Newsletter
Email:
Poll: Letërsia
Cili është lloji juaj i preferuar i letërsisë?
Home | ESE | Meraku i një patrioti dhe hija e varrezave greke

Meraku i një patrioti dhe hija e varrezave greke

Font size: Decrease font Enlarge font
image Nuri Dragoj

Meraku i një patrioti dhe hija e varrezave greke

(Prof. Dr. Eshref Ymeri, intelektuali qërri pa gjumëpër Shqipërinë)

Nga Nuri Dragoj

Prof. Dr. Eshref Ymeri është nga të paktët intelektual që flet e shkruan përditë në dobi të çështjes kombëtare. Kam lexuar gjithçka të shkruar prej tij, por nuk kam guxuar të bëjë ndonjë koment, me mendimin se nuk do të mundja të justifikoja si duhet atë që ai kërkon të thotë në ato që shkruan, për shkak të thellësisë së mendimit dhe kulturës së gjerë që zotëron. Por sot vendosa të hedh disa radhë, me shpresë se do të qëlloj në shenjë, ngaqë kemi mendime të përbashkëta për çështjen kombëtare. Në muajin dhjetor të vitit 2017 në “Voice of Albanian” ai trajton shqetësimin e krijuar prej varrezave të ushtarëve grekë, rënë në Luftën Italo-Greke (tetor 1940 - prill 1941). Profesor Ymeri pohon se kishte mësuar përmes lajmeve në internet, lidhur me “vendimin e qeverisë shqiptare të 17 dhjetorit 2017 për nderimin e ushtarëve grekë që u vranë në territorin shqiptar gjatë luftës italo-greke, nderim ky që do të konkretizohet me ngritje varrezash të reja. Një vendim i çuditshëm ky, si edhe ai i qeverisë së mëparshme shqiptare që pranoi kërkesën greke për ngritjen e varrezave ekzistuese”.

Ky shqetësim i profesor Ymerit, edhe pse ka disa muaj që është bërë publik, e vlen të trajtohet për shkak se tashmë qeveria shqiptare është duke nënshkruar një marrëveshje për saktësimin e kufirit detar me Greqisë. Madje kjo marrëveshje, sipas ministrit të Jashtëm të Athinës, Kocias, është në favor të tyre. 

Por le të kthehemi te çështja e varrezave. “Të gjallët janë bashkë në botë, ndërsa të vdekurit janë veç”, thotë një shprehje e njohur dhe e përsëritur e Heraklitit, që parakupton se në mjediset e njerëzve të gjallë, shpesh miqësitë, grindjet, keqkuptimet dhe armiqësitë bëjnë “rokadë” midis tyre, duke zëvendësuar njëra-tjetrën sipas konjukturave. Ndërsa të vdekurit janë veç në botë dhe ata nuk kanë gojë. Dikur, kur ishin gjallë, i luteshin Zotit për një jetë më të mirë, ndërsa në fund të jetës, lutja e tyre e vetme ishte për një vdekje të qetë dhe për një prehje të përjetshme në amshim. I luteshin për një varr të thjeshtë, me një gur te koka, në mënyrë që njerëzit e afërt, të farefisit, të shkonin pranë tyre dhe të ndiznin një qiri, të shoqëruar me lotët e pikëllimit për të lehtësuar mungesën. 

Kuptohet, është detyrë e çdo kombi që të nderojë në çdo kohë heronjtë dhe luftëtarët e rënë në fushat e betejave. Qoftë kjo në rastin kur varret e këtyre luftëtarëve janë brenda kufijve të shtetit të vet apo jashtë tij, si në rastin e supozuar të Këlcyrës. Sepse, çdo njeri i thjeshtë e meriton të ketë një varr, ndërsa luftëtarët, pa dyshim që meritojnë edhe ndërtimin e lapidarëve. Ishte krejt e njerëzishme që eshtrat e ushtarëve grekë (nëse ato ekzistonin), të mblidheshin në një varrezë të përbashkët, në formën e një mauzoleumi, dhe të preheshin në tokën greke. Kushtetuta e tyre thotë se eshtrat e ushtarëve të rënë, prehen në tokën e tyre. Por politika e Athinës i kërkon në Shqipëri pasi mendon që ata kanë rënë për të cliruar “Vorio-Epirin”, duke ravijëzuar në këtë mënyrë “vijën Venizellos”.

