Newsletter
Email:
Poll: Fjala e Lire
Si ndiheni tek Fjala e Lire?
Home | ESE | Profil malli…

Profil malli…

Font size: Decrease font Enlarge font
image Xhahid Bushati

Xhahid Bushati

Profil malli…

-Ese kushtuar Frederik Rreshpjes, lirikut të shquar të letrave shqipe. 

Frederiku, pati edhe një jetë vetmie. Një konstatim ky, që vjen edhe nga njohja ime, nga refleksi drithërues i vargjeve të tij, që iu bënë dhe titull libri: “Në vetmi” a “Vetmi”. Si askush tjetër, Fredi ‘Vetminë’ e shpirtëzoi si metaforë në hapësirat e lirikave të tij, të cilat kanë shumë dhimbje. Oh, sa dhimbje!..Fredi këndoi për këtë ‘jetë vetmie’. E përceptoi atë si lëvizje e si shtegtim. U dashurua me dhe në pikëllimin e saj… E në këtë pikëllim prej hëne dhe yjesh, Fredi pëshpëriste e meditonte, sigurisht, i vetëm këto vargje:“Hënë s’ka, yje s’ka.Ecën vetmia me bijtë e saj.”

E jetonte vetminë… Po aq…, i pëlqente dhe ardhja e muzgut… Po aq…, i pëlqente të kridhej në ajrin e muzgut, të një muzgu trishtues. E jetonte vetminë… Po aq…, i pëlqente dhe ardhja e natës, dhe e tejnatës. Në tejnatë Fredi shkruante lirikat e fundit. Aty, pranë dëshmisë së heshtur të qiririt naimian. Aq ishte i përhumbur, sa nuk e ndjente trokitjen e paqtë të ardhjes së agimit. E, ai, ashtu, i bërë gërmuq, i humbur në vetminë e tij, ndriçohej vetëm nga qiriu që ngjante si një pikëçuditje.

Fredi – shpesh, humbiste në drithërimën e shpirtit dhe në Mbretërinë e lirikave të tij të pikëlluara. Një Mbretëri pa Mbret, por me një pasuri të rrallë xhevahiresh. I pëlqente të përmendte e të fliste për De Radën, për Mjedën, për Migjenin. Migjenin e pëlqente së tepërmi edhe Skënder Drini, bashkëqytetar dhe bashkëkohës i Fredit, një prozator me rrezatim sa poetik aq dhe dramatik. Ky prozator që i bën nder letrave shqipe, i një natyre të heshtur mençurore, e kishte vënë portretin e Migjenit në krye të tavolinës së tij të punës. Migjenin… - zëthirrësin nëpër kohëra e përtej kohërave…! Ndërsa bashkëkohësi i tij poeti Rreshpja do të shprehej për Migjenin e dhimbjes së mjerimit, kështu: “Ikën zëri yt, avion mbi alpet e hutuara. Nga pas mbetet diçka prej perëndie, Me mushkëritë e gërryera si një Promete.” 

