Newsletter
Email:
Poll: Letërsia
Cili është lloji juaj i preferuar i letërsisë?
Home | ESE | ARS LONGA,VITA BREVIS

ARS LONGA,VITA BREVIS

Font size: Decrease font Enlarge font
image Resmi Omani

ARS  LONGA,VITA BREVIS

 Esse  Resmi Omani

Në 5 maj kam ditlindjen. Mbush shtatëdhjetë e tetë vjeç. Sa shumë do të thotë një i ri, ende janë pak, një i moshuar. Edhe pse një ditë e zakonshme për shumëkënd, për mua është një ditë që më vë në mendime. Ditlindja përjetohet në mënyra të ndryshme: Kur festojnë ditlindjen të vegjlit gëzohen dhe mezi presin që të rriten,të rinjtë nguten  të burrërohen, vashat të bëhen nuse, burrat  i trishton mendimi se po plaken  dhe pleqtë me falnderim krijuesit që i ka lënë të jetojnë ende edhe pse ecin në fushë të minuar!

  Kjo esse, i ngjan një interviste me vetveten, por më së shumti një rrëfimi, për një aspekt të veprimtarisë sime, mjë rrëfim për vete, pasi nganjëherë e kemi të nevojshme të rrëfehemi, sepse rrëfimi e shkrin akullin që ftoh zemrën dhe mpim mendimin.     

  Vjen një ditë, ku secili kthen vështrimin në të shkuarën i bën vetes shumë pyetje dhe bën një kqyrje të jetës së mbetur pas. Pyetja ”A kam qenë i lumtur” më së shumti mbetet pa përgjigje. Si u jetuan këto vite? Me se u mbushën, ç’farë lamë pas, ç’farë mbeti prej tyre? Përgjigja është një ekuacion i vështirë e i ndërlikuar për ti dhënë zgjidhje. Në njerën anë të barazimit vendosen rastet e lumtura e të dobishme, në tjetrën të vështirat e të palumturat. Në çdonjerën ka kulme por edhe vija horizontale. Në këtë algjebër të jetës, kur pluset mbisundojnë mbi minuset, e mira mbi të keqen, gëzimi mbi dëshpërimin, kur ne kemi vënë një tullë në ngrehinën e shoqërisë dhe kemi mbjellë ca rrënjë pemë në kopshtin e jetës, bindemi se jeta jonë ka  qenë e dobishme dhe  e jetuar me nder.

     *  *    *

  Përse u përfshiva në letërsi?    

 Pyetje që ja bëj vetes, por edhe për lexuesit e mi. Cilat ishin motivet dhe shtysat qe jeta mori këtë rrjedhë? Formimi im professional dhe arsimor i takon shkencës bujqësore, agronomisë. Në këtë fushë mbaj gradën doktor i shkencave dhe Titullin Profesor. Kam punuar shumë vite në ekonomi bujqësore të rrethit të Beratit si agronom, dhe pas vitit 1976 në Tiranë me detyra  drejtuese në administratën e lartë shtetërore dhe kërkues shkencor e mësimdhënës  në Universitetin Bujqësor. Kam shumë botime e studime në kete veprimtari dhe po tu besoj vlerësimeve të kolegëve, një emër të mirë midis specialistëve të asaj fushe. Ca kohë u angazhova edhe në politikë,por u tërhoqa shpejt, që të mos bëhesh pis. Isha politikan i dështuar. Jo kushdo mund të bëhet politikan!

    Në vitin 2006, nisi për mua  faza e dytë e jetës.  Më nxorën në pension pleqërie. Normale: “Mbushe moshën, boll ke punuar, shko çlodhu dhe lerua vendin të rinjve!” Për shumëkënd, dalja në pension përjetohet keq. Por për një intelektual, ka një të mirë të madhe, pavarësi të plotë personale dhe liri për ta përdorur kohën sipas dëshirës dhe disa synimeve që i ve vetes. Për dituritë dhe përvojën në fushën e profesionit tonë, me gjithë dëshirën e mirë për të mos u shkëputur, në katandisjen e bujqësisë, nuk kishte më interes. Shumë nga ne, dijetarë të kësaj fushe, u lam mënjanë si guna e vjetër. Një shtysë tjetër, ishte vendlindja ime, Çameria e dashur, e paharruar.Si intelektual, isha borxhli ndaj saj, dhe kete borxh, aq sa mund ta laja, ishte krijimtaria, ku ngjarje dhe personazhe do t’i perkisnin asaj.