Çështja është shumë më e thellë. Problemi i parë ka të bëjë me varrezat e Këlcyrës, të cilat u ndërtuan në vitet 2005-2006. Atëherë thuhej u ndërtuan pa leje. Objekti në ndërtim ruhej me roje dhe aty nuk mund të hynte askush pa leje. Flitej se ndërtohej një kishë. Të tjerë bënin fjalë për një manastir. Pushteti vendor në Këlcyrë, gjatë kohës që ndërtohej memoriali në Grykën e Këlcyrës, është shprehur se nuk kishte dijeni për një gjë të tillë dhe se nuk kanë firmosur asnjë leje ndërtimi. Kjo u pohua publikisht, më 30 maj 2006, nga kryetari i bashkisë së Këlcyrës. Më 10 maj 2006, ministri i Mbrojtjes në atë kohë, Fatmir Mediu, do të takohej me homologun e tij grek, Vangjelis Meimaraqis, por ky i fundit, sipas mediave, e anuloi vizitën me argumentin se “autoritetet shqiptare ende s’e kanë zgjidhur çështjen e varrezave të ushtarëve grekë në zonën e Këlcyrës”. Në të njëjtën mënyrë, ka anuluar vizitën e tij dhe ministri i Brendshëm grek, pasi “varrezat nuk ishin bërë ende gati, siç kishte premtuar qeveria shqiptare”. Tre vite pas ndërtimit të tyre, shteti shqiptar dha lejen e ndërtimit, pra bëri një farë legalizimi. Në fakt lejen e kishte dhënë qeveria me kohë, por alibitë e ngritura kishin për qëllim qorrimin dhe shurdhimin e popullit të varfër shqiptar. 

Për më tepër, gjatë ndërtimit të kësaj varreze, një lloji manastiri - maozeolum, a çfarë emri mund t’i vihet, u zbrazën varret e thjeshta të shqiptarëve në Kosinë dhe fshatra të tjera të Përmetit, për të plotësuar lapidarët prej mermeri dhe mbushur arkat prej inoksi. Dhe kjo padrejtësi që u bëhej pas vdekjes njerëzve të varfër, ishte qindra herë më e tmerrshme e më fatale se të gjitha padrejtësitë që mund të kenë përjetuar për së gjalli. Toleranca e kësaj padrejtësie do të nënkuptonte pastaj, se i gjithë mekanizmi i sistemit njerëzor është anakronik dhe fals. Prandaj, për të ndëshkuar fajtorët e këtij ingranazhi të mbrapshtë, nuk ka nevojë të përdoret mallkimi, por ligji. Në këtë rast, institucioni i ligjit nuk veproi si duhet. Nga ana tjetër, në radhët e përfaqësuesve të lartë të fesë, nuk funksionoi as institucioni i pendesës dhe as ndonjë tentativë për t’u kërkuar ndjesë familjeve të dëmtuara. 

Profesor Eshref Ymeri shqetësohet nga fakti që kabineti Rama pranoi zgjerimin e varrezave greke në Këlcyrë e Bularat, madje mori përsipër të gjej edhe varret e ushtarëve grekë të rënë gjatë asaj lufte, në një kohë që Athina zyrtare nuk mbajti asnjë prej premtimeve të veta. Ajo që tërheq vëmendjen është dhënia e statusit historik varrezave, që nënkupton rënien e ushtarëve në trojet e tyre, gjë e cila mund të shoqërohet me pasoja në të ardhmen. Në fushën e luftimeve, gjatë muajve nëntor 1940 - prill 1941, mbetën të vrarë rreth 17 mijë ushtarë italianë dhe grekë, secili për interest e veta, duke e kthyer Shqipërinë në shesh beteje, jashtë vullnetit të saj. 

