Newsletter
Email:
Poll: Fjala e Lire
Si ndiheni tek Fjala e Lire?
Home | ESE | ABAZ KUPI, NJË TJETËR KULM TRIMËRIE

ABAZ KUPI, NJË TJETËR KULM TRIMËRIE

Font size: Decrease font Enlarge font
image Luan Çipi

ABAZ KUPI, NJË TJETËR KULM TRIMËRIE

(në 42 vjetorin e vdekjes)

Nga Luan Çipi

Abaz Kupi, i njohur për shumë kohë si “Bazi i Canes”, ishte një tjetër personazh i rëndësishëm që dominoi situatën politike në Shqipëri, me kulmin e vet në rezistencën e organizuar po me nismën e tij personale, ndaj pushtimit fashist Italian të 7 prillit 1939. Pavarësisht se, qysh herët, ai e deklaroi veten “Legalist” dhe betohej për ish Mbretin Zog, (shiko fjalën e tij në shtatorin 1942 në Konferencën e Pezës), këtë deklarim fillimisht do ta konsideroja më shumë vetjake dhe pa lidhjen dhe vartësinë direket, sepse Zogu, nuk denjoi dhe nuk dha asnjë urdhër për ta kundërshtuar ushtarakisht pushtimin, por u largua jashtë Shqipërie, me gjithë shpurën dhe familjen e tij. Kjo nismë e guximshme vetjake, nuk ja ul vlerat Abaz Kupit, përkundrazi, rezistenca e tij heroike dhe përleshjet e më pasme, në gjirin e Frontit Nacional-Çlirimtar dhe veças, (pa theksuar përkatësitë e aderimit), e bënë atë një Atdhetar me emër të madh dhe me kontribut konkret. Mandej duhej thënë e përsëritur, se në fillimet e luftës antifashiste, nuk njihej tjetër lider më i shquar se “Bazi i Canes”, aqsa kur ra heroikisht në luftë, dëshmori i pare komunist, Qemal Stafa, kënga e popullit i këndohej me thirrjen e dhimbshme “ngrehu Qemal nga varri, të pret Bazi i Canes”.

Ja si shkruan vetë Abaz Kupi për rezistencën e 7 Prillit 1939:. “Kur anijet e armikut arritën pranë molos, i lashë fashistët të zbrisnin në tokë, madje dhe të na afroheshin nja 200 metra. Atëherë dhashë urdhër që të hapej zjarr kundër tyre. Kështu, në ora 4 të mëngjesit kishte filluar një betejë e vërtetë. Gjatë këtyre luftimeve, të tre sulmet e tyre të njëpasnjëshme i zmbrapsëm, duke i detyruar agresorët që të ktheheshin e të futeshin sërish nëpër anijet e tyre. Gjatë sulmit të katërt, armiku, duke vënë në përdorim të gjithë mjetet dhe forcat e tij luftarake që dispononte, u përqendrua në një sulm të përgjithshëm kundër krahut tonë të djathtë. Në këtë mes, ne, duke mos i pasur mjetet e nevojshme gjatë 6 orë luftimesh të përgjakshme dhe të pandërprera, qemë të detyruar që të tërhiqeshim”.

Abaz Kupi lindi në lagjen Varosh të Krujës më 6 gusht të vitit 1892 në një familje që e kishte origjinën nga Kurbini. Ai qysh në moshë të re 22 vjeçare, në nëntor-dhjetor të 1914, bashkë me “Parinë e Krujës” vendosin dhe marrin aksione konkrete kundër “Lëvizjes së Shqipërisë së Mesme”, që me sloganin “dum babën”, përkrahën përpjekjet e para për forcimin e Shtetit Shqiptar, të krijuar nga Ismail Qemali dhe që bënte hapat e para të konsolidimit, me  në krye Princ Vidin.

Me formimin e Qeverisë Kombëtare të Lushnjës, Abaz Kupi, së bashku me Bajram Currin e Ahmet Zogun,  mori pjesë në luftën kundër malazezëve në Koplik, në përpjekje e gjata për të bashkuar Shtetin Shqiptar. Abaz Kupi merr pjesë në kryengritjet e Mustafa MerlikësBajram Currit dhe Elez Isufit në shkurt-mars të vitit1922, kur edhe u konfrontua me Ahmet Zogun, por duhet thënë se gjatë kryengritjes Fanoliste të Qershorit 1924 ai, qëndroi neutral.

