Newsletter
Email:
Poll: Fjala e Lire
Si ndiheni tek Fjala e Lire?
Home | NDRYSHE | Kur dhurova një shami, kuq e zi, këngëtarit Shaqir Cërvadiku

Kur dhurova një shami, kuq e zi, këngëtarit Shaqir Cërvadiku

Font size: Decrease font Enlarge font
image Mirvete Kabashi Leku

“VETËM NJË GJË E DI TË SIGURTË : NË SHPIRT KAM GAZ, DRITË, SHPRESË!...”

       (Bisedë, me Mirvete Kabashin-Leku, krijuese dhe veprimtare e njohur prizrenase)



1.Ndërsa po e nisim këtë Bisedë, e nderuara mike Mirvete, në kujtesë sjell vizitën time të parë në Prizren. Ishte një vit pas luftës e fitores ndaj pushtuesve të egër serbë. Pra, e pashë këtë pjesë të truallit tonë amtar të lirë, por ende me plagët e pashëruara. Me ato mbresa, të mbledhura gjatë dy javëve, në qytete e fshatra të ndryshëm, shkova e botova librin “Si e pashë unë Kosovën…”(Tiranë, 2000). Sigurisht, kam qenë aty dhe në raste të tjerë dhe jam mbushur me krenari për historinë e lavdishme të këtij qyteti historik…Tani, dëshiroj të di, se si është e lidhur jeta jote me Prizrenin? Pra, a mund të na tregosh diçka për fëmijërinë e rininë tënde?

-Përshëndetje, i nderuar prof. Murat Gecaj! Më emocionoi fjalia juaj:  Pra, e pashë këtë pjesë të truallit tonë amtar të lirë, por ende me plagët e pashëruara?!...” Gjë, që është e vërteta e hidhur, ngase ende lëngon dhe gjakon Kosova jonë. Edhe pse kam shumë për të folur për atëdheun tim të përvuajtur, do t`i respektoj pyetjet tua dhe do të mundohem, me sinqeritet, t’u përgjigjem…

Jeta ime me Prizrenin është shumë e lidhur, aq ngusht saqë, të më ofronin qytetin më të bukur të botës të jetoja, unë përsëri do ta quaja qytetin më të bukur, Prizrenin tim, Prizrenin e lashtë. Sa herë dal të shëtis, jam e mbushur në shpirt, me ndjenjën e lumturisë, që i përkas këtij qyteti historik. Ndjehem e lumtur dhe krenare sepse, në dejt e mi rrjedh gjak arbëror. Eci brigjeve të Lumbardhit, nën Kalanë legjendare. Kaloj rrugën dhe afrohem të ndërtesa e Beselidhjes Shqiptare. Gazi dhe krenaria gjithmonë mbreterojnë në mua . Mendja ngulitet te bustet e Abdyl Frashërit, Ymer Prizrenit, Sylejman Vokshit dhe gjithë të tjerve, që atëbotë lidhën Besën…

2.Për vitet e punës në profesion, çfarë dëshiron të veçosh?

-Sa i përket viteve të punës time, në ato të paraluftës, kam vetëm vuajtje e mjerim. Kur fillova punë në arsim, isha e re. Iu përkushtova me shumë vullnet mësimëdhënjes, arsimtare e gjuhës dhe letërsisë shqipe. Po ashtu,  kisha një dashuri të madhe ndaj nxënësve, njashtu dhe nxënësit për mua. Por, me që isha “halë në sy” për armikun, nga demostratat e vitit 1981, kur isha studente dhe nuk kishte furtunë të më ndalte, nga dashuria dhe ideali im, për Kosovën-Republikë. isha e përcjellur në çdo hap nga spiunet UDB-ash, poashtu dhe nxënësit e mi. Nuk vonoi shumë dhe më ftuan në sekretariat, duke më qortuar se unë nuk po i edukoja nxënësit në rrugën e drejtë, për ta dashur shtetin e tyre, por po i mësojkam, se si duhen dashur Shqipëria e E.Hoxha dhe jo Jugosllavia e Titos. Në këtë kohë, ai ishte i vdekur, por vazhdonin fotot e tij, në fillimin e faqeve të secilit libër dhe ne arsimtarët e kishim për detyrë t`ua kontrollonim librat nxënësve dhe t’i paralajmronim ata, që e grisnin foton  e tij! Ndërsa mua më vinte aq mirë. kur shihja foton e shkoqur nga libri, sa që nuk mundja të mos më përshkonte një buzëqeshje në tërë fytyren. E, faji hidhej mbi mua, sepse nuk po i edukoja dhe mësoja mire ata, për ta ruajtur atë foto të Titos. Që, për mua në fakt. kishte qenë një satrap shteti e jo një kryetar i denjë. E kuptoja drejt këtë sjellje të tyre, ndaj meje, se donin gjithësesi të më largonin nga puna. Sepse, për ata, isha një “irredentiste”, që po i edukoja nxënësit kundër shtetit serb!