Autori i atij shkrimi, profesori ynë i nderuar, kishte për qëllim tërheqjen e vëmëndjes së qeverisë dhe strukturave të tjera të larta të shtetit shqiptar, se në tokën shqiptare, gjatë asaj lufte, kishin rënë dhe ushtarë italianë. Ndaj ai shtronte pyetjen: Përse qeveria italiane nuk kërkoi ngritje varrezash dhe memorialesh në territorin shqiptar, por i tërhoqi ato në territorin e vet?

Italia i tërhoqi trupat e të rënëve, për t’u prehur në vendlindjen e tyre, ndërsa Greqia nuk i luajti nga vendi, pasi Athina zyrtare vazhdon ta quaj Jugun e Shqipërisë pronë të saj. Ne nuk jemi kundër gjetjes së eshtrave të ushtarëve grekë, pasi nderimi ndaj të rënëve është kulturë dhe detyrim qytetar. Por nuk e shohim me vend grumbullimin e tyre nëpër manastire të ndërtuara në tokën shqiptare. Greqia mund t’i tërheq eshtrat e ushtarëve të rënë dhe t’u bëjë gjithë nderimet  e nevojshme. Në fakt, jo vetëm që nuk e bënë një gjë të tillë, por e lidhën rënien e ushtarëve me kisha e manastire, pas të cilëve fshihet diçka e kobshme për interest kombëtare shqiptare. Përderisa pranohet ngritja e varrezave greke, njëkohësisht duhet pranuar që, krahë tyre të ketë dhe varrezë me ushtarët italianë të rënë po në këto luftime, pasi shumë prej eshtrave të tyre ndodhen ende në nëntokën shqiptare. Ndërkohë nuk duhet të mungojë as varreza shqiptare, pasi shumë bijë të këtij vendi ranë për të mbrojtur vatanin ose si viktimë e planeve grabitqare të fqinjëve. Të trija varrezat të shoqërohen me tre flamujt, që përfaqësojnë tre kombet. Në të kundërt, rreziku është mjaft i madh.

Çfarë fshihet pas ndërtimit të këtyre varrezave?

Profesor Ymeri shtron pyetjen: Cila është arsyeja që qeveria greke nuk i ka tërhequr dhe nuk dëshiron t’i terheq eshtrat e ushtarëve të rënë në Luftën Italo-Greke? Përgjigja është e qartë, dëshira për të gllabëruar “Vorio-Epirin”. Nuk do të kishte asnjë shqetësim, nëse bëhej fjalë për një shtet fqinj që nuk ka pretendime territoriale ndaj Shqipërisë, apo nëse Athina do t’i njihte kufijtë e saj. E vërteta është ndryshe dhe gjërat duhen thënë siç janë. Greqia vazhdon ta quaj jugun e Shqipërisë tokë greke. Qeveria shqiptare nuk duhet të harrojë përpjekjet e bëra nga shteti fqinj, për të përfshirë brenda kufirit grek dy prefekturat shqiptare që përfaqësojnë trojet e ndodhura në jug dhe juglindje të Shqipërisë, prefekturën e Korçës dhe atë të Gjirokastrës. Politika greke e ka kërkuar këtë territor, duke filluar nga gjysma e dytë e shekullit XIX dhe i shtoi përpjekjet në vitet 1870 -1880, në kuadër të Traktatit të Paqes së Shën Stefanit (3 mars 1878) e më pas në Kongresin e Berlinit (13 qershor 1878) për t’i rinisur gjatë zhvillimit të punimeve të Konferencës së Ambasadorëve të Londrës 1912-1913, por edhe më pas, në Konferencën e Paqes së Versajës 1919-1920 dhe atë të Parisit të vitit 1946. E njëjta gjë vazhdon edhe sot, kur ajo e ka shtrirë minioritetin deri në afërsi të qytetit të Vlorës. Greqia i bën presion qeverisë shqiptare se nuk do ta votojë për në BE, nëse nuk i hapet rruga për të plotësuar objektivat e hershme, në funksion të helenizmit të Shqipërisë së Jugut. 

