Newsletter
Email:
Poll: Fjala e Lire
Si ndiheni tek Fjala e Lire?
Home | OPINIONE | NGA TELAT ME GJËMBA TE MURET ME BETON

NGA TELAT ME GJËMBA TE MURET ME BETON

Font size: Decrease font Enlarge font
image NGA TELAT ME GJËMBA TE MURET ME BETON

NGA TELAT ME GJËMBA TE MURET ME BETON

   Njerëzimi është ballafaquar dhe po përballet me fenomene që përsëriten ndryshe sipas periudhave kohore por edhe ideologjisë mbisunduese të kohës. Gjithkush e di tashmë se në ish-Shqipërinë komuniste, për të ndaluar emigrimin e paligjshëm (se për emigrim të ligjshëm as që mund të bëhej fjalë) kufiri tokësor ndarës midis shteteve fqinje fortifikohej në mënyra të ndryshme. Elementi kryesor përbëhej nga gardhe prej teli me gjëmba me lartësi deri 2 m. Elementi i parë i telit rrafsh me sipërfaqen e tokës vihej nën tension elektrik, i cili kishte ndjeshmëri të lartë dhe transmetonte sinjalin e kalesës së kufirit nga jashtë-brenda dhe anasjelltas. Në vendet e kalueshme lehtësisht, pra në territoret e sheshta dhe me pak pjerrësi apo të veshura me bimësi dhe shkurre, ai fuqizohej edhe me të ashtuquajturin “brezi i butë” (një rrip toke i punueshëm i cili mbahej vijimësisht i pastruar nga barërat dhe shkurret, për të mundësuar evidentimin e gjurmëve që kishin mbetur nga kalesat e paligjshme). Kjo mënyrë sigurimi e brezit të kufirit midis dy shteteve, e bashkëshoqëruar me forca të shumta njerëzore, duhet pranuar që ka rezultuar mjaft efektive. Është fakt i njohur që shkeljet evidentoheshin, në mjaft raste fatkeqësisht autorët e paguanin “krimin” deri me humbjen e jetës, ndërsa familjet e tyre i bashkëshoqëronte një diskreditim i ashpër shoqëror dhe masakrim i hapët psikologjik por edhe fizik, duke u cilësuar deri edhe “armiq të popullit e të partisë” si dhe duke i internuar larg vendbanimit në rajonte që mbaheshin rreptësisht nën kontrollin e shtetit militar.

   Kjo mënyrë veprimi për të garantuar ruajtjen e kufirit shtetëror, jo vetëm që është bërë publike, më intensivisht dhe fuqimisht sidomos nga vendet fqinje e më tej, por edhe është denoncuar si një akt antinjerëzor që ka të bëjë me shkeljen e të drejtave themelore të njeriut për të zgjedhur vendin e banimit apo të punës. Viktimat e pafajshme në kërkim të lirisë janë të konsiderueshme deri në ditët e fundit të regjimit komunist, në fundshekullin XX. Ky fenomen përbën një shfaqje dhe praktikë të hapët dhe të shëmtuar antihumane, sidomos për vendet pa demokraci apo me demokraci tepër të kufizuar, prandaj edhe plotësisht me të drejtë edhe të dënueshme.

   Por me kalimin e viteve kjo histori me përmbajtje thuajse të njëjtë po përsëritet, gjithësesi në forma të ndryshme, edhe në vende të tjera. Në disa shtete, për të kufizuar apo ndaluar veprimtari kriminale si: trafikimi i lëndëve narkotike apo mallrave të tjera të rrezikshme (metale të rënda, armë e municione luftarake; medikamente të kushtueshme, dokumente sekrete etj.) në mënyrë të jashtëligjshme; trafikimi i jashtëligjshëm me qëllim përfitimi i qënieve jerëzore, sidomos i shtresave më vulnerable (femra, fëmijë dhe të moshuar; fëmijë jetimë apo me ngjyrë); për të kufizuar infiltrimin e elementëve terroristë ekstremistë; për të ndaluar emigrimin e paligjshëm në tërësi dhe të atij me qëllim përfitimi në veçanti, dhe fenomene të tjera që kanë marrë zhvillim të vrullshëm gjatë disa dhjetëvjeçarëve dhe në vijim, për të cilat janë gjetur forma dhe janë aplikuar mjete të ndryshme. Nga ana tjetër, për të parandaluar dhe kufizuar këtë fenomen në rritje, edhe përparimi galopant i teknologjisë ka mundësuar zbulimin, informimin dhe transferimin në kohë reale të veprimeve në shkelje të ligjit, veprimtari që ka të bëjë me sigurinë kombëtare të vendeve të ndryshme. Megjithatë edhe bota e krimit ka shënuar mënyra dhe mjete të sofistikuara për t’i shpëtuar zbulimit të veprimtarisë kriminale. Përveç mjeteve teknike të sofistifikuara, janë aplikuar edhe mënyra më të prapambetura në kohë, pra më arkaike, por gjithësesi efektive, sikurse janë hapja e tuneleve të nëndheshme, hapja e shtigjeve përgjatë pengesave të fortifikuara duke rrezikuar edhe jetën etj. etj.

