Newsletter
Email:
Poll: Letërsia
Cili është lloji juaj i preferuar i letërsisë?
Home | OPINIONE | Libri Gjon Gjergj Kastrioti, me autor Qamil Alushi

Libri Gjon Gjergj Kastrioti, me autor Qamil Alushi

Font size: Decrease font Enlarge font
image Qazim Shehu

Parathënie

Libri Gjon Gjergj Kastrioti, me autor Qamil Alushi, është i pari libër i veçantë, që i jepet në dorë lexuesit dhe i shtohet fondit të pasur të historiografisë shqiptare. Nuk ështe se historianët e studiuesit shqiptarë, shkruan autori, e kanë lënë tërësisht jashtë vëmendjes Gjon Kastriotin, por e kanë cikur shkarazi dhe vetëm në raste kur është dashur të thurin ndonjë frazë për të, në kontekstin historik të Skënderbeut.

Gjon Kastrioti është mënjanuar si figurë historike pothuajse tërërsisht edhe nga programet shkollore të arsimit parauniversitar, madje dhe në fakultetin përkatës universitar. Nga instuticionet qendrore e lokale, në nderim të tij, nuk ka të emërtuar qoftë edhe një shkollë, rrugë, lagje, apo të jetë kujtuar qoftë edhe njëherë në ndonjë përvjetor. Këtë vit (2018) ka 580 vjetorin e ndarjes nga jeta. Deri në këtë moment, për të s’ është thënë asnjë fjalë. Arsyet e këtij qëndrimi, autori i zbulon jo tek pamjaftueshmëria e burimeve dokumentare, për të cilat thuhet se janë të pakta; ai vë në dukje, se burimet nuk janë dhe aq të pakta, sa kjo figurë historike të lihet ne hije. Nëse nuk do të mungonte vullneti për t’iu futur kërkimit të fondeve arkivore, sidomos atyre jashtë vendit: shteteve të Adriatikut dhe turko-osmane, me siguri do të ishin gjetur shumë më tepër dhe t’i jepej kështu lexuesit një libër më i plotë nga ky, që pas shumë pengesash, që i janë krijuar autorit, ai ia ka dalë t’i nxjerrë në dritë, por siç e thotë, duke ecur me mendimin, se të tjerë pas tij, nuk do t’u shmangen kërkimeve nëpër arkivat e mbyllura.

Gjon Kastrioti ka merituar një libër të përveçuar, ndaj autori, tashmë ndihet më i qetë, se kjo u arrit, me gjithë këtë, vonesën, duke përfshirë edhe veten, e quan të pajustifikueshme, ashtu sikurse edhe heshtjen për t’a nderuar, që ende vazhdon të mbahet.

Lexuesi shqiptar, që do të njihet me këtë libër, do të vërë re:

E para, se Gjon Kastrioti, me vlerat që pasqyrohen për të, në këtë trajtesë historike, do bëhet i njohur në mënyrë të merituar. E dyta, lexuesi do të kuptojë, se është një periudhë më se 35-vjeçare nga fillimet e shekullit të 15-të e mbushur me një veprimtari të gjithanshme, aktive dhe intensive, të zhvilluar nga Gjon Kastrioti në krye të një prej principatave më të rëndësishme në rrethanat komplekse dhe tepër të vështira të përballjesh me presionin e ashpër turko-osman për ta nënshtruar. Do të ishte e pafalshme që t`i mohohej kjo periudhë historisë së popullit shqiptar. E treta, lexuesi do të mësojë se Gjon Kastrioti është drejtuesi dhe organizatori i kryengritjeve të armatosura të shqiptarëve që shpërthyen në vitet 1430 e në vazhdim për liri dhe kundër vendimeve represive të regjimit të timareve që synonin thellimin e mëtejshëm të një shfrytëzimi të padurueshëm nga regjimi shtetëror sulltanor, kryengritje të cilat u shoqëruan me gjakosje dhe pasoja të tjera shkatërimtare. E katërta, është e padyshimtë, se veç vlerës së një burimi njohës së dorës së parë për tablonë dramatike të kësaj periudhe të historisë paraskënderbejane, vlera e veçantë e këtij libri është se sjell të dhëna të besueshme të mbështetura në dokumenta historike të kohës të Gjon Kastriotit edhe për raportet mes tij e turqve-osmanë, për gjithë periudhën kur Skënderbeu, i marrë peng, shërbente si gjeneral në ushtrinë e sulltanit. E pesta, në këtë libër rrëzohen në mënyrë të argumentuar e bindëse sajimet spekulative të ngritura në debatet shterpë të sotme për përkatësine etnike e krahinore te Gjon Kastriotit, për përkatësinë fetare, për vërtetësinë e emrit dhe kohën e ndarjes së tij nga jeta. Autori hedh dritë edhe për jetën, fëmijërinë dhe rininë e tij. Së fundi, ka bërë të pranishëm veprimtarinë aktive politike, diplomatike, ushtarake, ekonomiko-tregëtare dhe marrëdhëniet me jashtë të Gjon Kastriotit.

