Newsletter
Email:
Poll: Letërsia
Cili është lloji juaj i preferuar i letërsisë?
Home | ESE | DUKE LEXUAR ANA KARENINEN...

DUKE LEXUAR ANA KARENINEN...

Font size: Decrease font Enlarge font
image Ana Karenina

DUKE LEXUAR ANA KARENINEN...

 Tolstoi ka qenë ndër shkrimtarët e mi më të preferuar. Letërsinë huaj kam patur fatin ta bëj me një mësuese të apasionuar, e cila më shumë aktronte sesa spjegonte dhe na e bënte lëndën aqë tërheqëse. Me një gjuhë të thjeshtë e të rrjedhshme, elokuente, ajo i përçonte idetë me komentet që bënte në mënyrë të përkryer, sa të mbeteshin në mendje. Ajo pati një ndikim të madh në formimin tim dhe më nxiti pasionin dhe dëshirën për të lexuar që s`më janë venitur ende, veçanërisht në këto vitet e fundit që kanë qenë të pasura me prurje të shumta. Në prag të viteve 60-të ka pasur një prirje liberale dhe autorët rusë ishin të preferuar, ndërsa mbas prishjes së marrëdhënieve me BS siç quhej atëre, në të gjitha botimet e mëvonshme duhet thënë se patën kufizime ideologjike dhe të kontrolluara e të censuruara e pse jo dhe të cunguara nga ndikimet dekadente siç pretendohej. Tolstoi nga të gjithë autorët që kam lexuar, që nuk kanë qenë të paktë, është i veçantë dhe jo më kot gjithë korpusi i veprës që përfaqëson ka hyrë në historinë e letërsisë, si pjesë e kolanës së klasikëve. Në fakt ky emërtim sikur e step një lexues të thjeshtë, kur do të marrë për të lexuar një autor me përmasa të tilla, sepse u duket sikur kërkon një vëmendje e seriozitet të veçantë. Romane kaqë voluminoze sikur u marrin kohë për të lexuar faqe të shumta me përshkrime të gjata që i lodhin e i mërzisin dhe durimi u soset e zgjedhin rrugën më të shkurtër. Në fakt është krejtësisht e kundërta. Faqet e shumta nuk janë kriter për të përcaktuar vlerat e një romani, novele apo diçka tjetër. Veprat e mëdha e voluminoze kanë problematikë më të gjerë, me një galeri të shumtë personazhesh që ndërthuren e pleksen midis tyre, kanë psikologjinë e tyre, janë shtresa shoqërore që lëvizin në një periudhë të caktuar historike e shumë të tjera që nuk mund të paraqiten shkurt, sado që të mundohet shkrimtari. Prandaj dhe sasia e faqeve nuk është një kriter përcaktues. Një lexues që tërhiqet nga motive të tilla për vepra me përmasa të kësaj natyre, doemos që ka humbur diçka me vlerë. Me mua s`ka ndodhur asnjëra nga këto. Tolstoi të tërheq e të bën për vete nga stili dhe mënyra e të shkruarit shumë thjesht e shumë natyrshëm, me një realizëm që e ndeshim rrallë tek autorë të tjerë. Ai është krejtësisht origjinal, me një logjikë që shoqëron zhvillimin e ngjarjeve të veshura aqë bukur artistikisht saqë mendon kur u afrohesh fundit, se fati i personazheve është paracaktuar, pasojë e një mentalitëti e botëkuptimi të kultivuar me kohë që ecën çdo gjë në shtratin e vet, nëpërmjet pasqyrimi të mendimit të tyre në evoluim të vazhdueshëm dhe pa ngarkesa e teprime të sajuara. Tolstoi është i sinqertë në ato që shkruan dhe nuk i komplikon ngjarjet për të kërkuar nga lexuesi një sforco intelektuale. Nga kjo gjendje emocionale për ndonjë vepër që përfundimi nuk ka qenë ashtu si e dëshiroja unë dhe besoj se s`jam i vetëm, me një arsyetim më të thelluar e kam parë të udhës se për zgjidhjen që ka bërë, ka pasur të drejtë. Disa shkrimtarë kanë qenë emblematikë për vendet e tyre Dante në Itali, Balzaku dhe Hygoi në Francë, Gëte në Gjermani, Shekspiri në Angli etj., ndërsa Rusia i ka dhënë letërsisë botërore një brez shkrimtarësh dhe poetësh elitarë si Pushkini, Tolstoi, Dostojevski, Nabokov, Goncarov etj. që i bëjnë nder asaj dhe popujve të tyre. Tolstoi është një univers më vete, që gjithë jetën e tij ia dedikoi me të gjitha forcat kërkimit të së vërtetës duke mos harruar asnjëherë misionin e tij, interesin për zgjidhjen e çfarëdo lloj problemi vetëm duke evidentuar me vërtetësi një problem të pazgjidhur. Por ai njëkohësisht është dhe shumë misterioz çka përligjet nga klasa shoqërore që rrodhi dhe nga rrethi e ambienti ku jetoi. Ai i takonte aristokracisë provinciale të Rusisë që mbeti rob i saj dhe, emërtimi i titullit Kont nuk ndryshon asgjë në përcaktimin e shtresës që përfaqësonte. Krijimtaria e një shkrimtari nuk mund të kuptohet pa njohur më parë jetën që ka kaluar dhe Tolstoi s`ka bërë përjashtim. Jeta e tij ka qenë e trazuar, me kundërtitë e veta, pasoja të personalitetit të tij që janë mishëruar në personazhet që ka krijuar, në disa prej të cilëve është i dukshëm identiteti i vet. Tolstoi lindi në Jasnaja Poljana disa kilometra larg Moskës, nga një familje çifligare. I jati, Nikollaj u martua me princeshën Maria Vollkonskaja që rridhte nga një familje fisnike e vjetër ruse dhe me punë arritën të krijonin një mirëqenie ekonomike për të plotësuar nevojat. Në këtë ambient të jetës së fshatit dhe në lidhje të ngushtë me natyrën