Por Fredit i pëlqente, dhe vazhdimisht studionte me imtësi kanunin, doket dhe zakonet… vargjet prej tokës Nanë të Fishtës. Sikur ndiente mallin e vendlindjes së prindërve... E, Fredi për At Fishtën, do të thonte:”Shkon një re e bardhë mbi epikën e maleve, Si shpirti i shqetësuar Mbi lahutën e muzgut.” Fredit i pëlqente bota e përrallave…, përrallat që i shkruante mjeshtërisht aq bukur e mahnitëse, sa i pikturonte me zemër e me dritëza xixëllonjash. Me të drejtë miku i tij i ngushtë poeti i talentuar e erudit Moikom Zeqo thoshte: “Pikërisht finesa e Frederik Rreshpjes, është ajo që të trondit më shumë. “Aventurat e fundit të Gishtos” nuk janë asnjëherë të fundit. Aty ku duket se mbaron gjithçka, aty fillon gjithçka.” Në të folurën e tij, a në shkëmbim dialogu e batute, ishte i prerë, me një prirje të një natyre filozofike, paçka se në shpirtin e tij si prej fëmije gëlonin lule vjollcat, edhe pse “Çeli vjollca e vogël mbi gurishte, / Si një ylber mbi planete të panjohur. … Vjollcë e vogël, o shpirt.” E kjo ndodhte, se, edhe në të folurin e zakonshëm ai shpallte pa droje e guximshëm gjithnjë ca të vërteta; që sigurisht mërzisnin, irritonin, zemëronin në të shumtën e herës ca njerëz të qarqeve zyrtare. Dhe lufta e betejat e tyre ndaj Fredit dhe botës së shkrimtarisë; do të ishin shpërfillja. Mjerisht, qenë tronditëse e dramatike! Mjerisht arritën deri në tentativat e heshtjes si shkrimtar… Për t’i zbehur forcën dhe ndikimin e magjisë poetike. Por… mbetën në tentativë… Talenti rreshpjan triumfoi guximshëm!.. Dhe do ta gjeni kudo këtë talent, po të lexoni vargjet e tij. Do të përthithni lirizmin e tij. E pastaj do të kuptoni se brenda udhëve të poezisë janë ca kode që flasin për bredhjet e ecjet e tij, herë me një zë mallkues e herë me një zë dëshpërues, herë me një zë lotues e herë me një zë zhgënjyes… Bredhjet e Fredit nëpër ato vargje që i skaliti shpirti i tij ishin hapësirat që krijoi e fali poeti. Shikimi i tij: i dinjitetshëm e njerëzor, ishte shpresë por edhe i pashpresë… E megjithatë Fredi me gjithë peripecitë e jetës, e krijoi universin e tij që peshonte sa vetë liria, të cilën e ëndërronte, e dashuronte, e krijonte dhe i besonte… “Këndoi bilbili i vetmuar deri në dhembje, Por askush nuk e dëgjoi zërin e tij, Sepse i mungonte kafazi. Mbi një piedestal heshtjeje, Dergjet profili im që në lindjen e gurit.”

 Fredi – magjia e ngjashmërive

Kohët e fundit, shpesh e më shpesh, nuk e ndaj nga dora dhe mendja, libri me poezi, të vetmin libër, “Në vetmi” të poetit vetmitar por të shquar, lirikut si rrallë ndonjëherë Frederik Rreshpja. Bisedoj me të... si me një mik: të afërt e të largët, të njohur e të panjohur. Dua të shmallem e nuk shmallem dot!.. Ndoshta unë dhe Ai pres (t), pres - im: “... një dallëndyshë që s’ka për të ardhur kurrë...” Ndoshta, vetë Fredi ishte një dallëndyshe, por vetmitare. Por Fredi ishte dhe i tillë: i mallkuar, sylotuar dhe i pafat, i dashuruar dhe i harruar, miqësor dhe i përjetshëm... I tillë, si:

‘Që fëmijë e kam kuptuar se kisha lindur

i mallkuar me art.

Gjërat i shihja ndryshe:

Nëpër shirat e vdekur

Peshqit fluturonin drejt çerdheve, te yjet.

Në vend të borës binin zogj në çdo dru.

Era si ketër brente degët.

Qante mbi mua nëna, Shënmëria ime. Ave nëna ime!

Mos e pastë njeri këtë fat!

 

Kam dashuruar një Afërditë në Olimpin e trëndafilave.

Pastaj erdhe ti tërë ikje.

Më vonë vije vetëm nëpër ëndrra, si perënditë ilire.

Kështu iku edhe rinia, filigrami i djalërisë,

i mallkuar me art.

Mos e pastë njeri këtë fat!

 

Tani që po vdes ëndërroj vetëm një kryq te koka,

dhe të harrohem, se nuk dua që edhe pas vdekjes

të më ndjekë mallkimi  i artit.

Mos e pastë njeri këtë fat!

 

Po kur të vdes, portreti im ka për t’u shfaqur nëpër gjethe,

se unë kam patur miqësi me çdo dru.

Në stinë kur bien gjethet

Do të bien edhe sytë e mi.

 

Tani e tutje shirat do të jenë lotët e mi.

Mos e pastë njeri këtë fat!’

