Newsletter
Email:
Poll: Fjala e Lire
Si ndiheni tek Fjala e Lire?
Home | OPINIONE | A KA SY QË TË SHIKOJNË DHE VESHË QË TË DËGJOJNË KLITHMËN E Z. FATMIR TERZIUT?!!

A KA SY QË TË SHIKOJNË DHE VESHË QË TË DËGJOJNË KLITHMËN E Z. FATMIR TERZIUT?!!

Font size: Decrease font Enlarge font
image Safet N. Ramolli

A KA SY QË TË SHIKOJNË DHE VESHË QË TË DËGJOJNË KLITHMËN E Z. FATMIR TERZIUT?!!

   Nën okelion: “Letër e hapur Shqipërisë sime të dashur”! z. Fatmir Terziu artikulon shqetësimin për gjëndjen e padëshiruar të Shqipërisë, por edhe për shpresën e vakët për të kapërcyer këtë situatë të pakëndëshme. Shqetësimi është i bazuar, i kapshëm prej gjithkujt, që ka sy për të parë dhe veshë për të dëgjuar, por fatkeqësisht, asesi jo për klasën politike shqiptare, jo vetëm të para viteve ’90 po se po, por edhe në të pastajmen deri në ditët e sotme.

  Shqiptarët thirrjes për të përmbysur regjimin totalitar që “Ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Evropa”, në  shumicë, iu përgjegjën jo vetëm me entusiazmin dhe vullnetin e duhur, por edhe me pjekurinë e domosdoshme që e lypin të tilla situata dhe raste. E megjithatë zhvillimet rrodhën, fillimisht ngadalë dhe në të pastajmen me galop, drejt një degjenerimi politik, ekonomik, dhe sidomos, moral e social, çka tashmë ka marrë jo vetëm pamjen por edhe përmbajtjen e një humnere të thepisur apo të një zgripi të frikshëm.

  Për të mos i anashkaluar këtij problemi, por për t’u ballafaquar me guxim e kurajo me ‘të, personalisht mendoj se ka disa shkaqe, që rrjedhimisht kanë sjellë këto pasoja, gati-gati katastrofike. Së pari, autorët, aktorët, domosdoshmërisht edhe përgjegjësit, janë drejtuesit e forcave politike të të dy degëve kryesore të trungut të kalbur politik dhe të mjaft degëzimeve-shushunja të tyre, të cilat si një rast i rrallë në botë, janë aqë të shumta, sa disave u është harruar emri, ashtu si disa drejtuesë të tyre janë zhdukur “pa nam e nishan”, por që për fat të keq, si këpusha dhe pjavica (shushunja) i kanë thithur dhe i thithin vendit jo vetëm gjakun e shprishur, siç pretendon mjekësia e pakultivuar popullore, por edhe gjakun e mirë, lëngun dhe burimin e jetës.

   Të zgjedhurit në parlamentin shqiptar gatuan ligje, që u shërbenin vetë atyre, por që rrënonin interesat e komunitetit. Pushtetet Ekzekutivë, në qëndër e në bazë, si pjellë direkte e atij Legjislativ, aplikuan qëndrime dhe veprime, që deformuan dhe shkatërruan pronën publike dhe atë private; që asgjësuan parimin e të qënurit administratë publike në shërbim të qytetarëve duke e kthyer atë në një trupë gjakpirëse të pamëshirëshme të komunitetit. Thelbin e moralit të Legjislativit e përbën aksioma: “Deputetët nuk mbajnë përgjegjësi për ato që thonë”. Prandaj, nga gurrmazi i këtij krateri vullkani gërryes dhe shkatërrimtar, kanë shfryrë më se me shumicë, sharje uluritëse, akuza në ajër, thirrje destabilizuese për rendin dhe qetësinë; janë marrë vendime, që cënojnë tërësinë territoriale etj. Janë marrë në mbrojtje politikisht sjellje dhe veprime, që nxisin fshatra apo zona të jenë jashtë kontrollit të shtetit, që lejuan veprime deri në agresive ndaj shtetit, duke çuar më 1997 në shkatërrimin e shtetit dhe armatosjen e popullsisë duke grabitur depot e armatim-municionit, pasojat e së cilës po i vuajmë edhe sot me marrje jetë njerëzore gati çdo ditë.