që ndikuan ndjeshëm në formimin e tij, u rrit Tolstoi. Mbeti jetim që kur ishte 2 vjeç nga nëna dhe 9 nga i jati. “Nuk e kujtoj, -do të shkruante ai më vonë,-është e çudiçme, po prej saj, s`më ka mbetur asnjë portret”. Nëna ishte një engjëll shtëpie që do të ngjasonte me të fizikisht dhe shpirtërisht, ndonëse pamja e tij ishte shumë e shëmtuar, ndërsa nga i jati do të trashëgojë cinizmin dhe ironinë. I jati ishte volterian që ishte sjellë në modë në Rusinë e asaj kohe nga perandoresha gjermane, Katerina e madhe. Fëmijët jetimë iu besuan për përkujdesje hallaveTatiana dhe Aleksandra që, në 1836, u transferuan në Moskë dhe me arsimimin e tij u mor një mësuese franceze që ndikoi në formimin intelektual, illuminist ngase kontakte me kulturën ruse të asaj kohe nuk kishte fare. Mbas vdekjes së të jatit kthehet në fshat ku do të kalojë gjithë periudhën e adoleshencës. Nga të dy hallat që u përkujdesën për të, mësoi besimin në dashurinë dhe sakrificën, dashurinë ndaj pacifizmit, por edhe tmerrin nga dënimi me vdekje. Ai do t`i vlerësojë shumë si edukatore të vetme në jetën e tij, por fatkeqësisht ato nuk justifikohen nga përgjegjësia për karakterin e dobët dhe të llastuar. Ndonëse, ai s`e ndjeu ngrohtësinë, dashurinë dhe dhembsurinë e nënës si të gjithë fëmijët e tjerë, se vdekja e mori shpejt atë, por kjo s`u bë shkak për t`i kursyer fjalët e mira për të gjitha nënat dhe krijesat e tyre. Tolstoi kishte një motër dhe 3 vëllezër. Maria u bë murgeshë dhe tek ajo donte të gjente strehë, kur u largua në fund të jetës nga shtëpia; Sergei ishte disi më ndryshe me një natyrë të sigurt; Dimitri ishte gjaknxehtë dhe fetar, që vdiq në moshë të re, 29 vjeçare, ndërsa më i madhi Nikollaj, por edhe më i dashuri ishte ironik, nervoz dhe i rafinuar. Më vonë u bë oficer në Kaukaz që u hodh shumë mbas pijes dhe ndante çdo gjë me të varfërit. Tolstoi pati një raport të veçantë me studimet. Në vitin 1844, ai do të regjistrohet në fakultetin e gjuhëve orientale në Kaukaz pa ndonjë rezultat mbresëlënës që, më vonë do ta ndrrojë duke u marrë me jurisprundencë. Ishte përgjithësisht një nxënës i keq dhe mbante qëndrim negativ ndaj profesorëve. Urren historinë që do ta quajë “shkencë me pretendime dhe të panevojshme”. Përfundimisht i ndërpret studimet, më 1847, mbasi kishte marrë vetëm një provim. Fillon të shkruajë veprën monumentale ”Ditari” që do të jetë një shok i pandarë gjatë gjithë jetës së tij. Ndërkaq e tërheq pasioni për autorët e mëdhenj, si Rusoi që siç do ta ndjekim në vijim jetën e tij, ushtroi një influencë të rëndësishme, Gogoli etj. Rusoi dhe Vangjeli kanë pasur një ndikim të madh mbi jetën time. “Rusoi nuk plaket kurrë”, do të thoshte ai. Kthehet në vendlindje, sepse si rezultat i ndarjes së trashëgimisë përfiton shtëpinë dhe 4 fshatra. Plot me ide dhe iniciativa për modernizimin e pronës, hapi një shkollë të destinuar për fëmijët e fshatarëve dhe kërkoi ndryshimin e metodave të kultivimit. Ata duke mos pasur besim te shpirti novator i pronarit të tyre e penguan atë, gjë që dështoi. “Jetoja pa asnjë qëllim,-shkruan, ai”. Jeta dhe e ardhmja mbetën për të një pikëpyetje e madhe. U detyrua të niset për në Moskë ku frekuenton sallonet, dancin dhe humbet shuma të konsiderueshme në lojën e bixhozit. Ai në këtë sens ishte shumë kontradiktor. Nga Rusoi kishte kuptuar thellësisht kritikat drejtuar shoqërisë civile dhe akoma më shumë kishte përmbledhur rëndësinë e natyrës si djepin e naivitetit dhe pafajësisë. Qëllimet e tij në jetë janë të luajë, të martohet dhe të merret me diçka. Duke luajtur dhe humbur përgjithësisht, duke kaluar netët me dëfrime të shfrenuara që fatmirësisht nuk do të vazhdojë gjatë, se nën kujdesin e të vëllait, Nikollaj arrin në një garnizon të vogël në Kaukaz. Jeta ushtarake nuk i pëlqeu, por u suall mirë dhe e kaloi midis kozakëve kaukazianë, në një ambient plogështie dhe kotësie, plot me vese, por gjithmonë romantik, vende të bukura, tërheqëse e mjaft piktoreske. Megjithatë jeta ushtarake për djaloshin Tolstoi më shumë se një angazhim civil ishte një kuriozitet turistik dhe njëherazi estetik. Pëlqeu aspekte të tjera të jetës si gjuetia, pijet dhe dëfrimet e shfrenuara seksuale. Është pikërisht në këtë vit dhe në këtë ambient që fillon të shkruajë veprën e parë ”Fëmijëria”, pjesën e parë të vëllimit me tregime ”Katër epokat e zhvillimit”. Në këtë fazë, ravijëzohen linjat e poetikës së tij: ritmi lento, përqëndrimi te detajet, vëmendja për të ndjekur fatet e personazheve paralelisht, bashkësinë e shpirtit dhe natyrës, veçanërisht gjendjen shpirtërore të brendshme. Filloi të frekuentojë teatrin dhe rrethet intelektuale, por do të konsiderohet gjithmonë si një personazh me kufizime, i izoluar dhe pak më ndryshe se të tjerët, si diçka midis çifligarit të vogël të provincës dhe një ushtaraku