Newsletter
Email:
Poll: Letërsia
Cili është lloji juaj i preferuar i letërsisë?
Home | ESE | PËRTEJ ANTOLOGJISË FEMËRORE TË SULKUQIT

PËRTEJ ANTOLOGJISË FEMËRORE TË SULKUQIT

Font size: Decrease font Enlarge font
image Dr Fatmir Terziu

PËRTEJ ANTOLOGJISË FEMËRORE TË SULKUQIT

Dr Fatmir Terziu

Udhëtimin poetik në Elbasan mjaft herë e kemi ndeshur në lirizmin e tij, shpirtdehjen e tij dashurore të lakonizuar nga prezantimet burrërore. Një diskurs me vete, tipologjik i tipolizuar nga digma dhe stigma maskuline-feministe, që kohërave ka bërë udhë dhe kohërat e kanë udhërrëfyer odave dhe sofrave bujare të qytetit të mikpritjes e bujarisë, të djepit të arsimit dhe kulturës. Por gjithnjë “ç’ke moj Fiti që po qan” apo “Behija” e këngës së mrekullueshme e ka mjaltuar poetikën e qytetit mes dashurisë burrërore për femrën dhefemra e kësaj poezie-këngë gjithnjë dhe pak radhë ka parë buzët e vetë femrës. Kjo ishte qasja me kohërat. Më tej kohërat që i vunë dhe i hoqën “mbulesën” femrës së poezisë së krijuar dhe asaj të krijuar për të edhe kur ia lanë ferrave mbulesën e determinuar për një “botë të re”, prapë e lanë disi në hije. As hapja më e ndjeshme drejt lirisë nuk e bëri kthimin e duhur në këtë pikë. 

Ajo mbeti thjesht tek krijuesja, poetja, më saktë tek ajo që Perëndimi e quan me kohë “Feminizmi”. “Feminizmi”, si i tillë një herë kam dëgjuar Iliriana Sulkuqin në Strugë, teksa merrnin pjesë bashkë në një konkurrim Ndërkombëtar të poezisë të thotë, në shpërthimin e saj të mrekullueshëm brenda një shfryrjeje lakonike, “është fjala e re” që në Perëndim, apo në SHBA ku ajo jeton prej kohësh të identifikohet me germën jo pak simbolike, por tejet të dhimbshme nga simbolizmi “F”. Ajo në mënyrë të kujdesshme këtë shpërthim të saj e përmblodhi dhe krijoi kohët e fundit reagimin e saj ndaj heshtjes së kohërave, dhe ndaj dekadave të fundit kundër aktivistëve të gjallë, elokuentë, radikalë për të drejtat e grave, veprat e të cilave formuan themelin e e poezisë moderne në qytetin dhe djepin e kësaj udhe që nis nga Normalja, ku poezia ishte padyshim edhe femërore. 

Gratë që nuk kishin frikë të shokojnë dhe të ngazëllejnë, të tilla si Mynever Zaimi, natyrisht ishin të pakta në skenë, por të shumta në dëshirat e tyre, dëshira që i zvenitën me dimrat dhe vjeshtat që kaluan. Mynaverja, e talentuara vajzë, që u lind në Elbasan një ditë para Ditës së Verës në vitin 1925 në një familje me tradita atdhetare e kulturore uradhit me luftëtarët antifashistë dhe që nga janari i vitit 1942 vijoi luftën pa ndërprerje deri më 1944. Përfundoi Normalen më 1943 dhe Institutin e Lartë “Aleksandër Xhuvani” në Tiranë, më 1965, me diplomë shkëlqyeshëm. Punoi pa ndërprerje si mësuese për përgatitjen për jetën të mijërave nxënësve, duke i ushqyer ata pa kursim me ndenjën e atdhedashurisë. Mbajti mbi vete përvojën e hidhur të dy burgjeve fashiste (më 1942 dhe më 1943) dhe një nga regjimi diktatorial (1973). Nuk ka qenë asnjëherë anëtare e ndonjë partie. Vdiq me 5 janar 2017, po la një krijimtari të gjerë letrare që e vendos në radhët e para të shkrimtarëve elbasanas. Më 1944 shkruante tek revista “Bleta” me pseudonimin Mome Bymka. Pas çlirimit shkroi dhe vuri në skenë dramën “Peshkatari”, përshtatjen e veprës “Njerëz të varfër” të Hygoit, tablonë artistike “Korbat nxijnë qiellin”, libretin “Baresha” dhe dhjetëra skeçe për estradën amatore, ku bënte pjesë si recituese. Rilindi si shkrimtare duke botuar më 1996 romanin “Përplasje në vite” shqip dhe italisht, për të vazhduar më tej me veprat “Ç’m’u këndoka”, “Drin”, “Pusi i haremit”, “Degë e thyer”, “Të puthura gjarpri” shqip dhe italisht, “Skuta vampirësh”, “Një krenari e përligjur”, “Sagë strategësh”, dhe “Kumuria e Elbasanit”, të cilat pata rastin herë pas here t’ia prezantoja në Televizionin “Dardan” në qyetetin e Elbasanit dhe në mediat e tjera ku unë shkruaja dhe punoja.

