Newsletter
Email:
Poll: Letërsia
Cili është lloji juaj i preferuar i letërsisë?
Home | OPINIONE | 22 Marsi 1992, dita e parë e lirisë

22 Marsi 1992, dita e parë e lirisë

Font size: Decrease font Enlarge font
image Mujo Buçpapaj

Partia Demokratike erdhi në fuqi më 22 mars 1992, vetëm 14 muaj nga koha kur ajo ishte themeluar, duke përshkuar një rrugë të vështirë përballjesh dhe sfidash të pabarabarta me PPSH-në dhe Sigurimin e Shtetit, si dhe provën e zgjedhjeve të para pluraliste të mbajtura më 31 mars 1991. Si një nga themeluesit e Partisë Demokratike dhe personazh i asaj lëvizje të madhe kam ndjekur me interes atë shndërrim që po lindte në vendin më të izoluar të botës, por edhe në vazhdim gjatë këtyre 25 vjetëve të jetës politike të shtetit demokratik shqiptar. Kohët e fundit kam vënë re që më dashakeqësi, biles me ligësi, ndonjë personazh i asaj kohe përpiqet të zhvlerësojë këtë fitore të PD-së dhe të drejtuesve të lartë të saj, duke i etiketuar ata “si njerëz të Sigurimit të Shtetit” dhe akoma më keq duke e paraqitur vetë PD-në si krijim të kësaj strukture famëkeqe. Kjo është një hakmarrje primitive, një baltosje e verbër në stilin e strukturave të vjetra puniste, “që kur nuk i vrasin heronjtë, i njollosin”. Gjatë këtyre 28 vjetëve pluralizëm dhe veçanërisht gjatë periudhës dhjetor 1990-mars 1992, si në asnjë vend tjetër ish-komunist, në Shqipëri është zhvilluar një luftë e vërtetë dhe e pabarabartë, mes PD të drejtuar nga Sali Berisha dhe Azem Hajdarit, të mbështetur nga mijëra përkrahës të tyre, si dhe Sigurimit të Shtetit. Rebelimi bolshevik i marsit 1997 ishte një dëshmi që këto struktura të egra dhe primitive, ishin tërhequr të poshtëruara dhe të mundura nga njerëzit e PD-së, më 22 mars 1992 për t’u hakmarrë ndaj tyre në atë mënyrë që tashmë e dimë të gjithë. PD la në këtë ballafaqim të egër qindra të vrarë përfshirë edhe kryetarin e saj të parë Azem Hajdari, ndërsa liderit historik të PD-së, Sali Berisha iu bë disa herë atentat, përfshirë edhe sulmin me bombë në Shkallnuer të Durrësit, në qershor 1997. Në këtë ngjarje dramatike kam asistuar duke qenë gazetar i “RD”-së. Por le të shohim ngjarjet që paraprinë fitoren e 22 marsit 1992.

