Newsletter
Email:
Poll: Fjala e Lire
Si ndiheni tek Fjala e Lire?
Home | ESE | SHKENCËTARËT BOTËRORË PARALAJMËROJNË RREZIK PËR NJERËZIMIN

SHKENCËTARËT BOTËRORË PARALAJMËROJNË RREZIK PËR NJERËZIMIN

Font size: Decrease font Enlarge font
image Frank Shkreli

                     

                                                 Nga Frank Shkreli

Në një paralajmërim botuar në revistën ndërkombëtare online “BioScience”, shkencëtarët e udhëhequr nga ekologjisti i njohur amerikan William Ripple i Universitetit shtetëror Oregon në Shtetet e Bashkuara, shkruajnë: “Njerëzimit po i bëhet tani një paralajmërim i dytë.   Ne jemi duke rrezikuar të ardhmen tonë nëqoftse nuk kufizojmë konsumimin material në sferën gjeografike dhe demografike dhe nëqoftse nuk e konsiderojmë rritjen e shpejtë të popullësisë si një prej shkaqeve kryesore të kërcënimeve ekologjike dhe shoqërore”, me të cilat përballet njerëzimi.

 

Anë e mbanë botës, çdo vit, vdesin më shumë njerëz nga ndotja e mjedisit se sa nga të gjitha luftërat dhe dhuna në botë.   Ky është “paralajmërimi drejtuar njerëzimit” nga mbi 15,000 shkencëtarë, përfaqsues të 184 vendeve, nga e gjithë bota.   Në paralajmërimin e botuar të hënen nga Aleanca e Shkencëtarëve Botërorë theksohen rreziqet me të cilat përballet njerëzimi dhe planeti ynë në të ardhmen -- rreziqe këto të shkaktuara -- sipas shkencëtarëve botërorë -- nga ndryshimet klimaterike, nga çpyllëzimi, nga humbja e ujit të pijshëm, nga zhdukja e specieve të ndryshme dhe nga rritja e pa kontrolluar e popullësisë, sidomos në Afrikë dhe në Azi, ku sipas shkencëtarëve botërorë, është shënuar një rritje prej 35 për qind  popullësisë.   Në përgjithësi, ekspertët shënojnë 25 trende negative anë e mbanë botës, përsa i përket keqësimit të mjedisit dhe rreziqeve me të cilat përballet njerëzimi, si përfundim.   Ndër trendet negative, ata identifikojnë, ndër të tjera, pakësimin me 25 për qind të ujit të pijshëm për person, shtimin me 75 për qind e numrit të zonave të vdekura oqeanike dhe humbjen e 300-milion hektarëve me pyje, si dhe pakësimin me 29 për qind të numrit të kafshëve, zogjëve dhe llojeve të ndryshme peshqish dhe kafshësh amfibe, e të tjera.

 

Në të vërtetë, ky ishte një paralajmërim që shkencëtarët kishin bërë 25 vjetë më parë, por raporti i botuar të hënen është edhe më i zymtë për nga pesimizmi me të cilin shkencëtarët e shikojnë ndotjen e mjedisit dhe efektet që ka mbi njerzimin dhe planetin në të cilin jetojmë.   Nga raporti i fundit, që cilësohet si paralajmërimi i dytë, vihet re se pikëpamjet e shkencëtarëve  të njohur botërorë, përfshirë ndër ta edhe nobelistë, e shikojnë situatën e ndotjes së mjedisit, madje edhe më të rrezikshme se 25 vjetë më parë, kur kishin bërë paralajmërimin e parë mbi rreziqet që i kanosen njerëzimit nga ndotja serioze e mjedisit.   Sipas raportit të fundit të shkencëtarëve, përveç shtresës së ozonit që, sipas tyre, duket se është stabilizuar disi, çdo kërcënim tjetër që 25 vjet më parë ata i kishin identifikuar si rreziqe serioze ndaj mjedisit dhe planetit tonë, janë keqësuar gjatë këtyre 25 viteve të fundit.

 

communique published Monday in the journal BioScience

 

Në raportin e tyre, shkencëtarët botërorë identifikojnë konsumimin e tepëruar të burimeve të planetit si dhe shtimin e pakontrolluar të popullësisë si rreziqet më serioze me të cilat do të përballet njerëzimi në të ardhmen.   Në paralajmërimin e dytë, shkencëtarët më të njohur botërorë, i bëjnë thirrje njerëzimit që të konsumohet më pak mish, që të lindin më pak foshnje, që të përdoret energjia grinë dhe të konsumohet më pak në përgjithësi, me qëllim që të shpëtohet planeti nga rreziqet që rezultojnë nga ndotja e mjedisit dhe abuzimet.   Ata theksojnë se ndonëse janë shënuar përparime të vogëla në drejtimin e duhur, disa fushë, siç është rënja e lindjeve të foshnjave në disa pjesë të botës, shkencëtarët botërorë bëjnë thirrje për një rivlerësim të rolit të ekonomisë të bazuar në rritje, me qëllim për të pakësuar gazërat, për të inkurajuar ri-përdorimin e energjisë, për të mbrojtur eko-sistemet, dhe në përgjithësi për të adaptuar masa të përgjithshme në mbrojtje të mjedisit, në të gjitha përmasat e tij.   Shkencëtarët shfaqën gjithashtu shqetësimin e tyre se njerëzimi nuk po bën sa duhet për të marrë masat e nevojshme në mbrojtje të biosferës së rrezikuar nga ndotja e mjedisit.