Kështu,erdhi dhe dita, kur më larguan nga puna, me arsye qesharake… Po shfaqej një koncert në qytet dhe, si gjithëherë, më tërhiqnin e më pëlqenin shumë këngët atdhetare. Kështu, nga ndjenja të tilla të shfrenuara, ia dhurova një shami, kuqë e zi, këngëtarit Shaqir Cërvadiku. Menjëherë, të nesërmen, së pari, e kishin thirrë babain tim në sekretariat dhe pastaj mua. Aty ma dhanë vendimin me përjashtim nga puna!? Por, me këtë vendim, më dhanë edhe më shumë forcë e guxim, për të vepruar së bashku me shumë të tjerë, në ilegalitet.

Dua ta ceku se, profesionin tim mësuese,nuk munda ta vazhdoja, ngase merresha me punë tjera, që për mua ishin më të mençura ...Tanimë, deshta apo s`deshta këto vitet më pas, janë vazhdim i jetës së moshuar. Po, fat për mua që më fali Zoti poete. E them se më fali Zoti, sepse ata apo ato, që nuk lindin  poetë, nuk mund të jenë të tillë…

3.Pse dhe si të lindi frymëzimi i parë, për të shkruar poezi?A mund të na thuash, se cilët libra ke botuar, deri tani? Çfarë tematike kryesore kanë dhe si janë pritur nga lexuesit?

-Pse? Sepse Zoti më lindi poete… Kur fillova të flas dhe të di , shikoja lumin, që e kishim afër shtëpisë dhe fluturat, që u ngarendja tërë ditën nga pas dhe këndoja këngë, që vetë i nxirrte mendja ime. P.sh:”Lum, o lum, ti vetëm ecë,/ a thua, ke djep, njëherë me fjetë?” Mandej : “Flutër e bukur, sa shumë të dua,/ eja ti e bëju shoqe me mua/ e ma fal atë krahun e shkruar!...”

Poezia e parë e imja titullohet “Vjeshta”, që e shkrova në klasën e dytë fillore. Ajo m`u botua në gazetën ditore “Rilindja” e që, atëherë, si shtojcë kishte “Rilindjen për fëmijë” dhe dilte një herë në javë, ditën e martë. Kështu vazhdova të shkruaja në Revisten “Pionieri”, mandej te “Zëri i rinisë”, “Kosovarja”, “Bota Sot” e shumë tjera.

Kam, diku mbi 500 poezi, të botuara pjesërisht nëpër periodikë. Kam botuar tre vëllime poetike e jam pjesëmarrëse në mbi 30 përmbledhje antologjike. Titujt e librave të mi janë:“Flakë e Valë”, "Gurra e Zemrësdhe “Sintaksë Platonike”. Tani, kam gati për botim dy romane…

Tematika e librit të parë,“Flakë e valë” është koha e paraluftës, periudha kur ishim të pushtuar, kur shpirti ndjente mall për Shqipërinë Nënë. Por që, atëherë, nuk guxonim as në ëndërr ta shihnim e as ta shprehnim haptas, me shkrime!?

Më lëjoni të citoj pak vargje, nga ky libër…

EDHE SONTE…

Si çdo natë edhe sonte ndjeva,

sikur një ëndërr të gjatë me ty kalova;

sikur nuk kishte asnjë kufi,

ishim së bashku, ne të dy.

Edhe sonte, si çdo natë, ëndërrova,

po tregoj lumturinë, që kishim:

Dy brigje,të bashkuara në një zemër,

që na kanë mbetur pa emër!?