të karrierës që gjen dhe pak kohë për t`ia kushtuar letërsisë. Në vitin 1854 gradohet adjutant dhe mbrrin në frontin e Krimesë ku zhvilloheshin luftime të ashpra midis Rusisë dhe Turqisë dhe nuk do të vonojë shumë dhe, pikërisht më 1855, do ta gjejmë në vijën e parë të frontit midis mbrojtësve të Sevastopolit. Kjo eksperiencë i dha atij shtysë për të shkruajtur tregimin me të njëjtin emër që u botuan njëkohësisht me “Fëmijërinë”. Në 15 Maj të po atij viti transferohet larg nga fronti. Në periudhën e luftës, veçanërisht mbas asaj të Krimesë, fisniku rus do të kompletojë një sërë romanesh që tronditin opinionin publik duke përshkruar me imtësi vërtetësinë e skenave mizore të dhunës. Asnjë filtër të krenarisë sentimentale, as edhe të romanticizmit luftarak. Ndërkaq kontrastet dhe konfliktet do të vëzhgoheshin me një lente morale, që do të mbyllen me një konkluzion negativ mbi rolin e luftës deri atje sa Tolstoi do arrijë në një perceptim dhe koncept të ri të jetës, në një transformim shpirtëror, drejt pacifizmit. Në nëntor do të lërë përfundimisht Krimenë për në Petërburg çka spjegohet me krenarinë e tepruar për të dëgjuar dhe bindur eprorëvet të tij. Kjo do të ketë edhe anën tjetër pozitive, se do t`i japë shkak më në fund për të kuptuar sensin dhe qëllimin e jetës duke e përcaktuar: ”Kariera ime janë letrat. Të shkruaj, Të shkruaj. Duke filluar që nesër do të punoj për gjithë jetën…”. Në rrethet shoqërore të Petërburgut, në sallonet e tij që filloi t`i frekuentojë do të gjejë midis tyre shumë sllavofilë dhe perëndimorë dhe, mbase është një rastësi që njihet me Turgenjevin që qe ndër të parët që e ftoi në shtëpinë e tij. Janë të dukshme dhe të bëjnë përshtypje disa tipare të karakterit të tij, sedërli dhe vesveseli, i ashpër e i vrazhdët që e shtynin të ofendonte të tjerët dhe të vinte në diskutim të gjithë dhe gjithçka. Në vijim do të botojë “Rinia” që nuk pati suksesin që pritej dhe do të ndikojë në ndërprerjen e punës për botimin e katrologjisë. Kthehet për një periudhë të shkurtër në vendlindje dhe, më vonë do të ndërmarrë një udhëtim në perëndim që faktikisht nuk e tërhoqi, ashtu siç e priste. I bëri përshtypje më shumë shpirtngushtësia, shpirti tregtar që ishte e dukshme ngado që të shkoje. Ai pati mundësi të njihet me anarkistin Prudon, shkrimtarët si anglezin Dikens dhe rusin Hercen. Krijoi kështu një ndjeshmëri të thellë për mizerjen sociale dhe për kushtet e jetës së fshatarëve që mundi ta konstatonte edhe gjatë udhëtimeve të tij. Por ajo që do ta trondiste më shumë ishte “prezenca gjatë ekzekutimit të dënimit me vdekje të një keqbërësi përpara një publiku të gjerë që shikonte me kërshëri fundin e tij dhe mbas gijotinës ndjeva një dhimbje dhe m`u duk një marrëzi- thotë ai, -në kujtimet e tij, se pse kaqë shumë njerez duhet të ishin të pranishëm dhe përpara syve të mi më erdhi një ndjesi, tamam si një mëkat”. Në vitin 1861, me dekret perandorak u shpall fundi i bujkrobërisë dhe Tolstoi u emërua gjykatës për zbatimin e ligjit në territoret e Tulës që e pranoi me kënaqësi dhe punoi me pasion e seriozitet në këtë mision të ri, por rrugës do të përballet me shumë vështirësi e pengesa ngaqë fisnikët do ta pengonin deri në fund për të ruajtur privilegjet e tyre. Kjo u bë shkak për të dhënë dorëheqjen. Në këto vite, do t`i kushtojë shumë vëmendje shkollës së ngritur në pronat e tij, i ndikuar sigurisht nga Rusoi që e kishte idhull, për të mësuar fëmijët e argatëve. Tolstoi mbeti gjithmonë tërheqës nga jeta e 

thjeshtë, ndaj kontakteve me natyrën dhe përçmonte abuzimet e pushtetit, dënimin me vdekje dhe padrejtësitë shoqërore. Ai aplikoi një lloj edukimi pedagogjik që u jepte liri të madhe fëmijëve. I bindur në metodat e tij themeloi një revistë, po me emrin e fshatit të tij të lindjes, ”Jasnaja Poljana” me synim që të mësonin shkollat përreth dhe, në të cilën të shprehte idetë e tij filozofike dhe pedagogjike njëkohësisht. Është pikërisht kjo periudhë që merr jetë teoria e tij mbi shoqërinë, në mbështetje të një superioriteti të dukshëm të veprave të popullit ndaj atyre të elitës. “Populli jeton një jetë më të integruar,- thoshte ai,- dhe për këtë arsye vlerat që përftohen nga veprimtaria popullore janë më të mira”. Tolstoi u rrit dhe u edukua në mes të fshatarëve dhe mësoi rusishten që s`ishin në gjendje t`ia mësonin hallat e tij, ngaqë ato vetë s`e dinin mirë, por edhe se në atë kohë fisnikëria ruse e kishte për modë të fliste në gjuhën frënge. Jeta e tij në fshat ka pasur një ndikim të jashtëzakonshme në krijimtarinë e mëvonshme të tij, sepse ai mësoi nga fshatarët tërë thesarin kulturor të Rusisë që do të përbënte brumin, lëndën e parë të tyre. Nga ana tjetër, ata i hynë në punë si model për një galeri të tërë personazhesh që ndoshta është ndër më të pasurat, të cilat e ndihmuan