   E Enjtja, si ditë e seancave parlamentare, u kthye në një ditë ankthi dhe makthi për teleshikuesit shqiptarë, ku flitej për gjithëçka dhe për çdo gjë, ku shahej e përbaltej gjithkush, dhe nuk artikulohej asnjë fjalë për çështjen në diskutim, pa bërë fjalë mandej për shqetësimet dhe hallet e popullit. Të paktën në dy raste, salla e parlamentit është zëvendësuar nga “Ҫadrat”, duke ndërprerë veprimtarinë e ligjëshme dhe të detryrueshme të të zgjedhurve me votën e popullit. Një ndër absurditetet pa formë e përmbajtje është edhe fakti që, deputetët e Kuvendit, edhe kur nuk marrin pjesë në seancat dhe veprimtaritë e tjera parlamentare, për ditë, javë dhe muaj, paguhen rregullisht, bile trajtohen edhe me dieta, shpërblime dhe përfitime të tjera anësore, ndërkohë që një punonjës i zakonshëm humbet vendin e punës, edhe kur ka fëmijën e sëmurë, apo kur vetë është jo në gjendje të mirë shëndetsore.

   I nderuar z. Terziu, shteti shqiptar është deklaruar i pamundur të kontribuojë për shëndetin e një fëmije, të një studenti apo të një pensionuari, ndërkohë që ka “zgjidhur thesin” për ekzaminimin dhe kurimin e deputetëve, shtetarëve dhe personave të tjerë, që kanë hedhur “çengelin” diku lart në pushtet. Një deputet apo shtetar paguhet sa për 15-20 pensionistë, sikur këta të fundit të jenë krijesa të dorës së tretë, prandaj edhe pa asnjë vlerë apo kontribut për këtë vend. Një fëmijë e fillon jetën jashtë trupit të nënës duke hyrë borxh, sepse nga institucioni shëndetsor përkatës, rekomandohet një vaksinim që kushton 200-300 euro; një oficer policie, po ashtu e fillon karrierën me borxh sepse vetëm procesi i konkurimit (apo testimit) për t’u pranuar në sistemin arësimor përkatës, duhet paguar nën dorë; një pensionist duhet të rimbursojë barnat e rekomanduara nga mjeku; për të marrë një shërbim, p.sh. një vërtetim për kryerje të shërbimit të detyrueshëm ushatarak, vendosjen e matsit të konsumit të ujit të pijshëm etj, duhet të presësh, në rastin më të mirë 1-2 muaj, dhe në rastin më të keq 9-12 muaj, apo të paguash privatin që të pregatitë vendin për vendosjen e matësit të ujit; po të shkosh për një konsultë në QSUT, jo vetëm që nuk u hidhet një sy dokumentacionit dhe rekomandimit të mjekut të familjes, por nuk të jepet mjekimi përkatës, etj. etj.

   Ja kjo është një pasqyrë e pjesëshme e pushtetit legjislativ dhe ekzekutiv. Ndërkohë “Pushteti i Drejtësisë” është më shumë se sa dështues dhe alarmant. Normalisht, pas një sorollatjeje pa kuptim, nuk mund të marrësh drejtësi por vetëm padrejtësi; kulti i pandëshkueshmërisë është privilegj për pushtetar         ët, por edhe për të varurit në “çengelat e tyre”, ndërkohë për qytetarët e thjeshtë burgjet janë me shumicë. Kështu ndëshkohet një fermer që shet një tufë presh, por jo ata që futin mall kontrabandë; dënohet një njeri i zakonshëm që punon për kafshatën e gojës, por jo ata që sponsorizojnë kultivimin masiv të lëndëve narkotike etj. Atëhere, kush e ka fajin për sistemin e shpërfytyruar të drejtësisë? Përgjigja e vetme e më se 90% të shqiptarëve do të ishte: “Politika!”. Përse kështu? Në gjykimin tim, fillimisht politika pati nevojë të ngutëshme për mbështetjen nga sistemi i drejtësisë, sepse duhej të legjitimonte prapësitë, sidomos për përvehtësimin e pronës publike, por edhe për të mbuluar korrupsionin, që ajo e ndjente nevojë si buka që hahet. Nga ana tjetër politika “e shpërblente” drejtësinë, duke i dhënë hapsirën e duhur për të bërë karrierë të pamerituar, por edhe për të “vajisur” ingranazhin e mekanizmit të shpërdorimeve, të cilat drejtësia, për hir të së vërtetës, duhet pranuar, se i ka bërë më me merak për t’i shpëtuar “drejtësisë” që ajo vetë do të jepte. Drejtësia kësisoj u fuqizua mjaft, jo vetëm sa që të kërkonte nga politika “reston” për shërbimin e ofruar nga ana e saj, por edhe duke bërë presion, thuajse të hapët, përmes materialeve korruptive të pushtetit, të cilat ajo i kishte në zotërim përmes dosjeve, flesheve, vidiove etj.etj. Tashmë, politika dhe drejtësia, thuajse janë të pushtetëshme të krahasueshme edhe me peshoren e farmacive, por që tani duhet thënë të peshoreve elektronike, që përdorin përpunuesit dhe paketuesit e lëndëve narkotike. Është kjo arësyeja, që sikurse mund ta keni vërejtur edhe Ju i nderuar dr. Terziu, drejtësia i bën presion ballë për ballë politikës lidhur me çështjen e vetingut, ashtu si politika ndihet me “duar të lidhura” përpara drejtësisë për të zbatuar procesin e vetingut duke e kaluar topin me finesë dhe driblime politike nga një forcë politike tek tjetra, që “topi i politikës” të mos përfundojë në asnjë rrjetë porte futbolli. Ne të gjithë e kemi vënë ré, se aplikuesit për në organet e reja të drejtësisë janë në numër të kufizuar, dhe kryesisht femra, të cilat, për shkak të natyrës së tyre, janë apo mund të jenë, më pak të ngarkuara me hijen e peshës së “mëkateve” të drejtësisë.