Autori arrin në përfundimin e drejtë se Gjon Kastrioti dhe Skënderbeu janë dy figura historike të cilat nuk mund të merren të shkëputura, jo në sensin gjenetik se këtë e ka mësuar e gjithë bota, por edhe për faktin se veprimtaria e Gjon Kastriotit, në krye të principatës dhe të lëvizjes masive popullore antiosmane krijoi terenin e favorshëm për të gatuar dhe më fort ndjenjat e thella patriotike e liridashëse, papërkulshmërinë e trimërinë dhe gadishmërinë e tij e të popullit, të shprehur në qëndresën antiosmane. Kjo traditë luftarake e lartësuar, do t`i përcillej Skënderbeut si një burim i madh frymëzimi dhe do t`i shërbente si një mbështetje e fuqishme masive e shqiptarëve të cilën e gjeti që në ditën e parë pas kthimit nga Turqia më 1443 dhe e shprehu me fjalët lapidare të thëna para tyre në Krujë: “Lirinë nuk e solla unë, por e gjeta këtu. Sapo më shkeli këmba në këtë truall, m`u derdhët me vrap të gjithë, më dolët përpara kush e kush më parë... mbretërinë dhe këtë qytet nuk ua dhashë unë por ju ma dorëzuat mua, armët nuk ua solla unë, por iu gjeta të armatosur, lirinë e pashë se e keni kudo, në kraharor, në ballë, në shpatat dhe në ushtat dhe si kujdestarë të pashoq, të lënë nga babai im, e vutë përsëri në vend, me kujdes e besnikëri të pandryshuar, skeptrin që ma ruajtët për këtë ditë dhe më bëtë përsëri... zot të mbretërisë së të parëve të mi...”

E citon autori jo pa qëllim këtë fjalë, e cila ka brenda ndjesinë e lartë shpirtërore të heroit, mendjen dhe zemrën e tij. Mund të kuptohet qartë se ai derdh me këtë rast, tërë dashurinë, respektin e nderimet e tij për ata njerëz të shumtë që e pritën me një gëzim aq të madh shpirtëror, për kujdesin e treguar prej tyre për mbrojtjen e mbretërisë të lënë nga i ati dhe, veçanërisht, për besimin dhe sigurinë e plotë se me këtë gadishmëri dhe vendosmëri që gjeti tek ata do të mund të realizonte veprën e ndritur të luftës çlirimtare. Është kjo frymë e ky optimizëm i rrënjosur thellë që në periudhën e Gjon Kastriotit, një ndër faktorët që i mundësoi Skënderbeut të siguronte menjëherë fuqinë e nevojshme ushtarake me të cilën, brenda një kohe relativisht të shkurtër çliroi nga pushtimi turko- osman të gjitha trevat që kishin qenë nën pushtetin e t`atit dhe të feudalëve të tjerë qe iu bashkuan Beslidhjes së Lezhës dhe të mbrojë lirinë e tyre për një çerek shekulli.

Librin e këtij autori e përshkon një polemikë e hollë, herë-herë e ashpër e me një forcë argumentuese që i rrëzon si era gjethet e vyshkura në vjeshtë, sajimet spekulative të atyre studiuesve e të quajtur analistë, të cilët me këndvështrimet e tyre të rëndomta, kontraverse e herë-herë edhe qesharake, janë përpjekur të rrëzojnë të vërtetën historike për Gjon Kastriotin dhe sidomos për Skënderbeun.

Veçohet në libër si një tregues i veçantë i vlerësuar nga autori fakti, që Gjon Kastrioti arriti të sigurojë mbështetje masive dhe se kjo tregon që ai nuk ishte një feudal që qëndronte mbi masat, që luftonte thjeshtë vetëm për interesat e veta, por një prijës i cili gjithçka e bënte edhe për interesat e të gjithëve. Në këtë sens, luftën për mbijetesë në rrethanat e vështira të vendosjes së regjimit të egër të timarit, autori e paraqet me theks të veçantë dhe e vlerëson si shkak e burim kryesor të një pakënaqësie e zemërate të thellë të krijuar te të gjitha shtresat e popullsisë dhe për rrjedhim, edhe si faktor të rezistencës së tyre të armatosur.