Bazuar në Kushtetutën e Shqipërisë, por dhe në atë të Greqisë, në marrëdhëniet midis shteteve zbatohet parimi i reciprocitetit. Ky parim me rëndësi në marrëdhënie midis palëve është shkelur me të dyja këmbët. Politika pranon vendosjen e varrezave të ushtarëve grek në të gjithë vijën që Athina e quan “Vorio-Epir”, por asnjë politikan nuk ka kërkuar reciprocitet, që varreza të tilla të ngrihen dhe në Greqi, ku janë vrarë e masakruar dhjetra mijë shqiptarë të krahinës së Çamërisë edhe më gjerë. Numri i të vrarëve zë fill që nga koha e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, për të vijuar me kohën kur zhvillonte punimet Konferenca e Londrës 1913, masakrat e vitit 1914, vrasjet dhe dëbimet në vitet 1918-1924, si dhe ato gjatë Luftës së Dytë Botërore. Po këta të rënë për idealin e tyre dhe të kombit, a nuk duhen nderuar duke ngritur varreza në qendrat e tyre të vendlindjes, që është Greqia? Duket se shteti shqiptar nuk ka qenë i aftë ta detyrojë Athinën të zbatojë reciprocitetin në marrëdhëniet midis dy shteteve. 

Nuk mund të ketë reciprocitet midis dy vendeve, kur Shqipëria ka nënshkruar Konventën e Këshillit të Evropës për njohjen dhe mbrojtjen e minoritetit, ndërsa Greqia nuk e ka nënshkruar një konventë të tillë. Kjo tingëllon vërtet ironike dhe sarkastike. Athina insiston dhe këmbëngul pranë qeverisë shqiptare që të zgjerohen të drejtat e minoritetit grek në Shqipëri, duke kërkuar dhe gjëra që shkojnë përtej një kërkese reale dhe të pranueshme, në një kohë që Athina zyrtare nuk pranon as të përmendësh fjalën Çamëri në bisedime dypalëshe, le pastaj të diskutosh si partner për mënyrën e zgjidhjes së këtij problemi të madh, pa të cilin nuk mund të ketë mirëkuptim dypalësh. 

Cili ishte roli i ushtarëve grekë në atë luftë?

Profesor Ymeri shtron dhe një tjetër pyetje: Cili ishte qëndrimi që mbajtën ushtarët grekë kur hyn në territorin shqiptar gjatë luftës italo-greke? E bënë pyetjen për të kuptuar lexuesi nëse justifikohet prania e atyre varrezave. Dhe për këtë citon librin Tensioni greko-shqiptar 1939-1949,të profesor Beqir Metës, ku thuhet se u vërtetua në praktikë një veprim sistematik dhe i qëllimshëm i shkatërrimit të kishave dhe të xhamive të shqiptarëve në zonat ku u fut ushtria greke. U dëmtuan dhe u shkatërruan të dyja kishat ortodokse shqiptare në Rehovë, kishat në Selenicë, në Mileci, në Plasë, në Ersekë, në Boboshticë, në Dardhë, në Kapshticë, në Voskop, në Turan, Katedralja Ortodokse, kisha e shën-Trinisë dhe pallati i priftërinjve katolikë në Korçë, katedralja e shën-Marisë dhe kisha e shën-Kollit në Drenovë; kuvendi shën-Ilia në Vloçisht dhe 11 kisha ortodokse në Voskopojë. Grekët shkatërruan edhe xhamitë e Ersekës, të Vloçishtit, Pogradecit, Turanit, Leskovikut, Mborjes, Floqit, Zvezdës dhe të Gjonomatit. Kjo e fundit u shndërrua nga grekët në stallë kuajsh”.