 

Një nga miqtë e tij të ngushtë, ishte dhe poeti Moikom Zeqo. Nuk kam parë poet më erudit si ai! Poliglot! Ca më kujton Nolin, ca më kujton Konicën, ca më kujton De Radën, cam ë kujton… Më tej. Ca më kujton hieroglife të botës, ca më kujton mall shkretëtire, ca më kujton mbibotën shpesh absurde, ca më kujton misteret e botës nënujore. Ca më kujton... dhe mençurinë, udhën e urtësisë, librat enciklopedikë. Po, Moikomi është një enciklopedi! Nuk më ka rastisur të njoh poet të tillë, me të tillë universalitet!..

Moikomi, në një dialog me Frederikun, ndërton një imazh të tillë rreshpian, ja, si ky:

”Moikomi: - ... shpesh mendoj se në lirikat e tua të holla, Frederik, ka disa fanitje, ndoshta halucinacione nga poetët klasikë kinezë. Të jetë e rastësishme?

Frederiku: -Ti e di, Du Fu dhe Li Bo janë për mua kryemjeshtra. Ashtu si De Rada ynë. De Rada e ka kuptuar, së pari, mjeshtërinë imazhiniste. Si askush. Kujto, p.sh.: vargun madhështor ”Lisa bota kish ndëruar...”.

Moikomi: -Ke të drejtë. ... Figurat dhe metaforat e De Radës kanë një transparencë kozmike. De Rada flet për Diellin që, kur perëndon, duket sikur fshihet nën tokë si nënat, që kënduan valle para shumë shekujsh. Te balli i një vajze hijeshon një mendim. Bie bora mbi det dhe mbi leshterikë, duke zbardhur krahët e pulëbardhës. Kur ëndërron, poeti thotë: ”Thua se trupi po më largohet”. Ja dhe këto vargje të pashembullt: ’Luleje e hapur / Një të hëne plot hare, / Të enjten duke u bërë e bardhë / Thua se po e sheh të dielen?’

Frederiku: -Duket sikur këto vargje janë shkruar në shekullin e artë të poezisë klasike kineze. De Rada është i mbushur plot mrekulli të tilla. De Radën me poetët e vjetër kinezë e lidh natyra, deti, era, stinët. Lëvizjet ciklike të Diellit dhe të Hënës. De Rada është një poet i madh, që vjen nga natyra. Nga konkretja. Edhe metaforat e tij më abstrakte, janë plot.”

Fredi – përrallëtar

Kritika letrare e realizmit socialist, në të shumtën e rasteve, nuk foli mirë për përrallat e Frederikut, kur i gjykoj apo i interpretoi.

Kritika letrare e realizmit socialist kritikën për këtë autor e kishte në majë të gjuhës e të penës. Mendoj se nuk u kuptua rrëfimi përrallëtar i Fredit. Më shumë u keqkuptua. U vunë në shënjestër detajet dhe jo thelbi.

Kritika letrare e realizmit socialist nuk i njohu risitë e talentit të tij. Ndryshe nga të tjerët. Nuk arriti të njohë imazhin e ri rreshpian që po sillte edhe në këtë gjini, krahas poezisë, romanit dhe dramës. Në këtë marrëdhënie kritikë letrare – krijim – autor, mendoj se zgjon interes mendimi i studiueses Pandora Dedja. Duke folur në një shkrim të saj për përrallën e re, për dritën që duhet të sjell ajo, Dedja e ilustron dhe e përqas me një seri titujsh të kontributeve të përrallëtarëve shqiptarë. Më të përmendur. Evidenton si arritje edhe librin “Trofta hutaqe” e Frederik Rreshpjes. Pas përmendjes dhe arsyetimeve të saj, autorja e përfundon ligjërimin me këto fjalë: “Në këto vepra bëhen përpjekje serioze për të krijuar një përrallë të re, …  … Të gjitha këto përralla të reja ndihmojnë për të arritur më së miri qëllimet edukative për zhvillimin mendor, moral dhe estetik të fëmijëve të vegjël.” Në këtë vazhdë, e sidomos të misionit të përrallës, shkrimtari Naum Prifti kërkon që kjo gjini e dashur “duhet të lirohet nga disa shtampa që krijohen ndonjëherë kot e që më pas bëhen norma”. … Autori më pas vazhdon përmes një vlerësimi dhe kritike: “Frederik Rreshpja shkruan me fantazi dhe lirizëm. Në përrallat e tij elementet e natyrës ndërthuren me mjeshtri. Ai diku përdor figura të folklorit (Gishton) për të treguar sa shumë ka ndryshuar vendi ynë, diku i mbetet besnik mënyrës klasike të mbarështrimit (sidomos Andersenit) e diku përpiqet të çajë vetë. Veç në përrallat e tij ka mjaft lotë e qarje, të cilat në shpirtin e lexuesit të vogël lënë gjurmë. Natyra e fëmijës do më shumë përfundime të gëzuara dhe këtë duhet ta ketë parasysh autori në krijimet e ardhshme.

