Newsletter
Email:
Poll: Letërsia
Cili është lloji juaj i preferuar i letërsisë?
Home | ESE | Luigj Gurakuqi, “vigani liberator”

Luigj Gurakuqi, “vigani liberator”

Font size: Decrease font Enlarge font
image Luigj Gurakuqi, “vigani liberator”

Luigj Gurakuqi, “vigani liberator”
Esse nga Luan Çipi

Luigj Gurakuqi lindi në qytetin e Shkodrës, më 20 shkurt 1879 dhe ndërroi jetë në qytetin e Barit, Itali, më 2 mars 1925. Ishte veprimtar i shquar i çështjes kombëtare, hartues dhe nënshkrues i Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë, të vitit 1912, poet, arsimtar, tekstolog, gjuhëtar, diplomat dhe deputet.
Është një nga personalitetet më të shquara të lëvizjes sonë kombëtare, arsimore e kulturore të Rilindjes Kombëtare dhe të Pavarësisë dhe organizator e pjesëmarrës kryesor e i drejtpërdrejtë.
U rrit në gjirin e një familjeje tregtare shkodrane, me babë Pjetër Gurakuqi dhe nënë, Lezja (Tereza) e Kolë Prêkës. Me edukimin e tij u mor në mënyrë të veçantë i ati. 
Luigji i nisi studimet në “Kolegjin Saverian” në degën tekniko-tregtare, deri më 1897. Më pas, plotëson arsimin e mesëm në “Kolegjin Arbëresh e Shën-Mitër Koronës” . Aty pati fatin e mirë të edukohet nga atdhetarë e intelektualë të shquar si Anton Xanoni, Gaspër Mërturi. Një nga themeluesit e Rilindjes Kombëtare Shqiptare, arbëreshi i madh Jeronim De Rada ishte mësues, që e mbajti afër, e edukoi dhe e frymëzoi për tërë jetën. Gurakuqi ishte ndër nxënësi e parë shqiptar aty. Për takimin me De Radën, Gurakuqi kujton:
«Kam pasë nderin me qenë afritë prej Plakut të nderuem Jeronim De Rada. Tue u-gjetë përpara t'âmblit kangatar të Milosaut, të Skanderbeut Pafanë, tue ndie qortimet e këshillat e tija, tue ndigjue zânin e tij të fikët, qì bâhej mâ i plotë, e tue pa syt e tij të mekun kah ndezeshin e shkelqeshin, tue permêndë Shqipnín, unë gjith përmallue, nuk mujta me u ndalë pa lëshue, bashkë me dy pika lot, nji të puthun të nxehtë mbi at dorë që punoi sá e sá për Atdhé..!».
Diplomën e pjekurisë e merr në Kozencë të Italisë, për “sciences naturelles”, duke pas ndjekur ndërkohë dhe kurse të veçanta në filozofi. Vijoi studimet Universitare në Napoli (Itali) në Shkencat Biologjike në vitet 1901-1906. Atje njihet me Zef Skiroin, profesorin e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në Institutin Lindor të Napolit dhe Veprës së Skiroit, Luigj Gurakuqi, do t'i përpilonte një parathënie, përkthyer nga Konica e të botuar në të përkohshmen e tij "Albania".
Luigj Gurakuqi zotëronte në mënyrë të shkëlqyer latinishten, italishten, turqishten, frëngjishten, greqishten e gjermanishten. I frymëzuar nga mësimet e rilindësve dhe i djegur nga malli e dëshira e zjarrtë për të parë të lirë vendlindjen, ai u përfshi shpejt në pafundësinë e publicistikës. Qysh kur ishte në bankat e shkollës së lartë, botoi poezi e publicistikë. I përpirë nga fryma e Lidhjes së Prizrenit dhe idetë nacionaliste, vjershën e parë e ka shkruar 13 vjeç. Nis shkrimet me pseudonimet Marosh Ujka, Jakin Shkodra, Lek Gruda, Pjetri dhe Pali, Hamidi.
Shkrimet e tij u botuan në gazetat e revistat e asaj kohe, si “Albania”, “Drita”, “Kalendari Kombëtar”, “Liria e Shqipërisë” dhe “La Nazione Albanese”. Kjo veprimtari atdhetare e Luigj Gurakuqit shqetësoi së tepërmi pallatin e Julldisit, që bëri të pamundurën për të larguar atdhetarin nga Napoli dhe e detyroi të mërgojë.
