Newsletter
Email:
Poll: Fjala e Lire
Si ndiheni tek Fjala e Lire?
Home | MENDIME | 84 vjet nga atentati ndaj Hasan Prishtinës

84 vjet nga atentati ndaj Hasan Prishtinës

Font size: Decrease font Enlarge font
image Safet N. Ramolli

Hasan Prishtina – mbrojtës i lirisë, tërësisë territoriale dhe arësimit shqip.

(84 vjet nga atentati ndaj Hasan Prishtinës. 1878-14 gusht 1933)

 

    Deri më 1908 prezantohet me mbiemrin “Polaci”, kjo sepse i gjyshi ishte nga ky fshat, por i vendosur në Vuçiternë. Si deputet në Parlamentin Turk me atdhetarët e tjerë Fuat Pasha, Hafiz Mustafa Efendiu, e të tjerë, më shumë përdori si mbiemër Vuçiterna. Që herët kur ishte vetëm 25 vjeç (tetor, dhjetor 1903 në shtypin e kohës jepen vlerësime pozitive për personalitetin e tij. Gazeta “Bashkimi i Kombit” botuar në Manastir, shprehet për një “mëmëdhetar të shquar”, “ burrë të ditur e të zgjuar”, me zemër “të përvëluar për kombin”, që “jetën e shkriu për të mbjellë farën e diturisë” dhe që “jep 5 %  të të ardhurave vjetore për të përhapur diturinë në Shqipëri”. Njëherësh Ai këmbëngul që në gjuhën shqipe të përdoret alfabeti latin si i plotë në numur por edhe që shkruhet me lehtësi.

  Hasan Prishtina ka edhe mjaft cilësi pozitive të karakterit shpirtëror shqiptar: trim, i ndershëm, që “ka marrë burrërisht Flamurin në dorë....”, që “besnikërinë dhe dashurinë për atdhe e ka provuar jo me fjalë por me vepra dhe sakrifica...”, “ i cili trimërisht i mbronte të drejtat shqiptare në Parlament të Turqisë..., një nga më të mëdhenjtë atdhetarë...”, dhe mjaft vlerësime të tjera.  (Meqënëse për këtë aspekt jemi shprehur në një shkrim të veçantë, po kalojmë në trajtimin e titullit të materialit

   Cilësia si atdhetar i spikatur dhe mbrojtës i lirisë, mbetet parësore në figurën e Hasan Prishtinës. Këtë ai e reflekton në rrethe të ngushta patriotike, në tubime popullore, në organizma rajonale, por edhe në Parlamentin Turk. Nuk ka se si të shprehet më mirë kurajua atdhetare e tij përveçse me këmbënguljen dhe forcën argumentuese përmes së cilës ai gjithkund e kurdoherë merr në mbrojtje çështjen kombëtare shqiptare. Kjo vjen e shkallëzuar nga koha në kohë, por gjithësesi në ngritje dhe e argumentuar gjithnjë e më mirë. Në Parlamentin Turk, Hasan Prishtina problemin shqiptar e merr në mbrojtje deri edhe në imtësira të natyrës, si p.sh të çështjeve të politikës tatimore apo të kushteve të jetesës të diferencuar për shqiptarët nga ato të serbëve. P.sh në se një serb me 7 lira në duar mbaron një punë në rrugën për në Selanik, një shqiptari do t’i duheshin 20 lira; ashtu sikundër vagonët e udhëtimit për shqiptarët, edhe pse klasifikohen të shkallës së dytë, në fakt  “... nuk vlejnë as për kafshët e jo më për njerëzit....”.