Kritika letrare e realizmit socialist, në objeksionet e saj, dëshironte dhe kërkonte që përrallat e Fredit të mishëronin doemos “kolektivitetin socialist”. Në një shkrim të një studiuesi të mirënjohur, pasi ai analizon përrallën “Pylli oshëtin” të F. Malos, dhe përrallën “Do të ndërtojmë hidrocentral” të T. Gjokutajt, thotë: “… Kjo ngjet, sepse të dy këto krijime mishërojnë idetë e kolektivitetit socialist. Shembuj të tillë ka plot. Por është vështirë ta thuash këtë për përrallën “Trofta hutaqe” (nga vëllimi me të njëjtin titull i F. Rreshpes), ku autori, si të thuash, me qëndrim pak a shumë indiferent, na përshkruan një qënie fatkeqe, që loton dhe që nuk ka rrugëdalje dhe për të cilën gjyshja-troftë  thotë: “Hutaqe je dhe hutaqe të thonë... Ah, që na lindi kjo budallaqe në shtëpi! Unë nuk kam parë kurrë një peshk të tillë të hutuar mu si krap.” Ma merr mendja se synimet e edukatës sonë e, aq më shumë, ndikimi edukativ  që duhet të ushtrojë përralla, nuk duhet të na çonin gjer atje, sa një të mete të tillë, si hutimi (te fëmija ose trofta – kalama), ta paraqisnin në formën e një udhe pa krye.” Ndërsa një autori tjetër në lidhje me përceptimin moshor, thotë: “Nëse kemi parasysh adresimin e përrallës për mosha të caktuara të fëmijëve, mendojmë gjithashtu se karakteri lirik i trajtimit të përrallave e dëmton gjer në një farë shkalle interesimin e fëmijëve të vegjël për të , siç ndodh, p.sh. tek përrallat e vëllimit të fundit “Trofta hutaqe”. Trajtimi lirik si edhe trajtimi shkencor i subjekteve e rëndon gjer në një farë mase përrallën.” Mendime dhe filozofi të tjera na shfaqen në të tjera shkrime lidhur me përrallat e Frederikut. Kështu, një autor shkruan: “Që të shkruash për fëmijë, duhet ta njohësh jetën, në përgjithësi, dhe botën e fëmijëve, në veçanti, e ta pasqyrosh këtë realitet si një proces në zhvillim me një të kaluar, me të tashmen dhe perspektivën e tij, me kërkesat, preokupacionet dhe shqetësimet e botës që i drejtohesh. Mjetet letrare e artistike duhet të përkojnë me botën reale të fëmijëve, me psikologjinë dhe emocionet e tyre, pasi tiparet e botës së përrallës përputhen më së miri me botën mendore konkrete – figurative ende primitive të intelektit të fëmijëve dhe se ajo është shumë e pasur me figura, ngjyra, ngjarje e veprime konkrete e fantastike, që gjallërohen e marrin jetë nëpërmjet personofikimeve. Shumë autorë, nëpërmjet përrallave të tyre, zbërthejnë moralin e ri në veti të larta, si: ndjenjën e punës, kolektivitetin, përpikmërinë, ndershmërinë, shembullin pozitiv, etj. Por takon edhe ndonjë rast kur botës së fëmijëve i janë servirur ide negative që nuk edukojnë, por që përkundrazi, dëmtojnë. ...; F. Rreshpja në përrallën “Pulëbardha”, thotë:

“... Pastaj pulëbardha fluturoi dhe u suall rrotull më kot, gjersa erdhi mbrëmja” – duke predikuar kotësinë dhe pesimizmin në jetë si ide morale.