Më 1905, ka botuar në Bukuresht librin “Abetar i vogël shqyp” n’dy dialektet”. Gjithashtu, botoi në Napoli “Fjalorth shqip-frëngjisht e frëngjisht-shqip” , më 1906 dhe “Vargëzimi n’gjuhën shqipe”.
Ashtu si rilindësit e tjerë: Naimi, Çajupi etj., edhe Luigj Gurakuqi shpreh botë përjetimin e tij: lumturia e Atdheut dhe begatia e tij krijohet nëpërmjet diturisë dhe qytetërimi të punës. Temën e Atdheut dhe dashurisë për të, poeti i shtjellon në mjaft vargje, në të cilat jepen marrëdhëniet e shqiptarëve me Atdheun dhe flijimin e tyre për ta mbrojtur atë nga armiqtë.
Gjithsesi, kjo krijimtari poetike e Gurakuqit zë një vend të nderuar në letërsinë shqipe për fëmijë.
Në prozë Gurakuqi na la kryesisht disa fabula të shkurtra për fëmijë. Edhe këto shquhen për thjeshtësinë, për bukurinë e stilit e të gjuhës. Përmendim: Mendoni për të tjerët, Luani, Gomari e dhelpra etj, ku Luigji përpiqet t’i bëjë fëmijët të zellshëm, të dëgjueshëm ndaj prindërve, të guximshëm në jetë dhe të dashur me të afërmit e tyre.
(Krijimtaria për fëmijë, në proze e në poezi, e këtij autori u mblodh pas Çlirimit) .
Si krijues Gurakuqi pati marrëdhënie të shkëlqyera me elitën intelektuale të vendit. Disa nga veprat e krijimet e veta, L. Gurakuqi ia kushtoi Gjergj Fishtës, Prenk Doçit, Hilë Mosit e Mati Logorecit. Por edhe Gurakuqit i drejtohen mjaft dedikime e përkushtime nga Filip Shiroka, Hilë Mosi vazhdon ta quajë bylbyl në tingëllimin që i kushton, "S'kndôn bylbyli". Gjergj Fishta i dedikon atij veprën "Pika e voeset".
Vlen të përmendim se Gurakuqi ka merita të shquara në zhvillimin e gjuhës letrare shqipe, në përpunimin e gjuhës letrare dhe në njësimin e shqipes së shkruar, në stabilizimin e drejtshkrimit, në pasurimin e fjalorit, në çështjet e leksikologjisë, terminologjisë e të gramatologjisë.
Duhet theksuar se Luigj Gurakuqi iu kushtua shpejt tërësisht veprimtarisë politike e luftës për çlirimin kombëtar, qysh pas vitit 1906.
Në verën e vitit 1907 bashkëpunoi me Bajo Topullin për organizimin e kryengritjes në veri të Shqipërisë.
Më 1908, kur në Shqipëri u vendos Hyrieti, Gurakuqi u kthye në atdhe dhe u bë një nga udhëheqësit kryesorë të lëvizjes kombëtare, duke u shquar ndër të gjithë patriotët e asaj kohe. Falë këtyre përpjekjeve dhe aftësive të tij intelektuale e atdhetare, Gurakuqi merr pjesë, përkrah Gjergj Fishtës, Mit’hat Frashërit, Ndre Mjedës, Bajo Topullit, Simon Shuteriqit, etj. në Kongresin e Manastirit, më 1908, ku u zgjodh nënkryetar dhe anëtar i komisionit për njësimin e alfabetit.
Së bashku me Ismail Qemalin, udhëtuan nga Stambolli për në Bukuresht, ku u takuan me koloninë shqiptare atje dhe vendosën së bashku, të krijonin një komitet drejtues që të merrte në dorë qeverisjen e vendit, një komision që do të bisedonte me fuqitë e mëdha dhe një komitet tjetër në Bukuresht që do të koordinonte veprimet e këtyre komiteteve. Gurakuqi ka marrë pjesë në “Mbledhjen e Bukureshtit”, gjatë rrugës për ardhjen në Shqipëri dhe shpalljen e pavarësisë. Gjatë këtij udhëtimi ka qenë i pranishëm me Ismail Beun, në takimin e Vjenës, me Ministrin e Jashtëm austro-hungarez Bercthold dhe me ambasadorë të shteteve të tjera, duke siguruar një mbështetje të plotë të interesave shqiptare dhe për mëvetësinë e saj.
