Newsletter
Email:
Poll: Letërsia
Cili është lloji juaj i preferuar i letërsisë?
Home | OPINIONE | ... Dhe nje shpjegim për bukën e mikut

... Dhe nje shpjegim për bukën e mikut

Font size: Decrease font Enlarge font
image Hekuran Vladi

Pse Lul Basha duhet t’i kërkojë falje Lurës?!

(…Dhe nje shpjegim për bukën e mikut)

 

Nga Hekuran Vladi

 

Kryeministri Edi Rama ishte parddje, më 16 Qershor, në Lurë. Unë e përshëndeta dje dhe po e përshëndes sërish këtë vizitë të tij në vendlindjen time. Kam disa vjet, që jam në frontin e sulmuesve të qeverisë dhe Ramën e kam personazh kryesor. Dje e bëra pushim. Sot, në mëngjes, u ula të lexoj cfarë ka bërë ndonjë zullum qeveria nëpër atdhe dhe unë të vazhdoj avazin tim të preferuar, kritikën ndaj qeverisë dhe shefit të saj.

Por, nuk të lë Luliiiiiiii! Shihni cfare lexova: “…Me anë të një njoftimi, Partia Demokratike, ka thënë se biznesi i Llesh Doçit, bujtina që ai ka në Lurë, është ndërtuar nga paratë e trafikut të drogës…”

Ky të acaron, por unë do ruaj pak qetësinë dhe të rrjeshtoj disa argumenta, në mënyrë që të shohim pak më qartë e të gjykojmë pak më kthjellët.

I. Kryeministri dhe Lura Së pari, shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e Mikut dhe Lura është një Krahinë-Kampion në këtë përkufizim elitar të civilizimit. Lura nuk e përmend bukën e dhënë, e jep dhe nuk e kërkon, thjesht të fut borxh.

Së dyti, në këndvështrimin tim professional, kjo vizitë kishte, së paku, tre gjëra pozitive për Lurën: - Dje, në Lurë kanë qenë më shumë kamera, se kurrë në historinë e saj. Kjo “ushtri” kameramanësh, operatorësh e gazetarësh dje patën mundësinë të ri-freskojnë pamjet reale të mrekullisë natyrore shqiptare, e cila isht nxirë e vazhdon të nxihet me pamje të para 15 viteve nga cakenj të fondeve për mjedisin. Tashmë, nëpër televizione e rrjete sociale gjysma e pamjeve do të jenë të përditësuara dhe do te paraqesin realitetin e bukurisë së Lurës e kësisoj më shumë turistë do vërshojnë në Lurë, ani se nuk ka akoma një rrugë të hajrit. Sic vërshojnë në Theth a gjetkë. - Dje, në Lurë ka qenë i pari i vendit. Mbreti Zog ka qenë një javë në Lurë në vitet ’30 për pushime. As Enveri, as Saliu nuk qenë kurrë në Lurë. Kjo vizitë solli në vëmendjen e të gjithëve Lurën. Mbështetësit politikë të Ramës do vazhdojnë të thonë “bravo”, me një argument më shumë, Lurën, ndërsa kundërshtarët politikë të tij do vazhdojnë t’a sulmojnë atë, por tashmë do kenë një argument më shumë, Lurën. - Dje, në Lurë Rama bëri disa premtime. Po të isha Kryeministër, do t’i isha lutur të ma shkruante Rama fjalimin, aq i saktë ishte me ato që tha. Se sa do t’i mbajë premtimet, unë ndaj pesimizmin me një shumicë të madhe shqiptarësh. Cështja është se, edhe në politikë “E para është fjala”. I pari kryeministër që jep fjalën në Lurë dhe për momentin është një gjë e mire për Lurën.

