Newsletter
Email:
Poll: Letërsia
Cili është lloji juaj i preferuar i letërsisë?
Home | ESE | HUMOR-ESSE PËR MAJANË E KOSIT DHE TERMOMETRAT ME ZHIVË E ME SUSTË

HUMOR-ESSE PËR MAJANË E KOSIT DHE TERMOMETRAT ME ZHIVË E ME SUSTË

Font size: Decrease font Enlarge font
image Thani Naqo

HUMOR-ESSE PËR MAJANË E KOSIT DHE TERMOMETRAT ME ZHIVË E ME SUSTË
Nuk ta plotësoj dot dëshirën, miku im...Në demokraci është shenjtëruar liria e fjalës dhe, pikërisht shenjtëria, është ajo që më pret vrullin për të "mprehur" syrin kritik ndaj artit në përgjithësi.
"A mundesh të veçosh të shkruarit letërsi me grafomaninë," - pyet ti. Më mirë mos i përgjegjem direkt kësaj pyetje, mbasi e parandjej se ty do të të përdridhen vetullat dhe do më zemërohesh edhe me këto që do të pohoj më poshtë. Ti ke krijuar përshtypjen se unë jam "kokëkrisur" për të dhënë mendim personal, por sot, që ta dish, edhe krisjet riparohen dhe nuk meren vesh ku janë ngjitur apo qepur. Ti pret me padurim që unë të shpërrthej me gjuhën e ashpër të kritikut të artit; mirëpo nuk mundem. Ja përse nuk mundem: nuk kam asnjë lloj ideje dhe njohjen e plotë mbi skemat kompozicionale si trajtohet arti i politikës, ai i estetikës dhe i veprave të artit. Kjo nuk është për fajin tim; autodidakti i druhet përballjes me diplomatë dhe kritikë të mirëfilltë, porse kjo drojtje mua nuk më pengon të shfrytëzoj shenjtërinë e fjalës së lirë, duke përdorur shijen estetike personale dhe, sidomos, praktiçizmin: sa ja hedh sytë një tablloje, bëj dallimin kujt rryme i përkasin ngjyrat, ashtu siç dalloj edhe një lajm gazete se nga cila parti politike e tërheq kërraba autorin e saj. Di të dalloj realen nga irealja; siç di, gjithashtu, ç'është racionalja dhe iracionalja. Kjo e fundit, (iracionalja,) më vjen për shtat. (S'kam ç'bëj, miku im: fantazinë nuk e vë dot në fre!) Këtu fillon e mira dhe e keqja ime: më pëlqen të shfaqem iracionalist më shumë se sa jam në të vërtetë, kurse ti lëshon dyshimin se "mjer" unë që jam formuar i tillë. Të formohesh me rrugën autodidakte, do të thotë të zotërosh "dozat" e larta te përjetimit gjer aty ku nuk mban më "emëruesi i përbashkët", përndryshe rezultati i thyesës del = 1. I dredhoj natyralizmit, miku im! Bëre mirë që ma përmende dhe të falenderoj: nuk e kam shtrydhur ndonjëherë trurin për të ditur parametrat e praktiçizmit a iracionalizmit tim, por mos mendo se nuk e kam ditur që ky fenomen, (iracionalizmi, de!,) të ngre në havadan dhe nuk i shërben as politikës dhe as artit në përghithësi. Që të të mbush mendjen ty, fillimisht po të kujtoj fenomenin me qumështin kur e kthejmë në kos. Ti ke punuar në baxho (fabrikë bulmeti) dhe e di më mirë se unë pse majanë e kosit ia hedhim qumështit me pikatore ose me lugën e vogël të kafes. Pse enën e mbështjellim me një rrobë që ta mbajë ngrohtë, që të zhvillohen enzimat. Mirëpo, të dy çuditemi: si është e mundur që me disa pika a, me një lugëz kafe maja, kthehet i gjithë qumështi në kos. Ti më bën pyetje (provokuese sh.im) "çdo të ndodhë sikur majanë e kosit të deles t'ja hedhim qumështit të buallicës, të lopës, të elefantit, të gomaricës" dhe shkon gjer tek qumështi i pelës, që përdorin mongolët jo vetëm për kos, por edhe për verë. Këtyre çudirave s'kam si t'u përgjigjem, përveçse t'ja shkrep të qeshurës, ashtu siç më vjen për të qeshur sa herë lexoj poezi moderne, sidomos shqiptare, kur injektohen "maja" persiane, italiane, franceze, ruse, amerikane, etj.Thonë, unë nuk e kam provuar, se "majaja" poetike kineze apo japoneze, mezi ngjiz në bulmertin shqiptar dhe del një lloj kosi i thartë, që shkumbëzon dhe të mbetet në grykë si copë sfungjeri...
"Si është përcjellë në shekuj midis kombeve majaja e kosit?!"