   Në këto rrethana, kur krimi ka marrë përmasa të frikëshme jo vetëm në shkallë zonale, rajonale, ndër-rajonale por edhe globale, shtete të ndryshme kanë gjykuar të gjejnë dhe aplikojnë mënyra dhe mjete të tjera, që garantojnë ruajtjen e sigurisë kufitare, si një ndër elemetët bazë për të patur edhe siguri kombëtare. Ndër ‘to vend të dukshëm duket se po merr ndërtimi apo ngritja e mureve prej betoni. Presidenti i SHBA-së Trump me t’u vendosur në Shtëpinë e Bardhë (fundviti 2016) deklaroi me bindje dhe këmbëngulje, se për të kufizuar apo ndërprerë trafikimin galopant të lëndëve narkotike dhe të grupeve me rekorde të forta kriminale nga Meksika në thellësi të territorit amerikan, si mjet më efektiv midis gjithë të tjerëve, merr përparësi ndërtimi i një muri përgjatë gjithë kufirit shtetëror SHBA-Meksikë. Kjo ide është pohuar edhe nga presidenti i Turqisë T. Erdogan, i cili disa herë, por sidomos në mesvitin 2017,  është shprehur vendosmërisht për ndërtimin e një muri përgjatë kufirit midis Turqisë dhe Iranit. Ai si argument sjell valën e fuqishme të shtetasve nga vendet që ndodhen në gjendje lufte apo në situata të jashtëzakonshme, për t’u infiltruar në territorin e Turqisë si shesh nisjeje drejt Evropës. Gjykuar nga veprimtaria intensive e trafikimit të lëndëve narkotike por edhe të grupeve a individëve me rekorde kriminale, ashtu si edhe e valës së pandërprerë nga dyndjet e fuqishme dhe të vazhdueshme të refugjatëve, dhe rreziqet që mbartin ato jo vetëm për jetët njerëzore por sidomos për sigurinë e vendeve të ndryshme, të dy Presidentët në fjalë, por edhe të tjerë që i përmbahen kësaj ideje, kanë të drejtë të ofrojnë si rrugëzgjidhje edhe aplikimin e kësaj mase sigurie, pra të ngritjes së mureve si pengesë për infiltrimin e njerëzve dhe mjeteve apo mallrave që përbëjnë rrezik real dhe potencial ndaj sigurisë së shteteve dhe popujve të ndryshëm.

   Por gjykuar në pikëpamje humane, dhe sidomos të paraqitjes gjeografike, personalisht mendoj se ngritja e mureve shënon një hap mbrapa përsa i përket garantimit të të drejtave themelore të njeriut, sidomos të atyre që janë në nevojë imediate, por edhe të shpërfytyrimit të paraqitjes fizike të hartës gjeografike të rajoneve të caktuar apo edhe të globit në përgjithësi. Unë e di fare mirë që Ballkani në veçanti, por edhe bota në tërësi, si lëndë ndërtimore bazë ka përdorur gurin, jo vetëm se ai ka qënë më ekonomik, por edhe sepse ka aftësi rezistuese ndaj fenomeneve gërryese të natyrës. E megjithatë kjo lëndë e parë nuk është përdorur rëndom, me shumicë dhe pakriter. Popullsia për nevojat ndërtuese të vetat e ka përdurur gurin kryesisht në ndërtimin e portave hyrëse të banesave, themeleve apo këmbëve mbështetëse të urave; mureve mbajtëse në rrugëkalime apo toka bujqësore etj., ndërkohë që për shtresat mbrojtëse (çati, mbulime të tjera), rrethime të ndryshme apo akomodimin e banesave dhe mjediseve të tjera, ka përdorur lëndën drusore, jo vetëm si më dekorative në paraqitje por edhe më të lehtë për muret mbajtëse.

