Newsletter
Email:
Poll: Letërsia
Cili është lloji juaj i preferuar i letërsisë?
Home | OPINIONE | TË SHPIFËSH DUKE SHTREMBËRUAR !…

TË SHPIFËSH DUKE SHTREMBËRUAR !…

Font size: Decrease font Enlarge font
image Agim Shehu

Agim Shehu
TË SHPIFËSH DUKE SHTREMBËRUAR !…
Ka kohë që më dhëmb fyerja e pastërtisë kombëtare të shqiptarëve shprehur te Hymni i Flamurit. Aq më shumë kur poshtëron keq një poet kombëtar si Asdreni. Dhe ende më keq, kur këtë e bën duke tjetërsuar krijimin kulmor të tij, Hymnin e Flamurit. Kjo ndodh nga një krijues i njohur dhe me emër. Është fjala për 4 vargjet e Hymnit: «… Se Zoti vetë e tha me gojë/ që kombe shuhen përmbi dhé/, po Shqipëria do të rrojë/, për të luftojmë ne/. 
Po sqarojmë që në fillim e si me nxënësit shtrëmbërimin e vargut që lindi një shpifje të verbër. Asdreni thotë «…që kombe shuhen përmbi dhè…» pra ai shkruan ‘kombe’, e pashquar dhe pa ‘t’ në fund të fjalës. Kur e thua të tillë, nuk i përfshin të gjitha kombet për të mbetur vetëm Shqipëria. Ndryshimi është rrënjësor. Nëse Asdreni do ta bënte këtë gabim, mund të prodhoje me fantazi çdo mendim që të hipën në kokë e me to të sajoje ‘mosmarrëveshje,. Ahere do t’i jepje të drejtë vetes të fyeje autorin shumë të çmuar si atdhetar e poet, ta quaje mëndje lehtë etj…Do fyeje breza me radhë shqiptarësh që kanë rënë për këtë Flamur, do fyeje popullin që me breza të tërë luftojnë, lindin dhe vdesin me këtë flamur mbështjellë. Do fyeje ata që i kanë kënduar me tërë fuqinë e shpirtit e të mëndjes. (kujtojmë Nolin «O Flamur gjak, o Flamur shkabë/ o vatr’ e nder, o nënë e babë… !“ Do fyeje Fiamurin e Arbërit të De Radës. Nga adhurimi për të, njerëzit fëmijve u vënë shpesh emrin ‘Flamur’. Drama e kombit është dhe drama e flamurit e këtë populli e vajton si qënie të gjallë: „Flamur, të mbuloi zia/ që kur erdhi Italia/, të vuri shpatat me vija…». E më tej nacionalistët: «Flamur, të mbuloi zia/ që kur na erdhi Partia/, të vu yllin nga Rusia…». (E nëse do qe i vërtetë gabimi i trilluar verbërisht, Hymnin do duhej ta këndoje në të kundërt: „O moj Shqipëri si nuri/ ç’qe kjo gjëmë që të zuri/, të qënka çmëndur flamuri..!“). Por Flamuri shqiptar tërë kohrat ka njohur trimëri e drejtësi, asnjëherë çmënduri).
Asdrenit as nuk i ka shkuar në mëndje kjo lajthitje. Atë ia ka lënë autorit të kritikës. Nga bindja, apo ndoshta dhe nga dëshira si rregullator i një zbulimi të bujshëm, duke e thënë ‘kombet’ për ‘kombe’ kalon në fyerje e vë në lojë si autorin dhe shqiptarët që s’kanë mënd europe as për simbolin më të shenjtë të një kombi (!). Lexojmë ç’thotë autori në ironië e tij, duke cituar në fillim vargjet me të cilat merret: 
«…Se Zoti vetë e tha me gojë/ që kombe(t) shuhen përmbi dhé… » dhe vazhdon përçmimi publik: «…Himni shqiptar të shfaqte befas natyrën, për të mos thënë kthetrat e tij(!)…Një ëndër e fshehtë…një doktrinë që askush s’guxonte ta shpallte, si puna e Shqipërisë së Madhe psh.» E më tej si nga një foltore gjyqi: «Besimi se Shqipëria do të rronte kur të tjerët do shuheshin kish gjasë që të fshihte frikën se ishin të tjerët që do rronin në kohën që ajo do shuhej…» E keqja, siç duket, nuk qëndron vetëm mbi Hymnin, por te gjithë shqiptarët si komb. 