      I bëra vetes pyetjen: Po tani, o njeri? Të vegjetosh,të pish  kafe dhe të bësh llogje me pleqtë që luajnë domino në stolat e lulishtes? Për natyrën time, të mësuar me punë, ishte e papranueshme. Për të qënë shoqërisht i dobishëm dhe i zënë me një punë të përditshme, sepse për bindjet e mia jeta pa punë është si jetë e pajetuar. Pas disa hezitimeve e gjeta zgjedhjen te letërsia, që ishte dashuria ime e vjetër, dëshirë e viteve të rinisë së hershme. Një fushë me hapsira të pafundme ku me pak talent e shumë punë e durim, përftohen të korra të begata. Në të ritë e mi kisha shkruar dhe botuar nga pak(në atë moshë të gjithë janë poetë) dhe ky pasion nuk mu nda gjithë jetën. Meqënse jeta ime mori tjetër rrjedhë, dashurinë për letërsinë e mbusha me leximet e shkrimtarëve dhe poetëve tanë dhe të huaj, që në vitet 60-80 qenë të bollshme. 

     Erdhi koha dhe rasti ta vija veten në provë, ishte si një bast me vet-veten. Zonja ime e ndjerë u tregua mirkuptuese, dhe për këtë i kam qenë mirnjohës, ndërsa djemtë mosbesues. Për ta isha i vjetër për t’i hyrë një veprimtarie të re që të tjerët e nisin që në rini. Ndoshta kishin të drejtë, por nuk u tërhoqa. Si pajë unë i sillja krijimtarisë një përvojë jetësore mbi dyzet vjeçare. Tanimë u bënë afro trembëdhjetë vjet që shkruaj e publikoj. Ja edhe botimet me titujt e librave: “Jeta e Bedri Lumanit”biografi e letrarizuar e një mjeshtri dhe miku, që u prit shumë mirë, për të vijuar më pas me “Kumte nga kohë të largëta” esse nga kohët homerike dhe biblike,”Bisedë me shokët”, portrete të bashkstudentëve dhe kolegëve të mi, shumë prej tyre  me kalimin e viteve u bënë njerëz të shquar; ”Lule në gur”,roman biografik,për figurën e agronomit të shquar në lëmin e vreshtarisë,Todo Gjermani dhe në vijim: Romanet historikë ” Mbretërimi i Pirros së Epirit”, “Aleksandri I Madh-miti dhe njeriu” dhe “Mbretëresha Olimpia”, një trilogji mbretërore, për të vijuar me “Teutën e Ilirisë” dhe novelën “Ditët e sprasme të mbretit Gent” të para në këndvështrimin e historiografisë së sotme shqiptare për ilirët dhe Ilirinë. Përfundova dhe bëra gati për shtyp romanin “Pas Trojës”. Në fushën e kritikës dhe studimeve letrare: ”Bilal Xhaferri, poeti i shpirtërave njerëzore” dhe “Ëndrrat e ngrira të Enver Kushit”. Në tregime: vëllimi “ Edhe yjet vdesin” mbi bazën e folklorit çam, për shpirtin çam.  Romani “Koha e çudirave” një roman me temë bashkëkohore, hiperbolik e grotesk për paradokset e tranzicionit tonë të pafund, publikova vëllimet me tregime”Fajin e kishte hëna” dhe “Letër Mbretit”, ku përfshihen afro pesëdhjet tregime.Kam përfunduar novelën “Kukulla e pallatit të mermertë”, ”Udha e dhimbjes” dhe “kënga e Tokës” dhe tridhjetë tregime që mendoj të botohen si vëllim më vete., që presin  radhën për botim, por që  të shumtat janë publikuar te portalet elektronike “Gazeta Kritika” , “Fjala e lire”,” Kosovari media”,”Zemra shqiptare” dhe portale të tjera.

