Newsletter
Email:
Poll: Letërsia
Cili është lloji juaj i preferuar i letërsisë?
Home | ESE | EDUKATORJA E KOPSHTIT GABOI

EDUKATORJA E KOPSHTIT GABOI

Font size: Decrease font Enlarge font
image FASLLI HALITI Viz. Helidon H.

 

 

EDUKATORJA E KOPSHTIT GABOI

PJESË

 NGA DITARI

I KONVALESHENCËS IDEOLOGJIKE E POLITIKE  1973-1977

MAJ  1974

Është gjysma e dytë e majit, fëmijtë e kopshteve përgatiten për 1 Qershorin. Kanë përgatitur këngë, valle, recitime. Doni ka përgatitur një poezi që flet për automatikun. E ka përgatitur mirë. Veç gjatë recitimit nxitohet. Nxitimi karakteristikë i tij vazhdon. Siç nxitoi të lindëte në shtëpi pa pritur të shkohej në maternitet; vazhdimisht nxiton të mbarojë sa më parë punë me diçka që është angazhuar. Recitimin e shoqëron me një automatik lodër. Kuptohet. Të paktën unë e kuptoj mirë se Doni më shumë i gëzohet automatikut që mban në qafë, shkrepjes së tij në çastin e duhur se sa recitimit të poezisë.

Doni është më shumë i veprimit se sa i meditimit, hutesave, përhumbjeve poetike.

Ne presim me padurim që të vijë 1 Qershori që ta shohim djalin në skenë. Kur morëm vesh se do të vijë një grup xhirimi i televizionit, u gëzuam edhe më tepër. Nëna tha:

-Të më dali ky çun njëherë në televizor, pa le të vdes pastaj.

Nëna kishte shumë merak ta shihte Donin në televizor. Manjola kishte dalë mëse njëherë. Edhe për Manjolën nëna ishte gëzuar, por gjithë merakun ajo e kishte tek çuni. Edhe ne kishim qejf ta shihnim djalin në televizor. Por nëna gëzohej, përgjërohej më shumë se ne.

Për mua dalja e djalit në televizor ishte një provë. Kjo do të thoshte shumë. Do të nxirrte në shesh qëndrimin zyrtar ndaj meje, kisha një farë shqetësimi, megjithatëe shpresoja se ndaj djalit do të mbahej një qëndrim pozitiv, dashamirës. Megjithatë meraku më brente. Diçkaje i frikësohesha. Çdo gjë munsd të ndodhte.

Dhe ndodhi.

Shokët e televizionit erdhën për të filmuar fëmijët. Edukatorja Meri, komuniste me stazh i thotë djalit:

-Ti Doni, merr borsetën dhe shko në shtëpi.

Djali erdhi në shtëpi plotësisht i revoltuar. Për herë të parë në jetën time e shihja të revoltuar atë Helidon që dukej disi i çkujdesur, sikur nuk kuptonte asgjë se ç’ndodhte në shtëpinë tonë. Më thotë duke qarë nga inati:

-Pse më i mirë është Edi se unë. Ai as që di të recitojë fare. E pse atë ta venë në rresht të parë. pse të më thotë edukatorja:

-Ik ti Doni në shtëpi.

Nirvana u indinjua shumë. Indinjatën e shoqëroi me të qara. Unë e ruajta gjakftohtësinë. Por përbrenda zieja...

-Kjo është një gafë që ka bërë Mer N. – i them Nirvanës.

-E gafë; gafë thua ti. Pa shikoje pak çunin si është bërë. Një grusht.

-Do bisedoj vetë më Marin, i them Nirvanës.

-Të bisedosh e ta telendisësh atë telelkën, - thotë nëna shumë e zemëruar. – M’i trembi gjakun çunit.

Nënës, në të vërtetë i ishte trembur vetë gjaku. Edhe një rast që u paraqit për ta parë të nipin në televizor dështoi.

-Kur vinë të këqijat, hapu derën, - tha nëna dhe filloi të përgëzonte nipin.

Revolta e Donit nuk zgjati shumë. Ai humbi pas lojës. Tani i gëzohej lirisë. Kishte ikur para kohe nga kopshti. kjo e gëzonte sepse i jepte mundësi që të luante me shokët e pallatit.

Doni u qetësua. Ne u tërbuam.

 

Takoj edukatoren e kopshtit. I them:

-Kush e hoqi djalin nga grupi që do të filmohej?