Ai ka qenë bashkëpunëtori më i ngushtë dhe krahu i djathtë i plakut të urtë të Vlorës, diplomatit Ismail Qemali. Më 1912, Luigj Gurakuqi theksonte kërkesën se: “pa u realizuar autonomia, shqiptarët nuk do të pushojnë së ngrituri krye…Sot më tepër se kurrë lipset të përkujdesemi për jetën tonë”.
Kjo vepër madhore tepër e rëndësishme, nuk ishte një rastësi për Luigj Gurakuqin me pjesëmarrje politike e atdhetare me të hershme: Ai, që kur ishte njëzet vjeç, hyri pjesëtar i shoqërisë "Bashkimi" të Abat Doçit. Përplasjet e para e parë me autoritetet turke i pati më 1904, për këtë shkak më 1905 u shtrëngua të marrë malet, për t'i shpëtuar ndjekjeve. 
Me shpalljen e Kushtetutës Turke, u falën të gjithë të dënuarit politikë. Më korrik 1908, Luigji kthehet në Shkodër, i pritur e i brohoritur nga atdhetarë të shumtë. 
Në nëntor merr pjesë në Kongresin e Manastirit, ku u zgjodh nënkryetar dhe anëtar i komisionit për njësimin e alfabetit. Bashkë me Fishtën ishte përfaqësues i "Bashkimi", me Logorecin kishin mandat të përfaqësonin inteligjencën shkodrane, gjithashtu vetë Luigji, kishte mandat të përfaqësonte arbëreshët e Italisë. Ai shkroi alfabetet e miratuar nga Kongresi i Manastirit dhe e zbuloi para delegatëve. 
Në tetor të vitit 1909 u emërua drejtor i së parës Shkollë Normale që u hap në Elbasan, ku dhe ndihmoi fuqishëm për vënien e arsimit mbi baza kombëtare. U krijua përvoja e parë e ngritjes së administratës arsimore shqiptare, u hartuan dokumentet e para shkollore, u ngrit një sistem i tërë i përgatitjes dhe i kualifikimit të mësuesve. Gurakuqi është tekstologu më i shquar shqiptar i fillimit të shekullit tonë. Ai i dha shkollës shqipe, si autor e bashkautor, 8 tekste mësimore me një vëllim prej 738 faqesh. 
Vepra e Gurakuqit për fëmijë është e madhe dhe e shumanshme. Ajo u botua kryesisht në librat e tij për shkollat: Knime t’ para për msonjtore filltare t’ Shqypnis ( botuar në Napoli më 1905), Abetar i vogël shqyp… ( Bukuresht, 1906), Abetar i gjuhës shqipe (Athinë, 1912) për klasën e parë, dhe tri vëllimet Këndimet e para (e dyta, e treta) për çunat (Athinë, 1912) për tri klasat vijuese, të botuara në dialektin e Elbasanit, për të cilin ishte Gurakuqi në përpjekjet për gjuhën e njësuar
Në prill 1911 merr pjesë në kryengritjen e Mbishkodrës e si një nga udhëheqësit e saj, harton së bashku me Ismail Qemalin Memorandumin e Greçës. Më 1912 zhvillon një veprimtari të dendur për organizimin e kryengritjes së përgjithshme, duke qenë i pranishëm në Toskëri dhe më vonë edhe pranë krerëve të Kosovës.
Shoqëroi Ismail Qemalin në mbledhjen e Bukureshtit, dhe do merrte pjesë në shtegtimin nga Bukureshti në Vjenë. Me vaporin e dhënë nga austro-hungarezët zbret në Durrës më 24 nëntor në orën 4 mbas dite, u nisën të nesërmen me 25. Një natë fjetën në Çermë tek Dervish bej Biçakçiu, dhe një natë në Fier tek Omer pashë Vrioni. Në Vlorë mbërritën më 27 dhjetor në darkë.

Pas shpalljes së aktit të pavarësisë, në funksionin “Sekretar i Përgjithshëm i Asamblesë”, Luigj Gurakuqi u ka dërguar njoftimin e mëposhtëm gazetave më kryesore të Evropës se: “Asambleja Kombëtare e përbame prej delegatësh të gjithë viseve të Shqipnisë pa dallim feje, e mbledhun sot në Vlonë, shpalli Indipendencen e Shqipniës edhe ngrehi nji Qeverrië të Përkohshme me kryetar Ismail Qemal Benë.” ..