     Janë shumë, do të thoshte N. Abilekaj, (te komenti për tregimin “Edhe ti o Brut)dhe ka te drejte. Më mirë pak e sakt. Por, gjithmonë ka një por, sepse brenda sasisë lind edhe cilsia. Me  ketë denduri botimesh, lexuesi sado dashamir, nuk na ndjek dot, por duhet të më mirëkuptoni, gjithë ky ngut,për të thënë të pathënat, në rastin tim, ka dy shkaqe,(nëse mund të quhen te tilla) lidhet me kohen e humbur, qe rrok afro dyzet vjet dhe me fundin që duam apo s’duam, po afrohet!

*    *      *

Metoda e punës dhe disa koncepte.  

     E ndjej veten pak në zor kur më duhet të jap  mendime për letërsine, sepse  jam një letrar disi i vonuar që gjithsesi nuk guxoj ta quaj ende veten shkrimtar,(megjithëse kanë filluar të më cilsojnë si të tillë)se kjo është fjalë e madhe, që vjen pas botimeve të vlerësuara e mirëpritura nga lexuesit dhe kritika, dhe krijimit të profilit dhe individualitetit krijues të spikatur, porse unë jam një intelektual, që ka dëshirë të shkruajë dhe krijojë, ngaqë e pëlqen dhe e do letërsinë, për hir të kënaqësisë estetike dhe vlerave njohëse që ajo i ka dhënë dhe mendon, se ka njëfar prirje për tu përcjellë lexuesve ngjarje nga përditshmëria dhe historia, ide dhe mendime, të veshura me petkun artistik të shqipes së bukur. Megjithatë, për moshën dhe përvojën jetësore që kam, pas trembëdhjetë vjet pune në fushën e letrave  me afro 2500 faqe botime, të përfshira në pesëmbëdhjetë tituj librash, pa folur për publicistiken essetë dhe studimet, them me modesti se më lind e drejta të shpreh diçka nga përvoja dhe gjykimet e mia , ashtu siç kanë vepruar edhe mjaft krijues të tjerë, sepse çdo krijues ka përvojën dhe metodën e tij. Kjo përbën të veçantën dhe domethënien e krijimtarisë. S’është e thënë që ajo tu shërbejë plotësisht të tjerëve, por elemente të veçantë edhe mund t’u jenë të dobishme, ashtu si më ka ndihmuar edhe mua përvoja e të tjerëve.

  Kam nderim dhe e vlerësoj krijimtarinë e shkrimtarëve dhe poetëve cilsorë. Tërmonë i kam parë si magjistarë të fjalëve, si vizionarë, pse jo edhe pak si profetë. Dinë të shohin te dukuritë natyrore e shoqërore e të jetës njerëzore atë, që është e veçantë, kanë dhuntinë të zbulojnë te e zakonshmja të pazakonshmen, te e parëndësishmja, të rëndësishmen, janë të aftë të gjejnë të bukurën edhe atje ku të tjerët nuk e shohin. Kqyrin thellë shpirtin dhe mendjen njerëzore, psikologjinë dhe filozofinë, ato forca morale e humane, apo të errëta e demoniake, që venë në lëvizje veprimin, që e bëjnë njeriun të vuajë apo të gëzojë, të lumtur apo fatkeq, me besim te jeta apo zhgënjimin prej saj. I japin lexuesit anët e fshehta dhe misterin e qënies dhe të jetës, të atyre forcave që shtyjnë përpara jetën dhe shoqërinë, mundësinë e të parit të dukurive dhe kundërshtive të jetës në këndvështrimin artistik, të dritësuar dhe e bëjnë të mendojë  për të nxjerrë mësime dhe përfundime,  që shpesh u ndryshojnë jetën. Për mua, kjo është forca e artit të vërtetë. Lumë kush e arrin.   