 

Njoftohet se shkencëtarët arritën në këto përfundime duke u bazuar dhe duke përdorur të dhënat dhe informacionet nga qeveritë e ndryshme anë e mbanë botës, nga ente private dhe nga ekspertë të ndryshëm, për të arritur në përfudnimin e tyre se nëqoftse bota nuk merrë masat e nevojshme për mbrojtjen e mjedisit, njerëzimi dhe planeti në të cilin jetojmë, përballen me një “rrezik të madh dhe të pandreqshëm”, në të ardhmen.

 

Por, shkencëtarët nuk janë krejt të pa shpresë se gjëndja nuk mund të ndryshohet drejt përmërsimit të mjedisit nëqoftse merren masat e nevojshme.   Ata i bëjnë thirrje publikut botëror për një aktivizëm më të madh në këtë fushë, për t’u bërë presion autoriteteve vendore dhe udhëheqësve politikë kudo, që të marrin vendime më serioze në mbrojtje të mjedisit, anë e mbanë botës.

 

Profesori Uilliam Riple i Universitetit shtetëror në Oregon të Shteteve të Bashkuara, citohet të ketë thënë në një njoftim për median, se raporti mbi rreziqet që ndotja e mjedisit sjellë për botën, mund të konsiderohet nga disa si një dokument alarmist që i frynë rrezikut dhe si të tillë hedhin poshtë provat që kemi mbledhur.   “Puna e shkencëtarëve është për të analizuar të dhënat dhe për të parashikuar pasojat afat-gjata për të ardhmen”, është shprehur Profesori amerikan.   Ai shtoi se shkencëtarët që kanë nënshkruar dokumentin që u botua të hënen, nuk po japin një alarm fals, por shtoi Profesori Ripple, ata po i paraqesin njerëzimit provat për shënjat e qarta se bota është në një rrugë pa këthim, nëqoftse nuk merren masat të menjëhershme për të ndryshuar trendet tepër negative, që autorët përshkruajnë në këtë raport, dhe rreziqet me të cilat mund të përballet njerëzimi, si pasojë e ndotjes së pa kontrolluar të mjedisit.

 

Megjithë parashikimet pesimiste të këtij paralajmërimi mbi ndotjen e mjedisit dhe mbi pasojat afatagjata që mund të ketë ndaj njerërzimit dhe planetit tonë, autorët  thonë se çdo gjë nuk është humbur ende.   Ata theksojnë se nëqoftse ekziston vullneti i mirë për të bërë diçka në lidhje me këto prirje negative që shknecëtarët venë në dukje në raportin e tyre, njerëzimi mund të bëjë ndryshimet e nevojshme në jetën e përditshme, si edhe në ekonomi dhe në industri, por edhe në të gjitha fushat e jetës, të cilat deri tani kanë ndikuar negativisht në ndotjen e mjedisit në të cilin jetojmë.   

 

Rreth 15,000 shkencëtarë botërorë paralajmërojnë se nuk është vonë për një ndërhyrje botërore për të ndaluar keqësimin e metëjshëm të mjedisit, me qëllim, sipas tyre, për të “Mënjanuar mjerimin e fatkeqësinë që mund të sjellë humbja e biodiversitetit” dhe ndotja e pa kontrolluar e planetit.   Ata këshillojnë, më në fund, se, të gjithë ne si individë, si autoritete qeveritare dhe si shtete, “Duhet të jemi të vetdijshëm se Toka, me të gjitha qenjet e gjalla është e vetmja shtëpi për të gjithë ne.”   Për ta shpëtuar, përfundojnë ata paralajmërimin e tyre, së bashku, “Mund të  shënojmë përparim të madh për të mirën e njerëzimit dhe të planetit, prej të cilit të gjithë ne mvaremi…për ndryshe, së shpejti mund të bëhet tepër vonë”, theksojnë shkencëtarët botërorë në paralajmërimin e dytë drejtuar njerëzimit, mbi pasojat serioze që sjellë për njerëzimin ndotja e mjedisit, anë e mbanë botës.

 

Frank Shkreli

Comments (0 posted):

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
0
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1