Newsletter
Email:
Poll: Letërsia
Cili është lloji juaj i preferuar i letërsisë?
Home | OPINIONE | JEHONA DHE DILEMAT E NJE POEME

JEHONA DHE DILEMAT E NJE POEME

Font size: Decrease font Enlarge font
image QERIM SKENDERAJ

QERIM SKENDERAJ

JEHONA DHE DILEMAT E NJE POEME.

U botua në vitin 1972, plotë dyzetë e dy vjet më parë, kur isha njëzetë e dy vjeç. Dy herë i izoluar, si vend, në Karaburun, dhe si ushtarak, i ushqyer nga një lloj kodi që të mbante brenda kornizës jeshile, nuk mendoja se jehona e saj mund të mbërrinte deri aty. Në fakt, nuk kisha asnjë informacion për publikimin e poemës deri në momentin kur filloi goditja ndaj autorit. As këtë të fundit nuk e njihja. Nuk e kisha parë kurrë dhe as kisha dëgjuar për krijimtarinë e tij.

Një miku im, letrar i zellshëm i poezisë së asaj kohe, kishte mundur ta lexonte, të mbante mend titullin dhe strofën e parë. Kur kaloi aty, vendosi të pushojë pak për t'u çlodhur dhe për të shpenzuar dy fjalë me një njeri që i “hahej muhabeti”. Kishte ende rrugë për të bërë dhe deshi të shkarkojë diçka nga “pesha” për të vazhduar udhëtimin më i lehtësuar. Goditja e autorit e kishte “goditur” dhe atë, ndaj vendosi të ndaj me mua ndjenjën e trazuar. Njerzit që janë të izoluar kanë nevojë të shprehen, sidomos kur aty i ka çuar e njëjta “drejtësi”. Kur flasin me atë që i besojnë, ndihen më të ngushëlluar e më të motivuar për punën që bëjnë.

Miku im, nuk u mendua dy herë, për t'më thënë atë që kishte dëgjuar. Hyri drejtë e në temë. “Është 'goditur' njëri nga poetët e mi të preferuar”, tha. “Ka shkruar gazeta lokale”. Unë vazhdoja të bëja indiferentin deri në momentin që përmendi titullin e poemës “Dielli dhe rrëkerat” dhe recitoi strofën e parë. Nuk e di pse m'u fiksua se emri i autorit Faslli Haliti, kishte të njëjtën përmbajtje me titullin e poemës. Nga ata dy emra me lidhëz në mes, lexoja tri gjëra. Diell, shi dhe rrëkera. “Dielli dhe rrëkerat” më tingëlloi paradoks dhe mundohesha t'i jepja kuptim nëpërmjet shiut. Rrëkera pa shi nuk ka dhe shiu nuk mund të bjerë ditën me diell. Vrava pak mendjen dhe kuptova se “Dielli” ishte alegorik. Ishte ai “diell” që shpërndante rreze shumë më larg se Karaburuni ku punoja unë. Vura buzën në gaz për të shfaqur një nënqeshje të “kursyer” dhe i kërkova bashkëbiseduesit t'më recitonte strofën e parë që mbante mend:

Çatia e shtëpisë sime është qaramane.

Shtëpia ime është sentimentale,

Dy re në qiell

Ajo vu lotët,

Dy re në qiell

Ajo vu me të madhe.

 

Sa mbaroi recitimin, nënqeshja ime u bë qeshje e vërtetë, madje me zë dhe shprehu një kënaqësi që nuk e mbulova dot. Ne ishim dy miq të një moshe dhe na pëlqente të bënim një lloj çapkëni kontrovers. E dinim mirë që “Dielli” nuk ndriçonte vetëm me rreze por edhe me “vesh”, ndaj edhe tingujt e zërit i kontrollonim që të mos dilnin nga zyra ku po flisnim.

“E paska shkelur, Faslliu”, thashë. “Kaq i ftohtë qenka dielli i tij, sa nuk shpërndan dot dy re të vetmuara? Mjerë të pastrehët kur i gjithë qielli mbulohet me re!” Miku im ushtarak ngazëlleu i tëri nga interpretimi im.