Kapiteni Prenk Pervizi, miku i tiji afërt, ishte ai që e afroi me Zogun, i cili më vonë e ngarkoi të shërbejë si Komandant i Xhandarmerisë në Krujë me gradën e kapitenit Kjo detyrë e rëndësishme, zyrtarizoi ndikimin e Bazit në vendlindje dhe konsolidoi karrierën e tij të ardhshme ushtarake, deri te grada e gjeneralit.

Kështu, më vonë, në vitin 1934 u gradua major dhe shërbeu në Durrës me të njëjtën detyrë.

Në ditët e agresionit fashist italian kundër vendit tonë, më 7 prill 1939, Abaz Kupi, me inisiativën e tij, udhëhoqi qëndresën e repartit ushtarak të Durrësit, qëndresë e cila e shndërroi  atë në një ikonë.

 Abaz Kupi, me pushtimin e Shqipërisë, u largua në Stamboll të Turqisë, ndërsa në qershor të vitit 1939 familja e tij, e  përbërë nga tre djemtë Petriti, Rustemi e Fatbardhi, bashkë me nënën dhe motrat, u internua në Himarë dhe pas disa muajsh, u internua në Itali. Në fillim u mbajt e burgosur në qelitë e burgut  të Brindisi-t, izoluar plotësisht. Më pas u dërguan në një kamp internimi në Siena, deri në vitin 1942, kur u lanë të lirë për të  banuan pranë t'afërmve, te familja e Sejfulla Merlikës.

Me hyrjen e Britanisë së Madhe në Luftë, si një alternativë oportune, u pa edhe mundësia e krijimit të rezistencës antifashiste në Shqipëri. Me këtë synim, Abaz Kupi, i rekomanduar  nga shokët e tij, kalon nga Turqia për në Beograd,  kryeqytetin e Jugosllavisë, i pritur dhe ndihmuar nga miku i hershëm, Gani Kryeziu. Aty organizohet takimi me kolonelët Anglez Stirling dhe. Dayrell Oakley-Hill, (i fundit shef i zyrës së SOE në Beograd). Me ndihmën e tyre dhe direkt të Ambasadës Angleze të Beogradit, Abaz Kupi, kaloi në Shqipëri në krye të Rezistencës antifashiste. Punët përgatitore për organizimin e qëndresës u drejtuan nga gjenerali Anglez Julian Amery nga Jugosllavia edhe pse Qeveria e Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene ishte kundër.

Në Shqipëri, koordinuar nga Anglezët dhe miqtë e tij, u sigurua bashkëveprimi i Abaz Kupit me Muharrem Bajraktarin dhe të vëllain e tij Ibrahimin, për të grumbulluar elementët e duhur dhe për të organizuar qëndresën kundër pushtuesit dhe krejt kjo punë e madhe u përballua me shpenzimet e tyre.

Një nga principet e Abaz Kupit ishte sigurimi i mirëkuptimit dhe bashkëveprimit të të gjitha forcave shqiptare antifashiste. Në këtë kuadër Abaz Kupi ishte një ndër organizatorët dhe pjesëmarrësit kryesorë të “Konferencës së Pezës” të mbajtur më 16 shtator 1942, ku dhe u zgjodh anëtar i KANÇ. Ai, si shumë figura tjera që përdoreshin nga komunistët për të tërhequr masat gjerësisht me emrin e bujshëm "Fronti Nacional-Çlirimtar", ra në kurthin e tyre, u shfrytëzua në të gjitha kapacitetet dhe u hodh poshtë si limon i shtrydhur.

Nuk përjashtohen edhe përpjekjet direket të forcave nacionaliste për bashkim: Më 26 korrik 1943, ora 11 paradite, u mblodhën në shtëpinë e dr. Ihsan Toptanit në katundin Tapizë, Delegacioni i Këshillit të Përgjithshëm Nacionalçlirimtar dhe Delegacioni i organizatës "Balli Kombëtar". Me idenë e zgjerimit dhe të forcimit të frontit të përbashkët të luftës kundër italianëve, ai u bë nismëtari Konferencës së Mukjes të mbajtur në datat 1-2 gusht 1943 për të arritur bashkëpunimin midis Frontit Nacional Çlirimtar dhe Ballit Kombëtar.

