Newsletter
Email:
Poll: Fjala e Lire
Si ndiheni tek Fjala e Lire?
Home | OPINIONE | ‘Piari’, agjitpropi modern i qeverisë

‘Piari’, agjitpropi modern i qeverisë

Font size: Decrease font Enlarge font
image Sebi Alla

Kryeministri Edi Rama dhe zyra e madhe e piarit, që po kthehet në investimin thelbësor të kryeqeveritarit. Bombardimi me daljet publike dhe shfaqja e kryeministrit si “magjistar” i fjalës. Sa rëndësi ka propaganda për Edi Ramën dhe shtrirja deri në indoktrinimin e publikut të gjerë kudo që ndodhet.

Nga Sebi Alla

Revista Mapo

Në 100 ditët e para të qeverisë “Rama 2”, kryeministri u shfaq 107 orë në media, ca më shumë se një orë në ditë. Rëndësia e “piarit”, (marrëdhënie me publikun) ose në anglisht (public relations), po merr vëmendje thelbësore në qeverisjen socialiste, në krye të së cilës është vetë kryeministri Edi Rama. Gjithçka e kuruar në daljet e tij. Fjalët që përdor, gjestet, gjestikulacionet, dekori i dëgjuesve, pyetjet që ata duhet të bëjnë, batutat e hedhura dhe deri edhe këshillat për veshjen, stilin apo humori me “kripë” kryeministror, që komenton edhe marrëdhënien burrë-grua. Kryeministri mediat i konsideron një kazan të madh ku zien thashethemi, por vetë nuk e braktis atë. Ka shkelur në televizione që thuhet se janë jo fort pranë tij, jep intervista të gjata për gazetarë e drejtues emisionesh që publikisht e kritikojnë. Nuk bën dallime nëse formati televiziv është humoristik apo në serioz-politikë. Rëndësi ka të gjendet para publikut. Të kapi edhe atë kontingjent shikuesish që e quajnë atë të “madh” kur merret me median, apo lëshon ndonjë batutë që shkon për shijet e qytetarëve. Kryeministri takohet me të moshuar, fëmijë, të rinj, mësues, infermierë, mjekë, ushtarakë e çdo kategori punonjësish të rangut të lartë. Në jo pak raste drejtuesve të lartë të administratës u bën gjëmën me kritika, apo kërcënuar se sëpata e drejtësisë do bjerë mbi ta, flet për largime nga puna të militantëve të paaftë, për reformim institucionesh, prek ndjesinë publike që ankohet për korrupsion në hipoteka, zvarritje në proces legalizimesh, apo edhe mungesë ilaçesh në spitalet e shtetit. Shumicës u jep të drejtë, duke lënë pas përshtypjen e përciptë që i dëgjon. Në fund gjen edhe kohë të merret me facebook-un e tij, ku ka gjuhë e qëndrime të larmishme. Nuk ngurron t’u kthejë përgjigje kritikuesve, që në të shumtën e rasteve synon t’i denigrojë nga emri, veshja apo fjalët që përdorin, duke u kujtuar shpesh se është më mirë që të shkollohen dhe bëjnë ndonjë punë sesa të merren me kritikat ndaj kryeministrit dhe qeverisë. Në fund të ditës diçka ka mbetur. Kryeministri doli në publik, premtoi, mbajti të gjallë “shpresën”, aq sa ngjan se çdo ditë qeverisje duket si një fushatë e përhershme me premtime që nuk dihet kur do kenë fund. Në ditët e mbetura të dhjetorit të kaluar u bë edhe babagjysh që plotëson dëshirat e të mëdhenjve dhe fëmijëve. Gjeti punë për një të re të komunitetit egjiptian, dërgoi makinë e fizioterapist për një fëmijë të mitur që nuk ecën dot. Dhe piari funksionoi. Artikulon shpesh se nuk ka shkop magjik për të ndryshuar vendin, por në publik shfaqet si “magjistar” i fjalës, duke prekur ndjesitë e qytetarëve që komentojnë kudo në çdo kafe e skutë ku ndodhen.