në portretizmin e tipizimin e tyre. Janë të paktë shkrimtarët që arritën nivelin e tij. Nga fshatarët ai mësoi gjithashtu besimin te zoti që do të bëhet si apostull i moskundërshtimit të së keqes me anë të dhunës. Ai diti të depërtonte në qelizat më të thella të kësaj shtrese dhe nuk ushqeu ndonjë iluzion ndaj dobësive dhe të metave të saj, sepse shkakun e tyre e kërkonte te injoranca dhe nga shtypja permanente që ishte ushtruar. E vetmja mënyrë siç e mendonte ai për të dalë nga kjo gjendje ishte nevoja për edukimin dhe emancipimin e tyre që s`i kurseu përpjekjet dhe mundësitë që kishte. Tolstoi nuk u nda tërë jetën nga muzhikët me atë këmbëngulje që ishte tipar dallues i karaktërit të tij. Në vitin 1862, në një moshë gati 30 vjeçare, do të njihet me Sofia Bers, e bija e një shoqeje të tij të fëmijërisë dhe një mjeku që fillimisht diferenca e moshës e bëri të hezitojë dhe të mendojë, njëkohësisht. Por nuk do të zgjasë shumë dhe ata do të kurorëzojnë lidhjen e tyre që siç do të shohim më vonë, entuziazmi i kësaj martese do të shuhet shpejt. Ajo nuk e deshi kurrë Tolstoin. Ajo ngjasonte shumë me vajzat kozake që kishte patur fatin t`i njihte. Tolstoi me atë çiltërsinë dhe sinqeritetin që e karaktërizonte i kishte besuar asaj ditarin e dashurive të veta për t`i treguar se ç`burrë do të merrte. Fatkeqësisht ajo në vend të mirënjohjes për këtë gjest, nuk e fali po as e kuptoi kurrë bukurinë shpirtërore që fshihej brenda tij. Xhelozia e grindja i shoqëroi tërë jetën dhe vetëm vdekja i ndau, atëre kur mori një vendim radikal të vonuar për t`u larguar nga shtëpia. Kontesha nuk i kuptoi kurrë idealet e larta të asaj perendie dhe Tolstoi s`e pati fatin të kishte krah tij një grua që t`i falte dashurinë dhe besnikërinë, siç e patën disa pena të mëdha të atij shekulli si Gëte me shokë. Koha mbase do ta gjykojë rrethin shoqeror të asaj kohe që s`ndikuan sa duhet te ky gjeni, të kishte një grua që meritonte, por ndoshta kjo ka pasur edhe “të mirën” e vet që nga këto konflikte e trazira të thella shpirtërore, t`i ketë dhuruar njerëzimit kryevepra të tilla. Bethoveni vuajti jo pak me të nipin e tij, Karlin që e deshi aqe shumë, sepse fatkeqësisht nuk krijoi familje e të kishte trashëgimtar, por fatmirësisht la mbrapa vepra të pavdekshme, ndërsa ndryshe nga ai, Tolstoi pati një grua që nëse do bëjmë një krahasim disi të largët në kohë i përngjante një “Ksanthipi modern”. Megjithatë, ajo solli në jetë fëmijën e parë, më 1863, që në vijimësi do të lindin edhe 12 të tjerë, 5 prej të cilëve, më vonë do të vdesin. Fëmijët do të merrnin anën e saj si më e forta nga të dy prindërit. Në të njëjtin vit dhe për 6 të tjerë që i pasojnë do t`i dedikohet “Lufta dhe Paqja” me ndihmesën e së shoqes si sekretare dhe kopiste do të botohej në ”Mesazheri Rus” me kapituj. Më përfundimin e këtij romani epope ndjeu t`i rilindë pasioni për pedagogjinë dhe u kthye t`i dedikohet me përkushtimin më të madh shkollës në Jasnaja Poljana, por fatkeqësisht ky projekt s`e pati jetën e gjatë që mesa duket pengesa dhe kundërshtia e vendosur ishte gruaja e tij, prandaj edhe dështoi. Viti 1873 shënon fillimin e punës për të shkruar një tjetër vepër madhore, romanin “Ana Karenina”. Janë vite që goditet nga një krizë e fortë ekzistencialiste që e bëri shpesh të mendonte për vetvrasje dhe për të terrorizuar gruan e tij, që e përshkruan në ditarin e vet. Për të dalë nga kjo gjendje pa shpresë iu drejtua kishës që është një fakt shumë domethënëse që e ndeshim në krijimtarinë e tij. Fillon të ushtrojë praktika religjoze, të vizitojë santuare dhe të marrë pjesë në pelegrinazhe. Racionalizmi i tij e ndihmoi për të refuzuar ritet dhe salltanetet e kishës ortodokse. Vendosi të izolohej dhe të marrë mësime të Vangjelit për llogari të vet duke elaboruar një koncept të vetin mbi fenë, të bazuar nga një frazë e Mateut: “Mos i rezisto së keqes”. Në vitin 1881 transferohet në Moskë. Fillon të frekuentojë lagjet e varfëra ku mësoi punë të ulëta. Eliminon alkoolet, duhanin dhe mishin e bëhet vegjetarian, bile donte të çlirohej edhe nga pronësia e tokës duke ua shpërndarë në mënyrë të barabartë fshatarëve. Në kulmin e famës dhe të popullaritetit të tij që tronditi dhe fronin e Carit me idetë që përhapte, kisha dhe sinodi duke injoruar vendimin e Aleksandrit III për të marrë çfardo lloj mase kundër Tolstoit zgjodhën shkishërimin e tij. Sorini do të shkruante: “Që dikush të provojë vetëm ta prekë Tolstoin, gjithë bota do të ngrihet të ulërasë dhe administrata jonë do të jetë e detyruar të ulë hundën”. Të vjen keq që edhe sot, mbas një shekulli e pak që ka ndërruar jetë, Tolstoi është lënë mënjanë me pa të drejtë nga zyrtarët rusë. Ai gëzon një popullaritet të merituar më shumë jashtë se brenda vendit. Shtëpia muze e tij vizitohet nga më shumë se 15 milionë