Newsletter
Email:
Poll: Letërsia
Cili është lloji juaj i preferuar i letërsisë?
Home | OPINIONE | Flakëkashtizmi i protestave tek ne

Flakëkashtizmi i protestave tek ne

Font size: Decrease font Enlarge font
image Andon Dede

 

nga Andon Dede, Nju York

E ç’nuk është thënë e po thuhet për protestën e pritëshme të 27 janarit: se do të bëhet nami, do t’i tregohet vendi kryeministrit aktual dhe Shqipëria do të çlirohet më në fund nga kjo qeveri e korruptuar që mendon vetëm për vete dhe jo për popullin…

Qofsha i gabuar, madje edhe do të gëzohem po të dalë e kundërta, por unë po e them me keqardhje se nuk do të ngjasë asgjë pas kësaj proteste, ashtu siç ka ngjarë përherë pas protestave të tjera si kjo, përjashto ato të fundit të shekullit të kaluar që përmbysën Diktaturën e i hapën rrugën zhvillimeve të reja pluraliste. Por, të mos i bëjmë qefin vetes: edhe ato protesta as që mund të imagjinoheshin më parë, po të mos kishin ndodhur tërë ato përmbysje rreth e qark nesh, që filluan me ngjarjet në Rumani e shembjen e Murit të Berlinit. E keqja është se pas shëmbjes së atij muri, u ngritën të tjera “mure”, jo vetëm tek ne por dhe në gjithë Europën Lindore apo edhe më tej, pasojat e të cilëve kanë lidhje edhe me zhvillimet aktuale. Por, të kthehemi tek tema që nisëm.

