Newsletter
Email:
Poll: Fjala e Lire
Si ndiheni tek Fjala e Lire?
Home | ESE | Dije të heshtura

Dije të heshtura

Font size: Decrease font Enlarge font
image Astrit Lulushi

Dije të heshtura

Astrit Lulushi

Jakob Fallmerayer (1790 - 1861) ka qenë gazetar, politikan, udhëtar dhe historian austriak, i njohur kryesisht për “Teorinë Greke”, ku flitet mbi origjinën grekëve të sotëm. Pas publikimit të librit “Trebizond” (krahinë greke, pastaj osmane), Fallmerayer ia kushtoi aktivitetin e tij shkencor një rajoni tjetër grek, përkatësisht Moresë (Peloponez). Në veçanti, ai zhvilloi teorinë se popullata e lashtë "helenike" e Ballkanit jugor ishte zëvendësuar gjatë periudhës së migrimit nga sllavë dhe shqiptarë. Një ide e ngjashme ishte propozuar edhe nga udhëtari britanik William Martin Leake, por Fallmerayeri e ktheu atë në teori.

Vëllimi i parë “Historia e gadishullit të Moresë gjatë Mesjetës” doli më 1830 në gjermanisht, ku nga parathënia studiues të ndryshëm citojnë:

“Raca helene është zhdukur në Evropë. Bukuria fizike, shkëlqimi intelektual, harmonia dhe thjeshtësia e lindur, arti, konkurrenca, qyteti, fshati, shkëlqimi i kolonave dhe tempujve- madje edhe emri është zhdukur nga faqja e kontinentit. Në dejet e grekëve të sotëm nuk rrjedh asnjë pikë gjaku helen”

Fallmerayer më tej argumentonte se Fuqitë e Mëdha që kishin mbështetur Luftën e Pavarësisë Greke ishin udhëhequr nga një "dehje klasike" duke gjykuar gabim karakterin e shtetit të ri grek.

Me këtë libër, Fallmerayer e vendosi veten në anë të kundërt me mbretin bavarez Ludwig I, i cili në vitin 1829 kishte filliuar të avanconte kandidaturën e djalit të tij Otto për fronin grek (Otto u bë Mbret i Greqisë në vitin 1832). Si kujtesë për vendin e tij të lindjes, mbreti Otto paraqiti ngjyrat blu dhe të bardhë të cilat edhe sot formojnë flamurin kombëtar grek. Që nga ajo kohë fjala "Bavaria" filloi të shkruhet me "y", gërmë e marë nga alfabeti grek për nder të Shtetit të Lirë. Kështu emri ndryshoi nga “Bavaria” në “Bayern”. Monarku bavarez Ludwig besonte se revolta greke kundër sundimit osman përfaqësonte kthimin e virtytit antik helen. Pakënaqësia e mbretit Ludwig ndaj Fallmerayerit thuhet se çoi në një vonesë të gjatë në konfirmimin e zgjedhjes së Fallmerayerit në Akademinë Bavareze të Shkencave, ku leksioni i tij i parë kishte të bënte me "shqiptarizimin" e popullatës se Atikës. Ndërsa në “Historinë e Moresë”, botuar më 1836, Fallmerayer shkruante se lufta e Pavarësisë Greke ishte thjesht shqiptare, dhe jo revolucion helen.

Me shkrimet e tij, Fallmerayer filloi të mbështeste përkrahjen evropiane për Perandorinë Osmane si bastion kundër ndikimit në rritje të Perandorisë Ruse në Ballkan. Ndjenjat anti-ruse të Fallmerayer nuk ishin zhvilluar ende plotësisht. Teza e tij mbi grekët kishte ngjallur interes në qarqet ruse, dhe atij iu ofrua vend-pune në një gazetë për politikën cariste. Fallmerayer nuk pranoi, dhe është sugjeruar se kundërshtimi i tij në rritje ndaj ekspansionizmit rus u provokua nga kjo ofertë.