Nga cektësia ideore dhe mosnjohja e realitetit, ka raste kur disa autorë vënë theksin në mënyrë të tepruar tek paraqitja e shembullit negativ duke karikaturuar personazhet në proporcione shumë të errëta.

...

F. Rreshpja në përrallën “Trofta hutaqe” nxjerr realitetin bazë sekondar dhe rastësinë primare, në kohën kur fëmijët nuk mund të jenë kurrë aq hutaqë sa trofta, etj. Shembulli pozitiv duhet të bëhet zotërues në përrallën e re, edhe atëherë kur flitet për një fenomen negativ.”

I njohur më përrallat e Fredit, lexuar dhe rilexuar, studiuar dhe ristudiuar, mund të them pa hezitim në themel të arkitekturës përrallore qëndron poetika e tij. Poetika e tij ishte geni dhe shpirti i tij. Frymëmarrja. Përditësia.

Të veçantat e përrallave të Fredit janë: mënyra e rrëfimit (komunikimi) pothuajse lirike, ndërtimi i frazës, ngjyra, emocioni, loja, lëvizja, psikikja, krijimi i imazhit, fantastikja, surrealja dhe stilistika figurative.

Shpesh, përrallat kanë në tekstin e tyre ka paragrafë të shumtë të mbushura plot ngjyresa poetike, sa lexuesit të vogël i ngjan sikur po lexon një poezi.

Shpesh, përrallat, si hyrje kanë ca formula magjike që thuren e thuhen poetikisht teksa bazohen në traditat e përrallave popullore të të rrëfyerit.

Njëra përrallë nuk ingjan tjetrës, si në konceptim ashtu edhe në strukturë. Origjinën e tyre, mbase duhet t’i kërkojmë në qëndisjen e xhamadanave që Fredi ishte mjeshtër i vërtetë. Ndaj, dhe përrallat e kanë këtë ‘qëndisi’, që nuk e gjejmë në modelet e përrallave që na kanë ofruar autorëve shqiptarë. Modelet që ofron Fredi të mahnisin, janë të çuditshme, kaq të afrueshme, sa të fusin si pakuptuar në botën magjike të përrallës.

Si ilustrim kam ofruar tri modele:

1.

“Robi qe një lepurush i çuditshëm, bile ai dinte edhe të fluturonte. O Zot! Po vallë a fluturonjnë lepurushët?

E vërtetë ose jo, në një të diel të bekuar, ai na u gjend në cep të një reje të bardhë.”

2.

“Hajt – hajt, na doli ky Plaku i Pyllit në krye të malit dhe na përshëndeti botën: “Mirëmëngjesi diell, mirëmëngjesi lugina, mirëmëngjesi, o pyje!” Pushkën e mbante në sup dhe qe i gëzuar.

Drurët sapo qenë zgjuar. Rrrinin aty nën qiell dhe mendonin. Befas lisat pleq pyetën:

-Kush po vjen?

Po vjen Plaku i Pyllit, ai që na ruan dhe që na do, - u përgjigj rreshti i parë i drurëve.”

3.

“Ju lutem, kush më thotë mua si mësojnë të fluturojnë pulëbardhat?

Pak njerëz në botë e dinë këtë.

Ja ç’më ka treguar dikur një gjahtar plak:

Pulëbardha e vogël lindi në një shpellë ndanë liqenit. Në një ditë me diell. Ajo doli nga veza dalëngadalë, pastaj hodhi tutje lëvozhgën e thyer, e cila u rrokullis, sa u rrokullis nëpër gurët e bregut dhe më në fund vajti e ra në ujë.”

***

Në vend të mbylljes

Ai që zbërtheu kodet e vërteta të përrallave të Fredit, ishte poeti Moikom Zeqo. Ai e njohu në thelb Fredin. Përcaktimi i tij, që sigurisht vjen nga kulturologjia hapësinore, mbetet parësor e rrezatues. Askush më mirë se Moikomi nuk i studioi përrallat e Fredit. Moikomi shprehet kështu: “Çdo shkrimtar i mirëfilltë, është përralltar. Shkrimtari i vërtetë është vetvetiu përralltar i madh.. Frederik Rreshpja është shkrimtar i vërtetë. Vetkuptohet se çfarë përralla di ai të shkruajë.