Gurakuqi, qysh në votimin e kuvendit për ministrat, fitoi që në raundin e parë pothuajse të gjitha votat e delegatëve, ku u rendit i pari. Në qeverinë e kryesuar nga Ismail Qemali, Luigj Gurakuqi është Ministri i parë i Arsimit Shqip. Ai mori masa fillimisht për të hapur disa shkolla në fshatrat e Vlorës, si në Dukat, Kaninë, Kullës e Smokthinë, ku shquheshin një grup mësuesish atdhetarë. Nga prilli deri në mesin e qershorit 1913, Luigj Gurakuqi ka qenë në Londër me Ismail Qemalin, në mbrojtjen e çështjes shqiptare në Konferencën e Londrës, e cila copëtoi trojet shqiptare në të mirë të fqinjëve shovinistë antishqiptarë.
Më 6 shtator 1913, Gurakuqi u bëri thirrje të gjithë atyre që ishin të aftë të kryenin detyrën e mësuesit të ndihmonin arsimin e ri kombëtar shqiptar, ndërsa më 13 shtator nxori urdhëresën për hapjen e shkollave në të gjithë vendin, duke sqaruar se edhe shkollat private do të kontrolloheshin nga shteti, duke bërë të ditur se shkollat e huaja në vend do të lejoheshin në raste shumë të rralla. Model i arsimimit shqip u bë shkolla katërvjeçare me katër klasa të para paralele, drejtuar nga patrioti Jani Minga, me 130 nxënës, nga të cilët vetëm 15 ishin të krishterë; krahas saj u hapën shkolla tre-vjeçare në Kaninë me 45 nxënës dhe në Dukat me 70 nxënës, në Drashovicë e në Tragjas u hapën shkolla dy-vjeçare, përkatësisht me 20 dhe 30 nxënës, ndërsa në fshatrat e tjerë të Vlorës u planifikua të hapeshin shkolla në vijim.
Siç dihet me Luftën e Parë Botërore Shkodra pushtohet nga ushtria malazeze. Luigj Gurakuqi, i ndodhur atje në mbrojtje të Atdheut, internohet në Podgoricë nga 17 korriku 1915 deri në janar 1916. 
Gjatë pushtimit austro-hungarez, Luigj Gurakuqi vihet drejtor i përgjithshëm i Arsimit. 
Në qeverinë e dalë nga Kongresi i Durrësit ku ishte përfaqësues i Shkodrës dhe Mirditës, u emërua zëvendës i dr. Mihal Turtullit në ministrinë e Arsimit të kabinetit të Turhan pashë Përmetit. Që në mbledhjen e parë të Kongresit, më 1918, L.Gurakuqi "âsht kundër që në një mbledhje kombëtare të përmenden fjalët toskë e gegë dhe të krishtenë e mysliman", kërkon që fjalë të tilla të jenë të ndaluara dhe shton se "...çështja e lirisë dhe e nderimit të feve në Shqipni duhet të zgjidhet mbas formulës: "Feja e lirë në shtet të lirë".. I ngarkuar nga kjo qeveri si anëtar i delegacionit të saj në Konferencën e Paqes në Paris ku qëndroi 15 muaj. Çdo shkresë e përdorur nga delegacioni u shkrua nga duart e tij e të Mustafa Merlikës.
Idetë e tij i shtjelloi hollësisht në diskutime në parlamentin shqiptar dhe, posaçërisht në artikullin "Bazat e bashkëpunimit ndërmjet shqiptarëve muhamedanë e të krishtenë". Më 1921-1924 u zgjodh deputet i Shkodrës në Këshillin Kombëtar. ku si një nga udhëheqësit e opozitës demokratike luftoi për demokratizimin e jetës së vendit. Për situatën e viseve shqiptare të mbetura jashtë kufijve ankohej se: "Na kanë marrë qytetet e na kanë lanë malësinë, na kanë marrë viset ma të çmueshme t'atdheut duke na lanë si një trup pa kokë".
Për pastrimet etnike të ndjekura nga shovinistët serbë ka deklaruar: "Qeveria jugosllave nuk do të ndalet para asnjë mjeti",- deklaronte ai,- "për t'i ndërrue fytyrën Kosovës".