Roli i faktorit masiv ka marrë vlerësimin e duhur se po të mos e kishte ndjerë Gjon Kastrioti këtë rol, ai nuk do të mund të ndërmerrte e të drejtonte një lëvizje kryengritëse të ashpër e të armatosur si ajo e viteve 1430 dhe, në vazhdimësi, kundër një force siç ishte ajo turko-osmane. Ai e kuptoi aspiratën e shqiptarëve për të jetuar të lirë ndaj edhe mori përsipër të vihet në krye të kësaj kauze të madhe dhe tepër të vështirë.

Gjon Kastrioti, siç shprehet ky autor, e karakterizonte urtësia, mençuria, drejtësia e shpirtmadhësia, në raportet me popullsinë, ndaj ai shfaqet si një prijës i vërtetë e guximtar dhe për këtë fitoi popullaritet dhe gëzonte nderime brenda e jashtë vendit. Nuk është arritje e vogël, të arrije në ato kushte përplasjeje me turqit një individualitet të tillë të spikatur.

Autori e adhuron këtë prijës feudal popullor, i cili nuk e vuri veten në asnjë moment dhe për asgjë në rolin e një feudali tipik të rëndomtë mesjetar, nga ato shtypës e shfrytëzues; e adhuron atë për aftësinë dhe zotësinë e tij, që e shndërroi luftën e shqiptarëve në vlerë masive, në shërbim e dobi të tyre; e adhuron atë se përmes një realiteti historik dramatik, ku iu desh të bëjë shumë sakrifica, e i qëndroi besnik idealit të lirisë, që jo vetëm u hoqi mundësinë osmanëve për ti detyruar shqiptarët të hiqnin dorë nga identiteti kombëtar, por ndikoi fuqishëm në ruajtjen e mbajtjen të freskët të kësaj vetëdije, të cilën ia përcolli Skënderbeut si burim frymëzimi për epopenë e tij dhe në rrjedhën e procesit të zhvillimit historik. Çka i jep vlerë trajtesës është se në të janë shmangur ngarkesat panegjerike, lavdëruese dhe ekzagjeruese të bëmave të Gjon Kastriotit.

Autori e ka parë me vend që në këtë libër, të mos lërë jashtë

edhe sajimet spekulative të ngritura në debatet e pakuptimta të hapura për Skënderbeun për çështje të caktuara, dhe, më së shumti, i detyruar nga shpërfillja që historiani O. Schmitt, u ka bërë kritikave që i janë adresuar për këndvështrimet absurde e përçmuese që ka pasqyruar në librin “Për Skënderbeun” të botuar në vitin 2008, të ripërsëritura me një theksim dhe më brutal në ribotimin e vitit 2014.

Në pamundësi për t`i dhënë lexuesit një trajtesë të përveçuar edhe njëherë, pas librit “Skënderbeu nga Marlin Barleti tek O. Svhmitt” botuar në mars 2009, autori e quan veten të ngarkuar shumë nëse nuk do të ndalej siç e thotë, për të shprehur mendimet e tij për disa nga interpretuesit mjeranë të kohëve të sotme. Në këtë pjesë të librit të tij zënë vend tri çështje të titulluara:

Skënderbeu në dritën e fakteve përballë fantazive të O. Schmitt;
Këndvështrimi i Schmitt mbi luftërat e shqiptarëve dhe të Skënderbeut për liri;

Kujtesa, Harresa, Rikujtimi...
Autori e sheh Skënderbeun gjithnjë në ngritje për lavdinë

si hero, për luftat e fitoret dhe aspak në rënie e me disfata të njëpasnjëshme siç përpiqet të shtrembërojë O. Schmitt faktet e padiskutueshme historike.

