Newsletter
Email:
Poll: Letërsia
Cili është lloji juaj i preferuar i letërsisë?
Home | OPINIONE | Kujdes, moj opozitë! Po të përgatitet gracka

Kujdes, moj opozitë! Po të përgatitet gracka

Font size: Decrease font Enlarge font
image Prof.Dr. Eshref Ymeri

Prof.Dr. Eshref Ymeri

 

Kujdes, moj opozitë! 

Po të përgatitet gracka 

 

“Popullit i kushton më shtrenjtë të vazhdojë të ushqejë një diktator, sesa ta flakë atë nga pushteti”.

 

Situata në vendin tonë sapo vjen e bëhet më e ndezur. Protesta e fundit e opozitës vërtetoi se vala e pakënaqësisë së frontit opozitar, sa vjen e bëhet më e fuqishme. Por kryeministrit Rama nuk i bën përshtypje kjo gjendje tensioni. Madje në një takim që pati me gazetarët më 12 maj, ai deklaroi se nga kapsollat e hedhura nuk dëmtohet qeveria, por Shqipëria.

Një kryeministër me gjykim të ftohtë, me mendje të kthjellët, nuk mund t’i lejojë vetes të nxjerrë nga goja një deklaratë të tillë. Me këtë deklaratë, kryeministri Rama vërteton në praktikë se për të është shumë më e çmuar selia kryeministrore dhe kolltuku i tij personal, sesa emri  i Shqipërisë në sytë e opinionit ndërkombëtar. Sepse ai është i vetëdijshëm për dëmin që i bëhet vendit tonë para syve të botës nga gjendja e tanishme kaotike, por për këtë atij nuk i bëhet vonë fare, mjafton që kolltuku i tij të mbetet i paprekur. Kjo është një mendësi karakteristike prej diktatori të kulluar.

Ky qëndrim i hapur kundër popullit opozitar, çdo shqiptari me vetëdije kombëtare, pavarësisht se cilit krahu politik i përket, i sjell në kujtesë sloganin e shpëlarë të Ramës për të ashtuquajturën Rilindje socialiste, e cila, siç tregoi rrjedha e ngjarjeve të mëvonshme, paska pasur si qëllim vetëm rilindjen e sundimit njëpartiak të kohës së diktaturës së kriminelit Enver Hoxha, një sundim ky neokomunist në kushtet e ekonomisë së tregut. Rrjedha e ngjarjeve, po ashtu, vërtetoi konkretisht se reforma në drejtësi paska pasur po të njëjtin qëllim.

Duhet besuar me domosdo se për pasojat e rënda që ka sjellë qeverisja e Ramës në gjendjen ekonomike të shumicës së familjeve shqiptare, është i bindur edhe elektorati i majtë, mbi të cilin, ashtu si edhe mbi elektoratin e djathtë, rëndojnë taksat e papërballueshme përmes çmimeve të larta të energjisë elektrike, të ujit, të karburantit, të biletave të avionëve, çmimet e larta të produkteve ushqimore, e të tjera e të tjera. Por elektoratin e majtë, për fatkeqësinë e tij, e drejton një parti socialiste, e cila s’është gjë tjetër, veçse një “parti-kufomë” që tërhiqet zvarrë para kryeministrit Rama. Kjo është arsyeja që nga radhët e forumeve të saj, nga asambleja e saj, nga kryesia e saj, nuk pipëtin askush kundër tij, të gjithë janë katandisur në “të vdekur e të pakallur”, prandaj edhe Ramën e vështrojnë në dritë të syrit, sepse kanë frikë se mos u bën gjëmën politike po të lëvizin bishtin, tamam si krimineli Enver Hoxha një herë e një kohë. Në fushatën zgjedhore të vitit 2013, Rama, në një fletëpalosje, të cilën familjeve shqiptare ua hodhi poshtë derës, premtoi se taksën e vlerës së shtuar të energjisë elektrike (tvsh) do ta ulte nga 20% në 06%. Çuditërisht, kur u ul në kolltukun e kryeministrit, mashtroi hapur dhe jo vetëm nuk e uli, por edhe çmimin e energjisë elektrike e ngriti me 20%. Por askush nga pjesëtarët e strukturave të larta të partisë socialiste nuk u bë i gjallë dhe t’i tërhiqte vëmendjen për këtë mashtrim skandaloz që i bëri mbarë popullit shqiptar.

