Newsletter
Email:
Poll: Fjala e Lire
Si ndiheni tek Fjala e Lire?
Home | MENDIME | Një përkthim brilant nga poeti Qazim Shemaj

Një përkthim brilant nga poeti Qazim Shemaj

Font size: Decrease font Enlarge font
image Petrit Ruka

Vetëm pak kohë para se shoku im i dashur, poeti i mrekullueshëm tepelenas, Qazim Shemaj të ikte për Andej, një nate më mori në telefon dhe më tha; Petrit i dashur, po të dërgoj një tufë përkthimesh dhe dua të m’i shohësh mirë e mirë se si të tingëllojnë ty në shqip. Sa më shpejt, aq më mirë të lutem. Po t’i dërgoj që sot me email. Dakort?  Rrallë kam njohur deri më sot krijues që ta përjetonte pritjen e një mendimi për ato që shkruante apo përkthente si ai. I padurimtë si një fëmijë që pret datëlindjen e tij. Plot ankth. Ndonjëherë, i zënë me halle e punë ia vonoja dhe ai sedërli si askush, nuk më bezdiste. Por unë e njihja mirë shpirtin e tij të trazuar. I lexova dhe i thashë, se të gjitha më vijnë në vesh si një muzikë. U gëzua. Iu shpeshtua fryma pas telefonit. Më besonte sepse e dinte mire, që ne nuk i bënim kurrë qejfin apo lajka më kot njeri-tjetrit. Ishin përkthimet e tij të fundit, të fundit fare. I kish mbajtur muaj të tërë nëpër duar dhe i kish qarë, kumbonin me një shqipe aq të ëmbël, sa veç ai dinte ta sillte në poezitë e tij. Kjo ishte hera e fundit që folëm bashkë për poezinë, sepse pastaj sëmundja e keqe e pllakosi rëndë e më rëndë. Hera e fundit, thashë? Është thjesht një gabim të shprehuri... Sepse sa herë shkruaj ndonjë varg, është ndër të parët që e mendoj dhe them me vete, çdo të thoshte vallë për të Qazimi? Dhe ja, përkthimet e tij të mbrame po rrinë këtu në kompjuterin tim dhe unë i lexoj e i rilexoj si të takohesha e të çmallesha me të. Sot po sjell për ju njerën prej tyre, për ta kujtuar e nderuar Atë që tani bën mall të rëndë njeriu… (Petrit Ruka)

Kazaku

Natë e mjegullt, natë e fshehtë,

Shtigjet s’dihet ç’kanë,

Një kazak petrit po rend

Lumit për matanë.

Kokoren mënjanë e mbante,

Pluhurosur qe,

Armët nga brezi s’i ndante,

Shpata gjer mbi dhe.

Kali i tij po frelëshuar,

Çapitej i lirë,

Jelet duke valëzuar,

Rendte me dëshirë.

Vështron trimi majë atit:

Oborrin, gardhishtën,

Aty nis rrugëz e fshatit,

Tjetra ndjek pyllishtën.

“Nuk besoj ta gjej këtu,-

Shkoi ndëmend Denisi,-

Vasha do të jetë diku,

Ndoshta e degdisur”.

Frenë e kalit tërheq shpejt,

Ngutas e shporoi;

Kali çau si shigjetë,

Në oborr ndaloi.

Hëna porsi argjendare

Shpërndan dritë e qesh,

Vashë e bukur në dritare,

Trishtë, rri, mban vesh.

Vështron trimi, s’është i qetë,

Sytë nuk ia ndan,

Kali hingëlliu lehtë

Nën dritaren pranë.

“ U zhduk hëna, nuk sheh fare,

S’di si mund të pres.

Dil, o vashëzë bujare,

Kalin ma kujdes”.

“Jo, djelmoshave të rinj,

Vashat nuk u dalin.

Frikë kam, o trim, të vij,

Të të kujdes kalin”.

“Ah! Mos vallë ti, moj mike,

S’më do këtë çast!?”

“Është natë e ka rreziqe.”

“Mos u tremb, o gas!

Flake tej drojën e ftohtë

Eja, yll, mos rri!

Mos e humb kohën më kot,

Fare në vetmi!

Eja hip në kalin tim,

Të shikojmë botë;

Ti me mua ngazëllim

Do të kesh ngamot”.

Drojën mundi e vasha shkoi

Te kazaku trim;

Zemra djalit i gufoi

Mall e ngadhënjim.

Puthjet – vetëtim’ rrebeshi,

S’kishte si ata;

Plot dy javë ai e deshi,

Të tretën e la.

Shqipëroi nga rusishtja Qazim Shemaj

Comments (1 posted):

faruk myrtaj on 10/08/2017 00:56:10
avatar
Ai,
perkthyesi i fjales si klithme shpirti, Qazim Shemaj, ne emailin On Saturday, November 5, 2016 4:53 PM, me shkroi:
Po te dergoj ciklin nga Pushkini, vetem kater poezi jane te njohura qe nga 1964:
- A.P. Kernit
- Bukuroshja
- E bukur moj, mos m'i kendo
- Rrusallka - perkth I. Kadare...