Mjafton edhe kaq për të kuptuar qëllimin e mbrapsht të politikës dhe ushtrisë greke. Por le të shkojmë pak më tej. Enciklopedia ushtarake greke e konsideron Këlcyrën nyje lidhëse për jugun e Shqipërisë, pikë kyçe strategjike, prej së cilës mund të kontrollohen lehtësisht kalimet për në Korçë, Berat, Tepelene, Gjirokastër e më gjerë. Për pozitën e saj gjeografike, Këlcyra paraqiste çelësin për zgjidhjen e betejës së madhe midis ushtrisë greke dhe asaj italiane, piketuar në pesëmbëdhjetë ditëshin e dytë të muajit nëntor 1940. E ndodhur midis malesh të lartë, Këlcyra kontrollonte kalimet drejt detit Jon dhe drejt Prevezës. Janë të shumta dokumentet që flasin për interesimin e politikës greke në marrjen e Këlcyrës, pasi në këtë mënyrë do të kishin në dorë Jugun e Shqipërisë.

Kryeministri grek Metaksa pohonte në janar te vitit 1940, se forcat greke do të çlironin dhe toka shqiptare, por jo në dobi të pavaresisë së Shqipërisë, duke lenë të nënkuptohej se trevat jugore ishin territor i Greqisë dhe se trupat e tyre nuk do t’i lëshonin kurrë. 

Ndihmesë të madhe dhanë shqiptarët që iu kundërvunë ushtrisë italiane dhe u bënë mbështetës të ushtrisë greke, pasi ajo bënte luftë të drejtë. Vet Musolini në telegramin që i dërgonte Hitlerit, më 10 nëntor 1940, humbjet e shkaktuara për ushtrinë italiane dhe mos përparimin e saj, i shpjegonte me mungesën e mbështetjes shqiptare në fushën politike, mos organizmin e kryengritjes në Çamëri dhe qëndrimin e keq të disa reparteve shqiptare. 

Gjeneral L. Zannini i shkruante komandës së Korpormatës C për qëndrimin e batalioneve shqiptare Dajti dhe Gramozi, të cilët me intensifikimin e sulmit armik, braktisën në mënyrë kolektive frontin e luftës.E njëjta situatë vërehej edhe në batalionet e tjera vullnetare. Zannini arrinte në konkluzionin se prezenca e batalioneve shqiptare në kompanitë divizionale italiane ishte e dëmshme. Sipas tij, prania shqiptare mund të ndikonte negativisht para ushtrisë italiane, sepse mund të krijonte kriza të rënda apo të sillte ndonjë situatë kompromentuese. Në radhët e tyre kishte paqëndrueshmëri, pasi një repart shqiptar, i cili në mëngjes dukej aktiv për luftë kundër trupave greke, në mbrëmje mësohej se kishte kaluar në krahun e armikut me gjithë armatime. I pari u shkëput batalioni Tomorri, ndërsa trupat e prapavijës sulmoheshin kudo, në rrugë e kazerma. Shqiptarët mbështetën luftën greke, u dhanë atyre armët e rrëmbyera nga depot italiane dhe u kërkuan që të lejoheshin të krijonin repartet e veta, në luftë kundër ushtrisë pushtuese, por nuk u lejuan. Në këto rrethana, ata u ndodhën midis dy zjarresh, ushtrisë italiane dhe asaj greke. 