Nga fundi i viteve 1840 ai ishte i bindur se Rusia do të pushtonte Konstandinopojën dhe Ballkanin, dhe ndoshta më tej tokat sllave të Perandorive Habsburg dhe Prusiane. Në mesin e viteve 1850 ai u gëzua nga suksesi i koalicionit evropian / osman në Luftën e Krimesë

Pas vitit 1854, ai iu kthye kërkimeve akademike, duke i kushtuar vëmendje të veçantë një serie botimesh mbi historinë mesjetare të Shqipërisë.

Teoria e tij greke ishte e diskutueshme gjerësisht gjatë kohës që jetoi, nuk pranohet sot, dhe shkaktoi reagime të ashpra nga dijetarë të ndryshëm, duke nxitur kërkime për vazhdimësinë brenda historiografisë greke, në përpjekje për të provuar ekzistencën e lidhjeve midis grekëve modernë dhe qytetërimit të lashtë helen.

 

Puna e Fallmerayerit ka luajtur rol vendimtar në zhvillimin e historisë bizantine si disiplinë e vecante në Greqi, ku një numër dijetarësh të shek. 19 dhe fillimit të shekullit të 20-të u përpoqën për ta hedhur poshtë tezën e tij mbi mos-vazhdimësinë e races greke. Historianë grekë si Pittakis dhe Paparrigopoulos kanë demonstruar se teoria e Fallmerayer kishte shumë të meta. Për shkak të insistimit të tij mbi origjinën sllave dhe shqiptare të grekëve modernë, Fallmerayer u konsiderua pan-sllavist nga shumë studiues në Greqi, gjë që bie në kundërshtim me shkrimet e tij. Emri i Fallmerayer përfundimisht u bë simbol i urrejtjes së grekëve, ndërsa libri i tij mbi Historinë e Moresë u lejua të botohej në Greqi vetëm në vitin 1965, pas më shume se 100 vjetësh nga koha e botimit në gjermanisht.


Comments (2 posted):

Vasil Klironomi on 11/11/2017 13:21:51
avatar
INDINJATË
Z. Astrit Lulushi!
Këtë temë edhe si KURIOZITET ta ngresh në shtyp, është e pa pranueshme.
Një shkrim që të publikohet duhet të mbartë diçka të dobishme, diçka miqësore.
Nuk e kuptoj! Ku është e mira për shqiptarët në se grekët e sotëm nuk janë pasardhës të grekëve të lashtë?! Në qoftë se grekët e sotëm nuk kanë asnjë lidhje
me grekët e lashtë, atëherë kush solli atë gjuhë aq të bukur dhe të lëvruar në ditët që jetojmë?! Pushtuesit,
apo ai historiani austriak (që ushqen dëshirat e tua të sëmura?!)
Sipas logjikës suaj dhe të atij pseftoistoriani, shqiptarët e sotëm për faktin se në tokën shqiptare për mijëvjeçarë të tërë u vendosën pushtues si helenët, romakët, gotët, sllavët, turqit, gjermanët e sotëm, italianët, etj: në ADN e tyre, nuk duhet të jenë pasardhës të ilirëve. Atëherë kush e solli gjuhën e bukur shqipe në ditët tona?! Ku është qëndresa e kombeve Z. Astrit Lulushi?!
Ju këshilloj që në të ardhmen, të jini më i kujdesshëm!
Vasil Klironomi
al on 11/11/2017 15:37:48
avatar
Une solla nje veshtrim te shkurter te nje historiani te shek 19. Fale perparimit te shkences shume teza te tij sot jane hedhur poshte, por jo ajo e migrimit te shqiptareve. Mendoj se mendimi bashkohor i konsideron te gjitha dhe ndan vecas te vertetat nga jo-te vertetat. Komenti yt e mbyt kete lloj debati duke hedhur poshte miellin se bashku me krundet.

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
3.40
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1