Newsletter
Email:
Poll: Fjala e Lire
Si ndiheni tek Fjala e Lire?
Home | NDRYSHE | LULËZON SHQIPËRIA SOCIALISTE

LULËZON SHQIPËRIA SOCIALISTE

Font size: Decrease font Enlarge font
image REXHEP SHAHU

REXHEP SHAHU

LULËZON SHQIPËRIA SOCIALISTE

Ata që ankohen, si unë, se jemi keq, ia fusin kot. Sepse ka keq e më keq dhe nuk ia gjejmë fundin të keqes e mos e prekshim fundin e të keqes.
Jemi mirë. Kush nuk thotë se jemi mirë ia bën qejfin hasmit dhe nuk i bëhet mirë, pasi bëhet mirë kur thua jemi mirë. Qeveria punon. Populli gëzohet. Edhe duartroket rast pas rasti. Kryeministri qesh. Bën edhe hajgare e selfie rast pas rasti. Herë si çun Tirone, herë si bohem Parisi me atlete të bardha. Por edhe shan ndonjëherë shokët, miqtë, mikeshat. Shan burrat e ish grave e gratë e ish burrave. Po kë do shajë ai tjetër? Të tijtë do shajë e do mbajë, të tjerët nuk i llogarit si të këtuhit.
Qeveria ka gjetë rrugën e zgjidhjes së problemeve që s'i ka krijuar vetë por i ka gjetë para 5 vitesh. Se problemet gjithmonë gjenden, nuk krijohen. Janë të lashta problemet. A mos u shpik vjedhja e mashtrimi sot? Jo. Aty kanë qenë. 
Thonë ka papunësi. Kryeministri thotë punë ka nuk ka specialistë, nuk ka punëtorë. Unë them nuk ka sa duhet papunësi. Duhet të ketë akoma më shume papunësi që të binden vërtetë njerzit se ka papunësi pasi njerzit e papunë jetojnë me lekët që u dërgojnë të afërmit nga vendet e Europës dhe ngaqë kanë të hanë, nuk besojnë se janë të pa punë. Ende nuk ka mbërri puna që njerzit të hanë kakën e tyre.
Qeveria punon. Nuk ndërton e nuk lejon të ndërtohet asgjë, por po shkatërron ndërtimet që janë bërë dikur me leje të kryeministrit të sotëm që firmoste leje dje kur ishte kryebashkiak i Tiranes. Në fund të fundit edhe shkëtërrimi i ndërtimeve të palejueshme ndërtim është në një farë mënyrë sepse po shkatërron një pallat a disa shtëpia e po ndërton një lulishte, një park, një rrugë a mbikalim. Pra shkatërron, rrënon qeveria. Rrënon ndërtimet jashtë bllokut në Tirane se nuk ka bythë të rrënojë në bllok, të lirojë trotuaret në bllok, se në bllok i lexohet blloku... E kush thotë se shkatërrimi nuk është punë, nuk qenka punë? Është punë që ç'ke me të, punë që mbahet mend gjatë prej syrit që e sheh, prej syrit të njeriut jo prej syrit të nënës së viçit.
Duke punuar në shkatërrim e rrënim, pakësohen vendet e punës. Ai është qëllimi i qeverisë - të shkurtojë vendet e punës që populli të bindet se nuk ka punë dhe të ngrihet e të bëjë një punë : të ikë nga sytë këmbët nëpër vendet e Europës, ose të ngrihet e ta shporrë edhe me dhunë qeverinë. E të thotë se ishte qeveri kalamanësh, jo politike, jo përfaqësuese dhe te krijoje qeveri me socialistë të vërtetë e jo me shokë e me qarqe okulte e as me anonimë.
Punë nuk ka. Edhe nuk do të ketë. Derisa qeveria të lehtësoje e nxisë ikjen e shqiptarëve prej atdheut me rrugë të paligjshme. Ky është qëllimi - të ikin shqiptarët pasi shqiptarët janë tepër në këtë vend dhe me shqiptarë nuk bëhet ky vend. E kur të mbeten aq frymë këtu sa do qeveria, atëherë punojnë zogjtë për njerzit, zogjtë hanë krimbat e kufomave tona.
