Newsletter
Email:
Poll: Fjala e Lire
Si ndiheni tek Fjala e Lire?
Home | NDRYSHE | POPULLI DHE STUDENTËT IA KISHIN DHËNË ME KOHË TITULLIN PROFESOR XHEMIL ÇELËS

POPULLI DHE STUDENTËT IA KISHIN DHËNË ME KOHË TITULLIN PROFESOR XHEMIL ÇELËS

Font size: Decrease font Enlarge font
image POPULLI DHE STUDENTËT IA KISHIN DHËNË ME KOHË TITULLIN PROFESOR XHEMIL ÇELËS

 

 

Nga Enver Lepenica

 

Breza të tërë studentësh, kolegë e miq të tij mbeteshin të mrekulluar nga erudicioni tij, por për arsye biografike jo vetëm që nuk u vlerësua por edhe u përndoq nga diktatura komuniste. Mendimet e tij në fushën e ekonomisë i mbështeste në këto kritere: Sigurimi i fitimit maksimal me minimumin e shpenzimeve  të forcave prodhuese.

Familja e profesor Xhemil Çelës ose  Veraj u bë bazë e Lëvizjes Antifashiste. Në se Gjormi ishte  baza e parë dhe më rëndësishme në Lëvizjes Antifashiste në krahinën e Vlorës, kjo i dedikohet në radhë të parë vëllezërve Veraj që vunë në shërbim të luftës, shtëpitë dhe pasurinë e tyre të shumtë dhe nuk u kursyen deri sa Shqipëria u çlirua. Ata u bënë pjesëtarë aktiv në çetën “Plakë” të Vlorës, formuar më 4 dhjetor 1942, në vendlindjen e Xhemilit në Gjorm.

Prof. dr. në ekonomi Xhemil Çela lindi më 15 maj 1910 në Gjorm të Vlorës. Pa mbushur 10 vjeç mbeti jetim pa nënë dhe pa baba. Vëllai i tij i madh Muço Sherifi, një nga burrat më të shquar të Gjormit, fisnik, i dashur, trim e atdhetar u kujdes për vëllanë të bëhej me shkollë. Shkollën fillore e mbaroi në Gjorm në një shkollë italiane. Në vitin 1925-1926 u rregjistrua në Shkollën Teknike Amerikane në Tiranë. Ai e mbaroi me rezultate të larta dhe për një farë kohe ishte edhe kryetar i Kongresit të Nxënësve. Pas mbarimit të kësaj shkolle shkoi me studime në Itali dhe u laurua në dy fakultete, në atë të ekonomisë dhe të drejtësië, me rezultate të larta. Për disa vjet dha mësim në Universitetin “Leonardo da Vinçi” të Bolonjës.

Në kohën e pushtimit të Shqipërisë, më 7 prill 1939, prej Italisë fashiste u izolua në Tripoli të Libisë dhe u suall forcërisht në Shqipëri në vitin 1941. Po këtë vit u burgos prej fashizmit italian dhe deri në kapitullimin e Italisë shtator 1943 mbeti pa punë. Në fund të vitit 1943 u emërua prefekt i Dragashit dhe më vonë i Prizrenit në Kosovë. Për popullin e atyre zonave ai me idetë dhe propagandën e Shqipërisë Etnike, u bë simbol i pjekurisë, drejtësië dhe besimit dhe u zgjodh deputet.

Me pushtimin e Kosovës nga Gjermania u arrestua prej Gestapos, për aktivitet antinazist dhe ndjenja atdhetare dhe u internua në disa kampe në Prishtinë, Klok, Mathauzen etj.

Në korrik të vitit 1945 ai mundi të kthehet i gjallë në Atdhe dhe mbeti pa punë prej qeverisë komuniste.

Në vitin 1947, në sajë të reputacionit që gëzonte, të njohjes së 6 gjuhëve të huaja, të doktoratës që kish marrë në Itali, si dhe të përkrahjes së dy miqve të tij Dr. Omer Nishanit dhe Nako Spirut ai u emërua  mësues në disa shkolla të mesme. 

Në dosjen e tij personale kemi gjetur deklaratën që atij i ka lëshuar Dr. Omer Nishani në të cilën thihet:

“Xhemil Çelën, sot profesor i kontabilitetit në Teknikumin Financiar “11 Janari”, e njoh që nga viti 1935 kur isha  emigrant politik në Korfuz, ku ai ishte student. Ai ka qenë i sjellshëm, studioz, serioz e korrekt. Si katundar, ai ishte kundër feudalëve dhe çfrytëzonjësve të vëndit, kundër regjimit të Zogut dhe megjithë që konsullata shqiptare dhe drejtoria e shkollës i kishin porositur studentët të mos afrohen me mua, Xhemili me disa të tjerë vinin, rrinin me mua kurdoherë që më shihnin. Ndënë okupacionin Italian Xhemilin e takova në Tiranë dhe isha gjithmonë në kontakt me të. Ai e urrente okupatorin dhe këtë e çfaqte hapët. Për këtë italianët e nxuarn nga puna dhe e burgosën 15 dit. Ai më ka vizituar edhe kur isha në ilegalitet në Tiranë. Ai e simpatizonte Lëvizjen Nacionalçlirimtare dhe fliste me admirim për heroizmat e partizanëve.  Xhemil Çela ka dhënë prova konkrete shërbimi në interes të pushtetit popullor. Është i ndershëm dhe mund t’i shërbejë mirë kauzës së popullit, të qeverisë e të partisë. Dr. Omer Nishani”.