Zhgënjimi i zgjedhjeve të 31 marsit

Në zgjedhjet e 31 marsit 1991, Partia Demokratike u paraqit si një forcë kërcënuese për sistemin e vjetër. Fakti që për kandidatët e saj votuan zgjedhësit në qytetet kryesore të vendit, e sillte atë në mendjet e njerëzve si një forcë politike të së ardhmes. Në zgjedhjet e 31 marsit morën pjesë 11 parti dhe shoqata, të cilat konkurruan për 250 vende në Kuvendin Popullor. Partia Demokratike bashkë me Partinë Republikane i përkisnin frontit opozitar, ndërsa Partia Agrare dhe Partia Ekologjike shiheshin si vegla të Partisë së Punës, bashkë me disa shoqata të kontrolluara nga PPSH. PD, megjithëse nuk kishte më shumë se 4 muaj jetë në skenën politike të vendit, konkurroi në 250 zona elektorale. Në kaq zona konkurroi edhe PPSH me aleatët e saj. Për të parë pabarazinë në këto zgjedhje, përveç të tjerash mjafton të përmendim vetëm një fakt. Kryetari i Komisionit të Zgjedhjeve, Rexhep Meidani, ishte vetë kandidat për deputet. PPSH fitoi 169 vende ose 67,6% nga 250 vende. PPSH dominoi në zonat fshatare, ku kontrolli i shtetit dhe strukturave të tij ishte akoma i madh. Kandidatët kryesorë të PPSH, duke përfshirë edhe Ramiz Alinë, humbën, ndërsa Kryeministri Fatos Nano mundi të fitonte vetëm pas një balotazhi. Alia dështoi në një zonë të Tiranës përballë Frano Krroqit, një emër deri atëherë krejt i panjohur. PDSH fitoi 79 vende ose 30%, duke dominuar thuajse tërësisht në zonat urbane të vendit. Qytetet kryesore votuan për kandidatët e PD-së. Organizata e minoritetet grek “OMONIA” fitoi 2% ose 5 vende në Parlament, ndërsa Komiteti i Veteranëve mori vetëm një vend ose 0.4%. Sado që rezultatet e PD-së qenë të mira, ajo nuk mundi të fitonte dy të tretat e vendeve në Kuvend. Kështu që ajo nuk do të mund të ndikonte në miratimin e ligjeve të rëndësishme në Parlament. Në fakt PD+PR kishin fituar rreth 40% të numrit të përgjithshëm të votave të zgjedhësve në shkallë vendi, por sistemi mazhoritar e pengoi opozitën të kishte më shumë vende në Parlament. Sido që mbështetësit e PD dolën të zhgënjyer nga këto zgjedhje, vetë PD dhe Berisha e vlerësoi këtë konkurrim të parë me PPSH-në, si shpresëdhënës, nisur nga fakti që PD kishte vetëm 4 muaj që ishte themeluar. PD nuk kishte ndonjë potencial ekonomik, as mjete të nevojshme për të përballuar makinerinë shtetërore të PPSH-së. Ajo ishte e paorganizuar mirë, si dhe përballë manipulimeve të hapura të PPSH. Partia në pushtet kontrollonte RTSH dhe 90% të shtypit, ajo kishte në anën e saj policinë dhe Sigurimin famëkeq. Forcat e terrorit shtetëror nga dhjetori 1990 deri ditën e zgjedhjeve kishin vrarë mbi 20 veprimtarë dhe aktivistë të Partisë Demokratike, kishin burgosur dhe rrahur me qindra të tjerë. Edhe vetë drejtuesit kryesorë të PD-së, përfshirë Berishën dhe Hajdarin kishin qenë pre e sulmeve dhe incidenteve të rënda, të provokuara nga Sigurimi. PD u mbështet fuqishëm nga seksioni shqip i “Zërit të Amerikës” i drejtuar nga analisti i mirënjohur Elez Biberaj, një qëndrim editorial ky që vinte në frymën e politikës së qeverisë amerikane për të larguar nga pushteti komunistët dhe mbështetur forcat e reja opozitare në vend. Alia dhe komunistët kishin pranuar pluralizmin të detyruar nga presionet e forta ndërkombëtare, si dhe nga pakënaqësitë që vinin nga brenda dhe revoltat e forta studentore, por ata nuk ishin për reforma që do të çonin në prekjen e thelbit të sistemit. Megjithëkëto fakte vëzhguesit ndërkombëtarë nuk përfillën shumë vërejtjet e opozitës për parregullsi. Vetëm SHBA-të shprehën shqetësimin e tyre se, “moszgjedhjet nuk kishin qenë krejt të liria dhe të ndershme”. Janush Bugajski “Christian Science Monitor” (25 prill 1991). PD reagoi me optimizëm. Sali Berisha në një shkrim të botuar tek gazeta “RD” më 10 prill 1991 shprehej se, “megjithëse zgjedhjet nuk kishin qenë as të lira dhe as të ndershme PD e pranonte rezultatin dhe do të vazhdonte përpjekjet për të arritur qëllimet e veta”. Berisha shkruante se “zgjedhjet e 31 marsit u zhvilluan në kushte të pabarabarta, në kushtet e një terrori dhe frike të paparë, gjë që i detyroi mijëra shqiptarë të marrin rrugët e dheut, si dhe qindra dhe mijëra të tjerë të votojnë për PPSH-në”. Kaosi që përfshiu vendin gjatë muajve të parë të vitit 1991, bënë që shumë shqiptarë, shumica mbështetës të PD-së, të linin atdheun. Më 4 mars TVSH njoftonte se një grup qytetarësh në Vlorë kishin sulmuar dhe vënë nën kontroll një anije, e cila qe nisur drejt brigjeve të Italisë. Njerëz nga e gjithë Shqipëria u nisën me çdo mjet që mundnin në drejtim të Vlorës. Më 5 mars pas përleshjeve me policinë qe pushtuar Porti i Durrësit. Përsëri RTSH njoftonte se 4 anije të mëdha nga Durrësi qenë nisur plot e përplot me njerëz drejt Italisë. Shqipëria po braktisej. Ikjet biblike të qytetarëve të saj mbushën ekranet e Italisë dhe të Europës. Më 6 mars RAI njoftonte se kishin mbërritur në brigjet italiane 7 mijë vetë dhe priteshin edhe rreth 15 mijë të tjerë. Gjatë eksodit të marsit thuhet se mbi 70 mijë shqiptarë zbarkuan në Itali. Prej tyre rreth 5 mijë mendohej të ishin studentë, një pjesë e madhe e të cilëve pjesëmarrës të lëvizjes së dhjetorit 1990, si dhe të grevës së urisë të 20 shkurtit 1991, e cila siç dihet pati çuar në rrëzimin e shtatores së diktatorit Enver Hoxha në sheshin qendror të Tiranës. Populli shprehu pakënaqësinë e tij për manipulimin e rezultatit të zgjedhjeve të 31 marsit. Më 2 prill në Shkodër Sigurimi i Shtetit për të frikësuar demokratët vret Arben Brocin, Nazmi Kryeziun, Bujar Bishanakun, Besnik Cekën, si dhe plagos rreth 70 pjesëmarrës të tjerë në një demonstratë paqësore në qendër të qytetit të Shkodrës. Situata tensionohet edhe më shumë kur një deklaratë e dalë nga Këshilli Presidencial i fajësonte viktimat, duke i quajtur “terroristë”. Deklarata bënte të ditur se Ministria e Brendshme ishte porositur që “të qëllonte pa paralajmërim” këdo që do të prishte rendin dhe qetësinë. PD ishte para një agresioni dhe terrori të hapur për të mos ngritur kokën. Asaj qysh prej trazirave të fundit të shkurtit i ishin vrarë nga Sigurimi me dhjetëra aktivistë dhe anëtarë të PD në të gjithë vendin, mes të cilëve Spartak Delia, Artur Lenja, Ismail Capari, Artur Daka, Pëllumb Tahiri, Mikel Lara, Lulëzim Borxha etj. Regjimi i vjetër po hakmerrej në mënyrën e tij më barbare.