Mynaverja hyn tek shkrimtarët dhe poetët që u ngritën në kulmin e talentit të tyre në atë epokë dhe që ishin gjithashtu të pakompromis, dhe shumë femërorë në tërë dimensionin e tyre letrar dhe jetik. Të tillët si Mynaverja, ishin luftëtarë, pararendës të një përmbytjeje të talenteve të reja që do të lindin me besim në udhën që i hapej përditë e më shumë Elbasanit. Tani, gjej se pas gati disa vjetësh në botimin e Antologjisë së poezisë, që shpirtjetikja e poezisë shqiptare, Iliriana Sulkuqi ka hartuar, ideuar dhe krijuar të shohë me një sy tjetër se ka dhjetra emra më shumë në këtë listë të poeteve të shënuara me një penë zemre dhe një dëshirë të madhe që “F” e lakuar ndryshe në Perëndim të marrë një diskurs tjetër pos vëmendjes poetike ndaj krijueseve që nderojnë këtë qytet të bukur dhe më tej tërë krijuesit shqiptarë.

Në penën e Ilirianës e gjitha është më shumë se Antologji. Ajo me gishtat e saj të operuar, por që kurrë nuk ia kallëzoi askujt, shkruan për secilën me kujdes e ndjenjë. Ne ndjekim këtë udhë shkurt poetikisht, brenda dhe jashtë “F”-së feministe, me të cilën shpirti i poetes shkuan: 

“Miqtë e mi, lexues të fjalëve të mia, një libër poetik, në formatin e një Antologjie femërore do të dalë nga botimi në Qershor, në stinën e qershive. Nuk besoj se ka ndonjë qytet tjetër brenda apo jashtë kufijve të Shqipërisë (për frymë popullsie), të ketë nderin të ketë kaq zëra femërorë poetikë, të njohura thuajse në të gjitha shtetet e botës së kulturës, sa Elbasani, si: 

Beatriçe Balliçi, Flutura Açka (Mjeshtre e Madhe), Luljeta Lleshanaku, Mynever Zaimi, Shane Muda, Migena Arllati, Valbona Bozgo Musarai, Irma Kurti, Elisabeta Myftari, Lida Lazaj, Marjana Hushi, Klejda Plangarica, Manushaqe Toromani , Sonja Haxhiaj, Elisa Jerani, Gjelina Gjika… etj”.  Dhe fragmentet janë pjesë shpirti poetik: 

            “Lida Lazajdhe Perla nga Fjala te Fjala

– 1 Qershori festa e tyre e përbashkët.

“Rritmë gjyshe , të të ngjaj…!” –

(…dhe i tha maji qershorit: ditët dhe ora ime mbaroi. I thuaj Perlës, në ditën tënde të parë, t’i thotë nënës së saj poete, se librin UJI QË ESHTË UJË do ta shohë e do ta prekë, sapo ajo( Perla), t’i ketë treguar tre përrallëza nga të sajat, mëngjeseve të zgjimit… )

… se qershiat , janë edhe dyshe-dyshe jo rrallë, Si dashuria me dashurinë – binjake shpirti …

Nuk besoj se në fëmijërinë e vajzave, të mos ketë ndodhur që , sapo kemi parë me sy qershia dyshe, pa i provuar ende, i kemi vendosur si vëthë… Një ndjellje instiktive vajzërore, për të qenë gjithnjë vetë i dytë, me dikë që të bëhet njësh me shpirtin…

Se qershiat dyshe janë edhe dashuri mbi dashuritë, si në rastin gjyshe – mbesë…”              

            “Shane Muda- poetja, e mbuluar me Dhè dhe me HESHTJE:

“GJËRAT E BRAKTISURA NGA NJERIU DHE DASHURIA VRITEN…”

(Mikja ime e parajsës, bashkëudhëtarja ime në vargun tonë, bashkëjetuarat e të njejtit sistem, por jo në të njejtën drithërimë përsekucioni! Mikja ime e paharruar brenda sirtarit të shpirtit tim, Shane, falma pafajësinë!