    Çështjen shqiptare Ai e merr në mbrojtje sidomos për probleme madhore: trajtimi sipas ligjshmërisë i kësaj popullsie, sjellja ndaj asaj brenda normave kanunore, respektimi i të drejtave sovrane dhe të gjëra të popullsisë shqiptare, shenjtërimi i trojeve etnike të saj etj.etj. H. Prishtina është i prirë që për zgjidhjen e të drejtave sovrane të mbisundojë rruga e arësyes, të përdoren mjetet diplomatike, të veprojë toleranca e dyanëshme, dhe, në se këto janë pa efekt, atëhere të vijohet me mjetet e violencës. Por fatkeqësisht Ai me një grusht patriotësh të tjerë, midis të cilëve Isa Boletini, Bajram Curri, etj., vërejnë se Qeverisë Osmane, në korrik 1912, i mungon vullneti i mirë që të jetë tolerante, që në zgjidhjen e problemeve, mosmarrëveshjeve dhe të konflikteve të veprojë rruga e arësyes, prandaj edhe përfundimisht konkludojnë se, ka ardhur koha të përdoret forca, sepse “... atje ku nuk mbretëron logjika është e pamundur të fitohen të drejtat me logjikë...”. Për këtë problem Ai i bën thirrje diplomatike popullit “... shqiptar atdhedashës dhe botës se kulturuar...” në mënyrë që të garantohet liria si diçka e natyrëshme por e mohuar dhunëshëm. Çështjen e sigurimit të lirisë e quan madhore ku “... do të vendoset fati, vdekje apo jetë e Shqipërisë”. Është edhe kjo arësyeja bindëse dhe e drejtë që e bën atë të konkludojë se,  “Të ndihmojnë shqiptarët është detyrë e tërë botës së qytetëruar...”, sepse po nuk u veprua kështu, “... politika e shtrembër që ndjek qeveria në çdo drejtim që prej kohe do ta zvarrisë këtë vend fatzi, vonë ose herët drejt shëmbjes...”.

    Këtë ide e shtjellon më vonë, sepse kjo është një çështje thelbësore e konceptit që Ai ka për lirinë dhe tërësinë territoriale të Atdheut të vet. Hera–herës si deputet në Parlamentin Turk, e shtjellon çështjen e mësipërme duke sugjeruar që jeta të ndërtohet mbi themelet e ligjeve; që gjuha shqipe të përdoret në sistemin shkollor deri në arësimin e mesëm, që nëpunësit e administratës të dinë gjuhën shqipe; që të ketë falje për ata që do të jenë në opozitë etj. etj.

