Newsletter
Email:
Poll: Letërsia
Cili është lloji juaj i preferuar i letërsisë?
Home | ESE | Buronjat e kujtimeve

Buronjat e kujtimeve

Font size: Decrease font Enlarge font
image Tasim Gjokutaj

Sot është 74 vjetori i lindjes së Tasim Gjokutajt. Pas një jave bëhen 20 vjet nga vdekja e tij. Se im vëlla iku para kohe, jetoi vetëm 54 vjeç. Sa më e shkurtër jeta, aq më i gjallë kujtimi, thoshte poeti. Dhe Tasimi do kujtohet gjatë. Jo pse vdiq herët, por se bëri një jetë që rrezaton në çdo anë që ta shohësh, si të ishte prizëm prej qelibari. 

E arriti çdo gjë duke u ndeshur dhemb për dhemb me rrethanat. Në adoleshencë u sëmur nga zemra. Rininë e kaloi thuajse të gjithë në lëngatë, herë në spitale e herë në shtëpi. Mjekët i dhanë vetëm pak vjet jetë. Kur vdekje të duket e afërt, kur të mungon çdo perspektivë, s’të mbetet veç ta mbyllësh kapitullin e së ardhmes. Pushon përpjekjet, lëngon sëmundjen dhe qan taksiratin, që të ra në pjesë.

Tasimi s’ndoqi këtë rrugë. Pavarësisht sëmundjes vazhdoi shkollën e mesme me korrespodencë, pastaj njësoj edhe të lartën. Më vonë, pak vjet para se të vdiste, mbrojti edhe doktoraturën. S’reshti së nxëni deri në ditët e fundit.  Qysh herët ndiqte moton: puno sikur do jetosh 100 vjet, por gëzoje jetën sikur do vdesësh nesër. Këtu, te gëzimi i jetës, te optimizmi, do kërkuar mbase një nga sekretet e ngadhënjimit të tij. Aguridh dhe skeptik siç isha, e paragjykova në mes të viteve 1960, kur vendosi të martohej. Të martohesh, kur s’je i sigurt se do jetosh, më dukej guxim i tepruar, madje edhe një farë egoizmi. Tasimi kuturisi dhe koha i dha të drejtë. Falë guximit, dega e tij nuk mbeti cung në pemën e vëllazërisë tonë, por gjelbëron, rritet e do të rritet.

E ndihmoi fati, mund të thoshje. Por fati nuk ndihmon dokëdo. Ndihmon ata që guxojnë e përpiqen, por sidomos ata që kanë vullnet të punojnë e të vetrealizohen. Kur e la këtë jetë, Tasimi ishte vetrealizuar si baba e si gjysh, si pedagog e si aktivist shoqëror, si poet i talentuar, por edhe si mësues, me dhunti të veçanta për të komunikuar me të vegjëlit, jo vetëm në vjersha por edhe në përditshmëri.

Parë kështu, Tasimi hyri natyrshëm në letërsinë për fëmijë. Sot renditet ndër poetët më të mirë të kësaj letërsie. Librat e tij botohen e ribotohen. Sado përpara të bëjë teknologjia, sado të sofistikohen filmat e animuar dhe videolojrat, fëmijët do t’i kthehen e rikthehen dashurisë së hershme të njerëzimit, dashurisë për fjalën, përrallat, vjershat e kallzimet.

Ndaj jam shpresëplotë se edhe vjershat e poemat e Tasimit do vazhdojnë të lexohen. Do pëlqehen për subjektet e rrjedhëshme e plot peripeci, për personazhet çamarroke e gjithë humor, për vargun që rrjedh mes ritmesh të këndshme e rimash lodruese, për shqipen e thjeshtë e gjithë nur.

Sa herë hyn prilłi, dua të besoj se Tasimi është gjallë. Si mund të quhet i vdekur një njeri që vazhdon e flet?

Dhe s’flet me dokëdo, por me fëmijët, me burrat dhe gratë e nesërme, me të ardhmen. Atë të ardhme që ne trembeshim se do ta kishte të limituar në 3-4 vjet.

( Nga cikli ‘Buronjat e kujtimeve’ )

Comments (0 posted):

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
5.00
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1