Newsletter
Email:
Poll: Letërsia
Cili është lloji juaj i preferuar i letërsisë?
Home | ESE | Bota e Qazim D. Shehut në vargjet poetike

Bota e Qazim D. Shehut në vargjet poetike

Font size: Decrease font Enlarge font
image Prof.dr. Eshref Ymeri

 

 

 

Një figurë e njohur e letrave shqipe, si Qazim D. Shehu, ka kohë që ka hyrë në vaktin e pjekurisë poetike. Ky poet ka një zë origjinal, ndaj dhe ndjek shtigjet e veta të krijimtarisë, duke iu shmangur me elegancë përditshmërisë.

Përmes përjetimeve dhe mbresave personale, ky poet i talentuar arrin të zbërthejë thelbin e kategorive të larta morale të së mirës, të bukurisë, të natyrës dhe të peshës që duhet të ketë njeriu në jetë.

            Origjinalitetin e këndvështrimit poetik të Qazim D. Shehut lexuesi mund ta kundrojë me hollësi në nivelin e motiveve kryesore të lirikës së tij. Motivi është një komponent i qëndrueshëm i krijimtarisë së tij artistike. Në poezinë e tij, si motive kryesore janë motivet e romantikës së dashurisë, të bukurisë së natyrës, të marrëdhënieve të njeriut me natyrën dhe, përgjithësisht, motivet qytetare. Në të bie në sy hijeshia realiste e ligjërimit poetik dhe magjia e strukturimit të vargut. Natyrshmëria e rendit të fjalëve përcjell plot delikatesë intonacionin e frymëzimit të tij poetik.

            Ligjërimi poetik i Qazim D. Shehut të bën përshtypje për forcën shprehëse, të cilën ia japin mjetet artistike, figurat që ai di t’i organizojë me art.

            Njerëzit e letrave, si askush tjetër, janë vëzhgues tepër mendjemprehtë të skenave të jetës së përditshme. Prandaj edhe prapësitë që vihen re në ato skena nuk mund të mos ngjallin brengat e poetit që derdhen në vargje:

            Një urë u shemb, një autobus ra,

            Sa ura të shembura historia jonë ka?     

            Historia pak rrugë na la,

Ministra dhe pushtues - njësoj ata.

Gurmaz më të gjatë paskan pasur

Se sonda për te Ferri i Dantes.

Poeti flet me gjuhën e zemrës, ai derdh në vargje fjalët që i burojnë nga honet e shpirtit. Mendimi dhe fjala në ligjërimin e tij janë në unitet artistik.

Jeta urbane mbjell trishtim në shpirtin e poetit. Shqetësimi i tij shkrihet me revoltën qytetare të artistëve të skenës që me kohë kanë marrë në dorë armën e artit dhe janë ngritur në mbrojtje të hapësirave publike, të cilat babëzia pushtetare kërkon t’i pushtojë për interesat e veta dhe të kastës oligarkike.

Ndaj poeti shpërthen me mllef artistik:

Pallate përballë  njëri-tjetrit,

Ashensorë që prishen shpesh,

Nga një ballkon te tjetri 

Mund të kërcesh…

Njeriu natyrën ka përzënë, 

Sikterisur si armike,

Njeriun mendtë e kanë lënë

Në jetën e tij nevrike…

Me thjeshtësinë dhe çiltërsinë e një fëmije, poeti derdh në letër shqetësimet e zemrës. Ai e ka të pamundur të mos e thotë atë që mendon. Prandaj në vargjet e tij nuk kanë vend fjalët me poza dhe me dy kuptime. E tillë është poezia e tij, sepse i tillë është karakteri i tij. Me gjithë larminë e natyrshme të të kuptuarit të së vërtetës, prapëseprapë duhet thënë se poeti njeh dhe pranon vetëm kultin e saj. Kësisoj poeti, me artin e fjalës artistike, i mëson lexuesit të ndjekin vetëm rrugën e së vërtetës, të mësojnë se si ta dallojnë atë dhe se si ta pastrojnë nga ndotjet e njerëzve të pushtetshëm. Poeti Qazim D. Shehu vepron kësisoj, sepse është i bindur se me forcën e fjalës artistike ai mundohet të arrijë pikësynimin kryesor që i ka vënë vetes, si njeri i letrave: ruajtjen e shëndetit moral të njerëzve, në mënyrë që shpirtrat e tyre të mos i prekin të ligat e kohës dhe ndërgjegjja e tyre të mbetet e pastër.

Thjeshtësia e vargjeve poetike të Qazim D. Shehut mbart në vetvete edhe një tjetër kuptim me një domethënie tepër të thellë: në vitet 1990-1991, në vendin tonë nuk u përmbys sistemi totalitar. Përkundrazi. Ai sistem totalitar thjesht u zëvendësua me një sistem neototalitar, por tashmë në kushtet e ekonomisë së tregut, të cilin e kemi të pranishëm në vatrat tona edhe sot e gjithë ditën. Por, në dallim nga sistemi totalitar i vrasjeve, i internimeve, i burgimeve dhe i përndjekjeve politike, sistemi neototalitar është sistemi i mbjelljes së varfërisë në radhët e pjesës dërrmuese të popullit shqiptar, një varfëri e pamëshirshme kjo, e cila ka vite që atij po i imponohet nëpërmjet pushtetit të urisë. Prandaj poeti me edukatë të shëndoshë qytetare rri e ofshan përmes vargjeve të tij plot bubullimë:

Historia jonë ndreqet,

Sa herë vjen më i forti,

E njëjta xhaketë mbeti, 

U kthye vetëm stofi.

Gjuha e komunikimit të poetit me lexuesin është e thjeshtë, e gjallë, e stilit bisedor. Një gjë e tillë vlen të theksohet edhe më tepër, meqenëse materiali poetik i vargjeve të tij është një shembull mbresëlënës se si duhet të ruhet pastërtia e gjuhës sonë amtare, të cilën po e dyndin ca shtampa gazetareske, ca kancelarizma dhe ca terma të huaj politikanësh që vijnë e shtohen përmes mjeteve të informimit masiv.

Këto mbresa që pata nga krijimtaria e poetit Qazim D. Shehu dhe që i ndava me lexuesit e nderuar të faqeve të internetit, i nxora nga vëllimi i tij i fundit me titull “Krahë përmallimi”, njëvëllim ky, të cilin Shtëpia Botuese “Ermal”e ka nxjerrë nga shtypi dhe e ka hedhur në qarkullim këtë vit dhe mua më ra në dorë ca kohë më parë.

Tiranë, 27 korrik 2018

Comments (2 posted):

Zgalem on 02/08/2018 14:51:42
avatar
Profesori shkruan me vemendjes dhe me shpirt . Nuk gjen shkrim te ketij burri siperfaqesor dhe aq me pak te pa argumentuar . Ne rrastet , kur flet , per te tjeret , sic eshte ky rrast , behet agregat I prodhimntarise , qe studjon . Paste shendet : Zgalem
Eshref Ymeri on 09/08/2018 10:23:38
avatar
I dashur Zgalem,
Ju falënderoj nga zemra që i ndiqni analizat e mia në internet dhe ju jam shumë mirënjohës për fjalët tuaja frymëzuese në adresën time.
Me shumë respekt.
Eshref Ymeri
Tiranë, 09 gusht 2018

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
5.00
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1