turistë, në vit, çka tregon se veprën që ka lënë, nuk e vjetërojnë dot vitet që kalojnë. Vitet e fundit u karakterizuan nga konflikte të dhunshme familjare. Cvertkov dhe gruaja e tij i kërkuan me ngulm të drejtën e ditarit që t`ia lëshonte në fillim atij dhe, pastaj asaj. Një natë të vitit 1910, duke i lënë një letër Sofisë, në të cilën i shprehte: ”Të falenderoj për 40 vjetët e jetës së ndershme që ke kaluar me mua dhe, të lutem të më falësh për të gjitha gabimet që kam bërë ndaj teje, siç po të fal dhe unë me gjithë shpirt për aqë sa më takon mua”, duke shtuar ndër të tjera, dorëheqjen nga të mirat materiale dhe vullnetin për të jetuar i lirë në vetminë e tij, ditët e fundit të jetës, mori një tren dhe iku. Mbas dy ndalesave në manastire mbrrin në stacionin hekurudhor të Astapovos që ftohet e sëmuret dhe, mbasi mbrrin e shoqja me të bijën Aleksandrën vdes në shtëpinë e përgjegjësit të stacionit, më 7 nëntor 1910. Të njëjtin fat do të pësonte edhe Sergei, novela me të njëjtin emër, një oficer i besuar në oborrin e Carit, ndonëse për motive të tjera, ikën dhe bëhet eremit në një manastir e pastaj, duke iu shmangur tundimit të femrave, largohet në kërkim të zotit derisa e gjejnë të vdekur në agimin e një dite të re, në një kasolle fshati. Në letrën që u dërgonte fëmijëve i porosiste: ”Ju lutem të kujdeseni për nënën. Në këtë gjendje të dobët shëndetësore që jam, zemra ime nuk mund ta përballonte dot një takim”. E shoqja me fëmijët kishte mbrritur dhe i biri kujton se e pyeta, a do ta shikosh? a do ta shikosh Sofinë? Por ai kishte humbur ndjenjat, koshiencën. Kur në mëngjezin e 7 marsit ato u lejuan të hyjnë, ai ishte në koma; Sofia i pëshpëriste te koka e krevatit me përkëdheli fjalë dashurie se, ndoshta ishte në agoni dhe e dëgjonte. Tolstoi nuk e dëgjoi më. Ajo i qëndroi pranë ditë e natë derisa dha shpirt. Romanin “Ana Karenina” e zgjodha për të shkruar diçka nga gjithë krijimtaria e tij, sepse më ka tërhequr më shumë. Një roman qe pasqyron evolimin e shoqërisë ruse të fundviteve të 1800-ës. Në Rusinë perandorake midis viteve 1700-1800 familja, përbën nyjen kryesore ku është mbështetur shoqëria. Pikërisht ky është dhe shkaku që këtë temë ta gjejmë të trajtuar gjerësisht dhe në letërsi. Romani pasqyron probleme të mëdha siç janë: martesa që përshkruhet me aqë vërtetësi në historitë e tre çifteve të ndryshme: Dolli me Stivën, Ana me Kareninin e Vronskin e së fundi, Levini me Kitin. Dy martesat e para janë të kombinuara që kanë në bazë të tyre interesat ose rritjen e famës. Në të tilla raste nuk ka ndjenja në mes që të merren në konsideratë dhe plotësimi i dëshirave kërkohet në marrëdhëniet jashtëmartesore. Dolli e Stiva nuk largohen nga modeli kontraktual, ndërsa thyerja e parë vjen nga Ana, falë mendimit fisnik të kohës së saj që lufton për të arritur një qëllim kundër të gjitha rregullave që i nënshtrohet konsekuencave, por edhe gjykimit të kulturës dhe shoqërisë së kohës. Nga e gjithë kjo situatë më e favorizuar duket të jenë Levini me Kitin. Familja në këtë periudhë është kryesisht patriarkale, por gjithmonë e më shumë i nënshtrohet influencës së dy tendencave të kundërta në procesin e zhvillimi; njëra për të mos ta ndryshuar dhe tjetra për ta transformuar atë sipas ideve të reja. Në fakt nuk është hera e parë që Tolstoi e trajton këtë temë, sepse ka qenë një shqetësim permanent i tij. Së paku rreth 10 vjet më parë e ndeshim në novelën “Lumturi bashkëshortore”. Gjithashtu raporti me fëmijët, divorci, shkelja e kurorës si një fenomen i mprehtë shoqëror e ndonjë tjetër përbëjnë problematikën kryesore të romanit. Romanin nuk mund ta shkëpusim nga sfondi historik e social, poltiko-ekonomik që Rusia përballej, prandaj është me vend që të merremi me analizën e saj. Jemi në një periudhë që revolucioni francez në Evropën perëndimore ndikoi në një transformim rrënjësor, epokal që u pasua edhe nga të tjerë mbrapa tij, siç ishte ai i 1848, i 1870 me Komunën e Parisit që tronditi gjithë borgjezinë e asaj kohe, sepse ishte i pari eksperiment i komunizmit i realizuar në praktikë dhe fatmirësisht nuk e pati jetën e gjatë. Natyrisht revolucioni francez ndryshoi shumë gjëra në sensin se arisokracia humbi shumë nga privilegjet e saj që i kishte deri në Mesjetë, ndonëse ajo s`u privua nga zotërimet mbi tokën etj. Revolucioni francez i dha një mësim të mirë botës dhe ndryshoi një mentalitet të kultivuar prej kohësh. Në Rusi, përkundrazi nuk kemi zhvillime të kësaj natyre dhe ndikimi i këtij revolucioni nuk u ndje si në pjesët e tjera të Evropës. Ndoshta do të ndjehet një çikë më vonë me fushatën e Napolonit në rrethana krejtësisht të tjera, sepse ai s`do të ndryshojë atë rregullsi që kishte. Në strukturën politiko-shoqërore të saj ishte ruajtur akoma ajo e Mesjetës, një lloj autokracie, me një Car që