Bukuria dhe vitaliteti i kombit shqiptar e ka burimin e vetëdijshëm së pari nga lashtësia pellazge e saj, e veçanërisht e gjuhës që ushqen arteret e prejardhjes së tyre, pra dhe të Hymnit Kombëtar. Te kjo dëshmi ngritur si tezë qëndrojnë vlerësimet e sakta për rolin e shqiptarëve në ngjarjet e trazuara të Europës e më larg. Shqiptari kurrë s’ka krijuar doktrina pushtuese, dhe as ka pasur në mënd të nxjerrë kthetrat mbi të tjerët, përkundër, ka dhënë bijtë më të mirë dhe figurat më të shquara të shpatës e të mëndjes për lirinë e të tjerëve, sidomos për fqinjët. Të tjerët kanë ngritur kthetrat mbi të dhe e kanë coptuar. Nëse po ndihet shumë „Shqipëri e Madhe“, kjo është Shqipëria e vërtetë etnike, e kundërt me gjykimin e armiqve të Shqipërisë. E nëse në Hymn zihet në gojë shuarje kombesh, kjo është një e vërtetë historike e shkencore, dhe Asdreni e jep në masën dhe saktësinë historike. Le të citojmë të mënçurit asnjanës e objektivë:
Nouveau Petit La Rousse (Paris 1950, fq 1599) jep dhe popuj të lashtë të jetuar në kohën e pellazgëve e që mes tyre sot rrojnë si komb vetëm shqiptarët. E citojmë burimin shkencor francez : «Pellazgët, popull shumë i lashtë që jetonte në periudhën parahistorike…Në përgjithësi vlerësohet se Ilirët, Thrakët e lashtë, Frigët, Lidët, Etruskët, Epirotët, Italiotët dhe SHQIPTARËT e sotëm janë degët kryesore të Pellazgëve». Ja pra ku janë ata ‘kombe’ (pa ‘t’ në fund) që janë shuar e shkrirë në popuj të tjerë më të qëndrueshëm. Kurse vetëm SHQIPTARëT kanë mbetur ata që qenë dikur. E pohon me objektivitet e fisnikëri (pa u marrë leje ‘vorio-epirotëve’ fantazma) dhe Enciklopedia e Madhe Greke (v. 19, fq 878): «Stërgjyshët e Shqiptarëve të sotëm, Pellazgët, kanë jetuar në kohrat parahistorike në pjesën më të madhe të botës që njihej ahere duke zhvilluar një qytetërim shumë të rëndësishëm e duke ngritur vepra me rëndësi të jashtëzakonshme ». Nga të dhëna të tilla ku historia rri e lidhur me shkencën, Gustaf Majeri më 1885 te vepra Antologjia e Re shkruan: «Shqipja duhet të quhet ILIRISHTJA E RE ashtu si greqishtja e sotme quhet «greqishtja moderne».(historianët e akademisë sonë vulëhumbur shkruajnë duke mashtruar se «teoria që shqiptarët rjedhin nga Pelazgët u kundërshtua nga ‘kritika e argumentuar e Mayerit’!» Po kjo është temë tjetër). Për kombe që e humbasin veten e tyre pasi u ka munguar rrënja e shëndoshë e vitale që t’i mbajë gjatë më këmbë, shkruan dhe Sami Ftashëri (siç e komenton thellësisht dijetari i shquar Petro Zhej): Samiu thotë se ‚shumë kombe janë shuar pasi kanë humbur gjuhën e tyre e janë shkrirë te kombi të cilit i kanë marrë gjuhën‘.
