Newsletter
Email:
Poll: Fjala e Lire
Si ndiheni tek Fjala e Lire?
Home | OPINIONE | Profesorë na falni, na lindi “një axhustim i nevojshëm”

Profesorë na falni, na lindi “një axhustim i nevojshëm”

Font size: Decrease font Enlarge font
image Dr Fatmir Terziu

Profesorë na falni, na lindi “një axhustim i nevojshëm”

Dr Fatmir Terziu

 

Fjala shqipe “Axhustim” në “Oxford Albanian – English Dictionary” (Oxford University Press; 1999) u jepet të huajve si shpjegim në formën e një togfjalëshi “bench work” që do të thotë në një kuptim të drejtëpërdrejtë “punë në tryezë” dhe që në këtë kuptim të dhënë natyrisht do sqarimin se është “një punë që bën përshtatjen e metalit për madhësinë e domosdoshme e të duhur të tij”. Pra kjo është në kuptimin e parë të tij. Në atë kuptim që përherë të parë e kemi mësuar ne brezi ynë në orët e punëve me metal, ose me dru, në ditët e Praktikave të Detyrueshme Mësimire në shkollat e mesme të kohës së monizmit dhe në jetë, kur profesioni i mekanikut, tornitorit e më së shumti i Axhustatorit bëhej udhë jetike. Kam patur rastin ta dëgjoj nga Naim Tafani, specialisti i Punës Praktike në shkollë të mesme, por ta shtjelloj dhe ta mbaj të sqaruar në memorjen time nga një mësuese që punonte plot pasion me fjalët e Gjuhës Shqipe.

Kam patur nderin të kisha mësuese një prej delegatëve të Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe që u mbajt në Tiranë më 25 Nëntor 1972. E thjeshtë, e saktë, e respektueshme, e dedikuar ndaj drejtshkrimit të gjuhës shqipe, e aftë të shpjegonte me detaje rregullat dhe domosdoshmëritë e saj dhe mbi të gjithë një mësuese që edhe kur nuk e kuptonin të tjerët, me “talentin” e saj i bënte që të ulnin kokën dhe të dëgjonin me vëmendjen e duhur. Lumnie Shehetila, mësuesja e gjuhës dhe letërsisë shqipe në disa shkolla të Elbasanit ishte në atë Kongres bashkë me figurën e shquar Akademike dhe Shkencore të Elbasanit, Profesor Dr. Mehmet Çelikun, që në atë kohë ishte gjuhëtar në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë në Tiranë. Kështu Shehetila, krahas 87 figurave të tjera të mirënjohura të arsimit shqiptar që kryesoheshin nga Thoma Deliana, ministër i Arsimit dhe Kulturës të asaj kohe, Prof. Androkli Kostallari, drejtor i Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë të USHT, Prof Mahir Domi, Prof Eqerem Çabej, Prof Bedri Dedja etj., kishte në ditarin e saj të punëve shkencore dhe fjalë të tilla që vinin dhe hynin në Elbasanin e asaj kohe falë Kombinatit Metalurgjik.

Axhustim” në thelbin e shpjegimit të mësueses Lumnie Shehetila, e cila kishte dhe një autoritet të lartë bindës gjuhësor, do të thoshte më shumë se punë, më shumë se sa përshtajtje për arsyen e përdorimit të tij të “ngurtë”. Në përdorimin e parë të kësaj fjale natyrisht materiali ishte metal, por në kuptimin e saj figurativ ishte nxënësi, që vetëkuptohej se duhej të punonte më shumë me veten, me arsyen, me talentin, për të qenë i denjë për shoqërinë. Pas tërë këtyre lidhjeve të hershme me memorjen time tek fjala “axhustim” kohët e fundit kjo fjalë ka zënë hapësirë dhe vend dhe në fjalorin politik. Ditët e fundit ajo u dëgjua edhe nga ministrja e Arsimit Lindita Nikolla kur u kërkoi ndjesë pedagogëve dhe stafit të Universiteteve për vonesën e pagave të tyre. Ajo e përdori këtë fjalë kur tha se gjithçka lidhet me ligjin e arsimit të lartë dhe autonominë financiare të universiteteve.

Nikolla, në tërë ndjesën e saj, përdori më saktë këtë tekst: “Unë do të përfitoj nga rasti të kërkoj një ndjesë të madhe publike të gjithë pedagogëve dhe pedagogeve, por dhe administratës së universiteteve publike për vonesën e pagës së tyre, për t’iu thënë që nuk është as më shumë e as më pak, por pikërisht edhe nevoja që qeveria dhe institucionet qeverisëse të bëjnë maksimalisht detyrat e tyre të shtëpisë, sepse është një axhustim i nevojshëm që vjen përmes ligjit të ri të arsimit të lartë që ofron më shumë autonomi financiare për universitetet duke vendosur që çdo buxhet që mbetet në fund të vitit të trashëgohet në vitin pasardhës buxhetor. E ndërkohë ishte dhe një ushtrim, pa larguar asnjë lloj përgjegjësie nga vetja, edhe një ushtrim në vëmendje të administratorëve që besoj që nuk ishin në lartësinë e detyrës në mënyrë që t’i përgjigjeshin me zhdërvjelltësi këtij momenti të rëndësishëm që lidhet me gjithë administrimin e financave dhe gjithë linjës administrative në institucionet tona të arsimit të lartë”.

Nuk e di se si përkuar, por në një datë të përafërt kur në Tiranë në vitin 1973 do të dilte nga botimi “Drejtshkrimi i Gjuhës Shqipe” nga Akademia e Shkencave dhe Instituti i Gjuhëisë dhe i Letërsisë, përdorimi i fjalës “axhustim” i ndeshur edhe në një shpjegim shkencor të studiuesve Artan Haxhi dhe Tefë Topalli në esenë e tyre “Terminologjia si sistem” botuar në Buletinin Shkencor Nr. 67, të Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, zgjeron tërsinë e tij përdoruese me një togfjalësh të tillë “një axhustim i nevojshëm”, tashmë i dalë nga goja e ministres së Arsimit (Shkodër, 2017; Viti XLVII i botimit). Kështu, emri “axhustim” që sipas dy autorëve, tregon një emërzim (fjalë e prejardhur nga folja axhustoj); mbiemri i dëgjueshëm që tregon prejardhje mbiemërore, duke u nisur nga një folje me rrënjë dëgjo-j, në memorifikim e ri togfjalëshor të servirur nga Nikolla do të ketë zgjerim përdorimi dhe nënkuptimi, pra si “një axhustim i nevojshëm” (ibid).

Dhe ju të nderuar Profesorë do të pyesni dhe do të mbeteni tek pyetja… “Po me axhstimin ç’patët?!’ Ndërsa “axhustimi” do të hyjë edhe tek rrogat…, e do të mbetet që të tretet tek rrogat… Sidoqoftë, Profesorë të nderuar, të djeshëm, të sotëm e të ardhshëm, ju kushedi dhe sa herë do të dëgjoni e do të dëgjoni, na falni…, pra të nderuar na falni dhe gëzohuni se na (ri)lindi edhe “një axhustim i nevojshëm”.

Comments (0 posted):

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
5.00
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1