U ndava me të dhe nuk fola kurrë më, as për poemën, as për autorin. Megjithatë në memorien time ishte regjistruar diçka ndryshe nga leximet e përditshme të librave apo shtypit të kohës.

Mesi i viteve tetëdhjetë me gjeti në Lushnje. Autori i poemës së ndaluar kishte kryer dënimin dhe ishte rehabilituar në jetën shoqërore të atij realiteti ku bënim pjesë të gjithë. Unë kisha shkruar disa artikuj në shtypin ushtarak, por përmbajtja e tyre ishte shumë larg “letërsisë së Faslliut”. Tashmë kisha lexuar më shumë për të në gazetat letrare. Arti i tij, më vinte ndryshe në stil e përmbajtje. Më kishte bërë për vete dhe doja t'i afrohesha për të pasur më pranë magjinë që zotëronte. Përveç kësaj, kishte diçka tjetër, që më shtynte drejt tij. Ishte vetë Faslliu, ende “enigmë” për mua dhe dilemat që kishte shkaktuar poema e tij. Për të, ishte folur gjithandej, në qendër e në bazë. Ishin marrë të mëdhenjë e të vegjël. Kishin qënë “pro” e “kundër”, por sigurisht më shumë “kundër”. Këta të fundit e “antarësuan” në kooperativën bujqësore për të prashitur misër e duhan. Pati dhe shkrimtarë të njohur e figura të larta sociale, që në fillim u vunë në krahë të autorit, por më pas i përtypën fjalët dhe i tretën në stomak, të tmerruar nga guximi krijues që ishte hedhur si e zezë mbi të bardhë. Të gjitha këto ishin të panjohura për mua. Nuk m'i tregonte askush, se isha i ardhur dhe pa miq vendas.

Me drojën e nxënsit për mësuesin e adhuruar, iu afrova duke shfrytëzuar një vizatim të tim biri për rrethin e pikturës së qytetit, drejtuar na Faslliu – piktor! Më ngjiti biseda me fjalën e parë. Ata që mirkuptohen kanë një kod, i cili lexohet edhe pa folur. E kuptova menjëherë, që më pranoi, e më bëri pjesë të asaj shoqërie që i pëlqente. U ndjeva i lumtur. Do të bisedoja me një njeri që nuk fliste gjuhën e konsumuar të përditshmërisë. Kryefjala e tij ishte Majakovski, Kadare, Dante, Gëte, të gjithë gjigandët e letërsisë shqipëtare e botërore. Në krah të Faslliut, kulturës time po i shtohej një dimesion i ri, ai letrarë, shumë i mangët deri në atë kohë. I recitoja poezitë e tij të botuara dhe ai më lexonte ato të “ndaluara”. Njëra prej tyre më mbeti në mëndje, jo aq për artin, se sa për mesazhin që përcillte. Po mundohem ta riprodhoj pa qënë e sigurt se i qëndroj besnik origjinalit:

U pash në pasqyrë

Dhe vura re se isha fryrë!

 

Faqet ishin skuqur,

Qafa më qe trashur,

Isha bërë me bark.

 

Çudi!

Shoh rretheqark,

Asnjë punëtor,

Asnjë kooperativist

Me bark!...

Kjo ishte njëra nga të shumtat poezi të “sirtarit”, të cilat mi “dhuronte” për t'i kyçur në kasafortën personale. Edhe unë i besoja copëza të shpirtit, nga ato që nuk mund t'u besoheshin të gjithëve. Dhamë e morëm shumë me njëri – tjetrin, por për poemën në fjalë, nuk folëm asnjëherë. Hija e saj, ishte ende shumë e errët për “diellin”, i cili ia kishte inatin autorit dhe po t'i gjente rastin, nga shtëpia “sentimentale” që i venin “vu lotët”, mund ta strehonte në një tjetër pa lot e pa dritë, për të mos e parë kurrë diellin e jetës njerëzore.

Vetë Faslliu ishte një diell poetik që dhuronte rreze pa kursim për poetët lushnjar.

Mos harro(shkruan ai)

Kur ti ishe vetëm një bifkë e blertë,

Kur ty s’të merrte asnjeri për grurë.

Kur ty s’të dallonte askush nga bari,

Unë pashë tek ti kallirin,

Dallova tek ti, kokrrat,

I pari.