II. Emri Llesh Doçi dhe Lura Meqë emri Llesh Doçi u bë objekt diskutimi publik sot, po ju kujtoj, që Lura njeh në historinë e saj shumë burra me këtë emër, të gjithë nga e njëjta derë. Po të flas pak për tre prej tyre. - Llesh Nikollë Doçi, që jetoi në periudhën mes shek. XVI-XVII. Ishte prijësi i Betejës së famshme të Fushës së Shehrit në Dibër, e cila hyri në histori dhe u bë legjendë me emrin “Beteja e 300 duvakëve”. Pashai turk kishte kërkuar 300 vajza për ushtarët e tij dhe Paria e Dibrës, me në krye Llesh Doçin i bënë atij surprizën e madhe, djem të mbuluar me duvak, në vend të vajzave. Ja cfarë thotë kënga o Lul dibrani: “… Selim Pasha prej Stamollës kërkon bijën e Llesh Nikollës… …Një selam e pret Sulltani m’preu ushtrinë Llesh Dibrani Një selam ja cojmë na vetë një selam si nji tërmet… Selim Pasha moj herxhele t’mbet ushtria nër zabele si me ra ujku ndër dele…” Ky ishte një Llesh Doçi, o Luli. U vra në atë betejë. Mund të të duket si përrallë, por kjo është histori, është histori e Lurës, është histori e Dibrës. E Dibrës dhe në atë betejë mund të kenë qenë edhe të parët e tu, ndaj shko dhe pyet njëherë në Dibër, se cfarë iu thotë emri Llesh Doçi. - Llesh Zef Doçi, i cili jetoi në periudhën mes shek. XX-XXI. Kaloi nëpër tre periudha të historisë, Lufta II botërore, komunizmi dhe Lëvizjet demokratike. Ishte një etalon i inteluaktualizmës së kohës së vet, një simbol i qëndresës anti-komuniste, një nga mësuesit e pare të Lurës dhe të Dibrës. Jetoi e vdiq si Mësues. E njohin gjithë Dibra dhe shko pyet gjithashtu në Dibër për Llesh Doçin, pasi do të të tregojnë se cfarë iu thotë ky emër, gjithashtu. - Llesh Lekë Doçi, i cili ka lindur në vitet ’60 dhe jeton akoma. Mësues i gjuhës dhe letërsisë në Shkollën “Dom Nikollë Kacorri”, Lurë. I persekutuar, që fëmijë, por që kur u bë burrë u kthye në Lurë. Ai po ndjek traditën e të parëve të vet në mësimdhënie, që fillon me Kolë Bibë Doçin – Mësuesin e pare të Lurës (1908), Llesh Zef Doçi (1948), etj, etj. Për kujtesën tuaj, po ju them që është kushëri i Dom Nikollë Kaçorrit (Antar i Kongresit të Manastirit, Rilindas dhe Zv.Kryetar i Qeverisë së Vlorës) dhe kushëri i Gjokë Doçit (Hero i Popullit). Këtë Llesh Doçin e ri, qe e ke permendur sot, e njoh unë dhe do t’jua tregoj kush është dhe cfarë bën.

III. Pastrimi i parave dhe Lura. Dy investime strategjike ka në Lurë, që të dyja hidrocentrale, të licensuara në kohën e qeverisë ku ju ishit ministër. Që të dyja këto investime janë në kohën dhe në vendin e vet dhe po punojnë shumë mire, krahasimisht me 90% të hec-eve të vendit. Unë po mbaroj një studim në lidhje me pastrimin e parave në energjitikë dhe emrat e tyre nuk më dalin askund. Dy investime familjare ka në Lurë, një hotel me 15 dhoma dhe një bujtinë me 2 dhoma. Që të dyve jua kam bërë unë personalisht planin e biznesit. I kam ndjekur në zhvillimin e këtij biznesi, që kur mbanin llac e tulla bashkë me fëmijët, deri sot. Hoteli është pasuri e Hasan Hotit nga Lura, i cili u mor me tregëti, që në fillimet e ’90-ës, ndërsa bujtina është e Llesh Doçit, i cili u kthye në Lurë para rreth 20 vitesh, në shtëpinë e të parëve të vet. Le të merremi pak me të dytin. Në vitin 2006 Kulla e Doçit, me të drejtë, u bë Muzeu Etnografik i Lurës.