      Komunitetin e shkrimtarëve dhe poetëve i bashkon dëshira e përbashkët e të bërit letërsi.Por jemi kaq të ngjashëm dhe po kaq të ndryshëm, ngaqë vijmë nga krahina e mjedise të ndryshme, secili ka individualitetin e tij, cilsi dhe veçori që e bëjnë të dallohet, përvoja jetësore të ndryshme, pse jo edhe formime e studime të ndryshme arsimore e kulturore, parapëlqime  për metoda dhe rryma të ndryshme letrare e artistike. Gjithë këto e të tjera, e bëjnë krijimtarinë të jetë mjeshtëri e larmishme dhe të veçantë, qoftë në aspektin tematik por edhe atë stilistik dhe ideor. Kopshti i letërsisë kësisoj nuk njeh dimër dhe mbushet me lule, ku secila ka bukurinë dhe hijeshinë e saj. Në këtë kopsht gjithkush mund të gjejë dhe zgjedhë  për buqetën e vet letrare atë që i pëlqen.

*     *    *

     Pasi të kem zgjedhur subjektin dhe rrjedhën e ngjarjes apo ngjarjeve, mbi bazën e një përfytyrimi të qartë për atë që do të bëj, nis të shkruaj. Nga profesioni unë jam bujk. Letra e bardhë është ara ime. Përpiqem ta lëvroj mirë e me kujdes, kur ajo të ketë ardhur në vlagën dhe ngrohtësinë e duhur. Fjalët janë fara që mbjell në të. I zgjedh ashtu siç zgjidhet fara e mirë, u shërbej që bimët e mbira të jenë të shëndetshme, i ujit me vlagën e mendimit, i ushqej me dashurinë e shpirtit, që të japin lule të bukura dhe fryte të hijshme si lulet e tyre. Shkruaj për subjekte që i njoh mirë, e kundërta më lodh dhe shpenzon shumë kohë. Në gjinitë e gjata bëj një skicëide orientuese, por që shpesh nuk i qëndroj besnik, sepse nganjëherë ngjarjet dhe personazhet më dalin duarsh dhe bëjnë ashtu, si ata apo ato e mendojnë dhe unë u bindem instikteve të tyre, përndryshe ata nuk do të ishin të vërtetë. Shkruaj pa ngut, me kujdes, duke synuar të bukurën dhe të thjeshtën. E bukura arrihet, aq sa mund të arrihet, me gjuhën dhe fjalën e zgjedhur, me të cilat shqipja jonë është e pasur. Lodhem së kërkuari dhe së gjeturi fjalën, midis shumë sinonimeve, qofshin ato edhe dialektore, që ajo të rrijë mirë në fjali dhe të ketë harmoni dhe efekt tingëllues, por shpesh nuk e arrij dhe kjo më mërzit.  Jam pothuajse puritan dhe shmang sa të mundem përdorimin e fjalëve të huaja, që i ngjiten shqipes si mish i huaj. Respektimi i normës së gjuhës standard, që për mua përbën një kriter dhe vlerëtë çëmuar, nuk më pengon të zgjedh dhe përdor fjalë dialektore, të  gjithë krahinave kur ato janë tingëlluese dhe shprehëse. Ka raste që përdor edhe fjalëformimin, që gjuha jonë e ka si mundësi potenciale, por pa teprime. Si të thuash, e zgjedh fjalën, e kaloj në sitë, që krundet të mbeten sipër.