    Pra, sikurse mund të gjykohet H. Prishtina në thelb është për një shoqëri pluraliste, si bazë e domosdoshme për veprimin e demokracisë. Në tërësi rezervon mendimin se  “Ato vende që po mbeten me të vërtetë nën zjarrin e zullumit dhe të despotizmit po zdhuken...”. Si mbrojtës i lirisë së kombit ai shprehet pa ekuivoke, pa rezerva dhe pa nënkuptime. Për këtë çështje ai është krejt i qartë në formulime dhe transparent në veprime duke u shprehur se, nëse edhe xhonturqit nuk do të ndërrojnë qëndrimet politike kundrejt Çështjes Shqiptare, nëse shqiptarëve nuk do t’u garantohen të drejtat e tyre politike, atëhere do të ndodhin ngjarje të përgjakëshme dhe të idhëta. Me guxim të rrallë atdhetari ai pohon: “... në kjoftë se “Jeunes turcs” (Xhonturqit apo Turqit e Rinj, S.R) vijojnë në zbatim të këtij sistemi mizuer në lamë të politikës së përbrëndëshme, kam me kenë njani, e ndoshta i pari i atyre, q’i kam për ta ngreh flamurin e kryengritjes...”. Në fakt këtë flamur H. Prishtina e kishte ngritur që herët, por nuk gjykon se janë pjekur rrethanat, ai e vlerëson si një çështje me rëndësi dhe shpërthimi i saj kërkonte fshehtësi e mjeshtëri sa asnjë punë, prandaj vepron me kujdes që kryengritja të mos shuhet përpara se të fillojë. Prandaj Ai fill nga Parlamenti Turk vjen në Kosovë, i kërkon mirëkuptim e bashkëpunim Makronit,  Pavllovit Shqiptar, i kërkon përkrahje konsullit britanik në Shkup, prej të cilit mori përgjigje se, Anglia nuk paska interesa në Ballkan; zhvillon punë kokë më kokë me disa nga parësia e Kosovës  (në Vuçitern, në Mitrovicë, në Balincë, në Prekaz, në Drenicë, në Gjergjevik, në Pozhar, në Junik etj), prej të cilëve gjeti përkrahje të plotë, por edhe qëndrime të fshehta dyshuese, për të cilat edhe i vjen keq. Por gjithësesi ishte në zemrën e çdo shqiptari, prandaj edhe diplomacia ia la vendin forcës, të cilën së pari e përdori Çeta e Buolës, që edhe pse inferiore në armatim, (9 në çdo 10 vetë kishte një pushkë, luftoi me energji të egërsueshme duke i dhuruar Atdheut mjaft trima njëri pas tjetrit. Kemi të bëjmë me një moment heroik, por kohët ishin të tilla për të shpëtuar nga të këqijat e xhonturqve, ishin kohë heroike: “A pështim, a vdekje!”. Kjo luftë zhvillohej për t’i dhënë fund sundimit barbar të Turqve të Rinj, të cilët po kryenin shumë mizorira në kurriz të popullit tonë. Kjo është një luftë mbarëpopullore sepse edhe kishte të bënte me një problem mjaft të rëndësishëm mbarëkombëtar, prandaj edhe pati përkrahjen aktive të patriotëve të tjerë si Bajram Curri dhe të të gjithë fisit të tij në Krasniqe duke përfshirë Hasin, Gashin, Bytyçin, Gjakovën, Fushë-Kosovën, Prishtinën, Gjilanin, Prizrenin, Tetovën, ku vepronin patriotë të tjerë si Isa Boletini, Xhemal beg Prishtina, Beqir agë Vuçiterna; ndërsa më tutje në Llap, Gollak e Drenivcë komandonte patrioti tjetër Zejnulla begu etj. Karaketristike është që në këtë betejë popullore u veprua e u luftua me disiplinë të rreptë, po aqë sa edhe të një ushtrie të rregullt. Kjo disiplinë tërheq vemendjen e korrespodentit rus të gazetës “Novoje Vremja” (Koha e Re, S.R, i cili pohon me përgjegjësi se, natyra e fuqisë së kësaj disipline qëndron në cilësitë e intelektit shqiptar, se në kohë lufte ata sillen me disiplinë nëse prijësat dinë të përfitojnë nga kjo psikologji. Dhe, nuk kishte sesi rusi në fjalë të mos arrinte edhe në përfundimin se: “... me të vërtetë, ... jam i bindur sot që shqiptarët përbëjnë popullin më të zgjuar të Ballkanit. Munden me meritue një të ardhme të shkëlqyeshme!”.

  Por, Hasan Prishtina me shokë, duke përfituar nga arritjet me diplomaci me qeverinë turke të disa kërkesave si: të njihen zyrtarisht kufijtë e Shqipërisë; autoritetet civile e ushtarake në Shqipëri të jenë me kombësi shqiptare; ushtria shqiptare të komandohet nga shqiptarë e të veprojë në Shqipëri; veprimet zyrtare të kryhen në gjuhën shqipe, e mjaft të tjera si këto, të cilat me mjaft të drejtë u gjykuan prej osmanëve “... si hapi i parë me u nda nga Perandoria Othomane...”.

  Pas fitores së madhe të Shpalljes së Pavarësisë, 28 nëntor 1912, në plan të parë doli çështja e mbrojtjes së tërësisë territoriale nga synimet shoviniste të fqinjëve veriorë, lindorë e jugorë. Konkretisht, në qershor 1915, në kufirin shqiptaro-malazes e shqiptaro-serb, në pika të ndryshme të huajtë futen në thellësi të territorit shqiptar. Në këto kushte atdhetari i pamposhtur arrin pamëdyshje në përfundimin: “... jemi detyruar të luftojmë të dëshpëruar kundër armiqve tanë për të mbrojtur të drejtat më legjitime të vendit tonë dhe vatrat tona”. Por njëherësh ka edhe bindjen se  ky komb nuk mund të shpëtohet as nga gjeneralë të tipit Esat pashë Toptani, në të kundërtën “... sikur Esati ta marrë edhe një herë pushtetin në Shqipëri, kjo do të ishte një mënxyrrë e madhe për kombin tonë...”.