Ishe më e heshtura , ishe më e buzëqeshura e të gjitha dhimbjeve!

Ishe dhe je POEZIA që le pas.”

Beatriçe Balliçi- një stol ku pushoj të marr pak frymë

 “Do të doja të isha një qiellbore,

Të qaja me lot të bardhë.” (B.B)

{Unë herë pas here do të ulem për t’u shlodhur në një stol-prehër të vargut tuaj lisharse ëndrrash , miket e mia, për të mos ndjerë shpejtësinë e akrevave të orës së prapthi të ditëve të mia! (IS)} (përgjatë përgatitjes së antologjisë femërore të poeteve të qytetit tim Elbasan).”

Irma Kurti ka botuar gjashtëmbëdhjetë libra në gjuhën shqipe dhe dhjetë në gjuhën italiane. Librat e saj janë përkthyer në disa gjuhë të botës: në anglisht, frengjisht, spanjisht dhe gjermanisht. 

Për poezinë dhe prozën i janë akorduar 38 çmime në konkurse të ndryshme letrare në Itali, Zvicër, në Shqipëri dhe SHBA. Në vitin 2013 fitoi çmimin ndërkombëtar “Universum Donna” për letërsinë dhe emërtimin “Ambasadore e Paqes” nga Universum Academy dhe Universiteti i Paqes në Lugano, Zvicër. U shpall “Poetja Shqiptare e Vitit 2015” nga Qendra P.E.N e Shqipërisë. Bashkëpunon me gazeta të ndryshme në gjuhën shqipe. Jeton në Bergamo të Italisë.”

Klejda Plangarica, ka filluar të shkruajë poezitë e para që në moshën 7 vjeçare, një pjesë prej të cilave janë botuar në gazeta dhe revista të ndryshme ndër vite. Në vitin 2012 vendosi të publikojë vëllimin e saj të parë me poezi të titulluar "Dritëzim ikjesh". Poezia me siguri , i ka zbukuruar jo vetëm pamjen por edhe shpirtin. E “fshehur” pas “kuintave” , me një modesti , virtyt i rrallë në ditët e sotme, ajo e zbukuroi më shumë karrierën e saj, ndërsa poezinë e bëri vello transparente, për ta lexuar sot e përgjithmonë të gjithë ne që nuk ia kishim lexuar më parë.”

Migena Arllati, edhe pse me moshë të re, me potencialin bibliografik të saj, pa frikë mund t’i thotë shumë burrave të këtij qyteti që ushqehen me “hormonet” e harresës: ja ku jam. ”… qiellin nuk e dua./Ndajeni mes jush atë që më takon!”...

” …Nё luftёn e nxehtё/nё luftёn e ftohtё/

nga moti nё mot/sёrish bashkёshortё!

(Dhe…, ashtu si dasmorët nuk mund të rrijnë dot pa u ngritur të kërcejnë kur dëgjojnë këngët e Myzyrit, Bodinit e Qamilit të vogël, ashtu edhe dëgjuesit, kudo në përurime librash, konferenca të ndryshme shkencore, etj, nuk mund të rrijnë pa duartrokitur kur flet Migena.”

Elisabeta Myftari(Musabelliu): këtë vajzë, “jabanxhije” Elbasani e kurorëzoi me MIRËNJOHJA E QYTETIT.

Të bëhesh Mirënjohja e një qyteti, ku nuk je bijë e lindur aty, do të thotë shumë e shumë. Do të thotë, të kesh dhënë gjithçka nga vetja jote me frymë e shpirt, me mençuri, dije, përkushtim, me vepra dhe jo vetëm me fjalë.

Elisabeta Myftari (Musabelliu) ka kryer studimet e larta në degën Gjuhë-Letërsi .Ka punuar si mësuese e këtij profili në shkollën e mesme “Luigj Gurakuqi” dhe prej disa vitesh si drejtuese në gjimnazin ”Vasil Kamami” Elbasan.

Është autore e shumë shkrimeve, analizave, eseve dhe komenteve në fushën e letërsisë artistike dhe të didaktikës mësimore në organe të ndryshme të shtypit shqiptar si në gazetat “Mësuesi”, ”Ndryshe”, ”Gazeta Shqiptare”, ”Elbasan”, revista ”Obelisk”, etj…”

Valbona Bozgo Musai: Po ndalem pak te vajza jonë nga Elbasani, e cila , si të shumtët mori udhën e mërgimit drejt Greqisë - Valbona Bozgo Musai. 

