletit, në Tiranë, për të “regjistruar” nga ajo, vallet dhe lëvizjet e kombinuara aq magjishëm, folklorisht dhe artistikisht”. Libri “Ah.. Shqipni mos thuj mbarova!”, të autorit Bajram Halil  Gashi.

Ndersa Ermir Dizdari rrëfen një lloj pakënaqësie, që Merushen e lenë disi mënjanë, duke përmendur vetëm dy të mëdhenjtë, Dervishin dhe Demushin.  Gabojnë, sepse aq vlera sa ka dyshja Dervish e Demush, që sollën këngën epike, po kaq vlera ka edhe Merushja, që solli vallen e Kosovës shqiptare. Ajo ishte e magjishme, aqsa e mpinte sallën me lëvizjet e saj aq rimike, aq harmonike e delikate, të kokës, supeve, krahëve, belit dhe këmbëve, që dukesh sikur nuk e preknin tokën. Çuditërisht, sa e urtë e qetë dhe e heshtur ishte si vajzë, aq shpërthyese, enegjike dhe e stuhishme ishte në valle. Ua kam thënë edhe drejtuesve dhe organizatorëve të festivalit të përvitshëm, “Eshkë e ndezur mbi Shkëlzen”, se pa portretin e Merushes, veprimtaria është e drunjëzuar, pa jetë, pa shpirt. Merushja ishte si fllad dhe shpresë jete, për grupin kosovar dhe spektatorin e që e duartrokiste gjatë”.

Naik Kërçuku flet gjatë për këtë artiste të magjishme. Unë po citoj vetm pak falë të tij: “Për Merushen, nuk dua të përsëris fjalët e mjeshtarve të skenës e muzikës, të Enver plakut dhe Ermir Dizdarit. Pjesëmarrja e saj në grupin Kosovar dhe dalja në skenë, goditi fanatizmin, sidomos në fshat, duke i dhënë krahë emancipimit të femërs shqiptare. Ishte fantastike në skenë”. 

Ndërsa Berati trashëgon e tregon legjendën e ardhur që s’dihet qëkur, Dervishi, Demushi dhe në mes tyre valltarja e magjishme Merushe Badolli, përmes valles, na marrin për dore, na ulin pranë zjarrit dhe na përcjellin rrëfenjën mbarë shqiptare, që i jep jetë e krahë dashurisë. Treshja e stuhishme e Kosovës, sa e ashpër, aq delikate, në vallen e shpatave e përjetëson magjishëm legjendën, duke e përditësuar në art, për ta shtruar e ndezur në çdo odë e vatër shqiptare.

Çdo kohë nxjerr artistët e saj, por të madhërishëm mbeten ata që dalin në kohë të vështira, kur kombi ka halle e vështirësi. Në kujtesën e popullit, në të gjitha trevat ku flitet shqip, kjo treshe kosovare do mbetet legjendë e artit shqiptar, sepse na bashkuan shpirtërisht, duke çarw kufijtë, që dhunshëm na vendosi bota.  

Kadri Tarelli

Comments (1 posted):

viron kona on 06/11/2018 05:49:19
avatar
Urime Kadri!
Nje portretizim plot mendim, elegance dhe kolor i artisteve shqiptare nga Kosova,qe,atehere,(si dhe tani)sollen me vete ne atdheun MEME kenget, vallet, veshjet tradicionale kombetare te popullit shqiptar te asaj treve me pasuri te jashtezakonshme shpirterore.
Qoft dhe nga ky portretizim,treshja: Demushi,Dervishi,Merushja, na mbeten ne mendje, na duket sikur i shohim,i degjojme te kendojne,te heqin vallen,duke perjetuar gezim, kenaqesi, krenari per ritmin,bukurine,gjallerine dhe permbajtjen e artit te madh shqiptar.
Me respekt,
Viron Kona

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
0
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1