  Lufta e Parë Botërore, e cila i kushtoi njerëzimit, (por edhe kombit shqiptar mjaft shtrenjtë në humbje jetë njerëzish dhe vlerash materiale, kishte përfunduar. Analiza e saj do të bëhej në Paris, prandaj H. Prishtina zuri një pozicion të caktuar ndaj çështjes shqiptare. Më 29 janar 1919 i shkruan Sotir Kolesë se “Ne dëshirojmë që të gjithë shqiptarët të bashkohen në një shtet të pavarur sipas parimit të sovranitetit kombëtar... Dëshira më e zjarrtë është bashkimi me të gjithë shqiptarët në një Atdhe të lirë...”. Por atdhetarizmi i tij nuk u përputh me logjikën e fqinjëve shovenë, të cilët “kafshojnë” pjesë nga trojet autoktone shqiptare. Pushtimin e Korçës prej grekëve e quan një lajm e ngjarje shumë të tmerrëshme, po ashtu ai dënon qëndrimin favorizues të Qeverisë së dalë nga Kongresi i Durrësit në të cilën vepruan Fejzi Alizoti, Mufit Libohova, Mustafa Kruja, Faik Konica e të tjerë, e cila i njohu Italisë protektoratin në Shqipëri si dhe aneksimin e Vlorës. Thelbin e shpirtit të tij liridashës, më së shumti e përbën kërkesa morale: “Me i dalë zot vetësundimit e tanësies tokësore të Shqipërisë”, duhet të përdoren të gjitha mjetet për të çliruar çdo vend ku flitet shqip, duhet bërë gjithëçka për përparimin e bashkimin shqiptar. Por këtë mision nuk mund ta përmbushin veçse atdhetarë të ndershëm e të përkushtuar, çështja për mbrojtjen kombëtare e dikton këtë. Kur Atij, më 11 dhjetor 1921, i imponohet që të japë dorëheqjen nga posti i kryetarit të qeverisë, përmes të tjerave me zemër të plagosur shprehet: “... paraqes dorëheqjen e Kabinetit t’im tue vajtue hallin e Atdheut të dashur deri sa ta shpëtojmë...”.

  Një nga shtyllat që formon personalitetin e plotë të Hasan Prishtinës është edhe kuptimi që ka si dhe qëndrimi që mban kundrejt problemit të gjuhës shqipe e të arësimit shqip. Gjithësesi ruan mendimin se, gjuha është një nga elementët kryesorë të një kombi, prandaj edhe e trajton këtë çështje jo vetëm me forcën e logjikës por edhe me pathosin e atdhetarit. Gazeta “Bashkimi i Kombit” në Manastir më 22 tetor 1909, përpos të tjerash shprehet se, “... foli ky Burrë i ditur e i zgjuar...”, “... zemra e tij qënka e përvëluar për kombin e vet dhe për ta ndihmuar atë me dituri dhe me çdo gjë tjetër...”, “... jetën e shkriu sa në qytete e fshatra për të mbjellë farën e diturisë, hapi shkollë në Moravi, Gjilan, Pozeran...”, “... dërgoi pesë djem në Normalen e Elbasanit me shpenzimet e veta...”, “... jep pesë përqind të të ardhurave vjetore për të përhapur diturinë në Shqipëri...”.

  H. Prishtina është pjesëmarrës aktiv dhe autoritar në Kongresin e Manastirit më 1909, që u mbajt për përcaktimin e alfabetit shqip. Këmbënguli që të vendoset Alfabeti Latin, (i plotë në numur që të shkruhet me lehtësi duke gjykuar që ky Alfabet është i domosdoshëm për të mësuar si duhet shqipen por edhe për të arritur përfundimet e dëshiruara. Në këtë çështje Ai rezervon mendimin e përgjithëshëm se, përdorimi i këtyre shkronjave, “... nuk sjellin ndonjë inkonseciencë qoftë me karakter fetar, qoftë me karakter politik, përkundrazi do të siguronin ca përfitim me karakter politik...”.