(Mos harro)

Pra ai dinte jo vetëm të dallonte kokrrën i pari, por edhe të inkurajonte të mbillje pa hezitim në tokën me vlagë të talentit, kur shihte që edhe fara ishte e shëndoshë. E kam ndjerë këtë brenda meje. Rrezet e tij ngrohën ndjenjën time, nga e cila mbiu lulja e poezisë. E kisha pritur atë “ngrohje” dhe ma dha vetëm bujaria e Faslli Halitit.

Fillimi i viteve nëntëdhjetë na ndau, dhe unë u enda udhëve të fatit për të zgjidhur hallet e një tranzicioni të gjatë. Nuk gjeta kohë e mundësi as të lexoja poemën e as të flisja me autorin. Tani që jam kthyer nga emigracioni, shkrova këtë shkrim, i nxitur nga ripublikimi i saj pas dyzetë e dy vjetësh, por edhe në shenjë mirënjohje për poetin që vazhdon të më befasojë, njësoj si atë ditë, kur i vajta për herë të parë, me një tufë poezish në bllokun tim të trembur.

16 dhjetor 2014

Comments (2 posted):

Guri Naimit D. on 03/04/2018 20:05:35
avatar
Sinqeritet"BINJAKESH"-Faleminderiti.

Pershendetie i nderuari Qerim Skenderaj per kete sinqeritet sa mjeshteri tregimi te ketij procesi,qe ka shoqeruar shume njerez ne vite si Ju sa i siqerti POET;Faslli Haliti qe e pershendes.
Guri Naimit D.
faruk myrtaj on 04/04/2018 14:47:04
avatar
Te flasesh per Faslli Halitin eshte fare e kollajte: ai eshte edhe fusharaku qe nuk ka mal aty afer, pasi te rebelohet, te ngjitet atje dhe te hedh gure qe andej!
Ti mund te thuash cdo gje per Faslli Halitin dhe ai nuk i merzitet kurrkujt, madje po te duash ti mund ta marresh si naivin me te madh mes krijuesve te te gjithe koheve dhe te vazhdoje udhen e tij te heshtur, sikur asnje rendesi s'ka per te nese shumica nuk e dinin fare per vite te tera ne ishte gjalle a vdekur, ne ishte piketor apo poet, e mos o Zot, edhe ...edhe!
Jane disa poezi te tij qe ti fare lehte mund t'i lexosh si fabula dhe, po ta ka kenda,me ca kritere akademike, mund te mos i qasesh ne Oden e Poezise...!
Po dalin edhe sot e kesaj dite disa krijues, me te rinj ne moshe se Faslli Haliti, dhe rrefejne histori se e kane pritur si "krijues te ri" province!

Por kur gjen nge dhe lexon ca nga keto vargje te atyre koheve qe me korrektese e pergjegjesi humane na i sjell serish Qerim Skenderaj, ti mbetesh ne vend dhe thua: Faslli Haliti eshte ai qe ishte dhe do te mbahet mend ai qe eshte, pavarsisht se nje kohe e duan ca njerez dhe ne kohen tjeter ata te kohes tjeter, pavarsisht se e kane munduar te gjithe skalionet e Dites dhe e kane cmuar po ata, per aresyet e tyre dhe jo te tijat!
Faslli Haliti duket se zhevndoset avash avash ne udhen qe i ra per Fat: edhe nese e kane vonuar ca ne kete aventure pa asnje aventure si te disidenteve te vete-shpallur apo te dekretuar, ai do te arrij atje ku eshte nisur qysh ne krye te heres...
E rendesishme eshte qe qofte edhe nje njeri i vetem, si Qerim Skenderaj, del deshmitar vullnetar per te pohuar Faslliun me nje kryq a hene mbi qafe, dhe qe ai e ka bartur pa u ankuar sikur te ishte sjelle ne kete jete thjesht e thjesht per t'u gezuar ne menyren e tij!
Ky truall eshte plote me diej dhe shira e rrekera, edhe poetet s'i ka te pakte, por te dallohesh mes tyre permes heshtjes nuk eshte aq e zakonshme ne kete vend...

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
0
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1