Newsletter
Email:
Poll: Fjala e Lire
Si ndiheni tek Fjala e Lire?
Home | MENDIME | Mbresa për librin “IM ATË STERJO”

Mbresa për librin “IM ATË STERJO”

Font size: Decrease font Enlarge font
image Tatiana Zoto

 

Z. Iliden të falënderoj për librin ”Im atë, Sterjo”, një dhuratë që më mbushi me një nderim e krenari të veçantë për shkrimtarin e madh dhe njeriun po aq të madh e të thjeshtë Sterjo Spasse. Po ndërkohë nderim dhe për ty Iliden, një studiues i palodhur i një dokumentacioni aq të pasur dhe me një penë të zhdërvjellët, me një fantazi dhe kompozim të përsosur, me emocionin e djalit, të shkrimtarit e të studiuesit i ke dhënë kulturës shqiptare, studiuesve dhe lexuesit shqiptar një libër të veçantë, të realizuar artistikisht, realisht me fakte; si letra, kujtime, kritikë letrare, përshtypje, përshkrime, udhëtime, shkresa zyrash, ambasadash, lajme në gazeta a artikuj etj. Ke treguar ç’është jeta e njeriut që krijon e që s’ndalet nga asnjë vështirësi, ai do t’i thotë të gjitha ç’ka për të thënë duke  shpalosur kulturën, dijet, punën e madhe, për të ecur në krijimtarinë artistike, publicistike, në përkthimet, mendimet mbi arsimin etj.

Romani “Pse” dhe kërkesa për ta lexuar, fillimisht u botua në “Gazetën e Korçës”. Kurrë kjo gazetë s’kishte pasur aq lexues dhe pritnin me padurim daljen e saj. Më kujton Dikensin që pritnin në radhë, kur i botoheshin fashikujt. Shprehen  mendime për këtë roman brenda e jashtë vendit, shkruar në moshë fare të re me një gjuhë të zgjedhur. Bëhet i njohur autori, por dhe jeta kulturore në Korçë. Pse -në s’e ka gjetur Sterjo Spasse, do ta gjesh ti, nga shprehjet më të goditura  të vlerësimit shqiptar.

         Përkthimet duke filluar me “Kasollen e Xha Tomit” që u bë simbol e pika e takimit me krijuesit e tjerë në Tiranë. Sterjo Spase,Mitrush Kuteli, Vedat Kokona, Nexhat Hakiu etj., vihen  në shërbim të emancipimit njerëzor, nxjerrin “Revistën letrare” marrin pjesë dhe të tjerë nga ajka e mendimit shqiptar. Ndiqen, por ia dalin.

         Nata e Bartolemeut rrëqethëse. E ke dhënë tmerrin dhe rrugët me të vrarë, sikur t’i kishe parë me sytë e tu, po janë sytë e Sterjos dëshmitar. Tragjedi. Vargjet klithmë për masakrën: Të vrarët dergjen nëpër rrugë! / Gjaku derdhet  nëpër rrugë! Dhimbja e të gjallëve e pamatë te nënat, te shkrimtari me hiperbolën e lotit: Lotët rrjedhin nëpër rrugë/  Nënat shtrihen të rrahura nëpër rrugë! Ç’mbyllje të mendimit poetik me nënat, pas tyre shkrimtari Sterjo sheh lirinë.

          Dalin partizanë, kush më parë e kush më vonë.Këtu ka faqe të bukura epike dhe thirrjet e Sterjos për shokë të tjerë, të mundin frikën. Në përshkrimet që jep ti, në ato që jep Sterjo si vëzhgues i luftës në Tiranë e përreth më ngjau si Hemiguej në luftën e Spanjës, në një film. Më pëlqeu shumë ky paralelizëm, ngrihet shkrimtari Sterjo shumë lart, i sheh dhe i prek vetë përpjekjet për liri. E si të mos dalë e fuqishme krijimtaria e tij? Jeta e tij merr përmasa të tjera; “Në Kongresin e Arsimtarëve Antifashistë”në Korçë, në Beograd në bashkimin e vëllazërimin e popujve ballkanikë. Është folklori që i bashkon, këtu shpaloset shpirti lirik i Sterjos. Në një ekspozitë kushtuar luftës për liri meditimi i tij është plot mesazh paqeje: secili njëkohësisht e ndien veten shqiptar, grek, jugosllav,bullgar, rumun. “Unë jam ballkanas...” atje ku po përpiqet Evropa sot, për një Ballkan në mirëkuptim e bashkëveprim. Ç’ide të avancuara tek Sterjo.