Libri im i dytë, “Gurra e zemrës”, ka një titull mjaft intrigues, metaforik. Aty shpalosi botën time shpirtërore, për të dëshmuar një komunikim të ngrohtë e të sinqertë me lexuesin. Poezitë e këtij libri, janë si buqeta të freskëta dhe të ndërtuara me origjinalitet, me shije estetike dhe të spërkatura me vesën e sinqeritetit tim. Në larminë e temave të këtij libri, më bëhet se notoj në dallgën e ëndërrave, por asnjëherë nuk shkëputem nga realiteti. Me gjetje të veçanta artistike dhe nën efektin e flakërimave shumëngjyrëshe të larmisë së figurave letrare, aty shpalosi jetën time. Me plot kuptim, e thëm se vargu nxjerr fshehtësinë e shpirtit.Gati çdo varg e kam qullosur, sa me lotë gëzimi e sa me lotë hidhërimi!?…

Me shumë dashuri i shkruaj më të dashurve të mi, nisur nga bashkëshorti, fëmijët dhe nipat. Janë vargje, që i gdhendi me plot dashuri e me shije estetike, me një ngjyrim të thekshëm emocional.

Përsëri, po jap poezi, nga ky libër…

BASHKËSHORTIT TIM!

Nuk kam nevojë asnjëherë për pasqyr;,

 kur dua të shoh veten, në ditën që jetoj,

të kam ty, udhërrëfyes te zemra e fytyr;,

 te ti, çdo gjë të shtrenjtë, tani e lexoj.

Çdo ditë e re sjell rrudha te balli,

po sytë e tu kanë mbetur të bukur si qielli;

fundosem e tëra te shpirti yt si fllad behari

e krenaria ma zbukuron jetën dhe fjalën.

Ani, pse vitet, që rrodhën,kishin erë dhe fortunë;

ani, pse eklipset errësonin diellin me rreze,

ti mbete po ai diell, i pashuar kurrë për mua.

 E qetësia e pleqërisë, me ty, më vjen ditëve, netëve…

Libri im i tretë, titullohet “Sintaksë platonike”. Kuptohet se dashuria është thelbi kryesor i jetës. Kështu vendosa ta qes në dritë përbledhjen poetike, të mbushur me lirika dashurie. Dua ta shtjelloj kuptimin e titullit të librit, pasiqë shumë lexues më bëjnë pyetjen, “Pse ky titull”? Më këtë titull kam një poezi, në cilën shprehi përsonazhin e erotizmit, që do jetë vazhdimisht në lojë, përmes gjymtyrëve kryesorë të këtij konteksti erotik dhe që lypet nga gjinia femërore,. Por që s`dihet në cilin rol është, të kryefjalës apo kallzuesit të humbur, brenda frazës poetike figurative. Aty shprehem:

Respekt’ i madh, në mes kryefjale,

kallëzuesi një grusht i mbushur mall e zjarr;

duar të lidhura gardh gishtërinjsh,

dredhin fort telat e kitarës...

Notat shpërndahen, pentagramit të prushëzuar,

respekt i madh, në mes...

Udhëtim i pambarim, sa i shkurtër, vallë?

Jo më kot, thuhet se “Dashuria është etje, që pihet symbyllazi...”. Ndaj, përmes vargjeve, shprehem se pse e kam kuptuar që dashuria e kultivon mendjen e njeriut dhe se dashuria është matematikë, me plot të panjohura, nëse nuk e kultivon si duhet:

NJË ËNDËRR ME TY…

Ndjenjat epshore, si dallgë të fuqishme,

përplaseshin mbi mua, si valë deti të trazuar.

Me kënaqesinë kulmore prita asaj nate,

të përshkojnë trupin tim, zjarrin e pashuar;

nga buza filloi puthja, më e ëmbël se mjalta…

Dalëngadalë, po zdirgjeshim, si dallgë pa mbarim,

ofshamat e epsheve më ngjanin, çuditërisht, si vala.

Kur trupat, të lakuriqësuar, u bënë një dhe u shkrinë,

dy zemra ritmonin si të ishin një…

Do jesh i imi e unë e jotja, përgjithmonë!

E dehur jam, pa alkool e bërë tapë,

ishte një ëndërr, me ty, këtë natë!...