Është për të shënuar se Gjon Kastrioti u rrit si një figurë historike me peshë. Ai frymëzon edhe sot, jo vetëm se ishte babai i kryeheroit shqiptar, por se, edhe gjatë gjithë jetës së vet, kurrë nuk e uli idealin e lirisë. Rrethanat historike të vështira e vunë para provës nëse do të pranonte asimilimin si komb, apo të luftonte kundër perandorisë më të fuqishme të kohës. Ai zgjodhi të dytën dhe ky çast historik, i jep dimensionit të figurës së tij një dritë të qëndrueshme që rrezaton fort. Në këtë zgjidhje ai nuk e pati të lehtë, sepse iu deshën të dorëzojë djemtë peng, por ai, si princ dhe udhëheqës luftarak, duhej të jepte shembullin para shqiptarëve dhe e dha këtë shembull me një vetëmohim të pashoq. Ky akt do të bëhej një burim frymëzimi, dhe shqiptarët do ta pranonin si princ të tyre. Ai ishte feudal, princ i vetëdijësuar se fati i kishte dhënë një rol të madh, mbrojtjen e trojeve shqiptare. I pajisur me këtë cilësi tepër të virtytshme ai kurrë nuk e harroi atë, dhe nga kjo shqiptarët u frymëzuan, dhe e ndoqën pas.

Këtë vit (2018) përkujtohet 550 vjetori i ndarjes nga jeta të Kryeheroit kombëtar Gjergj Kastrioti, Skënderbeu. Veprimtaritë në nderim të tij, sado të larmishme e të madhërishme të jenë, nuk e arrijnë dot cakun e kësaj figure që mbetet e përmasave botërore si kampion i lirisë, qytetërimit perëndimor dhe mbrojtës i vlerave më të mira universale. Po në këtë vit, (2018) vjen i shënuar edhe 580 vjetori i ndarjes nga jeta si një koinçidencë shenjtërore të Gjon Kastriotit, babait të Skënderbeut. Skënderbeu nuk mund të kuptohet pa frymëzimin që i dha prindi i tij, pa atë lidhje shpirtërore që pati me vatrën familjare dhe vendlindjen. Nuk është nevoja të përsëriten shumë gjëra, por mjafton të kujtojmë vargjet e Naimit të madh: “U ngrit fati i Shqipërisë/se i vdekuri nga varri/mori udhën e Azisë/duke ikur si i marri/u shembëllye me Gjonë/mori pamjen e tij/shtatnë, zënë dhe zakonë/dhe u nis nga Turqia” Më poshtë Naimi vijon kur hija e Gjon Kastriotit i drejtohet Skënderbeut: “Fle, i tha o jetëgjatë/nuk e di se ç`është bërë/ç`e gjeti shtëpinë, t`ët atë/dhe Shqipërinë e tërë? A më sheh ti mua plaknë/të isha si ti djalë/Muratit i pija gjaknë/sot s`gënjehesha me fjalë...” Thelbi i këtyre vargjeve madhështore nuk mund të kuptohet, veçse në atë dashuri të madhe që Gjon Kastrioti kishte për djemtë të marrë peng nga sulltani turko- osman, dhe në atë edukatë që u kishte dhënë për të mos e harruar kurrë vatrën familjare. Skena shekspiriane e Naimit është tronditëse, ngjethëse. Ajo thotë shumë gjëra, po një gjë e shpjegon më mirë se kushdo; Gjon Kastrioti i dorëzoi djemtë por dashurinë për ta nuk e ndau nga dashuria që ai ushqente për Arbërinë.

Rrethanat historike kur jetoi e luftoi Gjoni, janë të ndryshme nga ato të Skënderbeut. Ai nuk u ngjit në madhështinë e të birit dhe të sukseseve të tij, por kjo nuk na bën të mos mësojmë se lavdia e Skënderbeut i dedikohet në një pjesë të saj të mirë edhe genit atëror, frymëzimit dhe dashurisë që ai përcolli tek i biri, edhe pse e “dorëzoi” në moshën nëntë vjeç. Ndonëse, ai u detyrua “të lëshojë”, ai mbeti kundërshtar i betuar i oborit mbretëror, sa herë pas here, ndezi kryengritje të cilat, u bënë prelude të fitoreve të djalit të tij të famshëm, Gjeniut të Lirisë, Skënderbeut.

Burimet arkivore, dëshmitë dhe thëniet e autorëve të ndryshëm, i bëjnë vlerësim të veçantë kësaj figure, se asnjëherë nuk e shoi zjarrin e zemërimit dhe të urrejtjes ndaj pushtuesit të huaj, kurdoherë tregoi shkathtësi, manovrim, trimëri e guxim, duke u bërë një shembull dhe politikan e luftëtar i zoti. Edhe pse kishte një fuqi ushtarake të papërfillshme në raport me forcat turke, ai nuk e uli tempin e kundërshtisë.