  *   * *   

      Për gjuhën, është folur dhe shkruar shumë. Mendimi im është se fitorja më e madhe e arritur ne gjuhën shqipe është ajo e njësimit, shqipja normative, apo siç e quajnë standarde, e vendosur dhe miratuar dhe pranuar një zëri në Kongresin përkatës. Një shqipe letrare, jo dialektore, por që i mban brenda vetes  të dy dialektet e mëdhenj. Kam dëgjuar gjuhëtarë, që janë tolerantë dhe kanë deklaruar se shkrimtari mund të shkruajë si t’i pëlqejë, në dialekte apo në shqipen standarde. Nuk jam i atij mendimi dhe ja përse: në ditët tona, pas pavarësimit të Kosovës, rritjes së ndjenjës kombëtare në të gjitha trojet ku jetojnë shqiptarët, përhapja e mërgatës nëpër botë dhe zhvillimet kulturore, është krijuar një hapësirë letrare sa reale dhe virtuale mbarëshqiptare, por edhe një treg i librit. Librat tanë gjenden dhe lexohen edhe në Kosovë, Iliridë, Preshevë e Bujanovc. Që autorët të shijohen e kuptohen e të ngjallin ndjenja ideoestetike, duhet të shkruajnë në gjuhën letrare normative. Shkrimtari, prozatori apo poeti, folësi i televizioneve, moderatori i veprimtarive, duhet të jetë model nxitës e frymëzues për lexuesin apo dëgjuesin, që të pranojë dhe shkruajë e përdorë gjuhën standarde. E kam thënë edhe në një shkrim timin, kur kam lexuar romanin e Albina Idrizit”Për një mëngjes ndryshe”, po të mos e dija që autorja ishte nga Kosova, këtë nuk do të arrija ta kuptoja nga gjuha e romanit.Dua të jem i sinqertë, nuk më pëlqejnë, poezitë e shkruara në dialektin gegë, që më së shumti janë të folme të një rajoni apo të një katundi. Të njëjtën do të thosha edhe për një prozator, që u vë në gojë personazheve të folmen arkaike e të shtrëmbëruar të fjalëve vendore ,për ti bërë ata të duken origjinalë. Lexuesi nga Kosova etj. nuk i njjeh ato fjalë, ato mbeten të huaja dhe të pabukura për të. Le të mos harrojmë që edhe autorë që kanë shkruar në gegërisht, si Mjeda, Migjeni, Pashko Vasa, kanë shkruar me një shqipe dialektore të zgjedhur të ngritur në status letrar, e cila pëlqehet dhe lexohet sot e kësaj dite nga çdo shqiptar, pavarsisht se kujt dialekti i përket e folura e tij.

                                                                  *    *   *

          Punoj me shumë kujdes për gjuhën, sidomos për prozën e shkurtër, ku trajtoj si rregull momentet ideoemocionale, psikologjike dhe filozofike të personazheve, të cilët janë nga shtresa të ndryshme të shoqërisë, njerëz të zakonshëm, që ndeshen me prapësitë e jetës, me fate tragjike, por edhe njerëz në nevojë. Nuk pretendoj që ata të jenë tipikë apo përfaqësues, por individë, pjesë e shoqërisë sonë dhe e ngjarjeve të perditshmërisë, të besueshëm, që lexuesi i ka hasur në mjedisin shoqëror,  apo ka  dëgjuar për ta. Më duket i tejkaluar mendimi  i trajtuar në teorinë e letërsisë, që çdo personazh duhet të ketë tërësinë e vetive përfaqësuese të grupit të vet. Jo. Ai duhet të jetë vetvetja, një individ me botën pikpamjet dhe veprimet e veta, qofshin ato edhe jo të zakonshme. Në tregimet dhe prozën e shkurtër, pëlqej që të rrok një fraksion të jetës dhe të kohës së personazheve, një moment kulmor, tragjik apo dramatik ku ngjarjet  zhvillohen shpejt dhe personazhet vihen në provë, por edhe fragmente jete, disi prozaike, por  me veçanti, që i bëjnë personazhet disi të dallohen nga të tjerët, që e bëjnë lexuesin të mendohet, ta ndjejë veten pjesmarrës në ngjarje, t’i duket se ai diku i ka hasurdhe të rrokë mesazhin.

     LEXO TE PLOTE KETU

Comments (0 posted):

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
0
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1