Newsletter
Email:
Poll: Fjala e Lire
Si ndiheni tek Fjala e Lire?
Home | OPINIONE | Plaga e leximit: Gjyshi i djeshëm ia lexon gazetën nipit të sotëm shkollar(!?)

Plaga e leximit: Gjyshi i djeshëm ia lexon gazetën nipit të sotëm shkollar(!?)

Font size: Decrease font Enlarge font
image Dr Fatmir Terziu

Plaga e leximit: Gjyshi i djeshëm ia lexon gazetën nipit të sotëm shkollar(!?)

Dr Fatmir Terziu 


Nuk besoj se fraza e fjalisë komunikuese mes gjyshit dhe nipit tek filmi artistik shqiptar “Kapedani” ka vetëm një kuptim: “nga lopët në Afganistan”. Ndërsa kuptimi i parë është “mos më hidh degë më degë”, tjetri, i dyti më i dhimbshmi është se gjyshi nuk di të lexojë, dhe nipi, që i përkiste një brezi me shkollim i lexon atij, madje dhe gazetën e asaj kohe. Vajmedet sot, pas raportit për nivelin arsimor nëpërmjet PISA 2015 nga Banka Botërore, ku thuhet se Shqipëria është dobët në Lexim dhe Matematikë, kjo frazë të shkonte anasjelltas. Ndoshta jo sot, por në një kohë të afërme, kjo plagë vice-versa mund të ketë një pasojë akoma më të dhimbshme. Dhe pse?

Në vlerësimin për nivelin arsimor nëpërmjet PISA 2015 Banka Botërore pohon për Shqipërinë se megjithëse niveli i arsimimit është rritur, veçanërisht për arsimin e lartë, ku shkalla e regjistrimit është rritur më shumë se dy herë krahasuar me fillimin e viteve 2000, cilësia e arsimit mbetet e ulët duke çuar në zvogëlimin e përfitimeve nga arsimi dhe uljen e cilësisë së kapitalit njerëzor. Sipas vlerësimit të Bankës Botërore në Shqipëri, më shumë se gjysma e studentëve nuk arritën aftësitë minimale në lexim dhe matematikë në testin PISA. Hendeku i aftësive është identifikuar si një problem veçanërisht i rëndë në rajon. Pra duket qartë se niveli i shkollimit të sotëm është një plagë që kërkon ndërhyrje dhe vëmendje. Ndërsa ndodh kështu natyrshëm shkojmë në debatet e hershme mes opozitës dhe pozitës së sotme që qeveris vendin. Debati ka nisur me Ligjin për Arsimin, dhe më i freskëti është ndalur tek librat shkollorë.

Kreu i opozitës shqiptare, Lulzim Basha thotë se “Jemi vendi i vetëm në rajon ku librat për shkollimin e detyrueshëm jo vetëm nuk jepen falas, por janë shtrenjtuar çdo vit”. Dhe kur bëhet fjalë për librat, natyrshëm vete gjuha ku të dhëmb dhëmbi: tek leximi. Leximi kaq problematik, kaq plagëkrijues. Në këtë drejtim z Basha sqaron se “Mijëra prindër dhe nxënës vazhdojnë radhët e gjata për tekstet shkollore anembanë vendit.  Dy shembuj: paketa e librave të detyrueshëm për klasën e parë është shtrenjtuar me 33% këto 4 vjet, nga 11 mijë e 790 lekë në vitin shkollor 2012-2013 në 17 mijë e 760 lekë në vitin shkollor 2015-2016. Për të njejtën periudhë, paketa e librave të detyrueshëm për klasën e gjashtë është rritur me 23 për qind, nga 38 mijë e 70 lekë në 48 mijë e 920 lekë”. Sipas liderit demokrat, Basha, kjo ka rritur barrën ndaj prindërve e cila rëndon edhe më shumë sepse të ardhurat reale mesatare të familjeve shqiptare kanë rënë prej inflacionit dhe ngrirjes së pagave. Në këtë kontekst kuptohet qartë dhe theksi që vendos Basha, ku shtjellon dhe shpjegon qartë se “Shpërfillja e arsimit është dëm i pariparueshëm për të ardhmen e vendit. Librat për arsimin e detyrueshëm duhet të jepen falas dhe të shpërndahen nga vetë shkollat. Për këtë, mjafton që qeveria të investojë për libra dhe mjete shkollore paratë që con për fasada ministrish dhe luks qeveritarësh”.

Ndërkaq librat nuk sollën ndonjë fakt konkret nga pozita, as nga Ministrja e Arsimit Lindita Nikolla, që në fakt foli, por me një drejtim politik, pa dhënë një mundësi reale që kjo plagë të zbutej, dhe madje të zbuste plagën e madhe ndër vite të leximit. Nëse kjo do të kishte vërtet një dëshirë të madhe ashtu sikurse zonja Nikolla shton se “Unë jam gatshme, sapo të marr detyrën, t’ju takoj dhe të bashkëpunoj me ju, për të folur për arsimin dhe jo për njeri-tjetrin.”, që nga marrja e detyrës kanë kaluar disa javë dhe raporti që vjen nga Banka Botërore e nxjerr më në pah plagën e leximit. Ndërkohë natyrshëm po të mos lexohet, po të mos ketë nivelin e duhur leximi i librit që në moshën e shkollës, kur nxënësi me tufën e luleve në duar, në ditën e parë të shkollës ëndërron të ketë një Abetare në dorë, natyrshëm, mosha në vijim ka më shumë destinim të mposhtet dhe të pushtohet nga plagë të tjera. Plagë që ndodhin kudo, madje dhe në Britaninë e Madhe, ku qindra e qindra fëmijë shqiptarë nën moshë kërkojnë përditë azil, duke u varur mauneve dhe mjeteve të tjera.

Banka Botërore me të drejtë thotë se shkollimi zvogëlon shumicën e llojeve të krimit të kryera nga të rriturit, si dhe nivelin e krimeve në adoleshencë. 16 dhe 17-vjeçarët, që kanë ardhur nën moshë në Mbretërinë e Bashkuar, bashkë dhe me ata, që braktisin shkollën kanë tre herë më shumë gjasa të kryejnë krime se sa ata që qëndrojnë në shkollë. Banka Botërore në raportin e saj  thotë, se arsimi siguron të ardhura më të larta dhe gjithashtu i zvogëlon disa fenomene negative sociale.

Ndërsa kjo plotëson një arsye më shumë në problematikën e leximit, ajo që vazhdon të shqetësojë dhe të shkojë përtej debateve politike, është fati i leximit në tërësi, fati i librit shqip, fati atij që ka harruar të ketë një dorë përkujdesëse, qoftë sadopak përkëdhelëse, por që përditë e më shumë po injorohet, jo thjesht si libër që meriton respekt, si libër të shkruar në gjuhën më të bukur, por si një injorim ndaj leximit të tij. Ky injorim natyrisht më rikthen në krye të shkrimit: Vajmedet sot, pas raportit për nivelin arsimor nëpërmjet PISA 2015 nga Banka Botërore, ku thuhet se Shqipëria është dobët në Lexim dhe Matematikë, fraza e fjalisë komunikuese mes gjyshit dhe nipit tek filmi artistik shqiptar “Kapedani” “nga lopët në Afganistan” të shkonte anasjelltas, pra Gjyshi i djeshëm t’ia lexonte gazetën nipit të sotëm.

Comments (0 posted):

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
5.00
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1