Nga agjitpropi te piari

Gjithçka është imazh, rrënjët e së cilës janë më të thella se e tashmja. Nga koha e çetave partizane dhe më pas edhe në komunizëm, ky sektor i rëndësishëm që sot quhet “piar”, njihej si agjitpropi (një shkurtim i agjitacionit dhe propagandës). Komisarët politikë rendnin çetë më çetë e fshat më fshat për të propaganduar të mirat e komunizmit, një sistemi deri në atë kohë utopik, por më vonë me mbarimin e luftës u bë realitet. Komisarët ishin edhe më të rëndësishëm se komandantët që shkrehnin pushkë në ballin e parë të frontit. Përzgjidheshin kryesisht djem të rinj disi të shkolluar por fort të indoktrinuar për të kryer rolin e propaganduesve. Bëhej luftë me armë, por me rëndësi ishte beteja e fjalës dhe penës. Puna e agjitropit u shtua edhe më shumë kur komunizmi u kthye në sistem politik dhe mori drejtimin e vendit për 45 vjet. Në çdo ndërmarrje shtetërore, në një kooperativë të thellë e kudo tjetër ku gjendeshin punëtorë vepronin “hijet e bardha” që kishin për qëllim të “shpëlanin mendjen” e një populli, duke ngritur lart figurën e udhëheqjes dhe i veshur më pas të mirat pushtetit popullor. Ngritja e zyrave të propagandës, të mbështetura nga shtypi, radio dhe botimet e librave në realizmit socialist, injektuan sistemin kudo dhe lartësuan kultin e individit. Që nga shkrimet në banderola të fisme apo edhe në ndonjë faqe muri bojëdalë gjendeshin thënie për komunizmin, Enver Hoxhën dhe Partinë e Punës. Më pas kurimi më me finesë i propagandës vijonte me botimet në libra, piktura, skulptura dhe çdo lloj arti në kinematografi e kudo tjetër. Gjithçka i ngjante një “teatri absurd” që funksionoi me kohën. Masat u indoktrinuan, duke besuar thuajse në gjithçka që propagandohej. Edhe pas viteve 90’ rëndësia e marrëdhënieve me publikun nuk u zbeh, por ndryshoi forma, nga një lider në tjetrin. Fryma e partisë ndihej kudo. Nisi një tjetër epokë, por pa hequr dorë nga propaganda dhe partitizmi. Ish-presidenti dhe kryeministri Sali Berisha ruajti një formë të tij thuajse unike në marrëdhëniet me publikun. Zgjodhi të ishte vetë kudo, pa pasur nevojën e një stafi përzgjedhës që t’i bënte piar. Mjaftonte një foltore e thjeshtë, ca mitingdashës përpara dhe ishte vetë në gjendje të përhapte frymën që dëshironte. Mbahet mend edhe për daljen e tij në një reklamë televizive ku dha numrin e telefonit celular për çdo qytetar që kishte problem me strukturat e shtetit. Një formë piari, por shpejt degradoi në telefonata e mesazhe pa fund, ku ndër hallexhinjtë e vërtetë kishte edhe nga ata që ankoheshin se fqinji një kat më sipër bënte zhurmë natën. Ish-kryeministri Berisha ndonëse tentoi të “miqësohej” me mediat, sërish nuk mundi të krijonte raportin e dëshiruar. Formatet televizive që përzgjodhi ishin thuajse standarde, duke u mbajtur në traditën e vjetër: “Ti pyet ç’të duash, unë përgjigjem si të dua”. Ndryshe është situata me kryeministrin aktual Edi Rama. Për të piari është edhe formë, jo vetëm dukje. Duke i besuar fort imazhit, kreu i qeverisë ka mundur të bëjë lajm edhe në arenën ndërkombëtare. Në takime ku thjesht është i pranishëm se ashtu e ka protokolli, ai edhe pa folur gjen mënyrën për të qenë personazh. Bëhet lajm për veshjet, ku çuditi jo pak me atletet e bardha në evenimente të rëndësishme zyrtare ndërkombëtare.