   Ndarjet midis shteteve kufitare me tela me gjëmba apo me mure betoni nuk lënë shije të mirë as formalisht, pra në pikëpamje vizive, por as edhe në përmbajtje, pra në anën shpirtërore dhe materiale të shtetasve. Gjithkush mund të përfytyrojë Evropën apo Azinë dhe Amerikën me shtete të ndarë midis tyre prej gardhesh me tela me gjëmba apo me mure. Do të ishte vërtet një paraqitje e shëmtuar, që u ngjason më shumë ngrehinave për trajtimin e gjësë së gjallë, e cila komunikon përmes ndjesisë apo nuhatjes që i ka falur bujarisht natyra. Psikologjikisht këto lloj ndarjesh ndikojnë krejt negativisht. Popullsitë e vendeve kufitare midis shteteve kanë shumë të përbashkëta që i bashkojnë dhe fare pak të tilla që i ndajnë. Historikisht ata kanë mbijetuar me praninë e njëri-tjetrit; kanë komunikuar miqësisht si fqinjë, kanë ndarë të mirat dhe fatkeqësitë, pra, si mund të shprehemi, kanë huajtur tek njëri-tjetri. Këto popullsi në shumë raste kanë gjuhë të përbashkët, kanë tipare fizike thuajse të njëjta, kanë thuajse të njëjtë mënyrën e jetesës; kanë zakonte dhe tradita të përbashkëta; kremtojnë festat pagane të njëra-tjetrës; kanë formim psikologjik gati të barabartë: kuptojnë njëri-tjetrin pa qënë nevoja të komunikojnë përmes të folurit apo pranisë fizike; derdhin lotë nga fatkeqësitë e fqinjit ashtu si buzëqeshin kur fqiu ka gëzim “pa marrë lejen e qeverisë”; kanë dëshiruar mirësinë dhe begatinë e fqiut; në kundërshtim edhe me marrëdhëniet shtetërore kanë kaluar kufirin dhe kanë ngushëlluar fqinjin pa marrë “leje” tek qeveria... Shtetasit ndërkufitarë kanë marrëdhënie njerëzore dhe humane midis tyre, (nga agimi i ditës së re deri në muzgun e mbrëmjes bashkëshoqërojnë miqësisht njëri-tjetrin); ndërkohë që shtetet hyjnë në marrëdhënie zyrtare dhe protokollare duke shkëmbyer vizita apo letra kredenciale sipas protokollit. Prandaj personalisht kam qënë dhe jam kundër ndarjes së kufijve shtetërorë me tela me gjëmba por edhe me mure betoni. Ndarja sjell largimin, shkëputjen midis popujve që janë aqë pranë njëri-tjetrit. Ndërkohë ndarja me mure betoni bashkëshoqërohet edhe me “ftohjen” psikologjike, me ndarje afatgjatë midis tyre. Fqinjët nuk do të kenë mundësi komunikimi të drejtpërdrejta njëri me tjetrin; të vegjlit nuk do të kenë rastin të përcjellin emocionet duke shikuar njëri-tjetrin; nuk do të kenë mundësi të shkëmbejnë gëzimet apo hidhërimet e njëri-tjetrit; ato ç’ka i ndajnë do të shtohen dhe ç’ka i bashkojnë do të pakësohen etj. etj. Pra gardhimet e kufijve shtetërorë me tela me gjëmba apo me mure betoni nuk kanë asgjë të përbashkët me urat lidhëse që duhet të ekzistojnë midis popullsive fqinje. Prandaj personalisht kam qënë dhe vijoj të jem pro atyre që bashkojnë dhe kundër gjithçkaje që ndan e largon popujt fqinjë në marrëdhëniet midis tyre.

 

Safet N. Ramolli

Comments (0 posted):

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
0
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1