Për gjendjen tepër të vështirë të shqiptarëve në shtetin jugosllav fajëson Fuqitë e Mëdha, të cilat bënë theror shqiptarët e trojet e tyre për interesat e veta e të aleatëve të tyre. Ishte partizan për të ndihmuar e për t'u dalur zot të drejtave të popullsisë së Kosovës. E quante si detyrë të rëndësishme të shtetit shqiptar.
Faji i vetëm i kosovarëve qëndronte vetëm në atë se ata ishin shqiptar e donin të mbeteshin shqiptar.
Ndër fjalimet më të fuqishme të Gurakuqit në parlament janë ato mbi mbrojtjen e popullsisë shqiptare të Kosovës. Kur qeveria jugosllave në një telegram e quante ndërhyrje në punët e brendshme të saj interesimin e shqetësimin e qeverisë shqiptare për gjendjen tepër të vështirë të shqiptarëve të Kosovës, Gurakuqi, plot indinjatë e zemërim do të merrte fjalën e do të thoshte:
"Si mundte me thanë një qeveri (Jugosllave) e cila ka mbjellë viset tona me varre të vllazënve tonë, se po i përzihemi në punët e mbrendshme të saj. Si mundte nji qeveri me thanë se po i përzihemi në punët e mbrendshme, kur shohim se për shkak të saj me mijëra fëmijë e gra sillen të zhveshur e të zbathur këtu nepër Tiranë e ushqehen me sevapet e amerikanëve e tepricat e ushtrisë. Qeveria Jugosllave nuk ka të drejtë për të na akuzue për një gjë të tillë kur parlamenti shqiptar kërkonte vetëm në emër të njerëzisë e humanizmit të ndërpriten mizoritë serbe ndaj shqiptarëve.”
Më 5 mars 1924 u sëmur rëndë nga një grip i fortë që e mbërtheu afro një muaj në shtrat. Shtypi i dha vëmendje të veçantë, aq sa Avni Rustemi i thoshte Dom Shantojës "Opozita po pushon: Kemi Gurakuqin e sëmurë.
Në lëvizjen e qershorit 1924 Guyrkuqi, ka qenë kundërshtar fillimisht Por, , kur s'i eci fjala, u bë edhe Ministër me Fan Nolin.
Mori pjesë në Konferencën e Gjenevës krahas Nolit më 1924. Kur në Parlament Ali Këlcyra i bën vërejtje për qëndrimet e tij liberale, Luigji përgjigjet: "Z. Ali Këlcyra më tha si për qortim se jam liberal. I faleminderit dhe mund të jetë i sigurt zotnia e tij se vdekja do të më ndajë nga mendimet e mija liberale".

Duke ndjekur kronologjinë e ngjarjeve mund të themi më tej:
Pas largimit të Princ Vied-it nga Shqipëria ka shkuar në Shkodër dhe është bashkuar me familjen e tij. Në këtë rast në Shkodër u bashkuan shumica e patriotëve të larguar nga Durrësi e viset e tjera të Shqipërisë, të cilët ishin të rrezikuar pas marrjes së pushtetit prej Esad Toptanit dhe situatat e rrezikshme që krijoi Lufta e Parë Botërore. 
Më 15 korrik 1915, Luigj Gurakuqi është arrestuar nga forcat ushtarake të Veshoviqit dhe bashkë me patriotë e personalitete politike të tjerë shqiptarë është internuar në Cetinë. Së bashku me Preng Bibë Dodë Pashën, Fejzi Alizotin, Aqif pashë Elbasanin, Seid pashën më 28 kallënduer 1916, nga Cetina, ku ishin të internuar prej autoriteteve ushtarake të Malit të Zi, u proklamuan shqiptarëve: “…sod t’tanë shqyptarët t’bashkuemun m’nji mende e zembër pa ndryshim fejet, e kan me detyrë me e pritun ushtrin Austro-Ungare, si rojtës e librues, e do t’detyrohena për ndimë t’këtii baamirësit për zhvillim ashtu edhe për t’kenunit t’atdhees t’onë. Me u çue t’gjithë e me punue nën projë t’parris sundimtare t’ushtriis Austro-Ungare…” .