          Në Bullgari, në Moskë, në Kinë  etj. si një Odise i etur për njohje. Faqe të bukura njohëse kulturash dhe si ua fiton zemrën, shumë komunikues. I ke dhënë në mënyrë tërheqëse. Ndihet i vlerësuar. Studimet në Peruxhia e në Moskë më vonë, i japin vlera të tjera në përsosmërinë  të tij si shkrimtar dhe më gjerë, ndjek shumë shfaqje operistike, teatro, ekspozita, etj.. Diku shkruhet: “...ka ardhur vitin e kaluar. Ai studion në kursin e lartë për letërsi në Moskë. Lexuesit sovjetikë e njohin atë nga romani “Ata nuk ishin vetëm”, që bën fjalë për lëvizjen revolucionare të fshatarëve shqiptarë...”

         Gjithashtu ajo dëshirë për të njohur Shqipërinë, vendet historike për ciklin e Rilindjes, por dhe duke kërkuar të ketë njohje dhe përtej kufijve, është diçka që flet për një personalitet të padiskutueshëm. E realizon. Përplasjet mes grupeve të shkrimtarëve duke u përpjekur njëra palë ta ulë vlerën e këtij cikli të madh me vlera të mëdha dhe pala tjetër: “Të lumtë, Sterjo!” Në kujtimet më tërhoqën si magnet fjalët: “Këto trillime të ... më zemëruan fort”. Apo:  “Unë e humba durimin. Në vend që të zihem si gratë e liga me ... e rrethin e tij , i shkrova një letër ...ku protestoja kundër fushatës shpifarake për romanin “Pishtarë”...” Kundërshtitë e tij  janë të forta.

          Ku e gjen këtë forcë e pyesje shpesh. Përgjigjja, më e bukura, më e fuqishmja dhe më shprehësja e karakterit të tij të fortë ishte : “Te puna. Ne, Ilo, nuk jemi të llafeve e të prapaskenave. Ne vetëm me punë mund t’ua thyejmë hundën atyre që e mbajnë përpjetë...” Dhe s’ mundën ta ndalojnë...3000 faqe, kolos dhe ju, i palodhur..        

        Dhe  në fushën e arsimit, del reformator, një shpirt krijues,  shfrytëzon të rejat e mendimit botëror. Normalja e Elbasanit është baza e formimit. Mësuesit e saj bëhen miqtë e tij. Shumë e avancuar ajo kohë. Më pëlqeu. Më  domethënësja  është romani “Afërdita”. Vuri në lëvizje mendimin e të gjithëve dhe mësueseve nëpërmjet artit të të shkruarit.. U rrit si njeri, si shkrimtar, si metodist. Po çfarë ndërgjegje: shkeli zona të ndryshme, kërkonte ecje në shkolla, në mësimdhënie, prestigj i  fituar me punë dhe detyrat e përgjegjësitë e tij rriten. Ajo ndodhia me nxënësin dhe prindin e tij, heqja e masës dhënë Sterjos flet shumë, për respekt njerëzor për të. Detaje artistike që s’i harron, ka në këtë libër në çdo hap të jetës dhe të krijimtarisë së shkrimtarit Sterjo. Disa pikante: “Se si u kujtua dhe këputi një xhunxhule të porsa çelur dhe e futi në trastë mes librave”. “Desh...por nuk guxoi të nxirrte as atë që kish fshehur në trastë, midis librave,posaçërisht për Nikolinën”. “Një ditë një top bore apo lecke gjatë lojës i hedhur nga Sterjoja goditi befasisht xha Mihalin, i cili rrëshqiti e u rrëzua. Djemtë rendën dhe e ngritën. Sterjoja, si fajtori kryesor, u tremb shumë. Duke u dridhur, filloi ta shkundë nga palltoja. -Hë,djemtë e opingës, kini mendjen kur kalojnë pleqtë. Të bëheni trima të Shqipërisë... Dhe shkroi për të, kur ishte me emër.