 Edhe këta muajt e fundit, kur opozita është hedhur në protesta të fuqishme, askush nga radhët e strukturave të larta të partisë socialiste s’e ka ngritur zërin kundër mënyrës antikombëtare të qeverisjes së Ramës. Dy zëra që janë dëgjuar kundër me shumë të drejtë, si ai i zonjës Arta Dade dhe i zotit Hamdi Jupe, kryeministrit Rama nuk i prishin punë fare, sepse ata s’janë më deputetë dhe as që kanë ndonjë peshë në strukturat e partisë socialiste.

Në këto kushte, opozita, për shkak të gjendjes së rënduar ekonomike dhe të përqendrimit të pushtetit politik dhe ekonomik në duart e një grushti njerëzish me Ramën në krye, është hedhur në protesta të fuqishme për rrëzimin e tij. Një situatë të tillë, të cilën e ka përjetuar edhe Ukraina dikur nën sundimin e argatit të regjur të Kremlinit, ish-presidentit të përmbysur Janukoviç, e ka karakterizuar fare bukur Majkll Shçur (1982), gazetar i njohur i televizionit të këtij vendi, aktor, skenarist dhe muzikant, i cili thotë:

“Popullit i kushton më shtrenjtë të vazhdojë të ushqejë një diktator, sesa ta flakë atë nga pushteti”.

Mirë është që Rama ta mbajë shënim këtë thënie aforistike të këtij gazetari të talentuar. Sepse vahdimi i sundimit të tij është varrmihës për shumicën dërrmuese të popullit shqiptar, çka është dëshmuar më së miri nga braktisja e atdheut prej 500 mijë bashkatdhetarëve, siç i deklaroi analisti italian Alberto Negri vetë Ramës kur ishte i ftuar në programin televiziv TG2 të RaiDue në Itali në  fund të shkurtit të këtij viti.

Duke qenë i prirur për ta mbajtur pushtetin me thonj dhe me dhëmbë, kryeministri Rama po mundohet ta futë në grackë opozitën, duke kërkuar të hyjë në bisedime me Bashën, të cilit i bën thirrje t’i lërë “shëtitjet” në bulevard dhe të bëjë një takim me të. Me sa duket, ai kërkon të përsëritë skenarin e 18 majit 2017, i cili, për faj të Bashës që ra në grackën e Ramës, rezultoi katastrofik për opozitën.

Veç kësaj, janë vënë në lëvizje edhe ca servilë të pushtetit të Ramës, të cilët njoftojnë nga ekranet televizive se zgjedhjet e parakohshme do të zhvillohen në muajin tetor. Por edhe nga radhët e opozitës janë dëgjuar zëra për zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme, zëra këta që çojnë ujë në mullirin e qeverisjes socialiste.