Ja tri prej tyre...

QAZIM SHEMAJ

Dorida

Më joshin buklet e saj të arta,
Fytyra e qetë, retinat e kaltra.
Dje mbrëma miqtë i lashë në pije,
Në krahët e saj u deha dashurie;
Stuhi pasionesh të reja, të vjetra,
Sa shuhej një dëshirë, sakaq ndizej tjetra;

U shkriva, po ja, mes territ të pabesë,
Të tjera hullira m’u shfaqën n’atë mes:
Ca brenga t’ fshehta zemrën ma mundojnë
Dhe buzët emra të tjerë murmurojnë


* * *

Më rrallë po rravgojnë retë mërgimtare
Dhe yjtë e mbremjes- të lëmekur fare,
Gjysmëhëna përhën rrafshinën e venitur,
Gjirin e detit dhe shkëmbenjtë e përhitur,
E dua këtë dritë të zbehtë hënore,
Se kjo më përhumb në vise përrallore,
Më kujton argjendin e hënës së plotë
Mbi vendlindjen e paqtë pikuar si lot,
Ku plepat sogjetojnë luginës së lire,
Ku ka korije e qiparisa erëmirë,
Ku ëmbël deti valëzon në mesditë.
Dikur atje pashë së pari bukuritë:

Mbi det kam soditur, më lëshonte ai
Kur ulej hije e mbremjes plot fshehtësi
Dhe vasha e re n’errësirë më kërkonte,
Duke thirrur shoqet, gjasë t’i takonte.

Muza

Më ka dashur herët, që në fëmijëri,
Më besoi këngën, harpën plot magji;
Me përkushtim, me buzëqeshje të ëmbël,
Më nxiste të shkruaja ç’kisha në zemër.
Ende njomëzak, si në lojë, çdo ditë,
Nisa himnet për bukuritë e hyjnitë,
Idilet nga jeta baritore nisa,
Nga agu në mbremje shtegoja nëpër lisa.
Për vajzat, me zell i mësoja të fshehtat,
Me ëndë i prisja shpërblimet, të shkretat.
Me krelat e lira e ballin e menduar,
Vetë muza ma hiqte harpën nga duart.
Ajo, me frymën e saj si hyjni,
Ma mbushte shpirtin plot hir e shenjtëri.

Petrit Ruka dhe Ilirian Zhupa natyrisht ishin miqte e tij me afatgjate. Ca te tjere si puna ime erdhen vone ne kete shoqeri, si per te deshmuar se mund te jesh ne nje miqesi te tille pothuaj te perjetshme, packa se dallimet ekzistojne deri ne ate fare feje sa dukesh i tjetert me ta!
Ilirian Zhupa i ishte miku redaktor i permbledhjes se mbrame poetike -se ndonje tjeter mbase do ja plotesojme te gjithe bashke, edhe duke qene larg e larg!-, teksa shenimi Lamtumire per Qazim Shemajn, shkruar prej Petrit Rukes sikur edhe e vetmja shenje te shokerie krijuesish te se njetes Zone Operative!te ishte, do te qe mjaft...

Per te shtuar dicka ne klimen rreth Qazim Shemajt, do ja lejoja vetes te ofroja mesazhin e mbrame qe nisa ne adresen email te Qazim Shemajt pas Ikjes Per Andej dhe pergjigjen qe mora prej Ditos, gruas ne prani te se ciles ai mbylli syte...


U larguam shume,
Qazim i dashur...ti qendrove aty...
Se kush shpeton, hajde merre vesh kete jallane...

Por secili ka udhen e vete...
Ti pate fat, tere jeten mbete mes njerezish qe te deshen dhe te sherbyen me shpirt e perkushtim...

Edhe se fundi, kete gje lexova ne mesazhet e Ditos...

Dritani e Vellezerit e tu te deshen, ne merak te bukur, do te thosha po te kishim qene bashke ne oren e fundit, vella i respektuar...

E vuaje fjalen, per poezine tende, por edhe "Driten" gazeten e braktisur pothuaj prej te gjitheve, si pronen belike prej nga ku shkrimtaret e poetet gjithnje jetim ne ate truall, u perzune me lejen absurde se ishin te lire te shkonin per gjithkund tjeter...!

U larguam shume...
Ja, edhe lajmin e me ne fundme, e mora vesh on line...

Sigurisht, pac Udhe te lehte, Qazim,
se udheve jemi...te gjithe!

faruk myrtaj
Mergimtar i Larget

ps. Vito, te rroni vete,
nderuar qofsh qe iu gjende Qazimit tone
ne menyren me fisnike qe ai meritonte dhe ti nuk ia kurseve,
prano edhe ngushellimet tona, si pjese te nje familje, pjeserisht te merguar...
Te lutem, percillja keto ngushellime edhe Dritanit dhe Vellezerve te Qazimit, qe do te na mungoj shume...

faruku

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
0
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1