është pronar i Rusisë dhe të gjithë banorëve të saj; një strukturë që kisha jo vetëm nuk e është ndarë nga shteti, por është pjesë integrale e tij e lidhur ngushtësisht me pushtetin politik saqë mund ta quajmë një burokraci shtetërore me të gjitha ritet fetare që e shoqërojnë. Kjo krijon një panoramë të qartë të shtresëzimit shoqëror; nga një anë aristokracinë e çifligarëve të mëdhenj të tokave, burokracinë e saj dhe pastaj popullsinë fshatare. Në Rusi nuk ekziston një borgjezi në kuptimin e mirëfilltë të fjalës siç është në perëndim. Në fund të shek. 17-të dhe fillim të atij të 18-të vjen në pushtet Pjetri i madh, i cili kërkon të sjellë një frymë të re me dëshirën e mirë për të modernizuar Rusinë, sipas modelit evropian. Tolstoi me gjithë këto influenca të perëndimit e shikonte prirjen e grupeve konservatore për të mos ta ndryshuar këtë statukuo dhe këtë e pasqyron me vërtetësi te figura e Ana Kareninës ku përballen me njëra-tjetren Ana luftarake dhe Ana e mbërthyer nga zinxhirët e shoqërisë konservatore. Në 1861, shfuqizimi i bujkrobërisë shënon një domethënie shumë të madhe që fatkeqëshit ekzistonte në Evropën mesjetare, me ndonjë përjashtim. Por kjo periudhë solli në Rusi një brez shkrimtarësh dhe poetësh që krijuan frymë të re me vepra të arrira artisitiksht që patën ndikim në gjithë letërsinë botërore. Është një lulëzim, së pari me romantikët si Gogoli me “Shpirtrat e vdekur”, Pushkini me romanin në vargje ”Eugjen Oniegin” që konsiderohet si Dantja i letërsisë ruse që tha gjëra që para tij s`i kishte thënë asnjeri dhe mbrapa tij s`i harroi; pastaj kemi brezin e realistëve të përfaqësuar nga Turgenievi, Goncarovi dhe kulmojnë me kollosët e letërsisë, jo vetëm asaj ruse, por edhe botërore, romancierët e famshëm, Dostojevski dhe Tolstoi që janë të kërkuar edhe sot. Tolstoi me romanet “Lufta dhe Paqja” dhe “Ana Karenina” ka pasqyruar shoqërinë ruse në përshkrimin e saj me një përsosmëri artistike. Por ai u angazhua me një problematikë shumë më të gjerë. ”Ditari” p.sh. është një vepër mbresëlënëse në kërkim të përsosmërisë morale. Kthimi në fshatin e tij të lindjes mbas shërbimit në ushtri ku i dedikohet edukimit të fëmijëve, krijimit të familjes; përpjekjeve për përmirësimin e kushteve të jetesës së fshatarëve etj., në një moshë të re 30 vjeçare janë përgjegjësi të mëdha në shpatullat e këtij djaloshi të ri. Zbulon më në fund se detyra e tij është të shkruajë dhe vetëm të shkruajë, që vetëm me 3 romanet e tij “Lufta dhe Paqja” më 1869, ”Ana Karenina”, 8 vjet më vonë dhe “Ringjallja” në vitet e fundit të jetës së tij, pa përmendur krijimtarinë tjetër shumë të larmishme dhe pjellore, e bëjnë atë ndër romancierët më të mëdhenj të letërsisë, të paktën të dy shekujve të fundit. ”Lufta dhe Paqja” është romani që pasqyron një periudhë të rëndësishme të historisë së Rusisë së atyre viteve, pushtimin nga ana e Napolonit edhe të Moskës, por që në fund fitoi gjenerali dimër siç quhej. Fitoi shpirti rus i udhëhqur nga gjenerali Kutuzov. Kjo shënon një fillim të ri për Rusinë dhe fillimin e fundit të Napolonit.  Ky është kuadri historik, në të cilin përplasen dy civilizime që njëra kërkon ta pushtojë dhe civilizojë dhe tjetra, nëna Rusi që reziston dhe fiton. Për romanin “Ana Karenina” Tolstoi inspirohet nga “Tregimet e Belkenit” të Pushkinit. Figura e gruas në letërsi ka zënë një vend të konsiderueshëm qysh në fillimet e saj. Mjafton të kujtojmë Iliadën e Odisen e Homerit deri në ditët tona, me gjithë larminë e saj, shpirtin si nënë, bijë, vajzë, motër, grua, dashnore, shoqe etj., pa të cilën do të ishte shumë e varfër në shumë rrafshe. Herë mëkatare e herë heroina e herë viktima me shpirtin, elegancën dhe sharmin e saj ka lënë gjurmë të thellë e të pashlyeshme. Ana është personazh shumë kompleks gjë që e bën shumë njerëzore figurën e saj. E skalitur në mënyrë shumë reale fizikisht dhe shpirtërisht, si gruaja më e bukur, por dhe më fatkeqe, ajo me të drejtë ka hyrë në letërsi si Helena e Trojës. Lexuesi pret me të drejtë që Ana të shfaqet qysh në fillimet e romanit, por nuk ndodh kështu. Vepra as hapet dhe as mbyllet me të, por përmban në vetvete histori të tjera që gërshetohen, jetë të tjera që rrjedhin, të tjera mendime që piqen. Ajo kërkon të çlirohet nga disa rregulla të shoqërisë për të afirmuar pavarësinë e vet, por, në të njëjtën kohë ajo përpiqet të gjejë dhe mjetet e nevojshme për ta vendosur atë. Liria është rezultat i një lufte shpesh me vetveten që për të qënë e tillë, duhet paradoksalisht të ketë aprovimin e shoqërisë, duke u përballur me probleme të tilla madhore të shoqërisë njerëzore si feja, tradhëtia, dashuria, dyshimi, opinioni konservator etj. Ana është një personazh që lë gjurmë e nuk harrohet kollaj. Ajo siç përshkruhet në roman është një damë e shoqërisë moskovite dhe Shën