Është kthyer në Shqipëri në vitin 1916, kur trupat austro-hungarezë pushtuan Malin e Zi. Luigj Gurakuqi ka punuar në administratën qendrore shqiptare të formuar nga Austria, duke kryer detyrën e drejtorit të përgjithshëm të arsimit, periudhë gjatë së cilës ka kontribuar pa masë për hapjen e shumë shkollave shqipe. 
Më 1916, së bashku me Sotir Pecin dhe doktor Pekmezin, kanë krijuar një komision letrar, ku Luigji ishte nismëtari i themelimit të Komisisë Letrare në Shkodër.
Në nëntor 1918, pas pushtimit të Shkodrës në zotërim e kontroll nga ushtria franceze, Gurakuqi, së bashku me administratën shqiptare që punonte me austriakët (Preng pashën, Fejzi Alizotin dhe Avni Dabullën) janë larguar fshehurazi nga Shkodra dhe kanë shkuar në Lezhë. Këtu janë përpjekur të mbledhin një kongres, që të merreshin hapat e duhura për zgjidhjen e fateve të vendit, por ndërhyrja e Italisë ua prishi mendjen. Në këtë rast, në mirëkuptim me kanë shkuar në Romë, ku ishin mbledhur Mufit Libohova, Mehdi Frashëri, Mustafa Kruja dhe shqiptarë të tjerë. Në kongresin e Durrësit, Luigj Gurakuqi zëvendësoi Preng Bib Dodë Pashën si delegat i Shkodrës, ngaqë ai nuk pati mundësi të mbërrinte aty në kohë.
Gurakuqi, në Kongresin e Durrësit, është shprehur se ne shqiptarët nuk duhej të ishim as grekë, as serbë e as italianë, por vetëm shqiptarë. Gjithashtu gjatë diskutimeve në kongres për lirinë fetare është shprehur se ajo duhej zgjidhur sipas formulës “feja e lirë në shtet të lirë”. Po kështu, i ka kërkuar kongresit që t’i dërgohej një falënderim fuqive të mëdha, që përpiqeshin për triumfin e të drejtave dhe mbrojtjen e kombeve të vegjël, si dhe të “madhit Uillson e senatorit Lodge”.

Gurakuqi në kongresin e Durrësit më 1918, u zgjodh ministër i Arsimit në Qeverinë e Përkohshme. Gjithashtu, përveç se është emëruar anëtar i kësaj qeverie, ai është caktuar në përbërje të delegacionit qeveritar që mori pjesë në konferencën e Paqes në Paris, duke pasur përkrah kryeministrin Turhan pasha, Imzot Luigj Bumçin, dr.Turtullin, Mehmet Konicën dhe si ekspert Patër Gjergj Fishtën. Është vlerësuar si shpirti i delegacionit. 
Më 11 shkurt 1920, nga Parisi, ku ishte pjesëtar zotërinjtë: Luigj Bumçi, Dr. M. Turtulli, Mit’hat Frashëri, Mehdi Frashëri, Lef Nosi, mbështeti zhvillimin e kongresit të Lushnjës, duke u shprehur se duhet “t’i shtrohemi menjëherë vullnetit të ligjshëm të popullit e të qëndrojmë këtu deri sa të emnohet Dërgata e re, të cilës do t’i dorëzojmë llogaritë e arshivat”. Gurakuqi ka nënshkruar një letër “Për kryetarin e Dërgatës Shqiptare”, në Paris, dërguar Dhimitër Beratit, lidhur më kongresin e Lushnjës, ku shpreh përkrahjen ndaj kongresit dhe një tjetër letër sigluar së bashku me Luigj Bumçin, drejtuar Mufid Libohovës dhe Fejzi Alizotit, ku kërkojnë që edhe ata të bashkohen me mendimet e dërgatës shqiptare në Konferencën e Paqes së Parisit.
Në periudhën 1921-1924, ai qe zgjedhur deputet i Shkodrës në Këshillin Kombëtar. Në këtë periudhë Luigji kryen disa herë detyrën e Ministrit në kabinetet qeveritare, dhe konkretisht: i arsimit, financave (kabineti i Shefqet Vërlacit në vitin 1923), madje dhe ministër i Brendshëm në kabinetin njëditor të Qazim Koculit dhe atij 6-ditor të Hasan Prishtinës. Detyrën e ministrit të Brendshëm e ka kryer në periudhën 6-12 dhjetor 1921, pra vetëm 7 ditë.