   I nderuar z. Fatmir Terziu, Ju ndoshta më pak, dhe unë mundet më shumë (me qënëse jam më i moshuar) edhe para viteve ’90, por edhe në të pastajmen, e kemi provuar dhe vuajtur në kurriz peshën e padrejtësisë, në çdo fushë të veprimtarisë jetësore, por sidomos në atë të marrëdhënieve të punës. Para viteve ’90 lidhjet familjare, farefisnore, krushqitë, e sidomos parimi i pronësisë së partisë mbi kuadrin, bënte që të paaftët, hileqarët dhe të infiltruarit në sigurimin e shtetit, të zinin pozicione pune të favorshme, më të mirëpagueshme, më të rehatëshme  etj. Atëhere partia urdhëronte pak a shumë “gjeni një vend pune për qorra për X-in apo Y-in”, por këta “qorra” ishin “syri dhe veshi i partisë” duke vigjëluar kuadrot e ndershëm dhe punëdashës dhe duke i raportuar ata herë pas here te “mëma parti”. Shumëkujt i vinte në majë të gjuhës dhe e shprehte pakënaqësinë ndaj kësaj sjelljeje të shtetit me shtetasit përmes shprehjes popullore mjaft domethënëse “Punon kali dhe ha gomari”. Kështu kuajt punonin me fisnikëri dhe ndershmëri, ashtu si ata dinë, dhe disa gomarë drejtonin e komandonin, po ashtu si ata dinë. Dikush punonte në Oparin dhe Ҫermenikën apo Polisin e largët, të tjerë punonin në Korçë apo Elbasan dhe rrethinat e tyre. Por aksioma e kësaj barcolete të vërtetë, vijoi edhe pas vitit 1990 e në vijim. Kuadrot në përgjithësi u parceluan ndër forcat politike, të cilat i keqpërdorën në mënyrën më të keqe të mundëshme. Tashmë, jo vetëm që “punon kali dhe ha gomari”, por për më keq akoma, “kalin” e heqin nga puna dhe shtojnë në punë “gomarët”, të cilët grinden midis tyre se kush është “më gomar” se tjetri. Me siguri, që Ju e keni konstatuar që, pas çdo rrotacioni politik, kuadrot, pra inteligjencia, i nënshtrohen krejt padrejtësisht, gjykimit dhe qëndrimit politik: ata qarkullojnë në detyrë. Pra, para pak kohësh, jo se kështu nuk ka ndodhur më parë), drejtorë burgjesh, prefektë, (pritet edhe treqind e gjashtëdhjetë drejtorë të  shkollave dhe administratorë të spitaleve), e të tjerë, u shkarkuan me listë në një ditë dhe me të njëftin motivacion, sikur ata të kishin gabuar në të njëtën periudhë  dhe të kishin konsumuar të njëjtin faj. Thirrja juaj apoteozë, bije në vesh të dhurdhër dhe në sy që nuk duan të shikojnë.