Motër e vëllezërve, që shkruajnë, të njohur edhe nga lexuesi, por që askush nuk i ngjan tjetrit në individualitetin e tyre krijues.

Valbona, e heshtura, e pabujta, mbështjellur me tisin e dhimbjeve të jetës mërgimtare, mërgimin e saj e ktheu në krijimtari, për të mos qenë e munguar në qytetin dhe vendin e saj…

Thotë një fjalë “ sipas vendit dhe kuvendi”. Ashtu ndodh edhe me poezinë. Ajo shkruhet nga ç’ka përjeton, në rrethanat e tua në kohë dhe hapësirë dhe jep mesazhin e duhur për lexuesin…”

Marjana Hushi- Dorëzonja (siç e quajmë në Elbasan një lule imcake, me pesë petale – kulpër si të një zonje të brishtë e delikate, aromë mirë, të rrallë e të veçatë…), është lindur të bëhet heshtja e vargut të saj prej shpirti , por që me plot kuptimin e fjalës quhet Poezi. Poezi që do të jetojë më shumë se shumë nga poezitë e sotme… Besojeni!”

Ajkuna Dakli dhe Bora Arllati: Ajkuna – bijë dhe Bora – mbesë Elbasani. Njera në Kanada. Tjetra në Gjakovë. Nuk kanë asnjë lidhje familiare me njera tjetrën. I bashkon poezia e moshës së tyre dhe geni i një qyteti që lind e rilind poezinë. Ajkuna dhe Bora -poezia e tri kohëve)

[…Kështu rrotullohet Fjala… nga një poete te tjetra, në pakohën e të njejtës moshë, por në kohën e Fjalës, që kur lindi Fjala . Kështu rrotullohet e bekuara Fjalë , si toka rreth diellit e dielli rreth vetes…

Kështu vjen Fjala, lëçitur e me tinguj , si një rrotullim Valsi, ku dashuria nusëron pa dhëndërr, ku Poezia quhet –Dashuri. Ashtu si edhe në kimi- asgjë nuk humb, vetëm transformohet nga një gjendje në një tjetër.” 

“Flutura Açka(1966) është poete dhe prozatore e periudhës postkomuniste, autore e tre romaneve dhe gjashtë vëllimeve poetike. Gjithashtu ka përpiluar një antologji (“Stinë e ullinjve të thinjur”), ndërsa për të janë përpiluar dy antologji (“Kënga e Aretuzës” dhe “Lutje dimri”). Është pikërisht antologjia “Lutje dimri” ajo që na e risjellë subtilitetin dhe bukurinë e poezisë specifike dhe novatore të kësaj autoreje, që njëherësh është njëra ndër shkrimtaret e rralla shqiptare që kanë arritur ta sfidojnë “diskursin fallocentrik”(J. Derrida) të letërsisë shqipe. Gjinokritika do ta përcaktonte këtë autore si female, por kurrësesi feministe, pasiqë vepra e saj, po t’i referohemi studiueses Patricia Beer, nuk është një përmbledhje traktesh. Poezia e saj nuk është feministe, sepse ajo, në fakt, është thellësisht humaniste. Edhe pse subjekt lirik i kësaj poezie është femra, objekt dhe destinacion është njeriu. Pra, poezia e Flutura Açkës është poezi femërore për specien njerëzore.

Për më shumë: lirika e Flutura Açkës është një libido e letërsisë shqipe. Ajo duhet vlerësuar veçmas për lirinë që ia sjellë lirikës në temë, formë dhe stil.”

Shqipe Azizaj Taka: Nuk është poete. Nuk është fizikante.Nuk është piktore.

Nuk është balerinë. Nuk është Parukiere. Nuk është shahiste. Nuk është atlete.… Nuk është, sepse pak , ose aspak e njohim për t’u besuar se ajo ËSHTË pjesë krijuese e të gjithave sa thashë më lart:”nuk është”….

Shqipja, edhe pse me këtë emër të lirë fluturues , për fat të keq, nuk fluturoi e nuk ndali dot, të paktën në njerën nga folezat e saj prej mëme, prej vendlindjeje të saj, apo kudo ku e fluturoi fati…(se mos shumë të tjerë janë në folezat e shpirtit të tyre…).

…dhe për të gjitha “fluturimet’ pa folezë, Shqipja ka një strehëz prej loti, aty ku kujtimet dhe malli fshihen në mënyrën më të lagësht që s’ka diell t’i thajë…”

Drita Çomo, e bukura e pafajshme, me pafajësi që në lindjen e saj; me pafajësi edhe në fëmijërinë e saj të trembur nga përrallat me ujqër e dhelpëra…; me pafajësi të dhimshme edhe rinia dashurore e saj…

Bebja Drita u lind, si syth’ i një stine vajzërie. U lind për ta kurorëzuar pranverën me Dashuri, për ta veshur Atë me fustan prej vargjesh- kurorëperlash.”