Frederiku është ngjizur në Mbretërinë e Fëmijërisë ashtu si ata princat e panjohur por që nuk mund t’i harrojmë asnjëherë. Në çfarëdo moshe, pavarësisht nga thinjat, vuajtjet dhe sëmundjet, Frederiku nuk arrin të mplaket. Ai nuk është i fuqishëm t’i kapërcejë sinorët e Mbretërisë së Fëmijërisë, sepse është më i plotfuqishëm brenda kësaj Mbretërie. Ai bisedon me kafshët dhe shpendët sepse e njeh gjuhën universale të tyre. Ai është i trishtuar sepse e çmon shumë gëzimin njerëzor. Frederik Rreshpja përzien fjalën me pikturën dhe na çudit ne të tërëve me disa koleidoskopë prej ëndrre. Nuk ka jetë më të ndërlikuar dhe më të vrazhdë, nga të gjitha pikëpamjet, se sa jeta e Frederik Rreshpjes. Si një kampion i kontrastit në përrallat dhe në poezitë e tij, ai projekton një botë delikate si ato qelqet e tejdukshme dhe të mrekullueshme veneciane. Pikërisht finesa e Frederik Rreshpjes, është ajo që të trondit më shumë. … Amen! (Tiranë, më 21 maj 2002).

***

Përrallat e Fredit ngjajnë si piktura, që i flasin përjetësisht ëmbël fëmijërisë. Fredi nuk plaket se është fin…, pavarësisht se e mbështolli gëzofi i vetmisë. “Ai (Frederiku, shënimi im Xh. B.) është i trishtuar sepse e çmon shumë gëzimin njerëzor.” Ky është postulati përrallor që miku i tij i besës Moikom Zeqo, kësaj here (si gjithëherë), e ka pikëzuar çmueshëm lirikun e letrave shqipe, rrezatuesin Frederik Rreshpja.  

Përrallat e Fredit! Vetëm një talent si i Fredit na i fali me kaq hapësira të mëdha vezulluese e të ylberta! Nderim!

Shkodër, dhjetor 2017

 I

 

 

Comments (1 posted):

faruk myrtaj on 06/12/2017 12:43:35
avatar
Frederik Rreshpja, Ai qe Ishte

Me nje fjali te vetme, mund te thuhet: Frederik Rreshpja u shfaq ai qe ishte.
S'eshte aq e lehte te perdoret kjo sentence per cdokend tjeter, sado qe njeriu ne Udhen e Tij thjesht Fatin e tij "lexon".
Fridrih, e therrisja ndonjehere edhe keshtu, e pati kete virtyt: u shfaq gjithe sa ishte, i teri sic ishte.
Ne dite te mire e te keqe, nen diell a nene hane, mund te rrefehen ata qe e kane njohur prej herit, nen kamunistet a nen dhimokratet, sic shprehej ai vete, Frederico ishte po ai.
Kohe me pare, kohe e larget por jo aq lehte e harrueshme, Visar Zhiti keshtu e thirrte teksa shfaqej ne Shkoder dhe i gezoheshin miqesise se njeri tjetrit.
Ne jeten me pas, pavarsisht prej te ndodhurave qe vetem Zoti mund t'i hiqte sysh dhe ai s'e beri dot se larguan edhe ate sysh me Kushtetute, poezia sic jetet veshen rrobat e stines.
Por Frederiko nuk nderroi. Se mbajti rroba te robit te Zotit, jetoi ditet se ditet ishin jetet, nuk u shtir, ta marre e mira sic e mori, kurre nuk beri ate qe kishte leverdi, nuk i uli kryet per te bere fjalime atyre qe i nenqeshte, nuk thoshte fjale te tjera pas teje, nese t'i kishte thene ca te tjera nder sy...
Nuk thuhen dot keto fjale per kedo te asaj kohe...
Se, jo kushdo merrte persiper fatin ta perjetonte endrren e pasvdekjes si jete.Ishte loje e shtrenjte.
Frederko e beri.
Beri lloj lloj burgjesh, ngjitej dhe zbriste shkalleve te purgatorit jete pa asnje dileme: Kjo eshte jeta, thoshte!
Te tjere prisnin te nderronin sistemet, qe te nderronin edhe ata.
Frederiko ishte ai qe u shfaq.

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
0
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1