        ”Letrat si dhe kujtimet janë një burim artistik dhe informativ i pazëvendësueshëm. I japin shpirt dhe gjak, zë dhe nerv çdo momenti jetësor të shkrimtarit dhe të shkrimtarëve, të miqve dhe të njohurve që janë shprehur dhe që kanë pasur ç’të thonë mes tyre.  

          Një karakter i fortë, me një zemër të madhe, njohës i gjuhëve të huaja dhe lexon literaturë në ato gjuhë, i përballon sëmundjet dhe s’e lë asnjëherë punën krijuese “ Hajde, Ilo, vazhdojmë romanin, se s’ka kohë për të pritur...” Çfarë lidhje atë e bir. Model i rrallë. Gazeta “Dielli” në 1984 jep artikullin “Sterjo Spase dhe Pse-ja shqiptare” dhe  mua më mrekulluan fjalët “...ata sy të butë, të pafajshëm, që askush nuk mund ta merrte me mend, se do të merrnin pamjen e një shenjtori apo të një urtari...” Një cilësi e jashtëzakonshme e këtij njeriu: shtëpinë e tij e donin të gjithë dhe priste e përcillte pa mbarim. Tek stacioni  i trenit takohen bashkëfshatarët dhe pyesin njëri-tjetrin:-Ku shkon? -Tek Sterjo. -Nga ishe? -Nga Sterjo. Kur u sëmur miqtë i thanë të mos lodhej me pritje e përcjellje,por ai dhe deri në ditën e fundit miqtë që donte t’i takonte, i përcolli deri ku i përcillte.  Ç’ NJERI!!!Po sa respekt për familjen e madhe (40 veta)E mori familjen në Tiranë kur e bindi të atin dhe shpirtin e kishte llagar, të pastër (po përdor një fjalë korçare). Kishte kaq shumë e kaq shumë miq, të njohur, por të zemrës ishin ata të përhershmit që s’u ndanë kurrë dhe që e vuajti e shkroi për ta kur u ndanë nga jeta. Habia më e madhe, shkoi i takoi dhe tek varri i tyre i shoqëruar nga Zisa apo nga familja për njerëzit e familjes.  NJERI i MADH! Shtrëngoi dorën e Nikolinës, e donte shumë. Dhe ishte kaq e nderuar nga të gjithë Sterjovica ,se i priti e i përcolli të gjithë me dashuri, pa mërzi. Petro Marko në dhjetorin e vitit 1989  në shtëpinë e Sterjos: -Dale të të puth në dy faqet, -i thotë Nikolinës kur e përshëndeti. -Ç’ të më puthësh mua, unë tani jam plakë... -Të puth, se ke ditur të mbash një shkrimtar. Ti ke ditur të mbash një shkrimtar të madh, - i tha përsëri ... Si mbledhës folklori i dha Nikolina 184 këngë të zonës dhe hyri kështu kjo grua e zgjuar e me shpirt të madh e me sy të bukur dhe në librin e këngëve popullore maqedonase, organizuar nga Sterjo. E vuri në piedestalin që deshte, e nderuar dhe e ditur nga natyra. Prindër të dashur dhe krenarë brez pas brezi me një stafetë aq të bukur: Spasse Setrjos: ...Gjithë forcën e kam te dashuria për ty... Sterjo Ilos: Gjithë forcën e kam te dashuria për ty Ilo. Ilo Arianit: Gjithë forcën e kam te dashuria për ty, Arian.       

         U njoha për herë të parë me emra vendesh, njerëzish, mënyrën e jetesës, botën shpirtërore të dhëna me lirizëm në gëzimin e lindjes së djalit, fëmijës së katër,Sterjos. “Edhe viç, edhe vëlla” thoshte  dhe hidhej Stojani. Jetë e thjeshtë, por e bukur aty ku rriteshin fëmijët e plakeshin të tjerët; mes njerëzve të afërt ku kishte harmoni, besimin e njerëzve dhe punë për të gjithë dhe Sterjoja i vogël me ta, duke pyetur për çdo gjë, dallohej nga të tjerët, nga pamja tërheqëse dhe kërshëria për të ditur. Doli dmosdoshmëria për shkollimin e Sterjos, se pyetjet donin përgjigje. Këtë e kupton i ati.  Ç’vizion e dashuri.