Në përgjithësi Ai gjykon se dituria e poshtëron padijen, se ajo është një tregues i qytetërimit të një kombi, por edhe kusht për zhvillimin e tij. Në këtë problem Ai mbetet mjaft konkret, por edhe praktik. P.sh, nisur nga fakti që Vilajeti i Kosovës ka hapësirë të konsiderueshme dhe popullsi të mjaftë, do të ishte e domosdoshme të hapej një shkollë praktike bujqësore për të nxitur rritjen e prodhimit, sidomos të duhanit e të pambukut, kultura bujqësore këto, që gjejnë mjedsis të përshtatëshëm në këto anë.

  Hasan Prishtina është për një arësim masiv, prandaj një nga kërkesat e tij dhe të bashkëshokëve të vet të përherëshëm ka qenë që, gjuha të mësohet deri në nivelin e shkollës së mesme. Vetë jep shembullin duke mbuluar shpenzimet për arësimimin e 50 të rinjve kosovarë në Shkollën Normale të Elbasanit, ashtu si tregohet fisnik e human kur pohon që, të ardhurat nga botimi i një libri për Kryengritjen e Përgjithëshme të vitit 1912, do t’i përdorte për arësimimin e fëmijëve jetimë të Kosovës, të Dibrës e të Çamërisë që gjenden në Shqipëri. Disa herë ka dhënë të holla për zhvillimin e arësimit shqip duke e konsideruar atë si faktor “... për përparim të diturisë në Shqipëri...”, kërkon me këmbëngulje që në Kosovë të dërgohen mësuesë për të përhapur mësimin shqip duke iu kundërvënë kështu intrigave, që thureshin kundër gjuhës së bukur shqipe. Më 25 shkurt 1910 Lugij Gurakuqi, me cilësinë e drejtorit të Shkollës Normale të Elabasanit, vlerëson qëndrimin arësimdashës prej patrioti të Hasan Prishtinës, dhe, përpos tjerash këshillon “... djelmt’ e Kosovës..., që t’i shpërbleheni me sjelljen tuej të mirë, të ndershmit Hasan bej Prishtina, pse ky Burrë i vlertë po përpiqet e nuk po kursen aspak vedin që të mbrojë kombësiën tonë kundër armiqve që duan të na prishin gjuhën e të pengojnë përparimin e arësimit ndër ne...”.

Kërkesën për gjuhën e arësimin shqip patrioti i vërtetë H. Prishtiuna e ka patur në rendin e ditës përgjatë gjithë veprimtarisë. Më 1912, kur Kryengritja e Përgjithëshme Antiosmane kishte marrë përmasa të gjera, krahas kërkesave për njohjen zyrtare të kufijve të Shqipërisë, është edhe ajo për arësimin e shprehur në format si më poshtë: “... nëpunësit p.sh të praktikohen në gjuhën shqip, të hapen shkolla në prefekturat e zonës së Kosovës, Manastirit, Shkupit e Janinës, që kanë popullsi mbi 300 mijë, si dhe shkolla bujqësore dhe të tjera tezgjahu moderne; të ligjërohet hapja e shkollës private; të vendoset gjuha e vendit në shkollat fillestare, qytetëse e gjimnaze”. Pra është një kërkesë kurajoze, por që ka të bëjë me një element të rëndësishëm të çështjes kombëtare. Për Prishtinën arësimdashës, Shqipëria ka nevojë të madhe sepse “... arësimi është shpirti i kombit...”, mbetet gjithësesi në thelb mendimi i Tij për këtë çështje.

  Në përfundim, gjithëkush mund të pranojë se, Hasan Prishtina mbetet një atdhetar i spikatur; se ai si rrallëkush dallohet si mbrojtës i zjarrtë i lirisë, tërësisë territoriale dhe arësimit e gjuhës shqipe; se H. Prishtina ka parime të larta morale duke shprehur thelbin e formimit shpirtëror e moral të popullit shqiptar. Ishte i tillë, prandaj edhe u vra nga dora gjakatare e një krimineli të paguar nga qeveria e kohës.

Safet N. Ramolli

Comments (0 posted):

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
0
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1