Gjelina Xhika, nuk bërtet se “jam poete”, nuk vrapon nëpër konkurse apo takime poetësh, nuk vrapon për askund , ku mund të merren çmime poezie… Vrapi i saj ka tjetër Vrapim: Gjithkund, atje ku një e sëmurë pa shpresë ka nevojë t’i tregosh një përrallëz se është shpikur nga shkenca ilaçi për kurimin e sëmundjes së saj…; atje, ku vajzat e reja kanë nevojë të stolisen me veshjet më të bukura të modës së fundit; të jetë e pranishme në çdo bamirësi, kur duhet, të japë gjithçka, në emër të jetës, për familjen, miqtë dhe për vendin e saj që nuk i “shkulet” nga shpirti: “E dua vendim tim,/atje ku qaj e qesh,/ku rrënjët prej shpirti/ s’më shkulen asnjëherë…”

“Manushaqe Toromani, e njohur thuajse nga të gjithë lexuesit e poezisë është binjakja e poezisë së saj, ku të dyja sëbashku pijnë një gotë verë apo raki për të mbledhur miqtë e duhur, për të trokitur një gotë në emër të Fjalës më të bukur që quhet Dashuri, Miqësi, Poezi!”

Por unë kam vënë re edhe diçka të veçantë tek prezantimi që bën Sulkuqi tek kjo Antologji poetike femërore për poetet e kohëve të fundit në Elbasan. Lulëzimi i madh i talenteve që  nuk u reflektua në antologjitë kryesore të poezisë që po prodhoheshin në vite, tashmë ka një rast të jetë më shumë se një arsye reflektimi dhe krenarie kolektive. Sulkuqi, poetja mjaft me emër, por modeste në heshtjen e saj duket sikur thotë: “Unë kisha për një kohë të gjatë një ëndërr për të përpiluar një antologji të këtyre poeteve, por ishte shmangur nga dhimbja që ndjeja në gishtat e mi, në trupin tim, të cilin disa herë e ka prekur thika e bisturia e mjekëve, të cilët kishin hedhur poshtë projektet e ngjashme dhe nuk më lejonin zyrtarisht t’i afrohesha tastierës dhe kompjuterit. Dija gjithashtu se pasuria e poeteve ishte tek shpirti i tyre, tek ajo që ata kishin shkulur nga shpirti i tyre human dhe unë këtë e kisha në plan-kursimet e mia modeste. Dhe ja që një ditë plani u bë realitet”. Antologjia mori vijën, një projekt që duket se i bëri jehonë tërësisë femërore, sa meritore, aq dhe të domosdoshme, jo thjesht që të jenë në një antologji vetëm për gratë, por kjo shmangu një lloj getoizimi të punës krijuese të grave dhe ndihmoi për të krijuar një kanon më përfshirës në trevën më dimensionale të krijimtarisë.

Comments (1 posted):

Guri Naimit D.krah-"Nene Pashako". on 01/07/2018 14:56:26
avatar
Kush"MBIELL",fare te zgjedhur,do te kete"korie"ciesore sa sasiore.
(si Fatmir Terziu me PENEN TIJ.Meju. Guri Naimit D.krah"NENE PASHAKO")

Sa keq!Nuk jam;PENA-Fatmir Terziu,te cmoj e vleresoj,gjiantet e letersise shqipe,bija ELBASANI-berthame e shkolles shqipe-MESUESINE THEMELUAR.
Fatmir Terziu;nje"TERZI"i ralle i fjales dhe artit te te shkruarit,na sjell,"krenari e ELBASANIT",si keto "Dallendyshe"krijuese,qe e mira cupe Elbasanase,Iliriana Sulkuqi,sjelle.(qe me roiti,mua 82 vjecarin,pena e saj )
Ju faleminderit te nderuara PENA; vertet PENA,jo llafe.Ju pacim dhe na u shtofshi,jo vetem keto te Elbasanit.
Deri ketu ne Toronto te Kanadase, kemi te tilla "melheme"PENA.
Mbrodhesia ju shoqerofte ju dhe mbare atdheun tone,aktualisht; me"dhimbie lindieje"...Ju "trinitrina"per te.
Me Ju jetojme e per JU mendojme.

Guri Naimit D.krah"Nene Pashako"

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
5.00
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1