Me krijimin e universitetit ai punoi për mbi 15 vjet pedagog në Fakultetin e Ekonomisë së Universitetit të Tiranës. Dr. Xhemil Çela ka një stazh të gjatë pedagogjik dhe një vepruimtari kërkimore shkencore të madhe për një kohë për më shumë se 23 vjet rresht.

Volumi i punës së tij shkencore dhe pedagogjike arrin  në 4000 faqe. Në këto punime përfshihen tekste kontabiliteti për shkolla të mesme dhe universitetin, studime dhe monografi që lidhen me probleme të ndryshme në fushën e financave dhe të ekonomisë. Konkretisht ai është bashkautor i tre teksteve mësimore për universitetin si dhe i pesë monografive në fushën e ekonomisë dhe financave. Punimet e tij janë shkencore, origjinale me vlerë teorike dhe praktike, të cilat janë vlerësuar dhe pranuar prej autoriteteve të institucioneve të ekonomisë të vendit tonë.

Në praktik ai është autor i studimit ekonomik të Hidroçentralit të Lepenicës me kapacitet 9000 kv/orë të instaluara si dhe i një plani për zhvillimin e bujqësisë në Korçë. Pas titujve shkencorë docient dhe doktor në ekonomi, Katedra e Kontabilitetit  e ka propozuar për titullin, profesor me këtë motivacion:

“Stazh i gjatë në arsim, nivel i lartë i përgatitjes dhe i dhënies se leksioneve, vëllim i madh dhe cilësia e punës së tij shkencore, dëshmojnë se ai është një mësues me përvojë, se e njeh thellë lëndën e vet dhe ekonomisë në përgjithësi…”

Për arsye të njohura politike, mungesës së besimit që regjimi kishte tek ai, nuk ia njohën këtë titull plotësisht të merituar. Populli dhe studentët ia kishin dhënë me kohë titullin profesor dhe atij të gjith i drejtoheshin me respekt ”profesor Xhemili”!

                                                       *       *      *

Me përmbysjen e sistemit diktatorial komunist Prof. Dr. Xhemil Çela filloi të kërkoi të drejtat e mohuara dhe i drejton një kërkesë Komitetit Shqiptar të Helsinkit. Fitorja e demokracisë në vendin tonë më dha mundësinë edhe mua për të kërkuar të drejta të ligjshme të mohuara në mënyrë arbitrare nga sistemi totalitar. Për këtë iu drejtova me një kërkesë z. Arben Puto, që, me autoritetin e tij dhe të organizmit që drejton, të më ndihmojë që shteti demokratik të korrigjojë padrejtësinë e bërë ndaj meje. Është fjala për njohjen e të drejtës si veteran i Luftës Antifashiste dhe përfitimit të shpërblimit që shtetasit shqiptarë të lidhur me Lëvizjen Antifashiste e kanë përfituar këtë të drejtë, ndërsa mua ma kanë mohuar, duke bërë kështu një diskriminim të turpshëm. Për bazat konkrete mbi të cilat Xhemil Çela e mbështet kërkesën ai shkruan:

“Familja ime gjatë Luftës Nacionalçlirimtare shërbeu si baza më e rëndësishme në krahinën e Mesaplikut. Në fakt, atje janë strehuar qindra partizanë për një kohë të gjatë. Përveç kësaj, të dy vëllezërit e mi, Muço Sherif Çela dhe Esat Sherif Çela, ishin efektiv të Çetës Plakë, duke marrë pjesë në të gjitha aksionet që kjo çetë kreu kundër fashizmit. Për më tepër, vëllai im i madh, Muço Sherif Çela, shërbeu dhe si Kryetar i Këshillit Antifashist të fshatit, Gjorm. Me vendosjen e pushtetit komunist, të dy vëllezërit e mi u burgosën për një kohë të gjatë, derisa Muçua vdiq në burgun e Burrelit, pa pasur asnjë faj.

Unë vetë, jam pushuar nga puna e burgosur si antifashist e, më pas, nga Gestapoja gjermane i torturuar përfundova në Mathauzën, deri në kapitullimin e Gjermanisë naziste. Kështu që gjatë gjithë kohës së Luftës së Dytë Botërore unë u burgosa, u internova dhe mbeta pa punë. Këto që thashë dokumentohen me deklaratat e luftëtarve antifashist.

Së dyti, Këshilli Shkencor i Fakultetit Ekonomik dhe ai i Universitetit të Tiranës votuan dy herë per të më dhënë titullin profesor, por Ministria e Arsimit me njëfarë Hasan Duma në krye nuk ma dhanë titullin me pretekstin qesharak se përpara titullit profesor duhet të kesh gradën doktor. Por une këtë gradë e kam fituar në Itali qysh më 1940 dhe këtë fakt Ministria e Arsimit e di shumë mire, sepse dokumenti që vërteton gradën time është i depozituar në dosjen time personale”.

                                                          *       *     *

Prof. Dr. Xhemal Çela mbylli sytë përgjithmonë në Tiranë më 3 mars 1994, i qorruar si pasojë e dëmtimit të syve gjatë internimit në kampet naziste.

Prof. dr. Sali Berisha i shkroi familjes së tij: ”Duke marrë pjesë në hidhërimin tuaj, shpreh ngushëllimet e mia të sinqerta për humbjen e profesorit të nderuar Xhemil Çela. Ai do të mbetet i paharruar me kontributin dhe mësimdhënien e tij për shumë breza studentësh dhe  kolegësh në fushën e kontabilitetit dhe ekonomisë. Sali Berisha “  Telegram, datë 4 Mars 1994.

Comments (0 posted):

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
5.00
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1