Gurakuqi ka qenë caktuar ministër i Brendshëm në kabinetin një ditor të Qazim Koculit, ku kanë qenë caktuar edhe Hoxhë Kadriu (ministër i Drejtësisë), Zija Dibra (ministër i Luftës), Atë Fan Noli (ministër i Jashtëm), Ahmet Dakli (ministër i Financave), Haki Tefik Tirana (ministër i Arsimit), Koço Tasi (ministër i Punëve Botore), etj. Ky kabinet ka qenë firmosur nga Aqif pashë Elbasani dhe monsinjor Bumçi.
Gurakuqi ka shërbyer në kabinete qeveritare, kur Zogu me njerëzit e tij bënin ligjin në vend. Caktimi i Gurakuqit në këto poste bëhej për të zbutur acarimet politike ndërmjet kaheve ekstreme të politikës në atë periudhë. Kështu ndodhi edhe pas largimit të Zogut nga pushteti, pas plagosjes së tij në shkurt 1924, ku Luigji së bashku me Nolin morën poste ministrore. 
“Më 13 maj (1924-H.L.) Luigj Gurakuqi dha dorëheqjen, duke paraqitur si arsye faktin se qeveria e Shefqet Vërlacit- nuk gëzonte më besimin e Asamblesë”. Gjatë këtyre viteve Gurakuqi ishte një nga kundërshtarët e shtresës së feudalëve vendas, ndër të cilët rreshtohej edhe Ahmet Zogu. Në këto kundërshti të tij, Luigj Gurakuqi, kishte përkrahjen e zjarrtë dhe oratorinë magjepse të Fan Nolit.
Gurakuqi nga kundërshtaret e tij politik, në gjykim të njëanshëm si Faik Konica, Fuat Dibra, etj. është akuzuar padrejtësisht si italofil dhe që priret ne drejtime dytësore, jo prej lideri, po sekretari e zbatuesi servili.
Për hir të së vërtetës, duhet pranuar se Luigj Gurakuqi qe një meteor, një flakadan i çështjes kombëtare shqiptare. Në moshën 29 vjeçare e kishte namin shumë më të madh se motet që mbante në shpinë, vigan liberator, që shkriu gjithë jetën për atdheun e popullin e vet, orator i parlamentit shqiptar gjatë viteve 1921-1924. Nga miqtë e tij është cilësuar “shembull i kohës”, “idhull i të rinjve shkodranë”, “nxënës i zellshëm i De Radës”, “burrë simpatik”, “i vendosur në qëllimet e tij”, “orator i lindur për urinë e tribunave popullore”, “i lindur me fatin për t’i shërbyer një rilindjeje të re të kombit”, etj.

F. Noli e vlerësoi lart figurën e këtij biri të shquar të Shqipërisë me vjershën e njohur “Syrgjyn vdekur”, ku “klithma” e tij brengosëse dhe vajtuese ngushëllon Shqipërinë për birin e vrarë, kur thërret: “Nëno moj, vajto, merr malin, / Larot t’a përmbysnë djalin / Që me Ismail Qemalin ngriti flamur trimëror. / Nëno moj, ç’është përpjekur / Gojë-mjalt’ e zemër-hekur, / Syrgjyn-gjall’ e syrgjyn-vdekur, / Ky Vigan Liberator”.
Noli edhe në të tjera shkrime e ka vlerësuar: “Gurakuqi si pionier i qytetarisë oksidentale në Shqipëri. Nga shqiptarët e pakët që thëthitnë mirë kulturën e perëndimit, Gurakuqi ish ay që ka punuar më gjatë dhe më rëndë për të mbjellur farën e saj në Shqipëri” .
Në një letër dërguar drejtorit të gazetës “Dielli”, në Boston, më 26 gusht 1925, Noli shkroi: “…unë s’guxoj të matem me të as sot, as nesër…Zoti Faik Konica është i mendjes që kam qenë vegla e Gurakuqit. Nuk e besoj. Po edhe sikur të jet’ e vërtetë e kam e do ta kem për nder. Ishte mjaft i madh, sa të kishte vegla si mua”..