Pikërisht, Komiteti Për Shpëtimin e Shqipërisë organizoi në datën 4 dhe 5 gusht 1943, dy ditë pas Kuvendit të Mukjes, një betejë të përbashkët në afërsi të Qafë-Shtamës, kundër ushtrisë italiane që marshonte për në Mat. Çetat partizane dhe ato të Ballit Kombëtar, nën komandën e majorit Abaz Kupi, e shpartalluan armikun, duke i shkaktuar humbje të rënda: 150 të vrarë, 40 të plagosur dhe 7 robër. Në mes të të vrarëve ishte edhe koloneli A.P. Skampa.

Kur E. Hoxha hodhi poshtë Marrëveshjen e Mukjes me Konferencën e Labinotit në shtator 1943, se binte ndesh me synimet e agjentëve Popoviç dhe Mugosha, Abaz Kupi u largua më 19 nëntor 1943 nga Kryesia e Këshillit të Përgjithshëm Nacional-Çlirimtar.

Më 21 nëntor 1943, duke mos pasur tjetër alternativë, Abaz Kupi, formoi “Lëvizjen e Legalitetit” dhe vuri objektiv rikthimin e Mbretit Zog në Shqipëri. Pas kësaj udhëheqja e PKSH urdhëroi asgjësimin fizik të Abaz Kupit. Megjithatë ai u mbrojt dhe iu shmang luftës civile, deri kur komunistët nisën të sulmonin Krujën dhe zonat e Bazit në Mirditë. Në pranverën e 1944, raportet drejt qendrës të oficerëve Billy McLean dhe David Smiley, iu bashkua dhe Amery, të cilët qëndruan për shtatë muaj pranë trupave të Kupit. Këto raporte  për operacionet kundrejt gjermanëve do të ndeshnin me kundërshtitë e raporteve të oficerëve britanikë pranë komunistëve. Aleatët ngulnin këmbë për më shumë aksione dhe ç’vlerësuan përpjekjet e mundshme të Abaz Kupit.

Pamundësia për më shumë aksione e dëshpëroi heroin tonë. Më 24 tetor 1944 Abaz Kupi, u largua nga Atdheu bashkë dy bijtë Petritin, Rustemin dhe përkthyesin Gaqo Goga me ndihmën e një barke të siguruar nga Ihsan Toptani në Shkodër, (SOE e Barit nuk e ndihmoi të tërhiqej së bashkë me oficerët britanikë).  Ata ngelën për 6 ditë pa ushqim e pa ujë, derisa u gjetën nga një anije pastruese-minash kanadeze, që i çoi në Brindizi të Italisë.Familjen e Abaz Kupit ngeli në Shkodër. Djali i vogël, Fatbardhi, u arrestua më 1945, ndërsa pjesa tjetër e familjes, bashkëshortja e tij dhe vajzat, do të internoheshin në Tepelenë e më pas nëpër kampet e internimit të Myzeqesë.   

 Në emigracion Abaz Kupi, që tani thërritet “gjeneral”, merret me organizimin e mërgimtarëve për një bashkim politik, më pas u aktivizua në komitetin "Shqipëria e Lirë" me në krye Mit'hat Frashërin. Më 1968 zhvendoset drejt Shteteve të Bashkuara.Vdiq në 6 Janar te vitit 1976 në ShBA, New York. Trupi i tij prehet në Kew Gardens Cimitery në Queens.

Për ta mbyllur do paraqes këtu më poshtë, se si ka shkruar vet Enver Hoxha fillimisht, për Abaz Kupin  (Bazin e Canit): Në ditët e para të prillit 1939, ditë të zeza të historisë sonë, populli shqiptar ishte më këmbë; me një zemër, me një parullë: Luftë invazorit fashist të urryer si bishë e Atdheut tonë të dashur, në fshatra dhe qytete të Shqipërisë, i madh dhe i vogël bërtiste në Durrës, Shëngjin, Vlorë për të mbrojtur Atdheun.Në Durrës luftonte Abaz Kupi me djemtë e shqipes, luftonte me një grusht njerëzish kundër dëshirës së klikës dallkauke që ishte në fuqi, kundra mijëra dhe mijëra fashistëve që po zbarkonin në molo.Bazi i Canes dhe djemtë e Shqipërisë, të frymëzuar prej një dashurie të madhe për Atdheun, me të vetmen pushkë të shqiptarit, e bënë armikun që të kthehej në vapore e të linte në Molo me qindra të vrarë.Major Bazi ishte kudo, në çdo pozitë, zëri i tij dëgjohej: Djema! Godisni armikun pa mëshirë se kështu e lyp ndera e Atdheut!”- dhe pushkët e shqiptarëve kërcisnin mbi fashistët e fëlliqur që turreshin valë-valë.

