Newsletter
Email:
Poll: Fjala e Lire
Si ndiheni tek Fjala e Lire?
Home | MENDIME | PROBLEME TË LIBRIT DHE PROCESIT LETRAR

PROBLEME TË LIBRIT DHE PROCESIT LETRAR

Font size: Decrease font Enlarge font
image Vangjush Ziko

PROBLEME TË LIBRIT DHE PROCESIT LETRAR


Në bisedat e përditshme midis krijuesve apo edhe lexuesve, si edhe në faqet e shtypit të përditshëm (shtypi periodik letrar nuk ekziston aktualisht) problemi i librit artistik, e botimit dhe leximit të tij është një temë shqetësuese. Mund të pohojmë me plot gojën se libri nuk është aspak në qendër të shoqërisë sonë. Ky pohim mund të duket paradoksal, por është sa alarmant, po aq edhe kontradiktor me shkallën e zhvillimit kulturor të shoqërisë shqiptare në ditët tona. 

Le të kujtojmë periudhën e Rilindjes sonë Kombëtare, kur veprat e Naimit, të Çajupit e të tjerë ishin “bibla të atdhedashursë”, kalonin dorë më dorë dhe gojë më gojë, në ato kushte të njohura e tejet të vështira botimi dhe shpërndarjeje, kur nuk kishte asnjë librari apo ndonjë organ letrar. Vepra e Mjedës, Lasgushit, Kutelit, vepra e Migjenit e të tjerë ishin në qendër të opinionit shoqëror dhe të shtypit letrar të kohës. Në periudhën e socializmit, shteti autokrat komunist e vuri në qendër të politikës së tij përhapjen dhe propagandimin e librit për qëllimet e veta. Kurse në ditë tona, ditët e demokracisë, nuk mund ta pohojmë këtë dukuri aspak. Paradoksale, por e vërtetë. Koha jonë është kampione përsa i përket botimeve të veprave letrare, por nuk mund të themi se libri është në qendër të vemendjes, të leximit dhe të vlerësimit të tij nga ana e shoqërisë sonë. Shkaqet dhe arsyet janë të ndryshme, letrare dhe jashtë letrare. 

Po ndalem vetëm në raportin që kemi me Procesin Letrar.

Teoritikisht procesi letrar nënkupton : tekstin, lexuesin, interpretimin letrar, përcaktimin e efektit letrar.

Përsa i përket tekstit, veprës letrare, ajo përcaktohet, përveç aftësive dhe synimeve krijuese të talentit, nga dinamika e jetës së përditshme, nga ritmet e saj, përqendrimi apo shpërqendrimi, stresi, problemet ekzistenciale, mungesa e kohës, humbja e kohës pas vogëlsirave dhe pervesiteteve. Kështu, sot nuk shkruhen më vepra voluminoze në prozë apo poema, lexuesi preferon krijime të shkurtra. Në ditët tona nuk mund të themi se kemi një lexues ideal, sepse edhe në jetë idealet janë zbehur tmerrësisht, ka ardhur koha e pragmatizmit, e interesit të çastit.

Procesi letrar është në funksion të së radhmes, ai duhet ta udhëheqë lexuesin drejt një lloji të caktuar të përvojës artistike dhe estetike. Dhe ky mision nuk mund të realizohet spontanisht.

Për realizimin e një misioni të tillë nuk mund të bëhet fjalë në kushtet tona aktuale kur nuk kemi asnjë revistë letrare apo estetike, kritike që t'i trajtojë këto probleme. Artikuj apo studime të shkëputura, apo të botuara rastësisht andej e këtej më të rrallë në shtypin periodik nuk mund të krijojnë një opinion të vërtetë bashkëkohor letrar dhe estetik.

Tek ne mungon një informacion mbi përcaktimin e efektit të teksit letrar tek lexuesi, nuk kemi sondazhe, nuk ka statistika mbi leximin e librit; libraritë janë thjesht dyqane të shitjes së librit, siç janë dhe dyqanet e mallrave të ndryshme. Libri konsiderohet prej tyre, thjesht si një send që duhet shitur dhe duhet marrë vetëm fitimi; nuk ka propagandë të librit, reklamat e librave të rinj, kryesisht, janë si reklamat e tjera. Edhe konkurset letrare, të krijohet përshtypja se bëhen sa për të nominuar dy tre emra dhe për të shpërndarë bonuset materiale. Fati i mëtejshëm i veprave fituese letrare është i panjohur. Mungon koncepti profesional mbi të ardhmen e tekstit (librit), efekti i tij te lexuesi, nuk ka statistika mbi rrjetin e lexuesve, moshat dhe interesat e tyre.

Libra të mirë ka dhe libra edhe më të mirë do të shkruhen. Por mbështetjen dhe propagandimin e tyre nuk mund ta bëjë një proces tregtie. Procesi i vërtetë letrar, mund të themi me plot gojën, nuk ekziston tek ne.

Comments (0 posted):

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
0
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1