Newsletter
Email:
Poll: Letërsia
Cili është lloji juaj i preferuar i letërsisë?
Home | ESE | QAJ, DHE TI QAN FILLIKAT

QAJ, DHE TI QAN FILLIKAT

Font size: Decrease font Enlarge font
image Mihal Gjergji

QAJ, DHE TI QAN FILLIKAT

                 Ese

                ..........

“Të rrosh, a të mos rrosh?” Kjo është dilema hamletiane. Edhe njerëzore. Të rrosh, por të pranosh fatin tënd prej të përunjuri. Kush je ti, që mund të guxosh të zgjedhësh, të kërkosh minimum jetik, prona dhe punë, liri mendimi, liri fjale dhe publikimi? Ti je askushi. Ti vetëm duhet të dëgjosh dhe të bindesh. Mos e kthe kokën mbrapa. Nga kujtimet e hidhura shtohen lotët. Po lotët e tu s’i blen askush. (Sikur të shiteshin lotët!). Mos kërko largësitë me shikimin tënd, as lartësitë. Rruga nëpër të cilën do ecësh është paracaktuar. I vogli ecën me këmbët e madhit. As lutje s’duhet të bësh. Mos u gënje nga kryqet dhe minaret. Lutjet e tua s’dëgjohen. As pranohen. Zoti, janë “Ata” lartë. Mos guxo të pyesësh se kush janë ata, ç’emra kanë, ç’bindje, ç’përkatësi. Çfarë gjaku, kombësie apo shtetësie kanë, s’është puna jote. Ti je kurrkushi dhe duhet të ruash masën. Kufiri yt është dera e kasolles, porta e bunkerit, hyrja e pallatit apo ara ku duhet të rropatesh. Vetëm kaq. Mund të flasësh me veten, por me zë të ulët, se shqetëson të tjerët. Edhe mund të shkruash, vetëm kujdes; zgjidhi fjalët, emrat, foljet, përemrat –veçanërisht ata pronorë. Konsultou me ligjin. Hapi defterët e shtetit dhe mos harro; ruaje masën. Mos vallë do ndryshosh botën me mendimet e tua? Sigurisht që jo. As Marksi s’mundi. Kush e konsideroi Robespjerin, Dideroin, Volterin, Hegelin, Dyringun, Fojerbahun? Kush i referohet Shopenhaurit? Vetëm rinia, por të rinjtë le ta mbushin shportën e ëndrrave, s’ka problem. Kupën e zhgënjimit do ta pinë më vonë, por do ta pinë ama, kjo është e sigurt. Ja pra, këto mjaftojnë që ti të mësosh se çfarë duhet të shkruash. Unë jam me thinja dhe vazhdoj të bëj gabime. Shkoj në shtëpinë botuese për të publikuar librin e radhës. -Posi, më thotë pronari. Në dorë mban shishen e rakisë, mbush kupat dhe më fton të ulemi. Nuk pi, i them, jam në punë.–Mbajmë raki të mirë si fshat, vazhdon bisedën efendikoi me mbiemrin Vllah-mos! Vërtet, ai s’vlen as për kundërshtar, jo për vëlla. Shtypshkronja e tij është një thertore e frikshme, një kasaphanë. Brenda saj, seicili mund të bëjë çdo punë, por asnjerën të saktë. Largohem me barrën e trishtimit me vete. Trokas te një tjetër shtëpi botuese. Ai që fton myshteritë është një fshatar me emrin e një poeti të madh, i cili i ka kënduar bukurisë shqiptare, por vetem emerin kane te perbashket, asgje tjeter! Pyetja e parë që bën zotëriu është për shkollimin, pastaj për publikimet e tua. Ndërsa s’ka drojë të njihet me materialin pa të pyetur fare. Vazhdimi i bisedës është më interesanti. Më lë të kuptoj që di të përzgjedhë autorët, të ketë klasë të lartë, të marrë diçka nga lavdia e tyre. Pret të ringjallet Homeri, të trokasë në zyrën e këtij mjerani dhe t’i kërkojë ndihmë për të botuar “Iliadën”. Çudi! Të