Në një tjetër letër, drejtuar Hitlerit, thuhej se gjithë trupat shqiptare kishin hedhur armët, duke kaluar në masë te armiku, prandaj çarmatimi i ushtarëve shqiptarë ishte i domosdoshëm.Hendeku i krijuar mes ushtarakëve italianë dhe atyre shqiptarë vinte duke u thelluar. Fryma e mosbesimit ndihej kudo. Kishte raste kur nga italianët propozohej zgjidhja e mosmarrëveshjeve me anë të pushkatimit të elementeve të veçantë, por kjo nuk mund ta zgjidhte problemin e dezertimeve, pasi numëroheshin rreth 3 100 raste.

Politika e Athinës kundështoi organizimin e revoltës së armatosur antiitaliane në prefekturën e Gjirokastrës, e cila kishte si kusht të vetëm njohjen e pavarësisë së Shqipërisë. Ahmet Zogu premtoi të sillte në frontin antiitalian 30 mijë forca, në sajë të mbështetjes së madhe që kishte në veri të vendit. Duke u rënë italianëve pas vijës së frontit, mendonte se mund t’i detyronte që të lëshonin vijën mbrojtëse. Ky propozim u pëlqeu anglezëve, por nuk u pranua nga Athina. 

Pra siç shihet, shkak i morpranimit të luftëtarëve shqiptarë në radhët e ushtrisë greke, qe bërë vendimi i qeverisë së Athinës, nr. 2636/40, të muajit nëntor 1940, si dhe dekreti i Mbretërisë së Greqisë, nënshkruar më datë 10 dhjetor 1940, që e cilësoi Shqipërinë vend armik, me të cilin Greqia ishte në luftë. Ky vendim vinte si kundërpërgjigje e “dekretit mbretëror shqiptar”, nr. 194, datë 9 qershor 1940-XVI-II, në nënin nr. 1 të të cilit thuhej: “Mbretëria e Shqipënisë njifet e hymne në luftë me ato shtete me të cilat mbretnija e Italisë ka me qënë në luftë”. Në fakt, ky dekret ishte i Viktor Emanuelit III, i cili qe shpallur mbret i Italisë dhe Shqipërisë. Kjo u realizua me anë të mëkëmbësit të mbretit italian në Tiranë, Francesco Jakomoni, i cili e detyroi qeverinë kukull të Vërlacit të miratonte ligjin në fjalë, më 9 qershor 1940. Mirëpo ky ligj nuk mund të penalizojë popullin shqiptar, pasi Shqipëria ishte nën pushtim dhe qeveria e Tiranës dirigjohej nga Roma. Këtë e dinin mirë edhe krerë të politikës së Athinës, por atyre u interesonte ta rendisnin Shqipërinë në krahun e agresorëve fashistë, pasi në këtë mënyrë realizonin më me lehtësi qëllimin e tyre ekspansionist.

Ka 78 vjet që luhet me një ligj të tillë. Loja ka për synim realizimin e qëllimeve djallëzore në dëm të Shqipërisë. Me pushtimin e Greqisë nga Gjermania, në mesin e vitit 1943, kryeministri grek Jorgos Xolagoklus e hoqi ligjin e luftës me Shqipërinë, sepse kërkonte paqe në kufijtë e saj. Por qeveria helene që mori pushtetin në vitin 1945, e rivendosi sërish. Kabineti i qeverisë së Andrea Papandreut, në të cilën qe ministër edhe Karolio Papulias, më 28 gusht të vitit 1987, e shfuqizoi sërish atë ligj. Qeveria shqiptare besoi. Në muajin mars të vitit 1996 u nënshkrua Pakti i Miqësisë, Bashkëpunimit dhe Sigurisë për fqinjësi të mirë. Tashmë vazhdon të thuhet se ligji nuk është hqur. Në rrethanat e krijuara shtrohen disa pyetje: Si mundet të nënshkruhet pakti i miqësisë midis dy vendeve, kur njëra palë është me duar në xhepa dhe tjetra me mitraloz në dorë? Pse qeveria shqiptare nuk e ka shtruar këtë çështje në NATO? Si mund të rrinë dy shtete fqinjë anëtarë të NATO-s, kur janë në gjendje lufte? A pranon BE të anëtarësoi në radhët e veta dy vende që janë shpallur armiq dhe vazhdojnë të jenë në gjendje lufte? Përse nuk është shtruar me forcë kjo çështje në Bruksel? A e dinë qeveritarët tanë që Greqia ka patur dhe vazhdon të ketë pretendime territoriale ndaj Shqpërisë? 