Nëse kritiku i Hymnit Kombëtar e ka forcuar ironinë nga pranïa e Perëndisë, aq më e gabuar. Shqiptarët e shquar i janë drejtuar Europës zyrtare për atdheun e tyre. Ajo jo vetëm nuk i ka dëgjuar, por dhe e ka coptuar pa mëshirë deri në buzë të greminës për ta çdukur. Ahere shqiptarët i drejtoheshin dhe Perëndisë. Krijuesi Hyjnor thirret në poezi të tilla për t’i paraqitur madhështinë dhe drejtësinë e kombit të tyre. Këtë bën Fishta në frymëzimin e tij të hijshëm, në një frymë me Asdrenin : «Mbi atë Flamur, Perëndia/ me dorë vetë ajo ka shkrue:/ ‘për shqyptar do t’jet Shqypnia/, kush e prek – ai kjoftë mallkue». Flamurin tënd apo gjuhën tënde sigurisht do ta duash më shumë aq sa prej tyre. Mjeda larg atdheut shkruan : «Gjithë kto gjuhë që jam tue ndie/ janë të bukra me themel/, por prapë kjo, si diell pa hije/ për mue të tanave ua del ». Pra, i nderon të gjitha gjuhët, por për poetin shqiptar shqipja i ngjan diellit pa hije dhe rri mbi të gjitha, si nënë burimore e të tjerave. Naimi gjithashtu poetizon me tepër adhurim gjuhën tonë: «Pa Shihni ç’gjuhë mirë/, sa shije ka e hije/, ç’e bukur dhe e dlirë/, si gjuhë perëndie»! Ç’ka këtu për të vënë mikroskopin të gjesh ndonjë gabim fjale me « irrendetizëm shqiptar» antieuropian, e tërë hymnit t’i lëshosh pluhur ironie!…Nuk kam asnjë prirje të merrem me autorin. Por ndjej keqardhje që kritika e hidhur e Hymnit t’i lëshojë hijen fyese dhe autorit. Në vëndet e tyre, autorët e Hymnit Kombëtar vlerësohen si personalitete. Hymnin e Turqisë moderne të Mustafa Qemalit (Ataturku) e bëri shqiptari Mehmet Akif, nga Peja.. Shteti krijoi kartmonedhën me portretin e tij. Xheferson krijoi Kushtetutën amerikane, dhe u përjetësua edhe në monedhën kryesore të Amerikës. Shëmbuj të tillë janë shumë.
Është tepër e pikëllueshme pas qëndrimi zyrtar në Korçës pas çlirimit i shtetit komunist kundër Asdrenit, duke e keqtrajtuar e mospërfillur si një mbeturinë ‚nacionaliste‘! Thuhej nga zyrtarë e më gjerë siç tregojnë dëshmitarë se ‚nuk kemi nevojë për vjetërsira të kaluara…kemi Partinë,!... Dhe ai vdiq në vetmi pas dy tre vitesh (shteti po e zëvëndësonte Hymnin Kombëtar me Internacionalen, sikur kështu ai, pa shtresën e figurave kombëtare, do rregullonte botën). Është fare pak (dhe po ta ketë) vlerësimi i Asdrenit si Qytetar Nderi i Kprçës, (nëse hirësia Janullatos jep leje për këtë!). Sidoqoftë, Asdreni mbetet Ai që është.
Në Hymnin e Tij rezaton gjykimi i Konitzës: „Flamuri ynë është më i lashti e më i drejti“. Shtrëmbërimet ua lë mëndjeve të shtrembëruara qoftë dhe nga nxitimi..

Comments (1 posted):

faruk myrtaj on 02/04/2018 22:05:05
avatar
Aty ku rrëfehemi ata që jemi
aty ku rrëfejmë nga cilët kemi mësuar
aty ku urtësia e merr në punë trimërinë
aty ku i falim të gjithë për Kombin
aty ku për Kombin s'falim askënd,
as Veten...
aty ku dhimbja shkon tek Gjuha
dhe Gjuha tek shpirti shëron Kombin
aty Poeti bëhet njësh me Fjalën
si Kombi te Flamuri
dhe Flamuri te Kombi

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
5.00
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1