Newsletter
Email:
Poll: Letërsia
Cili është lloji juaj i preferuar i letërsisë?
Home | ESE | Sot është ditëlindja jote babi!

Sot është ditëlindja jote babi!

Font size: Decrease font Enlarge font
image Dr Brunilda Zllami

Sot është ditëlindja jote babi!


Nga Dr Brunilda Zllami, Tiranë


"Askush nuk i ka dy jetë", thotë shpesh gjyshja ime. Dhe askush nuk i ka vërtet. Jeta na kalon shpejt para syve si një lumë i trazuar, që herë turbullohet e rallë kthjellohet. Kur festojmë ditëlindjet gëzohemi e trishtohemi për vitet që lamë pas, për ëndrrat që s'realizuam, për dështimet e goditjet, për rrëzimet e frustrimet. Por marrim frymë thellë dhe themi se kush ka jetë ka kohë dhe shpresë.
Sot është ditëlindja jote babi! 
Nuk i numëroj më vitet që do kishe tani, sepse nuk mundem. Ti nuk i kishe qejf ditëlindjet, as festat, as klishetë. Ty të pëlqente e natyrshmja, spontanja, ajo që lindte nga shpirti. Si unë! Kishim shumë të përbashkëta ne të dy. Nuk e di nëse kjo ishte e trashëguar, apo ngaqë të adhuroja. Ti ishe busulla ime, standarti im i artë i gjithçkaje. Çfarëdo që të bëja, nëse ti nuk ishe i kënaqur nuk arrija te gëzohesha plotësisht, sepse ti nuk ishe thjesht i ditur, por i urtë. Nuk kam njohur ende një njeri si ty dhe e them gjithnjë se ke ardhur nga një tjetër kohë thjesht për të na dhënë idenë e dikujt jashtë të zakonshmes.
Më kujtohet kur isha studente dhe mundohesha të të bëja ndonjë dhuratë për ditëlindje. Dhurata të lira, studenti, thoja unë. Tani që kam mundësi të bëj diçka më shumë, ti nuk je më.
Rende pa pushim me bluzën e bardhë që shënjoi jetën tënde. Edhe sot kur më prezantohem pacientët më tregojnë për fëmijët që ke shëruar. A nuk e meritoje që për gjithë ato jetë që ke shpëtuar të kishe pak vite më shumë jetë edhe per vete, edhe per ne? A është e drejtë që ike aq i ri? A është e drejtë që nuk të kemi më pranë? 
Shpesh dua të flas me ty si dikur, të të tregoj për vete, për punën, për librat. Të shikoj sytë e tu që shkëlqejnë dhe flasin pa fjalë. Më mungon! Sot, nesër, çdo ditë...
Sot ke ditëlindjen dhe nuk do mërzitem. Askush nuk jeton dy jetë, siç thotë gjyshja, por ti ke mundur të jetosh në shumë jetë. Jeton në kujtimet tona që s' i merr as vdekja, në jetët që ke shpëtuar, në dashurinë e mijëra njerëzve që ke takuar në jetë. 
I shkurtër ishte rrugëtimi yt në këtë botë, por ajo që le pas është historia e një njeriu të mirë, një mjeku të jashtëzakonshëm, një prindi të mrekullueshëm. Ashtu si një lule e rrallë që çel vetëm një herë, erdhe në këtë botë për të na mahnitur, për të na dhuruar ngjyra e emocione që as vdekja nuk i shuan.
Sot ti ke ditëlindjen, por vitet do jenë vetëm numra. Thinjat e flokëve të tu të buta i shoh shpesh në bisedat tona të pamundura, lëkurën e faqeve të tua e përkëdhel kur jam e mërzitur, aromën tënde kur të përqafoja nuk e kam harruar dhe sytë e tu...E di që më shikojnë ende nga diku. 
Mos u mërzit kur të lutem për ndonjë gjë që të më ndihmosh, sepse ti je ende busulla ime, je dhe mbetesh standarti im i artë. Ti je babi im! 
Ti sot ke ditëlindjen dhe unë s'të uroj dot...

Comments (2 posted):

Armela Hysi on 13/10/2018 16:07:00
avatar
Prekëse, po po ta mendosh që keni gjithë ato kujtime të bukura dhe nderin e veçant për të ndjerë se jeni vazhdim i jetës së tij, dhimbja bëhet krenari, qëllime, dashuri, arritje, bujari e fisnikëri.
Të rroni gjatë, ta kujtoni me nder, t'i festoni dhe ditëlindjet për ta mbajtur pranë!
Miqësisht!
Nene Pashako D. on 17/10/2018 16:05:28
avatar
Ditet 1000-je-cupa nuse Dr.Brulinda.

Dr.Brulinda Zllami,te lumte ajo mendie komanduar ate pene,formuluar keto fjale zemra,per njeriun tuaj me te dashur,Ate baba,qe ju e pershkruani me fjalet me te zgjedhura,fjale lene Ai,nje jete me Ty jetuar e rritur,qe pa tjeter,po te ishte sot me ju,do perlotej nga gezimi;Cupa jo vetem mjeke po dhe nje artiste e fjales,sa asaj zemre;CUPA per BABANE,nga ai vetem fizikisht ndare.Miresite ju shoqerofshin se BEKIMIN e keni marre nga Ai,qe po ecni ne jete mbaresisht. Faleminderit nga nje lexues 83 vjecar ,qe nje cupe si ti,me dy engjej femije dale ne jete deri grada shkencore mare,me shton jeten mua,tej oqeanit detyruar te jetojme.Me kenaqin me mendien ne atdhe dhe ata,njerrez te zmres LENEandej,detyruar koha e prapte perjetuar atdheu yne,me ndodhite e ketyre viteve qe;-"deshem te vinim vetulla dhe na nxorren syte",ata qe kane PSEUDO,harruar BABALLARET e tyre sa atdheun.
Faleminderi Dr cupe-nuse,pa tjeter e nderuar.
Lumsi familia qe ju ka sa shoqeria.

Toronto17-10-2018 Nene Pashako D.

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
5.00
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1