Llesh Doçi, një mësues shembull e me reputacion të madh të trashëguar ishte kandidat i koalicionit të PD për zgjedhjet lokale në 2011-ën. Nuk fitoi, pasi PD e Dibrës nxorri një kandidat ”të pavarur”, i cili mori me orientim nga “lart” elektoratin e Lurës, në mazhorancë me PD.

Me vizionin e vet, me nxitjen e shumë amerikanëve e anglezëve e me nxitjen time personale, pavarësisht mundësive të limituara, punoi për hapjen e bujtinës. Se harrova t’ju them që në shtëpinë e tij flitet anglishtja si shqipja.

Por, sa ka kushtuar bujtina e mësues Llesh Docit?

Unë i kam shënimet e mia, por për momentin do t’ju them që ka kushtuar më pak se 1/30 e një apartamenti të atij pallatit në Vlorë, që lartësoi një pensionist – vjehërr i një kryetari partie. Pa llogaritur paratë e truallit, pasi Llesh Doçi e ka ngritur në token e vet, nuk i ka dhënë askujt përqindje. Ama, sa kushton bujtina e mësues Llesh Docit sot? Kushton shumë-shumë herë më shumë, pasi ajo është aty dhe do të trashëgohet në breza. Jo si pallati i atij pensionistit-vjehërr, që ka pastruar paratë e dhëndrrit-kryetar. Pallati kushtoi në ndërtim dhjetra milionë euro dhe tani nuk kushton asnjë qindarkë, është sërish rërë, kurse bujtina kushtoi në ndërtim qindra euro e tani kushton mijëra e do kushtojë akoma më shumë nesër.

A ka këtu pastrim parash? Kam dy shpjegime për këtë pyetje:

Djersa, që bëhet flori, nuk quhet pastrim parash, o Lul. Ka erë të keqe e është e pakëndshme, por e pasuron njeriun, e pasuron me flori dhe me nder. - Shpjegimin e dytë, atë me letra, do t’ia bëj gjykatës, asaj gjykate, që do t’ju thërrasë pas padisë për shpifje. Llesh Doci është mësues dhe besoj që do t’i drejtohet gjykatës, jo ndonjë forme tjetër për këtë shpifje të ndyrë që lëshuat këtë mëngjes vere. Të gjitha analogjitë me ngjarje, apo personazhe të familjes së Llesh Doçit nuk kanë asnjë lidhje me biznesin e tij të vogel, mënyrën e ngritjes dhe funksionimit të të cilit do t’a degjoni në gjykatë.

Për t’a mbyllur. Lura nuk ia përmend bukën mikut. Edi Rama ishte mik në Lurë dje dhe Lura e priti tek Kulla e Doçit. Krejt shqiptarët, ku janë, edhe në Labëri, edhe në Gjakovë, edhe në Dibër, kanë të njëjtin zakon mikpritje. Ndaj, po ta kujtoj, që nuk ke as kokë, as këllqe t’i tregosh Lurës se ku ta presë mikun. Je i ftuar në Lurë dhe tek Kulla e Doçit do të të presim edhe ty. Por, para ftesës, duhet të bësh një gjë tjetër: T’i kërkosh falje Lurës!

Comments (1 posted):

Zgalem on 21/06/2018 00:16:53
avatar
Nje shkrim i perpikte , pa asnje sforco . Bie ne sy korrektesa e autorit , per probleme madhore , shprehur shume shkurt dhe kuptushem . Vetem e verteta universale , mund te shqiptohet pa t'u marre goja . I tille eshte ky rrefim , pa ngjyrime politike . Zgalem

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
5.00
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1