        Nivica dhe Sterjoja në shkollë. Malli, ndjenjat për Nikolinën, takimi me moshatarët, njeriu prej bore. Trishtimi kur i thanë që nuk do të shkosh më në Nivicë. Një ditë kur ktheheshin nga puna i ati i tregon se si i kishin grabitur dhe turqit dhe hajdutët ato pak që kishin fituar në kurbet,por fyerja e pashlyer nga koha ishte të mbetur pa rrobat e trupit. Çfarë ka ruajtur në ndërgjegje i vogli Sterjo?!...

        Gjithashtu e re për mua është shprehja ‘Jemi nën Shqipëri” dhe vendosja e kufijve, fillimi ishte dramë për banorët, janë me identitet dhe gjuhë të ndryshme, në tokat e tyre shkelën bejlerët etj. Sterjo do të shkonte në Goricë të Madhe” ku do të hapej shkollë në gjuhën shqipe. A mësove ndopak shqip? Po brate!...

       Të bukura janë dhe faqet si pritet mësuesi Pandeli Sina, si e nderojnë mikun dhe Sterjoja që bën dallimin me kulturën e tij në dëshirën për sjelljen ndryshe në tavolinë. E mbi të gjitha kërkesa e mësuesit: “Unë Sterjon e veçoj nga gjithë fëmijët që kam njohur. Ju lutem, mos ia prishni të ardhmen” , por dhe meditimi i Spases: “Ky mësuesi nga Korça më lutet për birin tim, djalin tim”...

      Jeta e vështirë dhe kuptimi i ngushtë për shkollimin, por dhe këtu është harmonia,do ta bisedonte me të atin, vëllezërit, gratë. Është fjala për ta përballuar, por dhe për t’i dhënë shtysë së ardhmes të djalit më të dalluar nga të tjerët, shkollarit, si i tha moshatarja e tij Nikolina, dikur. Gëzimi më pas  kur i ati Spase e çoi në Korçë hipur mbi kalë, i shpërtheu imagjinata, filloi të dallojë që aty hapësirat, gjelbërimin, qytetin. Do të vazhdojë shkollën, por dhe do të punojë te Hani i Napuçeve, ku do të flejë në një dhomë-han, me qiri do të mësojë. I përballon me sukses, dy klasa në një vit. Në Elbasan hedh hapa të tjerë drejt shkollimit dhe formimit. Është gëzim për të atin:Do të jetë një me shkollë...E bën krenar, i jep krahë, i jep fuqi, vështirësitë e jetës janë të mëdha, i përballon, stoikë. Faqe të bukura dhe për tekstet shkollore për të mësuar nga jeta e shkrimtarit Sterjo Spasse.

        “ Shkrimtari është si voza me verë: Po u pi vera, voza mbetet bosh e thahet, ndaj ajo duhet mbushur përsëri me rrush. Edhe shkrimtari, pasi boton një vepër, mbetet bosh, dhe po nuk studioi,nuk lexoi, nuk komunikoi me njerëzit, nuk lidhet me jetën,që të mbarset me mbresa të shumta, shteron, thahet, “ndryshket shpirtërisht”.”Një thënie në takim me krijuesit e rinj do të mbetet  përherë udhërrëfyese.

        -Këtu, ke rrugica juaj, ka vdekur një njeri i madh, shumë i madh! - i tha komshiut një  prej policëve.

          Ngjethëse, por ndihet në këto fjalë të dhimbshme nderimi. Përcjellja madhështore nga mizëri njerëzish. Një i moshuar u shkëput nga turma, mori një grusht dhe. “Pse më shtyni...Lërmëni të hedh një grusht dhe mbi varrin e Sterjos! Sterjoja ishte burrë, burrë i vërtetë! Ishte proletar...bërtiti me të madhe”. Kujtim që s’do ta harrosh kurrë, Ilo.  

      Faleminderit, Tatiana Zoto.   2 gusht 2017           

Comments (0 posted):

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
0
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1