dështuarit në fushën e artit, janë bërë tregtarë të kulturës. Një i tillë i paskrupullt është edhe ky, zotua pa zot. Ndjehesh si në kullën e Oroshit. Përballë ke bajraktarin e radhës. Hija e kanunit nderet si qefin mbi bukurinë e artit. Ndërsa unë vazhdoj me këmbëngulje në rrugën time. Shkruaj për vendin tim pa nguruar aspak, me shkronja të mëdha: “Shqipëria jonë”, për visaret e saj, për mënçurinë e këtij populli fatgremisur, për filozofët, mendimtarët, shpirtin e tij prej floriri. Shkrimin tim e merr gazeta, e faqos, pastaj kujtohet për emërin e autorit dhe ndalon. Diskutojnë krerët e redaksisë në orët e vona, si ilegalët. Mos u bëni kurreshtar të dini se kush ishin; ‘koçimarja’, ‘thana’ apo ‘kumbulla’. S’ka rëndësi. Lëngu i tyre, po të fermentohet, të deh, të heq turpin, siç thotë një miku im, të bën të flasësh shpenguar. Punë e madhe, le të jetë ora 19 apo 20. Gjëndet koha për ta shtypur gazetën. Vendosin lente zmadhuese. Ou! Paska shkruar për Sami Frashërin, kërkon të na prishë marrëdhëniet vëllazërore me Turqinë…Ka bërë objekt gjykimesh shenjtërinë e malit të Tomorrit, djepin e Dodonës pellazge. Po kjo do mjaftonte të mërzisnim fqinjin jugor, të na mallkonte ‘Fortëlumturia’ e tij…Paska shkruar për bujqit dhe blektorët, për nënat dhe fëmijët e shkollave…Ky është poet rrebel, është kritik që di të maskojë qëllimet me fjalë të bukura, lexohet nga një masë e madhe. Të mos ta publikojmë…Kështu vendosën “Ata” të redaksisë. Dhe kanë të drejtë. Askush s’pengon të shkruash, por unë s’rrëmova në kujtesë. Fajin e ka pleqëria! Asnjë gjëmb në këmbë s’të hyn nëse shkruan për cicat e top modeleve, për tangat e këngëtareve, për shalët e miseve. E kush s’i ka lakmuar ato? Shumë Çezarë janë vithisur mes atyre shalëve. Shumë mbretër, që s’i thyente shpata, pikërisht atje kanë nëshkruar kapitullimin. Keni shëtitur në metropolet e botës? Keni parë kund ndonjë shitore të reklamojë apo shes moral? Ende s’janë hapur të tilla. Bukuria femërore meriton të reklamohet, por unë s’kam sy për ta parë. Dhe këto shkrime kërkohen nga të gjitha gazetat, lexohen me një frymë, pëlqehen nga të gjithë. Mos vallë Migjeni e bëri mbretin e kohës së tij të mbytej nga dëshpërimi, oborrtarët të shikonin me dhëmbshuri shitësit e qymyrit? Jo dhe jo! Gjëja që nuk ndreqet, hidhet. Kështu thotë populli, dhe unë i besoj atij. Sa herë jam betuar me veten se duhet të këndoj, gjithmonë më pushton harrimi. Kur shkoj të paguaj kredinë në bankë, lekët e dritave, gjobat e makinës, taksat e gjelbërimit, gjithmonë harroj të këndoj. Mirë të më bëhet. Njeriun e trishtuar s’e duan as në familje. Atë që i këndon krenarisë apo dhimbjes, s’ka arsye ta dojë botuesi. Ne vetëm duhet të këndojmë. Unë fillova, që sot. Dhe këtë punë do bëj çdo ditë, çdo orë. A nuk shkruante poetja e mirënjohur amerikane Ella Welerë Uicox:

“Qesh dhe bota qesh me ty
Qaj, dhe ti qan fillikat”

..................................

(Nga Mihal Gjergji)

Comments (0 posted):

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
5.00
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1