Petërburgase që është martuar me një funksionar të mërzitshëm, më i madh se ajo në moshë; tip i ftohtë i përkushtuar ndaj karrierës së tij që nuk ia del të jetë natyral as me veten e vet. Ka një djalë që e do shumë dhe rastësisht takohet me një djalë që pak e nga pak dashurohet me të. Vronski në fakt ishte joshur pas një vajze tjetër, Kitit e cila ishte e bija e kunatës së Anës. Takon Anën dhe çdo gjë shkon keq e me keq për Kitin. Por fatmirësisht njihet me një personazh tjetër, me të cilin dashurohet dhe martohet e kalojnë një jetë të lumtur së bashku. E parë me vëmendje, kjo tabllo na jep një martesë të palumtur dhe brenda saj një marrëdhënie jashtëmartesore, i ndezi shpresën për lumturinë që i mungonte. Me martesën e Levinit me Kitin shohim dëshirën e Tolstoit për një familje të mbështetur në dashuri, besim dhe drejtësi. Në fund të fundit romani është për Ana Kareninën dhe i tillë mbetet deri në fund. Skena e garimit me kuaj që për shkak të një incidenti desh i mori jetën Vronskit, u shndrrua në një skenë tronditëse për të gjithë rrethin shoqeror të lartë që ishte present, sepse nga mënyra sesi e përcolli dëshpërimin e saj, i befasoi të gjithë dhe është hera e parë që i pohon burrit të saj dashurinë për të. Kjo nuk ishte diçka e papritur për të shoqin, sepse ai e dinte këtë, por kjo përbënte një skandal për gjithë shoqërinë që frekuentonte, ajo e cila e toleronte shumë mirë për sa kohë, ajo ishte një marrëdhënie e mbyllur, e fshehtë. Shoqëria e lartë s`mund t`i pranojë shkeljet e kësaj natyre, kur ato ekspozohen, përkundrazi është e kënaqur të mbeten të kamufluara e mos t`i krijojnë shqetësime asaj. Një sjellje e shtirur që s`ka asnjë moral. Ky moral mbytës i shoqërisë e detyron çiftin e dashuruar të niset për në Europë dhe më vonë tërhiqen për të jetuar në fshat, në shtëpinë e tij. Por vitet kalojnë dhe ajo gradualisht fillon e mërzitet e i shikon gjërat me dyshim, një xhelozi e pakuptimtë që e mundon shpirtërisht. Ana ndjehet e braktisur nga familja, shoqëria dhe nga mungesa e pranisë së djalit. Lumturia që priste u helmua nga xhelozia. Ajo po humbiste mbështetjen e vetme që shpresonte të gjente në dashurinë e Vronskit. Tashmë e shikonte veten të humbur, gjë që e çoi në vetvrasje duke iu dorëzuar vdekjes, si rrugë për shpëtim. Nuk është i vetmi rast që në veprat e Tolstoit gjejmë ngjarje që marrin shkak nga jeta reale, siç është dhe kjo e nxjerrë nga një kronike e v.1872 kur një grua i jep fund jetës saj, duke u hedhur në rrotat e trenit të linjës Moskë-Kursk. Tek veprimi i Anës shikojmë dramën dhe tragjedinë e një shoqërie të tërë që lëngonte nga një mentalitet i vjetëruar dhe anakronik që ishte e destinuar të vdiste. Në letrat e shumta që lexuesit i dërgonin Tolstoit, e qortonin atë, pse Anën ia kish dorëzuar vdekjes. Nuk isha unë, iu përgjigj ai, sepse po të ishte në dorën time, do kisha bërë ç`ishte e mundur për ta shpëtuar, por fundi i pashmangshëm i saj. Ajo u martua me një njeri që s`ndjeu kurrë dashuri për të, ndërsa te çifti Kiti-Levin funksionon ndryshe. Nga pikëpamja morale për Tolstoin, esenciale është përqëndrimi te natyra që e konsideron si depozitën e së vertetës dhe të ligjeve morale që e ndeshim, në të gjitha veprat e tij. Por natyra në tërësi, përfshin jo vetëm botën natyrale, vegjetale e të kafshëve, por është një e tërë, unike përfshirë dhe atë njerëzore. Por cilët konkretisht? Fshatarët janë më pak të prekur nga kultura nga racionalizmi e kështu me radhë. Janë ata më afër natyrës, tek të cilët duhet të kërkosh ligjin moral të vërtetë që ata, si të thuash, e thithin nga toka çdo ditë. Ky ligj është i njëjtë me atë të Vangjelit, i cili është sipas shembullit të Krishtit. Kjo përbën për Tolstoin një besim të vërtetë personal që nuk mund të themi se s`ka pasur sukses, jo vetëm në letërsi, por edhe në jetën e përditshme të shoqërisë. Gjykimi moral te Tolstoi ekziston gjithmonë dhe, gjithmonë kategorik, që në fakt është një nga arsyet e madhështisë së tij. Pra, në fund të fundit, kur të gjithë janë mirë, jeta është e mirë dhe rrjedhimisht të gjithë janë të mirë. Pavarësisht nga pikëpamjet etikomorale të tij, Tolstoi ka aftësinë t`i paraqesë personazhet ashtu siç janë në jetën reale. Në kapitullin final Ana grindet për të fundit herë me Vronskin dhe largohet duke i lënë një letër. Ajo është e dëshpëruar, sepse gjithë bota rreth saj po përmbyset. Gjendje të tilla, rëndom mund të na ndodhin edhe ne. Vdekja e saj na lë një zbrazëtirë të dhembshme për një personazh që i ka dhënë jetë romanit. Duke e ndjekur hap pas hapi në disa qindra faqe që, s`mjaftojnë, veçse 5 të tilla për të përshkruar tragjedinë e saj. Në veprën e tij madhore Tolstoi flet edhe nëpërmjet gojës së fëmijëve që janë krijesa të pafajshme dhe shpesh viktima të kësaj tragjedie. Në kontrast me figurën e