   I nderuar dr. Terziu. Ju me të drejtë ngrini zërin që shqiptarët të gjejnë me zgjuarësi dhe guxim rrugën e zgjidhjes, por kur bëhet fjalë për sigurimin e bukës së gojës, nuk mund të pretendohet për marrje me politikë. Partitë politike në Shqipërinë tonë kanë dhënë prova të qarta, se nuk priren nga interesi kombëtar por nga ai prersonal. Në Parlamentin Shqiptar për më se një çerek shekulli, “kontribuojnë” gati të njëjtët politikanë, të cilët kanë premtuar dhe premtojnë “më shumë ujë, bukë dhe drita”, dhe se “ky vend do të bëhet”, por në fakt, thuajse të gjithë, këtij vendi dhe populli “ja kanë bërë”. Për më tej, jo vetëm partitë politike por edhe parlamenti janë shndërruar në “SH.P.K Familje, Krushqie, Farefisnie, Shoqërie, Krahine etj.” Krerët e ndonjë partie lënë trashëgim funksionin e liderit; ndërkohë në parlament militojnë familjarë, krushq, shokë, miq, krahinarë etj., po ashtu edhe në qeveri. A nuk e keni vënë ré që deputetë më shumë, por edhe shtetarë më pak, janë në marrëdhënie: bashkëshortë, bashkëjetuesë, krushq, vjehrr e dhëndër, etj. etj. A mund të pritet, që në këto kushte të funksionojë mendimi dhe qëndrimi “ndryshe”, përveç atij që imponon partia?!!

   Ka edhe një fenomen tjetër shqetësues. Në grupimin e inteligjencës është krijuar një farë hendeku midis intelektualëve më të moshuar dhe atyre të rinjve. Kjo për shkak se, në gati njëzet vjet, arësimimi i qytetarëve u bë mbi bazën e tregut: dijet shiteshin por nuk zinin vend në formimin profesional të tyre. Ndërkohë, edhe me mjaft intelektualë që premtonin profesionalizëm, duke u gllabëruar nga politika, fatkeqësisht u ndoq praktika e keqpërdorimit të tyre. Ata me ndërgjegje merrnin qëndrim politik në kundërshti me profesionalizmin e tyre, duke u bërë kështu edhe të pabesueshëm në ditët e sotme si profesionistë. Kohët e fundit, sidomos gjatë vitit 2016 dhe gjysmës së parë të vitit 2017, për shkak se do të kishte zgjedhje të përgjithëshme, u krijuan disa parti që i shtonin emrit të tyre epitetin “Të reja”, por që në fakt ishin po aqë të vjetra sa edhe dy partitë “Mëma”, sepse drejtuesit e tyre vinin nga radhët e këtyre partive, ose si anëtarë ose si militantë të tyre. Ju me siguri e keni vënë ré, se ato janë bërë gati inaktive, në mos inegzistente. Emri i tyre thuajse është harruar, ndërkohë që drejtuesit e tyre janë jashtë dhe larg politikës dhe jetës shoqërore.

   Ka shumë e shumë probleme që funksionojnë fare keq, jo për fajin e komunitetit, por tërësisht dhe krejtësisht për shkak të klasës politike, sepse në Shqipëri marrja me politikë nuk konsiderohet profesion, politika nuk konceptohet si karrierë ashtu si në të gjitha fushat e jetës, por thjesht dhe vetëm si një mundësi për t’u pasuruar me çdo mjet dhe mënyrë, sidomos duke u përfshirë në vorbullën e korrupsionit. Fatkeqësisht në vendin tonë të vogël, asnjë politikan apo shtetar nuk ka guxuar të marrë qoftë edhe një tipar të shkëputur nga ata, që qytetërimi botëror demokratik i quan “Burra shteti”, të cilët nuk mendojnë për zgjedhjet e ardhëshme, por për begatinë dhe mbrothësinë e popullit të tyre.

   Së fundi, dr.Terziu, bashkë gjithçka na bashkon dhe asgjë nuk na ndan. Ju jeni nga Elbasani arsimdashës, ndërkohë unë në Elbasan kam hedhur konturet e arësimimit si nxënës në Shkollën e Mesme Pedagogjike “Luigj Gurakuqi” në vitet 1958-1962. Elbasani është i dashur për mua!

   Më lejoni t’Ju uroj gjithë të mirat dhe suksese në punën tuaj studimore!

 

Safet N. Ramolli

Comments (0 posted):

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
0
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1