Unë tu përgjigja: "majaja e kosit e ka zanafillën që në lashtësi, asokohe kur lëkura e njeriut ishte akoma e mbjellë me lesh, bishti nuk i qe rudimentuar dhe një grusht thëngjijsh të ndezur përcilleshin si dhuratë e vyer nga guva në guvë." Por unë, që të ta mbush mendjen ty, jam i detyruar të shtoj një të vërtetë tjetër, (jo ç'ndodh kur fërkohen dy re), por çfarë ndodh nga fërkimi i lodhshëm midis dy drurëve, gjersa njëri prej tyre zë e lëshon tym...Gjersa syri i njeriut shkoi tek eshka e thatë, kaloi goxha kohë. Ai, njeriu leshator e me pakëz bisht, e kuptoi se eshka digjet ngadalë dhe jep mundësinë që zjarri të çohet ca më larg se ai i trasportit me thëngjij... Pastaj eshka "kërkoi" masatin që bën xixa... Ehu, miku im, kaluan mijravjeçarë gjersa u shpik çakmaku me fitil e vajguri. Ma thotë mendja se pas çakmakut doli barruti dhe shkrepsja, ama, sot, në shekullin XXI, zjarrin e ndezim me një prekje butoni elktronik! Më fal se u zgjata... Kjo nuk është për fajin tim dhe "fajin" ia hedh praktiçizmit dhe mënyrës didaktive të përjetimeve.
Mirëpo mua, miku im, që të dalim aty ku kërkon ti, nuk më preu meraku si u shpik zjarri, por si u shpik majaja e kosit.... Që kur erdha në mentë e mia më ka munduar enigma: në ç'kontinent është zënë (bërë) për herë të parë kosi i vërtetë, si ky që shijojmë sot? T'i këmbëngul për në Ballkan, kurse unë po e supozoj se kosi është shpikur përqark Mesdheut. Mos gjë me këto pandehma të tuat e të mijat po çuditim botën? Që nga Mesdheu dhe gjer në Amerikë si erdhi e freskët maja e kosit kur e dimë se udhëtimi (asokohe) bëhej me anije me vela dhe duheshin të paktën gjashtë muaj? Që të mos hidhemi hu më hu si laraskat, asaj që të shqetëson ty, unë po i bije shkurt: i njëjti fenomen, (si ky me "majanë e kosit") ka ndodhur edhe me rrymat në art, por, ca më shumë me ato të të shkruarit të letërsisë, për të cilat edhe ti edhe unë ndodh "kruajmë kokën". Ti u binde kur unë të thashë se qumështi, kur vjetërohet, pavarësisht se e mbajmë në frigorifer, thartohet. Më thuaj të vërtetën miku im: ke provuar të pish, pa dashje, qumësht të "prishur"? Mos e dhëntë Perëndia të gëlltitësh një gllënjkë! Menjëherë do të të shkojë mendja se kështu, (i njëjti fenomen), ndodh edhe me rrymat e "thartuara" të artit në përgjithësi, por, ca më shumë me ato letrare... Unë kam "gëlltur" padashje qumësht të thartuar dhe thartësira më kujtoi se, si me të qeshur, fillohet çdo gjë në këtë botë: dashuria, urrejtja, luftërat dhe paqja. Në fund, çdo gjë analizohet seriozisht. "Si me shaka" lëshon ndonjë sinjal-dritë-enigmë Kulla Eifel dhe artistët e rinj fluturojnë drejt këtyre sinjaleve. U gëzohen atyre siç gëzohen fëmijët me xixëllonjat, gjersa kujtohen se edhe xixëllonjat janë jetëshkurta...Hahaaa, si me shaka dhe me të qeshur mori formë edhe kjo esse e majasë të kosit. Mirëpo... ku humoresseja dhe ku humorkritika?! Humorkritikën, miku im, unë e kam provuar. Ka të mirën e madhe: fillimisht "cimbis" vetveten, pastaj përmirësohesh për së mbari dhe të rikthehet e qeshura. (Besomë: e qeshura të zgjat jetën tënde e të të tjerëve) "E keqja e vogël kush është," më pyet ti, miku im dhe unë, për hatrin tënd, e lashë pa mbaruar essenë për "majanë e kosit" dhe shfletova Tabelën e Mendelejevit. Ktheva e përmbysa në eproveta të gjitha elementët, i vura nën prush eshke, gjersa veçova zhivën. Elementi më çudifantastik! Të betohem: Zhiva ja mer edhe majasë të kosit! (Po të tregoj sekretin në vesh: "artistët, por sidomos shkrimtarët dhe poetët janë më të ndjeshëm se zhiva! Mjafton (një fjalë lavdëruese...) ore, një çerek gradë të ngrihet temperatura dhe zhiva ndron përmasën! Prandaj ajo, zhiva, miku im, mbeti e pazëvëndësueshme me ndonjë element tjetër më të ndjeshëm ndaj temperaturave të motit dhe lavdkritikave të artit.
Sa afër janë majaja e kosit me zhivën, aq larg është humoresseja me humorkritikën, por, shumë, shumë larg, miku im, të çojnë parametrat e termometrit me zhivë nga ai me sustë!
Mirëkuptim!


Comments (0 posted):

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
5.00
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1