Më shkruaj, të të them…

Piari, (agjitpropi modern), është shtrirë edhe në çdo ministri dhe institucion shtetëror. Për të marrë ankesat e qytetarëve reklamohen site në portalin “Shqipëria që duam”. Aty merren ankesat dhe pasi shqyrtohen, qytetarit ndonjëherë i jepet e drejta e munguar. Por para se ai të gëzojë për “çështjen e zgjidhur”, i duhet bërë reklamë qeveritare. Mundësisht kryeministri të ketë ekskluzivitetin e dhënies së lajmit që një fshatari në ndonjë cep të Shqipërisë iu legalizua banesa, apo mori në duar certifikatën e pronësisë. Edhe këtu piari është i pranishëm. Kreu i qeverisë shfaqet si kryezgjidhësi i problemit të institucioneve shtetërore. Çdo inaugurim që bëhet patjetër që ka praninë e kryeministrit, ministrit të linjës dhe drejtuesve të tjerë që i ngjiten pas kryeqeveritarit për të rënë në sy. Media nuk është e nevojshme të dërgojë kameramanë e gazetarë. Me këtë punë merret zyra e madhe e piarit të kryeministrit dhe ministrave. Kudo ka staf të fryrë që nga kameramanë, gazetarë politik dhe zëdhënës që i japin zë pushtetit. Nuk mungojnë kurrsesi fotografë, montazhierë dhe “kurues” të fjalës. Paketojnë bukur kasetat dhe me “postën e shpejtë” materiali krejtësisht i gatshëm sipas propagandës qeveritare, mbërrin në dyert e televizioneve të “pavarura” ku nuk gatuhet asgjë, pasi vendoset kaseta e përgatitur dhe “lajmi” është ajo çka dëshiron të thotë i pari i qeverisë apo ministrat. Edhe atëherë kur ndonjë televizion, (që rrallë ndodh), tenton të mos transmetojë një lajm me protagonist kryeministrin, mjafton të ndërrosh kanal, pasi Rama është live në “ER TV” (Edi Rama televizion). Fjali të gjata, deklarata të bujshme, batuta të hedhura, premtime se do të bëhet më mirë, e deri edhe në akuza ndaj kundërshtarëve zënë vend në “ER TV”, në kohë reale në rrjetet sociale. Gjithçka e pushtuar mediatikisht dhe lajm pas lajmi komentohet mbi komentin e kreut të qeverisë.

Të ngjashmit…

Personazhe të tjera të politikës mundohen të imitojnë piarin e kryeministrit, disa ia kanë arritur t’i përafrohen, por të tjerë edhe e kanë tejkaluar. Rasti tipik ku “nxënësi” del mbi “mësuesin”, është me Kryetarin e Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj. Është vështirë të gjesh një ditë që Veliaj të mos shfaqet në media. Një pemë e mbjellë, një rrugë e vijëzuar, apo një shkollë e rikonstruktuar, ka gjithnjë protagonist Veliajn. Shfaqet me “klasën punëtore” me lopatë në dorë, duke dhënë imazhin se po ndryshon Tiranën, me gjelbërim, infrastrukturë dhe çdo shërbim tjetër në dobi të qytetarëve. Për të piari merr vlerën edhe më të madhe kur mundohet të “zaptojë” edhe lajmet ndërkombëtare. Diçka ka ndryshuar dhe më shumë se puna konkrete vlen imazhi, i cili Veliaj di ta kurojë mirë, aq sa është bërë paksa “bezdisës’ edhe për kryeministrin që jo pa kritikë u shpreh disa kohë më parë se: “mirë është që të mos dalë kaq shpesh në televizor, sidomos kur është jashtë vendit”. Në qeverisjen qendrore Rama po mban rekord piari e dalje publike, sa vështirë të thyhet nga tjetërkush. Në qeverisjen lokale, kryebashkiaku i Tiranës nuk ka rivalë për të mundur për sa i përket piarit, thyerjen e “rekordeve” e ka thjesht me veten. Bombardimi me daljet publike ende nuk i është kthyer në bumerang, pasi në rastin Veliaj imazhi i përcjellë poshtë në masa ka arritur të indoktrinojë thellë, ndërsa kudo dëgjohen shpesh fjalët: “ai po punon”. Në raste të tilla nuk vlen puna konkrete e prekshme, por perceptimi, dhe këtu agjitropi modern ka ecur shumë me Veliajn, që po del mjeshtër i kurimit të imazhit dhe një “strateg” i komunikimit me publikun.