Këto thirrje për zgjedhje të parakohshme janë gracka që po i ngrihen opozitës, me qëllim që ajo të shkojë drejt vetasgjësimit përfundimtar. Sepse zgjedhje të parakohshme nuk mund të zhvillohen në asnjë mënyrë, edhe sikur Rama tani të japë dorëheqjen nga posti i kryeministrit. Kjo për arsye se oligarkët politikë rreth tij, krejt strukturat e krimit ekonomik, ai vazhdon t’i ketë më këmbë, gati për t’i hedhur në sulm për hapjen e pazarit të blerjes së votave. Pra, pisllëku politik që ka pllakosur mbarë vendin, nuk lejon kurrfarë trualli për zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Zgjedhjet e parakohshme janë fitore e padiskutueshme e Rilind(Rivdek)jes socialiste, janë rikthim në pushtet i Edi Ramës. Prandaj opozita duhet të synojë jo zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme, por krijimin e një qeverie tranzitore me specialistë-teknicienë, të zhveshur nga ethet e pushtetit, me integritet të lartë intelektual dhe moral (le të shpresojmë dhe të besojmë se në mjedisin tonë gjenden të tilla personalitete, paçka se praktikat qeverisëse pas vitit 1990 na kanë bërë që të mos i besojmë as këmishës që mbajmë në kurriz), të cilët duhet që, gjatë një afati, të paktën, dyvjeçar, të punojnë për pastrimin e pisllëkut politik që ka pllakosur gjithandej, për ndëshkimin e krimit ekonomik, i cili i është imponuar mbarë popullit shqiptar me kanabizimin që i bëri krejt vendit qeversja e kryeministrit Rama. Vetëm paskëtaj, në një truall të pastruar nga krimi ekonomik përmes çmontimit të kapitaleve oligarkiane, të vëna me grabitjen e pasurisë kombëtare, mund të zhvillohen zgjedhje të lira dhe të ndershme, në përputhje me një kod të ri zgjedhor, sipas të cilit në Kuvendin e Shqipërisë duhet të hyjnë deputetë që zgjedh populli drejtpërdrejt dhe jo deputetë të listave  partiake, të hartuara sipas tekave të kryetarëve të partive.

Kryeministri Rama është vetë fajtor për krijimin e një situate kaq të rëndë ekonomike që ka sjellë si pasojë varfërimin e pjesës dërrmuese të familjeve shqiptare. I verbuar nga ethet e pushtetit,  ai ka harruar të mendojë se çfarë ia shkallmon themelet e qeverisjes së tij me teka diktatoriale.

Së pari,themelet e pushteti të një diktatori i minojnë lajkatarët, puthadorët, servilët që ai grumbullon rreth vetes. 

Poeti francezPjer de Ronsar (Pierre de Ronsard1524-1585) ka thënë:

“Është fatkeq ai sundimtar që ka afruar pran vetes njerëz lajkatarë”.

Faktikisht, kryeministri Rama e ka rrethuar veten me lajkatarë, me puthadorë, me servilë shembullorë, të cilët ia kanë rritur mendjen shumë, ia kanë bërë mendjen veri, duke e katandisur deri në atë derexhe, saqë të bëhet gazi i shqiptarëve me ato që nxjerr nga goja, kur shkon në takime me popullin poshtë e përpjetë Shqipërisë. Kjo është njëra minë e nëndheshme që e ka rrezikuar dhe vazhdon ta rrezikojë pushtetin e tij me kahje diktatoriale, i cili ka kohë që lëshon “erë” të keqe.

Së dyti,themelet e pushtetit të një diktatori i minon varfërimi i shtresave të gjera të popullit.

Personaliteti i shquar anglez, Benxhamin Dizraeli (Benjamin Disraeli1804-1881), figurë e njohur politike (dy herë kryeministër i Anglisë në periudhën mes viteve 1868-1880), shkrimtar, njëri nga përfaqësuesit e romanit social, ka lënë pas një thënie kuptimplote për sërën e sundimtarëve që vuajnë nga ethet e pushtetit: 

“Pallatet nuk mund të mos jenë të rrezikuara atje ku kasollet i ka pllakosur varfëria”.

E, pra, varfëria që pllakosi popullin shqiptar gjatë qeverisjes socialiste me Ramën në krye, është mina e dytë e nëndheshme që po ia gërryen ca nga ca themelet e pushtetit.

            Santa Barbara, Kaliforni

            15 maj 2019

Comments (0 posted):

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
5.00
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1