A duheshin pranuar varrezat e ushtarëve grek në Shqipëri?

Për këtë çështje, Prof. Eshref Ymeri shtron pyetjen: Me këtë qëndrim që kanë mbajtur brenda tokës shqiptare, ushtarët e vrarë grekë, a e meritojnë që eshtrat e tyre të nderohen me ngritje varrezash dhe memorialesh në territorin e Republikës së Shqipërisë? Dhe argumenton se nuk duhej tyë pranoheshin në asnjë mënyrë.

Këto varreza, në bazë të marrëveshjes dypalëshe, do të administrohen nga kisha ortodokse. Po nuk përcaktohet se nga cila kishë, ajo shqiptare apo greke. Nuk besojmë se Kisha Ortodokse Shqiptare ka kaluar tërësisht në varësi të Kishës Ortodokse Greke. Në kohën që u bë publik skandali i zhvarrimeve, u fol dhe për qëndrimin indiferent të kreut të kishës ortodokse dhe dijeninë e tij për këto veprime të kundërligjshme. Por në atë kohë, në një intervistë të dhënë së përditshmes greke “Eleftherotipia”, Janullatos i cilëson ato “sulme fantazirash dhe ireale. Ata që më kundërvihen, përpiqen të interpretojnë ekzistencën time në Shqipëri dhe punën time këtu si politike, ashtu edhe diplomatike”. Çështjen e eshtrave të ushtarëve grekë në Kosinë të Përmetit, ai e konsideron problem të dy qeverive. “Ne, le të mos na ngatërrojë asnjeri. Ka një komision të përbashkët që merret me përgatitjen e protokollit të marrëveshjes. Kush ka kundërshtime, le të drejtohet atje”. Mirëpo ky komision duket se është i njënashëm dhe punon për të plotësuar vetëm interesat greke.

Është e habitshme, por njëkohësisht dhe realitet, që përfaqësues të shteteve të fuqishme europiane kanë qenë përherë në krahë të palës tjetër dhe jo të shqiptarëve. Janë ndërkombëtarët ata që këshillonin politikën e Tiranës zyrtare t’i bënte leshime Athinës për shtrirjen e varrezave të ushtarëve grekë, rënë në Shqipëri gjatë luftës italo-greke 1940-1941, në dobi të Marrëveshjes së Asocim Stabilizmit. Dhe ata ndërtuan me shumë dëshirë disa varreza, madje shkulën dhe eshtrat e grave dhe fëmijëve shqiptarë, të vdekur dekada më parë, të cilat u futën në arkat e inoksit për eshtra ushtarësh. Më pas u kërkua përulje nga politika shqiptare për të pranuar demarkacionin kufitar detar midis Shqipërisë dhe Greqisë, ashtu siç dëshironte Athina. Kjo duhej bërë, në rast se Shqipëria dëshironte të bëhej anëtare e NATO-s. Ndërhyrje të tilla nuk bëheshin zyrtarisht, por nëpërmjet individëve që përfaqësonin institucione të larta europiane. Në fakt marrëveshja u nënshkrua, por nuk ka hyrë në fuqi, falë një vendimi të Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, që e bëri të pamundur ratifikimin e saj. Por nuk mund të mohojmë faktin që ky episod ka lënë shije të hidhur, pasi pala greke vazhdon të kërkoi finalizimin e marrëveshjes dhe sërish një komision, me anëtarë jo kompetentë, po punon për nënshkrimin e saj. Nëse ajo marrëveshje arrihet, Shqipëria humbet 354 kilometra katrore nga territori i detit. Për fat të keq, askush prej specialistëve apo politikanëve që u angazhua në këto pazare nuk mbajti përgjegjësi, edhe pse kemi të bëjmë me një veprim në dëm të popullit shqiptar.  Natyrisht, shtyrja e kufirit detar nuk është çështje e thjeshtë, pasi për ujërat detare pyeten edhe kufitarët, një prej të cilëve është Italia, e cila nuk dëshiron që Greqia të bllokojë Otranton. 