Si erdhëm deri më 22 mars

Me pranimin e pluralizmit politik, Shqipëria u gjend përpara zhvillimit të zgjedhjeve të para pluraliste të 10 shkurtit 1991, të dekretuara nga Presidiumi i Kuvendit Popullor. Ky dekretim ishte bërë para se të pranohej pluralizmi. Pas ndërhyrjes së forcave opozitare, u arrit një shtyrje e datës së këtyre zgjedhjeve, për të cilat u fiksua data 31 mars 1991. Ramiz Alia dhe strukturat e partisë-shtet arritën që të manipulonin këto zgjedhje dhe të prodhonin një rezultat fals, i cili nuk u njoh asnjëherë nga Partia Demokratike. Pas zgjedhjeve u krijua qeveria e re Nano, e cila u vu në vështirësi për shkak të grevës së përgjithshme të Sindikatave të Pavarura (BSPSH), që filloi më 15 maj 1991 dhe përfundoi deri në grevë urie. E gjithë veprimtaria shtetërore e prodhimit dhe e shërbimeve të tjera u ndërpre. Sindikatat kërkonin kushte më të mira pune, shpalljen dëshmorë të martirëve të Shkodrës, dënimin e ekzekutorëve të tyre, etj. Pas disa ditë bisedimesh, në mbledhjen e datës 3 qershor 1991, partitë politike vendosën që qeveria të jepte dorëheqjen, që t’i kërkohej Presidentit të Republikës emërimi i një kryeministri të ri nga Partia e Punës, i cili do të formonte një qeveri koalicioni. Anëtarët e qeverisë duhej të shkëputeshin nga partitë e tyre e të mos formonin parti të reja politike, ndërsa zgjedhjet e reja do të kryheshin në periudhën maj–qershor 1992. Nga ana e saj, BSPSH, garantonte paqen sociale, duke mos bërë greva në mandatin e qeverisë që pritej të formohej. Në qershor 1991, Partia e Punës, në kongresin e saj të 10-të, ndryshoi emrin në Partia Socialiste. Kësisoj u formua qeveria e stabilitetit. Synimet kryesore të qeverisë mbetën forcimi i rendit publik, sigurimi i ushqimeve bazë për popullatën, privatizimi i tokës bujqësore, etj. Por eksodi i gushtit 1991, pafuqia e qeverisë për të realizuar programin e saj, e sollën gjendjen në atë pikë saqë forcat e djathta nuk e mbështetën më atë.