E patëm fjalën pra, tek protesta e 27 janarit. Opozita, përmes liderve të saj Basha, Kryemadhi e të tjerë, u ngjir së foluri duke i bërë thirrje popullit që të marrë pjesë në të e duke vënë në dukje arsyet e kësaj pjesëmarrjeje. Ata premtojnë se duke përmbysur Ramën, si sinteza e të gjithë të këqijave tek ne, do t’i hapet rruga zhvillimeve të reja, duke i dhënë fund vuajtjeve që po i marrin frymën shumicës dërrmuese të popullit. Nuk ka mbetur epitet pezhorativ që përmban Fjalori i Gjuhës Shqipe, pa ia faturuar artist-sportist-politikanit që në sundimin e vet ia ka kaluar çdo para-ardhësi pushtet-mbajtës, jo vetëm tek ne por në gjithë Botën. Si zor të gjesh një të dytë, në tërë rruzullin, president, kryeministër, mbret, emir etj. që të vendosë vetë, pa pyetur askënd, jo vetëm për buxhetin e shtetit, detyrat e dikastereve, emërimet e ministrave, ambasadorëve, drejtorëve, presidentin e Republikës, Prokurorin e Përgjithshëm por dhe për palmat që do të mbillen rrugëve, për kalldrëmet që do të shtrohen shesheve, ngjyrat që do të lyhen muret e kështu me radhë. Çdo njeri që nuk e njeh realitetin shqiptar, me të drejtë do të mrekullohej nga pohimet e mësipërme e do ta kishte zili atë popull që ka në krye një individ të tillë polivalent. Por, këtij të mrekulluarit do t’i mjaftonin vetëm pak minuta informimi e njohjeje të Shqipërisë së sotme për tu zhgënjyer dhimbshëm: ai shumë shpejt do të kuptojë se ka të bëjë me vendin më të varfër të Europës, populli i të cilit, në shumicën dërrmuese të tij, mezi ngop barkun me bukë; se nga ky vend nisen për çdo ditë motoskafe me tonelata lëndësh narkotike; se të rinjtë e të rejat e këtij vendi po bëjnë ç’është e mundur që të largohen se nuk po gjejnë dot punë e kanë humbur çdo shpresë e plot mangësi të tjera që po t’i radhisnim këtu do të na mbushnin faqe të tëra. Shkurt muhabeti: Opozita ka plotësisht të drejtë në ato që thotë e në kërkesat që mendon të shpallë e trumbetojë më 27 janar. Po atëhere, ku është e keqja, mund të pyesë me të drejtë dikush. Fare e thjeshtë për ta kuptuar: se të gjitha këto i di jo më kryeqeveritari e tërë kasta e politikanëve tanë, në pushtet apo në opozitë, por edhe një fëmijë i kopshtit që sapo ka mësuar kuptimin e këtyre fjalëve. Ja, ky është problemi: protesta si kjo janë bërë sa të duash e nuk kanë sjellë asnjë ndryshim, nga që artist-sportist-politikani ynë as që do t’ia dijë për to. Hallet apo interesat e popullit janë gjëja më e parëndësishme për të. I vetmi rast që mund të më përmendë dikush do të jetë ai i anullimit të shkatërrimit të lëndëve helmuese siriane, por kjo iu imponua, sa nga rreziku që mbartëte pranimi i tyre aq dhe nga masiviteti i protestuesve, si rrallë herë, me që ishte fjala për pasoja katastrofike për jetën e tyre, se po të qe për vullnetin e mirë të kryeqeveritarit tonë, ai tashmë e kishte treguar veten përderisa i kishte pranuar. Ai është gati të bëjë gjithçka, vetëm të mos i kërcënohet karrigia ku është ulur. Ai e ka çimentuar aq fort pushtetin e vet sa që tallet e bën humor me tërë ata që ankohen apo që e kundërshtojnë. Jo vetëm kaq, por ai ka shumë të drejtë kur pohon se edhe nesër të zhvilloheshin zgjedhjet, do t’i fitonte përsëri. Unë e pranoj plotësisht këtë, jo se e meriton, por se e ka treguar me vepra se i zotëron tërë mekanizmat e duhura për t’i manipuluar ato siç ia do qejfi. Mjafton të ndaleh tek një fakt fare i thjeshtë: të gjithë po e pranojnë, madje dhe Rama vetë, se katër vitet e qeverisjes së tij qenë komplet dështim e megjithatë ai fitoi përsëri shumicën. Tjetër punë se në fitoren e tij dha ndihmesën e vet dhe opozita me qëndrimet e saj të papërgjegjëshme, veç të tjerash dhe me shkërmoqjen e saj vështirësisht të riparueshme, por kjo është një temë tjetër.

E, pra, ja pse them se dhe protesta e pritëshme do të jetë një flakë kashte dhe asgjë më tepër, sikur të marrin pjesë në të jo mijëra por dhe miliona veta e nga folësit të thuhen çudira që s’i kemi dëgjuar më parë. (Ndonëse, e përsëris, e kam shumë vështirë të gjej ndonjë gjë të pathënë deri tani, në mitingje e në Parlament).

Nga gjithë sa më sipër, mos duhet menduar se ka humbur çdo shpresë ndryshimi për mirë në atë vend e për atë popull?! E kam vështirë të pohoj të kundërtën. E vetmja gjë që mund t’i thosha opozitarëve apo dhe protestuesve, sikur të më pyesnin, do të qe një formulë fare e thejshtë: radikalizmit të sunduesit fuqiplot mund t’i kundërvihesh vetëm me masa radikale. Çdo rrugë tjetër më duket krejt humbje kohe e energjish. Por, për fat të mirë apo të keq, as që më pyet e aq më pak, as nuk më dëgjon njeri.

Nju York, 24 janar 2018

 

 

 

Comments (1 posted):

Dhimbie e madhe popull. on 25/01/2018 17:05:32
avatar
Nje mjeshteri prefekte ne kete formulim,prag asaj qe pritet me 27 Janar,po s'na thoni: cilat jane sipes jush;Masat radikale?!
Une do te thosha vetem:

O popull mos u mashtro ..
nga MASHTRUESIT!
kushdoqofshin.

Dhimbie e Madhe popull!

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
0
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1