Punë nuk ka, por lekë ka. Nëse nuk ka punë që derdh djersë njeriu, ka plot lojra fati, llotari sporti, kazino, që i ka shtuar kjo qeveri kur qeni njohu të zotin e ri, ku njerzit knaqen pa derdhë djersë duke dhënë lekë, knaqen duke kaluar kohën në mënyrë aktive në pritje të fatit të bardhë si fundi i kusisë për t’u bërë milionerë, duke mos çarë kokën për fëmijët e gruan që i harron në shtëpi...
Se nuk ka punë, thonë kot njerzit. Nga inati flasin. Punë ka. Edhe burrat mund të bëhen skllevër si gratë e tyre në fasoneri - skllaveri moderne ku paguhen 100 euro në muaj, pa siguracione e në kushte mizerje. Nuk është pak të sigurosh miellin e bukës.
Gënjen kush thotë se nuk ka punë. Pse duhet puna? Shkoni shihni ndeshje sportive. Aty harroni hallet, dertet, gratë, fëmijët, qeverinë. Aty bëhen njerzit bisha. Shfaqin talentin në ulërima. Merren me komente sportive deri në ndeshjen tjetër e kështu harrohet nevoja për punë.
Qeveria është e mençur, i drejton njerzit nga sporti, të shohin sporte, të shohin telenovela turke me të cilat Turqia e ka pushtuar realisht Shqipërinë, të edukohen njerzit me kultura meksikane, stambolljane, braziljane. Nuk fitohen lehtë ato përvoja, duhet vite të shohësh telenovela bastarde që të bëhesh grua apo burre fiks bastard dhe të mos mendosh kurrë për punë aq sa në telenovela.
Gjithessi populli i njëmilionë shuplakave është i lumtur. Është popull rrjeshti. Vë edhe shall të kuq në qafë pa e ditë pse, duke ndjekë ata që nuk luftuan e rrejnë se kanë luftuar, pasi ata që kanë luftuar jane në vorr e nuk kanë mundësi t'i pshtyjnë këta bastardë që shkruhen luftëtare sot, kur në kohën e luftës këta luftëtarët e sotëm shallkuqa kanë qenë në shkopinjtë e shurrës së baballarëve të tyre.
Punë nuk ka por qeveria çel punë, hap punë me të cilën mashtrohet populli. Populli ynë ka qejf të mashtrohet, vdes të mashtrohet. Fap hedh në treg kryeministri Enveri Hoxhën. Vu dynjaja pro e kundër. Qesh kryeministri, duartroket duke parë popullin e thashethemeve që vret kohën e tij me pro e kundra pa menduar asnjëherë seriozisht për fatin e tij e bukën e përditshme. Jepi një vakt mish këtij populli e nuk ta harron kurrë.
Punë nuk ka thonë kot dynjaja pasi punë ka. Puna më e lakmuar është të jesh analist. Dalin e llomotisin analistët e emëruar drejtpërdrejt e fshehtas nga qeveria nën dirigjimin e kryeanalistit të gjithdisjshëm dhe vu gjithë populli që punon në fejsbuk garon me analiza e komente. Duartroket qeveria e kryeministri për popullin e punësuar te fejsbuku i Mark Zukenbergut.


Comments (1 posted):

Guri Naimit D(Dh Xh) on 11/10/2017 13:56:58
avatar
Zoti Rexhep Shahu,Ai mbiemri Juaj me imponon,po mu dyfishua rrespekti sa lexova ne kete shkrim,une do te quaja githeperfshires te halleve tona.
Paci miresi.une jam me thenien:
Opozitare po vellezer,ne jemi shqiptare!

Guri Naimit D.

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
0
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1