Epërsia e PD në zgjedhjet e 22 marsit 1992

Forcat opozitare kishin mjaft epërsi për të fituar zgjedhjet e 22 marsit 1992. Ata formuan koalicionin e përbërë nga PD, PSD e PR. Binte në sy dukshëm epërsia intelektuale e PD ndaj asaj të PS, e cila bazohej kryesisht tek mbështetja në zonat rurale, por dhe kjo në rënie brenda shumë pak muajve. Qytetet kryesore të vendit mbanin peshën më të madhe të luftës për rrëzimin e diktaturës dhe lëvizja e PD u përhap si një uragan në të gjithë vendin. Partia Socialiste e përqendroi fushatën e saj kryesisht te frika që duhej pasur nga kthimi i “beut dhe agait”, duke mëtuar se opozita do të njihte “pronarët e vjetër” dhe do të shfuqizonte ligjin për tokën. Fushata mediatike u zhvillua midis gazetës së PS-së “Zëri i Popullit” dhe gazetave të opozitës “Rilindja Demokratike”, “Republika” dhe “Alternativa SD”. Radiotelevizioni Shqiptar mbajti një qëndrim që u vlerësua nga të gjitha palët. Partia Demokratike fitoi 62.08% të votave (92 vende), Partia Socialiste 25.70% (38 vende), Partia Social Demokrate 4.30% (7 vende). Republikanët nuk e kishin kaluar shifrën prej 3.11% e PBDNJ atë të 2.90%. Një ditë më pas, Kuvendi Popullor votoi heqjen e të gjitha simboleve komuniste nga flamuri, stema e shtetit, etj.

Ngjarjet e mëdha që çuan në fitoren e 22 marsit

Pas afro 46 vitesh nën një tirani të paparë në histori, shqiptarët nisën betejën me diktaturën më të egër të Europës. Një betejë e vërtetë në çdo lagje të Tiranës dhe të qyteteve kryesore të vendit prodhuan një sërë ngjarjesh të rëndësishme. Shqipëria ishte i fundit vend me një regjim komunist në Europë.
• 14 janar 1990: Zhvillohet në Shkodër demonstrata e parë antikomuniste në Shqipëri. Mijëra shkodranë dalin në qendër të qytetit dhe përpiqen të hedhin bustin e Stalinit. Policia dhe ushtria arrijnë të shpërndajnë turmën. Dhjetëra protestues arrestohen dhe dhunohen barbarisht në burgje.
• 26 mars 1990: Zhvillohet një demonstratë masive antikomuniste në Kavajë. Forca të shumta policore e shtypën me egërsi këtë demonstratë. Masivisht fyhet diktatori Hoxha.
• 2 korrik 1990: Fillon hyrja masive në ambasada. Me mijëra të rinj hyjnë në ambasada në kërkim të azilit politik. Ambasadat me më shumë persona janë ajo gjermane dhe ajo italiane. Të vetmet ambasada ku nuk pati azilantë ishin ajo kineze dhe ajo kubane. TVSH transmeton pamje ku azilantët kërkojnë të dalin, por nuk i “lejojnë” autoritetet e ambasadave. Fillojnë demonstratat antikomuniste në gjithë vendin.