Nga çdo anë, nga çdo mur, derë, nga çdo penxhere e Durrësit vlonte pushka. Bazi i Canes s’po ia lëshonte vendin, megjithëse armiku përdori topa e aeroplanë, djemtë e Shqipërisë s’trembeshin, sado që ishin një grup njerëzish.

Lufta vazhdoi me orë, armiku hidhte si në furrë, me mijëra bersalierë dhe përpara kësaj hordhi të madhe të veshur me çelik, Bazi i Canes u tërhoq, por i pathyer, i papërkulur, me zemrën plot dashuri për Atdheun dhe me urrejtje për okupatorin.

Në emigracion këtij s’i rrihej, ai e kishte zemrën në Shqipëri, në vëllezërit e tij që po luftonin me tërbim fashizmin dhe ky luftëtar çau malet me borë, çau bjeshkët e veriut dhe u fut në Atdhe, atje ku e lypte detyra, ku e lyp nderi i Atdheut, u fut për të bashkuar forcat e tij me atë të shokëve shqiptarë që ishin ngritur në këmbë.
Fshatrat e Krujës zienin, fshatarët rrokën armët, pse ora e hakmarrjes kish arritur, pse Bazi i Durrësit ishte kthye me marrë pjesë në LÇ e popullit shqiptar.
Mustafa Kruja u përpoq të kish zinxhirët, u përpoq ta bënte rajë të okupatorit, por Bazi i tregoi rrugën këtij korbi të zi, këtij birit bastard të tokës arbërore dhe si, patriot që ishte i shpalli luftë fashizmit, Merlikës dhe tradhtarëve.

Merlika, u lëshua si një bishë me hordhitë e tij mercenare për të ndjekur çetën e Abaz Kupit, u derdh mbi miqtë e tij, mbi shokët e tij për t’i vrarë e varë.
Bazi i Canes i goditi fashistët pa mëshirë. Merlika e bëri sheshin e Krujës, shesh për varje për djemtë e Bazit. Por Bazi s’tutej dhe thoshte” Vallja vjen pas”.
Fashizmi dhe Merlika i kanë milicët të lirë me pesë napolona kokën, kurse ne djemtë tanë i kemi vëllezër dhe shokë, por hakën s’e lëmë pa e marrë dhe për një njëqind.
Bazi i Canes që luftonte për një qëllim të shenjtë; çlirimin e Atdheut nga zgjedha e italianëve, e ka kuptuar fare mirë se trimi i mirë me shokë shumë, se ky hall i madh ka mbuluar gjithë Shqipërinë dhe se një bashkim i fortë e i shëndoshë i gjithë shqiptarëve në luftën kundër okupatorit do të jetë shpëtim i vendit tonë.
Patrioti i vërtetë s’lufton me fjalë, por me punë, me vepra dhe Bazi i Canes mendimet e tij i realizon në fushën e luftës dhe solidar deri në vdekje me të gjithë atdhetarët e tjerë shqiptarë, u hodh në Luftën NC, në luftë për Atdhe.

Me 10 tetor 1942, armiku i fëlliqur u sulmua nga të katër anët e Shqipërisë, kudo u goditën kolonat, depot, milicët e armikut, kudo në Shqipëri u prenë telat e telefonave.
Ky ishte rezultat i kuvendit të burrave shqiptarë, që vendosën të luftonin me armë dhe pa pushim deri në fitore armikun e vendit tonë. Dhe Bazi i Durrësit, Bazi i Krujës, Bazi i Pezës dhe i 10 tetorit, po vazhdon dhe do ta vazhdojë deri në fitore luftën kundër okupatorit dhe tradhtarëve”..

Unë, nuk kam se ç’të shtoj! Grumbullova e sistemova ç’gjeta nga interneti, se ç’kanë shkruar të tjerët. Por si përfundim them se: nuk duhet hedhur poshtë lufta dhe përpjekjet e burrave të shquar të vendit tonë, thjeshtë duke gjykuar nga përkatësia e tyre partiake, as nga ndonjë gabim në jetën e tyre të gjatë, por të vlerësojmë, çmojmë e nderojmë veprën e tyre në tërësi, në dobi të Atdheut, në funksion të bashkimit dhe jo të përçarjes. Sidomos duhet të jenë më të kujdesshëm historianët dhe shtetarët!

Tiranë, më 01.04.2016

 

Comments (0 posted):

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
0
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1