-Unë, - m’u përgjegj edukatore Meri.

-Me urdhër të kujt e hoqe? E pyes.

-Me urdhër të askujt. Vetë e hoqa. Jam kaq e formuar unë sa të vendos për kaq gjë. Kam kaq kohë komuniste.

-E di, që ke bërë gabim? – i them.

-Gabim unë?

-Po!

-Fare.

-Ta shohim – i them.

-Ta shohim, - më thotë.

Meri, nuk ia bënte syri tërr. Bile ajo ishte shumë krenare që e kishte përzënë djalin nga grupi dhe për këte veprim “revolucionar” priste ta shpërblenin. Kthehem në shtëpi.

-E, - më thotë Nirvana – bisedove?

-Bisedova – i them.

-Hë. Ç’të tha?

-Më tha se nuk ka bërë gabim. Përkundrazi. Ka bërë mirë që e ka larguar djalin. Për këte ka bindje “komuniste”.

-E, të thashë unë... Ti më thoshe se ajo ka bërë gabim dhe se e gjithë ngjarja është në favorin tonë – tha e revoltuar Nirvana ndaj qëndrimit tim prudent.

-Marria është një gomaricë. Dhe ja ku po ta them se ajo ka gabuar dhe se gjithçka do të kthehet në favorin tonë, - i them Nirvanës.

-Aty mbahu ti – më thotë Nirvana.

 

 

TË NESËRMEN

 

Liljana, Vajza e sekretarit të parë të KP. Rrap Gjermenit është në një shkollë me Nirvanën, në shkollën “Foto Puka”. Sa vete Nirvana në shkollë të gjitha mësueset që janë në dijeni të ngjarjes e rrethojnë, e pyesin. Vajza e sekretarit të parë Liljana i thotë Nirvanës:

-Mos u mërzit ti Nirvana. Ajo edukatorja ka bërë gabim. Faslliut nuk i bëhet luftë klase.

Po këto fjalë do t’i dëgjonim edhe nga Siku Velo, sekretar i Komitetit të Partisë. Fjalët e tij do të na i sillte në vesh Nermin Manka, burri i së cilës kishte shumë shoqëri me Siku Velon.

Vjen Nirvana në shtëpi. Më thotë e gëzuar sapo futet në shtëpi:

-Doli fjala jote.

-Kush ta tha ty?

-Liljana, vajza e sekretarit të pare, Rrapi Gjermenit.

-E ç’tha ajo?

-Tha se edukatorja ka vepruar gabim, se Faslliut s’i bëhet luftë klase, se ky gabim do të ndreqet së shpejti.

U gëzuam. Atëherë për hiçgjë hidhëroheshim, për hiç gjë gëzoheshim. Një buzëqeshje na e binte gjakun në vend, një vrenjtje vetullash, një e parë vëngër na prishte gjakun.

Po si do të ndreqej gabim?

 

1 QERSHOR 1974

 

Kopshtet japin shfaqje në kinema. Donin e kanë caktuar të recitojë jo një por dy vjersha. Unë edhe Nirvana rrimë me gjak të ngrirë aty nga mesi i sallës.

-Po sikur të na e punojnë – thotë Nirvana.

-S’e bëjnë kurrë atë – i them gruas.

-Thua ti!

-Them unë dhe kështu është!

-Mirë. Të shohim – thotë Nirvana  Shumë e shqetësuar.

Edhe unë kisha një farë frike në vetvete, megjithatë s’ma merrte mendja që ata të bënin një gafë të dytë.

Konferencierja tha:

-Dhe tani reciton Helidon Haliti.

Ne u mekëm. Mezi prisnim të dilte djali. Doni doli me nxitim, shumë me nxitim. Qëndroi në mes të skenës me automatik në qafë. Filloi të recitonte me një shpejtësi automatike, rectim me breshëri. Nga nxitimi iu zu fyti. Doli nga skena.

Ne u bëmë helm. Por befas na qeshi fytyra. Doni kishte dalë përsëri në skenë me automatik krahqafë. E recitoi vjershën nga fillimi gjer në fund si një breshëri automatiku.

Ngutja, nxitimi sa vinte e  shtoheshin tek ai.

U qetësuam.

Kur mbaroi shfaqja e përgëzuam, pa ia përmendur defektin.

Ai vetë kishte luftuar me mish e me shpirt për ta korrigjuar gabimin. Kishte bërë të pamundur: Me intuitën fëminore e kishte kuptuar se ne do të na pikëllonte së tepërmi.