4.Po libra të tjerë, a ke në dorëshkrim dhe kur mendon t’i publikosh?

-Po, kam edhe tre libra në dorëshkrim, por kësaj radhe, pak më ndryshe. Kam në përpunim ditarin tim të jetës, ku kam besim të plotë që do të has në mirëkuptim të lexuesit. Tjetri është përmbledhje me përjetimet e familjarëve të dëshmorëve dhe njërin do ta vazhdoj në Turqi, me rrëfimet e shqiptarëve të shpërngulur ose të dëbuarit nga Kosova.

5.A janë bërë publikime, në shtyp e Internet, për krijimet tua dhe si janë vlerësuar ato, nga juri ose institucione të ndryshme?

-Po, i kam të publikuara dhe janë vlerësuar mirë. Kam adhurues të shumtë, që presin nga unë, siç thonë, për t`ua ushqyer trurin e për t`ua kënaqur shpirtin…

6. Kam lexuar se je dhe veprimtare e dalluar në Lëvizjet Kombëtare  Shqiptare…Çfarë mund t’u tregosh lexueve, për këtë pjesë të rëndësishme të jetës?

-Po jam e kyçur në shumë Lëvizje Kombëtare. Edhe pse kam kaluar vite, nuk rreshti së dashuruari Kombin tim, Atdheun e Mëmëdheun. Atdheu, për mua, është plagë e pashëruar, përderisa i ka gjymtyrët e shkapërderdhura dhe të pushtuara. Andaj, nuk ndaloj së vepruari për Ribashkimin e Trojeve Shqiptare. Që nga fëmijëria, e ndjera nëna ime më mësoi se si duhet Kombi, si ruhet Atdheu e si mbahet Besa. Andaj, si e re, iu kam përgjigjur kushtrimit për lirinë e Kosovës edhe pse pasojat kanë qenë të rënda. Por, me zemër të madhe e me guxim, përballohen të gjitha. E ndiej se me është mbushur koka, me pyetjet, që heshtazi, i bëj vetëvetes. Pyetje , pyetje , pa pergjigje, që në shpirt më përvëlojnë: A thua, do të ketë ndonjëherë  liri, për të gjitha trojet tona shqiptare ?!

7.Ngeli për në fund kjo pyetje, jo nga vlera e saj!…Pra, cila është përbërja juaj familjare dhe çfarë kënaqësishë përjeton prej saj?

-Përbërja ime familjare është; Bashkëshorti im, Mehdi; vajza, Vlora; djemtë, Kastrioti e Vullneti, rejat Liridona e Raimonda,  nipat Olti e Orgesi dhe mbesa Azra. 

Ndonjëherë, me mendje, rrugëtoj viteve, që kalova dhe me vete them: “Sa shpejt më iki rinia!?” “Fajin” ia hedh kohës, hajdute e tinzare . Ajo më mundi, duke m`i vjedhur vitet Por, përsëri them, se: Edhe pleqëria ka mjaft kënaqësi. Kjo ndodh atëherë, kur me nipat e mi, përsëris lojërat e fëmijërisë, duke e harruar moshën.Mendoj për vitet, që kalova, tek ato që kam parë dhe te këto, që do te pres të shoh…Këtë nuk e di?! Vetëm një gjë e di të sigurtë, se në shpirt kam gaz, dritë dhe shpresë. Ndoshta, iu kam përshtatur emrit tim, Mirvete, që do te thotë “mirë vafsh!”. Diçka ndërmjet të mirës dhe te kaluarës, që e duan të gjithë. Një të kaluar të mirë dhe një të ardhme të sukseseshme, që e tregon kuptimin e jetës…

-Nëqoftëse nuk na mbeti ndonjë diçka e rëndësishme pa thënë,  gjatë kësaj Bisede, të falënderojmë përzemërisht për përgjigjet, mike poete e veprimtare atdhetare, Mirvete Kabashi-Leku! Gjithashtu, të urojmë gjitha të mirat dhe arritje sa më të kënaqshme, në krijimtarinë letrare dhe veprimtaritë e dobishme shoqërore, si dhe gëzime e lumturi, vetjake e familjare!

Tiranë-Prizren, 12 tetor 2017

Comments (0 posted):

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
0
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1