• Korrik-nëntor 1990: Demonstrata antikomuniste zhvillohen në gjithë vendin e veçanërisht në Tiranë, Durrës, Kavajë, Shkodër, Elbasan dhe Korçë. Kërkesa kryesore e demonstruesve është hapja e Shqipërisë dhe rrëzimi i regjimit diktatorial komunist. Fillon emigrimi masiv drejt Italisë me anë të anijeve. Mbi 20.000 shqiptarë largohen me mjete ujore. Policia Kufitare vret shumë të rinj shqiptarë që po arratiseshin drejt një jete më të mirë.
• 8 dhjetor 1990: Studentët e Universitetit të Tiranës formojnë Partinë Demokratike të Shqipërisë, e para parti opozitare pas afro 50 vitesh. Udhëheqësit kryesorë janë Sali Berisha, Azem Hajdari, Genc Pollo, Aleksandër Meksi, Eduart Selami dhe Gramoz Pashko. Partia e re bazohet mbi idealet e “demokracisë, lirisë, pluralizmit dhe tregut të lirë”.
• 11 dhjetor 1990: Studentët takohen me Presidentin e vendit, Ramiz Alinë. Ata i bëjnë të ditur atij kërkesat e tyre. Alia nuk pranon t’i plotësojë ato.
• 12 dhjetor 1990: Zgjidhet kryetari i Partisë Demokratike. Me shumicë votash fiton Sali Berisha njëri nga doktorët më të njohur të vendit.
• 5 janar 1991: Fillon botimi i gazetës “Rilindja Demokratike”, organ i Partisë Demokratike.
• 20 shkurt 1991: Demonstruesit, pasi përleshen me policinë, rrëzojnë bustin e diktatorit Hoxha, i cili sundoi vendin për 40 vjet nën diktaturën komuniste më të ashpër në botë së bashku me atë të Kamboxhias.

• 21 shkurt 1991: Situata për regjimin bëhet shumë kritike. Jep dorëheqjen kryeministri i vendit, Adil Çarçani. Në krye të qeverisë vjen Fatos Nano.
• 31 mars 1991: Mbahen zgjedhjet e para pluraliste. Kodi Zgjedhor dukshëm favorizon PPSH. Me shumë manipulime fiton PPSH. Në qytetet e mëdha fiton Partia Demokratike. PPSH fiton në zonat fshatare, ku PD ende nuk ka mundur të arrijë. Vetë Ramiz Alia humbet në zonën ku në vitin 1941 u formua Partia Komuniste Shqiptare. Por ai zgjidhet President i Republikës me votat pro të PPSH dhe ato kundër të PDSH.
• 2 prill 1991: Pas një demonstrate paqësore vriten në Shkodër 4 aktivistë të PDSH dhe plagosen mbi 80 demonstrues. Kjo nxiti një valë të re protestash. Demonstruesit e egërsuar djegin Komitetin e Partisë së Shkodrës.
• Prill 1991: Zhvillohen greva dhe demonstrata të fuqishme. Qeveria komuniste merr goditjen më të rëndë pikërisht nga punëtorët, të cilët hyjnë masivisht në greva.
• 4 qershor 1991: Jep dorëheqjen kryeministri Fatos Nano për shkak të protestave masive. Formohet qeveria e re e koalicionit e drejtuar nga Ylli Bufi.
• 10 qershor 1991: Në një Kongres historik PPSH (Partia e Punës e Shqipërisë) ndryshon emrin në PSSH (Partia Socialiste e Shqipërisë). Ndryshon edhe udhëheqja e Partisë.

• Qershor-nëntor 1991: Zhvillohen demonstrata antikomuniste. Thirrjet e demonstruesve janë “Ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa!”, “Liri-Demokraci!”, “Enver-Hitler!”, “Poshtë komunizmi”! etj. Në çdo qytet rrëzohen bustet e Enver Hoxhës, Leninit dhe Stalinit, simbole të diktaturës së egër komuniste. Kërkohet ndryshimi i emrave të institucioneve të ndryshme që kanë emrin e Enver Hoxhës, Leninit, Stalinit ose datën e krijimit të PKSH. Ushtria demonstron forcën, duke lëvizur tanket nëpër qytetet e vendit. Vazhdon emigrimi masiv. Mijëra të rinj kërkojnë një jetë më të mirë drejt vendeve perëndimore.
• 6 dhjetor 1991: Jep dorëheqjen qeveria e koalicionit për shkak të largimit nga qeveria e ministrave të PD.
Janar-mars 1992
• Janar 1992: Formohet qeveria teknike e Vilson Ahmetit që do të përgatisë vendin për zgjedhjet e parakohshme.
• 22 mars 1992: Mbahen zgjedhjet e parakohshme. Me një rezultat të thellë fiton PDSH. Rotacioni i rezultatit është 90%. Në krye vjen një qeveri e djathtë, e para qeveri e djathtë që nga koha e Zogut. Parlamenti i ri zgjedh President të Republikës zotin Sali Berisha, i treti President i vendit (më përpara kanë qenë Ahmet Zogu dhe Ramiz Alia) dhe i pari i zgjedhur në mënyrë demokratike. Protestat antikomuniste marrin fund. Revolucioni antikomunist triumfon.

Comments (0 posted):

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
5.00
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1