Bëri të pamundurën dhe ia arriti qëllimit.

Kur shkuam në shtëpi i thamë nënës se Doni kishte dalë shumë mirë. Nëna s’la vend pa e puthur. Sa u gëzua. Por Doni i tha të vërtetën.

Ai s’mund t’i fshihte gjë gjyshes që e donte aq shumë.

 

 

KORRIK 1974

 

Zbuluam se Doni lahet në kanal. Alarmohemi. Më shumë alarmohet Nirvana, nëna akoma më shumë. Kanë frikë se mos mbytet. Unë në thellësi kam qejf që ai lahet në kanal. Le t’i provojë të gjitha. Unë vetë në moshën e tij lahesha në hendeqe, gropa kaminash, në sfratin e përroit që ngrinin bujqit për të vaditur arat.

Si u zbulua larja e Donit në kanal. Së pari nga flokët që i zbardheshin. Pastaj nga njollat e bardha që i dilnin në fytyrë. Por edhe e kishin parë edhe na e thanë.

E marr Donin veç. I them:

-Ti lahesh kanaleve.

Nuk foli. Vetëm më shikoi me sytë e kaltër që nëna i quante të bardhë.

-Lahesh apo jo.?

Nuk foli përsëri. Mua nuk më gënjente. E dinte që unë e toleroja. Por gjersa s’fliste, do të thoshte se e pranonte në heshtje. Nirvana e kishte folur shumë. Hëngri dhe ca të mira nga ajo. Kur Nirvana e rrahu, nënës i iku gjaku. I tha Nirvanës:

-Për zotin, ti je katile. Po rrihet çuni ashtu siç e rreh ti?

-Po si thua ti nënë, ta le të mbytet?

-Nuk mbytet ai, jo. ai është si ngjalë. Mbytet ngjala?

Donit i vinte mirë dhe krekosej. Gjyshja ishte kështjella e tij, kulla që e mbronte nga ne.

-Edhe mund të lahesh ndonjëherë – i them, por me shokë, se vetëm edhe mbytesh. – Edhe unë jam larë kur isha sa ti.

Kaq deshi Doni. U zbërthye:  çfarë s’më tregoi. Ku s’ishte larë. S’i pushonte goja. Toleranca atë e bën të sinqertë.

-Do vuaj ky djalë – them me vete.

-Mirë, mirë. Lahu, por lahu me shokë.

-Po unë me shokë lahem o babi.

U gjallërua aq shumë. Kishte marrë pasaportën dhe vizën nga unë. e ndiente veten të lirë, të lirë. Tani mund të lahej sa herë të donte. S’kishte më asnjë brengë, asnjë lloj frike. Më tha gjithë qejf:

-Ika unë babi!

-Ku?

-Të lahem, pra, tek Sifoni me shokët.

Sifoni ishte vendi më i rrezikshëm. Atje ishin mbytur disa fëmijë. Doni vetëm atje nuk ishte larë.

-Ti e çarton djalin – më thotë Nirvana.

-Ah mor i shkretë – më thotë nëna – si bën edhe ti më keq se kalamanjtë. Po e di ti se atje te Sifoni janë mbytur gjithë ata fëmijë.

-Edhe ti plakë, s’kuptohesh. Mirë thotë Qemali. Ti je me 100 flamuj. Nirvanës i thua pse e rreh dhe e quan katile, mua më thua pse e le azat dhe më quan kalama.

Shkova menjëherë te Sifoni. Ç’të shihja. Doni notonte si peshk.

Ai ishte larë aq shumë nëpër kanale sa kishte mësuar të notonte për mrekulli.

Kurioz. Ai s’linte gjë pa provuar. Kështu do të vazhdonte gjithmonë.

Kur më pa duke ndenjur në këmbë buzë kanalit bërtiti:

-Sa i mirë është babi im-e!

Notonte si peshk. Mirë tha plaka: - mbytet ngjala?!

Doni rrëshqiste nëpër ujë si ngjalë.

Në shtëpi erdhi i qetë. S’e shqetësonte më asgjë. Kur njeriu ka një të fshehtë vuan, ndjehet inferior, bëhet shakaxhi, bëhet komplomentar.

Kjo është një vuajtje e hidhur. Doni shpëtoi nga kjo vuajtje.

 

Comments (0 posted):

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
0
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1