Anës, Tolstoi na paraqet figurën e Levinit. Levini është i lumtur, por që fatkeqësisht s`ka kuptuar akoma domethënien e jetës. Ai është rritur agnosticist, racionalist dhe ka arritur në përfundim që ose domethënia e jetës qëndron në përralla, siç i tregonin kur ishte fëmijë, por që nuk i beson, ose nuk ekziston dhe kështu do ishte më mirë të vdiste. Ai s`do të vdesë, sepse është i kënaqur dhe i lumtur; ka një grua që i ka sjell në jetë një fëmijë etj. Por, megjithatë i mungon diçka, por që në fund e gjen nga një zbulim gjatë një bisedimi: Duke shëtitur nëpër fusha, fshatarët e tij po korrnin, ndalon për të folur pak me ta dhe ai pyet: “Po ju si ia bëni të duroni një punë të tillë?” Ata i përgjigjen: ”Ne e bëjmë, sepse kështu është e drejtë, sepse është dëshira e Zotit”. Ai largohet i befasuar, por fillon të mendojë, të mendojë se drejtësia qëndron te zoti. Fshatarët i dhanë atij për të kuptuar, se nuk mund të jetohet vetëm për veten, përkundrazi e mira dhe lumturia qëndron te diçka tjetër, të jetosh për të tjerët, për një arsye superiore. Atëre Levini (personifikimi i Tolstoit) fillon të kuptojë në një farë mase se ky qenka kuptimi i vërtetë i jetës. Shqetësimi që Cvajgu e sintetizon se ”ai (Tolstoi) e jetoi jetën në kërkim të kuptimit të jetës”. Mbas këtij zbulimi çdo gjë për të merr një domethënie tjetër. Në fakt zbulimi që ka bërë tashmë është brenda tij dhe e vërteta konsiston në këtë që jeta është e mirë dhe e mira gjendet në jetë. Ky është ligji moral. Zbulimi më i madh i protagonistit të romanit është pikërisht ky: zbulimi i domethënies së jetës përballë një prove vendimtare që është jeta e përditshme. Jeta e përditshme që vret këdo, por jo në këtë rast, sepse mund ta jetosh atë çdo ditë. Nga pikëpamja letrare këtë zbulim që bën Levini në faqet e fundit të romanit, Tolstoi e ka bërë që pa filluar ta shkruante, sepse kështu është në fund të fundit jeta që mund t`i japësh një zë edhe qenit apo krijesave të tjera, edhe fëmijës e kujtdo tjetër që bëhet pjesë e saj e kështu me radhë. Është kjo arsyeja që çdo marrëzi në jetën e përditshme ka për Tolstoin një domethënie të madhe. Por është njëkohësisht edhe një mësim i madh moral e religjoz, që nuk duhet mbështetur shumë në momente ekzaltimi, saqë t`i ushqesh e të përfundojnë në banalitete të mundimshme të jetës së përditshme. Tolstoi është një realist i madh që di t`i trajtojë të gjithë personazhet si persona reale. Romani “Ana Karenina” me kompleksitetin e vet ka ngjallur diskutime të shumta qysh me daljen e tij dhe Tolstoi u detyrua ta ndërpresë kapitullin e fundit duke shkuar edhe më tej sa edhe ta injoronte atë. Ato as janë shuar mbas gati 140 vjetësh. Janë të shumta studimet, librat dhe kritika s`ka rreshtur së thëni fjalën e saj që vetë koha i kërkon dhe s`do mungojnë as në të ardhmen. Anën kanë dashur ta krahasojnë me ”Zonjën Bovari” të Floberit dhe ca më pak me zonjën Renal në “E kuqja dhe e zeza” të Stendalit. Kritika është e mendimit që s`ka ndikime të tilla në figurën e saj. Ata janë romane të paharruar dhe unikalë në madhështinë e tyre dhe si element i përbashkët, që i afron është vetëm drama dhe fundi tragjik. Shumë emra të mëdhenj të letrave s`i kanë kursyer fjalët e tyre kur kanë mbaruar së lexuari këtë kryevepër artistike. Dostojevski e konsideron një vepër arti absolutisht perfekte që s`mund të krahasohet me asnjë nga letërsia evropiane; Nabokovi, kryevepër absolute e letërsisë së shekullit 19-të; Romeo Rolandi do të thoshte:“Tolstoi ishte drita më e pastër që ka ndriçuar rininë tonë në atë muzg me mjegull të dendur të shek. 19-të që perëndoi”. Pak para se të vdiste Tolstoi pati një polemikë disi të ashpër në një letërkëmbim me Gandin e ri që, më vonë do të shkruante për të: ”40 vjet më parë, ndërsa kalova një krizë të rëndë skepticizmi dhe dyshimi, kuptova nëpërmjet librit të Tolstoit se Mbretëria e Zotit është brenda nesh, dhe qeshë thellësisht i befasuar. Në atë kohë, besoja te dhuna. Leximi i librit më shëroi nga skepticizmi dhe më bëri një besimtar të ahimsa. Ajo që më ka tërhequr në jetën e Tolstoit është fakti që ai ka praktikuar atë që ka predikuar dhe nuk ka konsideruar asnjë çmim sado të lartë për kërkimin e së vërtetës. Ishte njeriu më i vërtetë i gjithë epokës së tij.Jeta e tij ishte një konstante, ishte një sforco e vazhdueshme dhe e pandërprerë për të kërkuar të vërtetën dhe vënien në praktikë, kur e kishte gjetur atë. Qe apostulli më i madh i mospërdorimit të dhunës që epoka aktuale na ka dhënë”. Tolstoi do të mbetet një shkrimtar dhe mendimtar i madh: ”Bota e tërë përulet me respekt përpara lavdisë së këtij kollosi”, siç thoshte Cvajgu. Ai e meriton këtë. 

Alqiviadh Dede

Comments (0 posted):

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
0
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1