Me figurë, “pa zë”

E kundërta ndodh në kampin tjetër rival, atë opozitar. I riu në detyrën e kryedemokratit, por jo në politikë, Lulzim Basha, i jep fare pak rëndësi piarit. Ndonëse me staf të plotë në zyrën e shtypit, vijon të ndjekë traditën e vjetër të daljeve të pakta publike, duke i munduar të kapë thelbin e problematikës në vend. Më shumë se të ndikojë te qytetarët, po tenton të bëjë “piar” te të vetët, për të rimarrë ato vota demokratësh që në zgjedhjet e 25 qershorit të vitit të kaluar e braktisën PD-në. Në ditët e fundit ndërmori një tur në të gjithë Shqipërinë, duke u munduar të krijojë lidhje të drejtpërdrejta me elektoratin. Gjithashtu, në fjalët e tij synon të prekë ndjeshmërinë qytetare si papunësia, gjendja jo e mirë ekonomike, korrupsioni dhe kriminaliteti, por ngjitja e fjalëve të kryedemokratit thuajse mungon, në pamundësi për të krijuar një makineri të fortë propagande. Në median vizive shfaqet gjithnjë e më rrallë, në ato sociale është thuajse inekzistent. Mjafton një vëzhgim në facebook-un e tij për të kuptuar se marrëdhëniet me publikun nuk funksionon. Kryedemokrati Lulzim Basha ka mbi 560 mijë ndjekës në faqen e tij në facebook, por nuk gjendet qoftë edhe një koment i vetëm që t’i përgjigjet ndjekësve të tij. Nëse do të shënjohet një formë e mirë piari për Bashën është fushata elektorale e vitit 2011 për Bashkinë e Tiranës. Zgjodhi të shkelte vetë rrugë më rrugë dhe në takime të shpeshta me qytetarët. Kudo dha premtime, ndërsa u mundua të bënte një fushatë jo agresive ndaj kundërshtarit, por të paraqiste alternativë. Në fund arriti të mposhte rivalin e madh Edi Rama, por duke pasur me vete edhe aleaten LSI. Gjithashtu, në atë periudhë ndoqi praktikën e përzgjedhjes së një stafi të madh që shkonte shtëpi më shtëpi e takim më takim për të siguruar vota. Pas asaj periudhe, Basha qëndroi krejtësisht në hije, duke drejtuar katër vite bashkinë më të madhe në vend, por me dalje mjaft të pakta publike dhe me bilance jo të prekshme në punën si kryebashkiak. Thelbin e piarit kryeministri e ka kapur prej kohësh dhe kjo është një armë jo e vogël në duart e tij. Komunikimi me publikun dhe propaganda e shpeshtë po tenton të besojë një zhvillim imagjinar, duke mbuluar me sukses problematikën e vërtetë që kalon çdo ditë qytetari shqiptar.

Comments (1 posted):

faruk myrtaj on 03/02/2018 12:56:43
avatar
Nje essay e perkore,
bruto se brendshmi, qendisur se jashtmi, mendimi dhe fjale harmonizuar prej tereshtrirjes...
Mjaft te lexohet...
Po, bashkohem me idene se shkrime te tille meritojne auditor me te gjere, ia vlejne te ri-shperndahen, edhe te Fjala e Lire.
Nuk e njoh autorin, Sebi Alla, por ai josh me kendveshtrimin. Qorton duke pohuar, ekspozon jo per te fshehur, s'krahason per te mos u keqkuptuar se sherben, pothuaj nuk merr persiper te nxjerre perfundime, mbase ngaqe thjesht Ngjarja Vazhdon te Ndodh...

Duke lexuar, mund te shtojme pyetje:
Kush e ndjek kete shfaqje? Politikanet, gazetaret, elektorati, opinioni publik apo...Populli?!
Luhet ne skene? Ne prapaskene? Ne perdorim apo per konsum? Vetem ne Shqip?!
Padyshim nje ftese per ta mirekuptuar kete realitet: ka risi ne kete mjedis, loja shkon per ku? Kemi pasur agitprop, tani ka permase tjeter? Sherben, per te marre pushtet, per te qartesuar qeverisje?
Duhet shijuar, si shfaqje, si element qeverisje -apo "that's it, e tera"?!-
E legjislatures se pare te pambyllur te kesaj qeverisje - nderprere muaj para zgjedhjeve Qershor 2017, dhe te dytes- ende te pafilluar teksa jemi ne Shkurt 2018?! Po me tej?

C'i erdhi shqiptareve prej Agjitpropit?
Dhe, pas ketij Piari, cfare pritet? A mendohet dot pasardhesi i ketij Agjit/Piari?!

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
0
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1