Studiuesi Qamil Alushi, at e bir i ka parë jo të shkëputur. Duke trajtuar figurën e Gjon Kastriotit nënvizon, se përkujtimi dhe përkimi i përvjetorit të njërit nuk duhet të mënjanojë tjetrin, madje është një mrekulli që u jep këtyre përvjetorëve një madhështi edhe më rrezatuese e ngacmuese shqiptarëve, që i mbajnë këto prijës të rrënjosur fort në zemrat e tyre.

Duke lexuar librin e autorit, bindesh, përmes faktesh, për aktivitetin e dendur të kësaj figure që u gdhend në rrethana të pafavorshme historike dhe kurrë nuk u gërrye nga ndryshku i kohës. Po kështu, duke pasur në dorë dy armë efikase të studimit historik, metodologjinë dhe faktologjinë, si studiues i paanshëm ai u çjerr maskën fantazistëve dhe trillantëve, deformuesve dashakeqës që në emër të një modernitetit fals përpiqen të ulin dy figura që bën epokë. Skënderbeu, nuk është një mit imagjinar i sajuar, por një figurë e gdhendur në kujtesën e shkruar e të pashkruar për veprën e tij. Vepra e tij me funksionin e madh mesazhor e shëndrroi në një mit, njerëz të tillë ekzistojnë, i lind

7

natyra, i sjell fati, përputhshëm ata vijnë dhe marrin përmasën e një simboli të patjetësueshëm që gjeneron dritë gjatë shekujve. Në kohën e tij, po ashtu, Gjon Kastrioti ka qenë i vlerësuar

lart nga Republika e Venedikut, Raguza, mbreti i Hungarisë e i Polonisë, nga princër e mbretër në mbarë Europën; dhe sot, autori ngre zërin që të vlerësohet siç e meriton, të flitet më shumë për të në tekste shkollore, dhe jo vetëm thjesht si prind i Skënderbeut, që në rrugë, sheshe, institucione etj. të nderohet duke marrë emrin e tij. Ky nderim për të, është nderim për historinë tonë, për atë që në muzgun e mesjetës ndezi pishtarin e kryengritjeve dhe nuk e lëshoi asnjëherë idealin e lirisë të binte në dobësinë e mungesës së shpresës, edhe pse u ndesh me armiq të egër, të shumë e të fortë.

Autori e ka ndërtuar librin edhe në trajtën e paralelizmit babë e bir, edhe në shtratin e një polemike, duke dalë në mbrojtje të së vërtetës, larg çdo euforie dhe ekzaltimi. Ai polemizon, sjell faktin, krahason, dhe vendos përmes krahasimit dhe interpretimit, duke u bërë bindës. Ai ka studiuar gjatë, burime të shumta, mbi të gjitha, mban për udhërrëfyes tre gjigandët e historiografisë shqiptare: Barleti, Frangu, Bardhi, po edhe historianë të tjerë, të cilët i ka shfrytëzuar në dobi të referimit të pasur.

Si një studiues i panshëm dhe i përgatitur, ai ndërton një sistem të tërë të krahasimit, selektimit dhe të përveçimit, duke e sjellë në vend faktin, edhe pse ai ka pësuar të çarë nga dridhjet e gënjeshtrës dhe të manipulimit.

Libri lexohet për rrjedhshmërinë dhe analizën e hollë, po edhe për një strukturim të drejtë duke e shikuar figurën e Gjon Kastriotit në kontekste kohore të gjëra dhe përmes një materiali dokumentar të bollshëm, po edhe në aspektin filozofik, patriotik, si një figurë që mbart vlera të mëdha edhe sot;po kështu, në trajtimin e kësaj figure ndërfuten mjaft faqe nga trajtesa që i bëhet figurës së madhe të Skënderbeut, sepse, këto dy figura nuk mund të shihen të veçuara në sensin historik, ata e kanë pasuruar historiografinë shqiptare me një aktivitet intensiv lufte për liri e drejtësi që ngërthen një periudhë mëse gjysëm shekullore.

8

Ata historianë, studiues e analistë që do të lexojnë këtë libër, si shtrembërues të fakteve historike, nuk ftohen të ndjehen të turpëruar për pasaktësitë e tyre, të cilat po të vijnë nga mosnjohja janë të falshme deri diku, po nëse janë të qëllimshme nuk falen kurrë; kanë rastin të mësojnë të bëjnë vetëtërheqje për gabimet dhe nxitimet e tyre, sepse ky autor i mëson se si në shkencën historike duhet të zotërojë vetëm metoda dhe faktologjia.

Qazim Shehu

Comments (0 posted):

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
5.00
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1