Përplasjet e dy krahëve të politikës shqiptare për çdo gjë, mos bashkimi i tyre për çështje të rëndësishme të kombit, favorizon politikën e fqinjëve që vazhdojnë të kërkojnë copëtimin e Shqipërisë. Akademiku serb Gjeorgjeviç, i cili ka qenë dhe kryeministër, e dëshironte shumë përplasjen e politikës shqiptare por ai kërkonte të bëhej kujdes, pasi sa më e përgjithëshme të jetë përplasja mes krerëve të partive shqiptare, aq më shumë i afrohemi qëllimit tonë. Por edhe nobelisti Ivo Andriç, kohë më parë thoshte se ne, serbët, jemi të interesuar për një Shqipëri të pavarur, por të dobët e të paformuar. Me marrjen e Shqipërisë nga ana e Serbisë, “do çdukej qendra nxitëse për pakicën shqiptare në Kosovë e cila në të ardhmen do tretej lehtë".

Po si do të realizohej ky projekt? Për këtë e kishte gjetur zgjidhjen Çubrilloviç, për disa kohë kryeministër. Sipas tij, realizimi i projektit të tyre në Tiranë do të ecte me vështirësi, por ai shtonte se gjendej një shteg rezultativ, pasi “të hollat bëjnë shumë punë”. Ndërkohë, me anë të fijeve të fshehta, ata qenë të sigurtë se mund të viheshin në lëvizje njerëzit e tyre në Tiranë, që mbanin pozicione kyçe në administratë. Besoj se nuk ka më qartë se kaq. Ata kanë aq shumë agjent në Tiranë, dhe jo vetëm ata, sa edhe vet ata habiten me numrin e madh të agjentëve të huaj që veprojnë në Shqipëri.

Comments (2 posted):

Guri Naimit D. on 05/07/2018 15:21:28
avatar
Meraku i gjithe PATRIOTEVE do te thosha i nderuari Nuri Dragoi sa Pr.E,Ymeri.
ju falenderij atdhetar et nderuar se pari,sa njerz te PENES per kete problem te rendesishem te kohes qe e nrini ne kohen e duhur.Eshte koha qe duhet vene pika mbi I si thote nje shprehie popullore.
Qeveria jone duhet te ngulmoje ne realizimin e drejtesise se vonuar,sa autoritetet boterore te koregjojne apo lajne borxhet ndaj atdheut tone ne shekuj jo pake.
Ju faleminderit te ndeuar,E.Ymeri- N,Dragoi,ngritur kete problem, koha diktuar.
Pasuesi Veterani
82 vj.Guri Naimit D.
kadri tarelli on 05/07/2018 20:28:32
avatar
Falminderit Z. Nuri!
Një shkrim dhe analizë mjaft e saktë dhe e mprehtë, ndaj synimeve të fqinjit tonë jugor. Një shqetësim i kahershëm i juaji por edhe i intelektualëve të shumtë, përfshi edhe profesor Eshrefin, një atdhetar i kulluar dhe pa kpmpromis.
Përgëzime për shkrimin dhe përshëndetje profesor Eshrefit, që nuk resht së shkruari për problemet kombëtare.
Miqësisht!
Kadri Tarelli
Durrës

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
0
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1