Noli ka vlerësuar Gurakuqin besimtar të respektuar nga të gjitha besimet, mbasi ai “qëndronte aq larg fanatizmës fetare të ngushtë, sa muhamedanët e Veriut kishin një besim të pakufishëm”, aq sa në Gegeni, “s’ka patur një tjetër udhëheqës, i cili…bashkonte rreth vetes së tij, katolikët e muhamedanët gegë…Ai ka qenë aq pak regjionalist sa që kur lindi çështja kombëtare s’ka pasur një gegë patriot, aq të dashur midis toskëve sa Gurakuqi”.
Të afërmit, miqtë e shokët e vlerësojnë Luigjin “atdhetar, politikan, demokrat, intelektual me kulturë të gjerë, reformator, poet, gjuhëtar, pedagog, ekonomist i shkëlqyer, krenaria e Shkodrës dhe e Shqipërisë, martir i çështjes kombëtare”.
Gjergj Fishta, në një përshkrim të delegacionit shqiptar në konferencën e Paqes në Paris, pati shkruar: “Asht e kot të gënjehemi. Nëse përjashtohet Gurakuqi qi vetëm ai ka një kulturë të përshtatshme, ka një atdhetari të shëndoshë dhe një njohuri të gjerë për njerëzit dhe për sendet e Shqipërisë, asnjë nga anëtarët e qeverisë, qoftë të sajë së mëparshmes, qoftë të së tanishmes, nuk mund të thotë se e paraqet denjësisht Shqipërinë dhe të mbrojë siç duhet interesat e sajë”. 
Patër Anton Harapi, në veprën e tij kryesore “Andrra e Pertashit” (Urti e burrni ndër banorët e Cemit), duke ia kushtuar Gurakuqit shkruan: “Burrit t’vërtetë burrë, L. Gurakuqit, i cili me kulturën e naltë shpirtërore, mishnoi, madhnoi, përjetoi urtinë, besë e burrni shqiptare, tue mbetë përherë shembull shqiptari me kulturë, simbol i bashkimit kombëtar, idealisti shkëlqyeshëm në vorfni”.
Roli patriotik, ndërtues dhe bashkëpunues i Gurakuqit për të mirën e Shqipërisë njihej dhe respektohej nga shumë patriotë shqiptarë të asaj kohe. Mihal Grameno i shkruante atij me 24 korrik 1919 se: “Shqiptarët kanë simpati dhe besim tek juve”.
Vlerësohet nga ish-bashkëkohësit e tij për zgjuarsinë që e karakterizonte, kulturën e lartë që zotëronte, shprehjen dhe oratorinë magjepsëse, sjelljen specifike e me mirësjellje të lartë.

Pas shtypjes së Lëvizjes së qershorit Gurakuqi, me pjesën me të madhe të fanolistëve, shkoi në Itali dhe veç të tjerave atje krijuan organizatën e emigrantëve pro lindore KONARE. Ndërkohë Qeveria Noli akuzohej për grabitjen e thesarit të shtetit. Ish Ministri i Financave Gurakuqi, teper i ndershëm dhe korrekt, disponon dhe i dorëzon të paprekur arkën e shtetit, që e kishin marrë me vete për ta ruajtur nga plaçkitja e mundshme.
Mbrëmjen e 2 marsit 1925, në restorantin e hotelit "Cavour", Luigj Gurakuqi po darkonte me dy miq të tij Kërkoi leje prej tyre pë të shkuar ne një takim. Duke dal nga restoranti i hotelit u përshëndet me Balto Stamollën, kushëri i largët 4-5 breza me Gurakuqët, i cili i zbrazi tri plumba. Në xhepat e shqyer të ish-Ministrit të financave policia italiane gjeti vetëm 350 lira. 
Kuestura lajmëroi koloninë shqiptare që ceremonia nuk mund të zhvillohej në qytet, por vetëm brenda mureve të varrezës. Drejt Barit rendën refugjatë shqiptarë prej gjithkah, në një ceremoni mortore madhështore.
Më 1957 eshtrat e tij u rivarrosën në Shqipëri. Regjimi komunist i dha titullin Hero i Popullit.

Jetshkrimi i Luigj Gurakuqit i ka burimet nga interneti, ku gjinden materiale të shumta për të, si: Wikipedia, Vehbi Hoti, Jahe Sadrija, Zymer Mehani, Azis Gjergji, Willy Kamsi, Denis Zavalani, etj. (I falënderoj me respekt)

Vlorë, më 10 Shtator 2018

Comments (0 posted):

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
0
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1