Navigate archive
first first August, 2019 first first
Su Mo Tu We Th Fr Sa
1 2 3
4 5 6 7 8 9 10
11 12 13 14 15 16 17
18 19 20 21 22 23 24
25 26 27 28 29 30 31
Newsletter
Email:
Home | LAJME | NJERIU FISNIK DHE OFICERI I NDERSHËM ATDHETAR

NJERIU FISNIK DHE OFICERI I NDERSHËM ATDHETAR

image RUZHDI BAXHAKU

 

 

 

RUZHDI BAXHAKU, NJERIU FISNIK DHE OFICERI I NDERSHËM      

                                      ATDHETAR

 

 

In memoriam

 

Të nderuar miq të mikut tonë të nderuar Ruzhdi, të atij, që le ta themi qysh në fillim, dijti të mbajë me nder gjithçka përmbante emri i tij, që në arabisht, do të thotë: i ditur, i pjekur dhe që shkon drejtë në rrugën e fesë. Por këtij përcaktimi, ndofta edhe rastësor, do t`i shtoja me bindje, se do të ndihesha edhe unë i nderuar duke folur për të, sikur kësaj hyrjeje të vështirë, t`i shtoja fjalët e triumvirit Mark Antoni, kur sipas Shekspirit, ju desh të fliste për Brutin e vdekur: “Elementët e karakterit shkrihen aq mirë brenda tij, saqë natyra mund të ngrihet duke i bërtitur botës mbarë: Ishte një njeri!” Po. I tillë ishte dhe i paharruari djalë i Petrelës, për të cilën ndihej aq i lumtur, nxënësi i dikurshëm që ja rriti lavdinë shkollës tonë “Skënderbej”, oficeri dinjitoz që shkëlqeu kudo që e caktuan, shoku i ndershëm, i thjeshtë dhe i sinqertë i të gjithëve dhe bashkëshorti besnik e prindi model. Sot, kur është mbushur viti që ai azgani që nuk i ndahej kurrë buzëqeshja e çiltër dhe e përzemërt nga fytyra, duke u larguar para kohe, nuk ndodhet mes nesh, dhe sidomos kur për të, ata që e njohën nga afër apo punuan me të, kanë hedhur në një libër gjithë dashurinë që u mbante zemra, nuk ja vlen të vajtojmë, por të kujtojmë përcaktimin e Senekës se “Jeta është si një anekdotë; s`ka rëndësi sa e gjatë është, por sa është e vlefshme”. E parë nga kjo lloj filozofie, Ruzhdi Baxhaku e pati jetën sa të vlefshme, aq edhe të gjatë. Për të mos thënë, sikurse del edhe në këtë libër, kushtuar jetës dhe veprës së tij, se për njerëz si ai, nuk ka vdekje. Se a nuk ishte vetë Albert Kamyja i cili thosh te “Njeriu i parë” se “…i mbjellë nga era, i korrur nga era, e prapseprapë diell krijues. Ky është njeriu, përgjatë shekujsh, krenar që jeton vetëm një çast.” Është për t`u përshëndetur nisma dhe përpjekjet serioze të shkrimtarit Vasil Premçi për ta përgatitur këtë libër me kujtime, ose më saktë, për ta përjetësuar shokun nga i cili nuk ndahej kurrë. Kishin një shprehje romakët e vjetër “Të barabartët bashkohen”. Ja pse ndodhte përherë që gjithmonë kur vija nga Durrësi në Tiranë, dhe e kërkoja Vasilin, qoftë edhe për të shkëmbyer librat që kishim botuar, ai do të vinte bashkë me Ruzhdiun. Dhe Ruzhdiu, ashtu si Baku mitologjik, përhapte kudo dhe përherë kënaqësi e hare. Ju do ta lexoni këtë libër që është shkruar nga dyzeteshtatë autorë, të cilët nuk dinë se ç`kanë shkruar të tjerët, dhe do të vini re menjëherë emëruesin e përbashkët të tyre; të gjithë si cilësi themelore të Ruzhdiut theksojnë humanizmin e tij, ndihmën që ai u jep të tjerëve, zemërbardhësinë dhe modestinë e pazakontë. Virtytet e tij ishin të shumta, por vështirë të ketë ndonjë që ta ketë dëgjuar atë të flasë për veten e tij. Ashtu sikurse asnjëherë nuk fliste keq për dikë. Ndaj me shumë të drejtë inxhiner Ngjeqari, me të cilin bashkëpunouan pa asnjë interes, por gjithmonë në shërbim të vendit të tyre, e quan me tri fjalë “Një shok, një fisnik, një misionar”. Ashtu sikurse vartësi i tij Jetmir Hasa e konsideron “mishërim i intelektualit me virtytet më të larta njerëzore”. Vasili, veç mbresave dhe emocioneve të tij, të veshura me atë kulturën dhe dashamirësinë e tij karakteristike, ka përfshirë në libër edhe atë ç`ka shkruar vetë Ruzhdiu për gjenezën e familjes, gjyshët, prindërit, historinë e vendlindjes dhe bashkëfshatarët e tij. Në ato faqe, Ruzhdiu na shfaqet ashtu siç është; duke treguar respekt për të gjithë, pa dallim postesh e ofiqesh dhe mbi të gjitha i vërtetë. Se jeta, siç thotë Gi de Mopasani te “Një jetë” nuk është as aq e bukur dhe as aq e shëmtuar sa ç`e pandehim. Atij i flet shpirti dhe i ngjallen kujtime të pashlyeshme kur përshkruan rrugicat, shtëpitë, kopshtet e fshatit. Dhe gati përlotet kur sjell ndërmend ato vende si “Vreshti i vjetër”, “Shkomi i sipërm”, “Zabeli”, “Syrlija”, “Pisha” e “Përroi i skiles”. Po më shumë atë e mer malli për njerëzit. Ai është i prirur të gjejë mirësinë edhe te fshatari i zakonshëm që e ka kaluar jetën duke u ndeshur me njëmijë halle e vështirësi, edhe tek ajo nëna që e pickon gjarpëri e vdes, edhe te mësuesi që punon pa u lodhur për tëngritur muzeun e fshatit, edhe te kuadri që shërbeu në ushtri, apo ai që studioi jashtë shtetit, e deri tek ajo, që rruga e fatit i hapi dyert dhe e bëri bashkëshorte të kryeministrit. Baxhaku, gjithashtu nuk harron të shkruajë për ata devollinjtë e Mirasit, që e pritën me gjithë të mirat, kur ai shkoi në dasmën e shokut të tij Agron Kollçinaku. Ai e kishte kuptuar mirë atë thënien e Nervalit se “e kaluara dhe e ardhmja e jonë përbëjnë një të tërë. Ne jetojmë në fisin tonë dhe fisi ynë jeton te ne”. Natyrisht që për aftësitë e tij profesionale si shef i emergjencave në Bashkinë e kryeqytetit, kanë pasur çfarë të shkruajnë Shemsiu, Halili, Sakipi, Trifoni e plot të tjerë, pasi Ruzhdiu mbetet pak a shumë një rast unikal; u ndërruan forcat politike dhe atë askush nuk e shkoi ndërmend ta lëvizë. Dr. shk. Mikado Shakohoxha, kryetari, gjithashtu i palëvizshëm i shoqatës kombëtare “Skënderbegasi”, e ka portretizuar kështu atë: “Ruzhdi Baxhaku bën pjesë tek ata oficerë me prejardhje skënderbegase, që kanë lënë gjurmë në ushtri, për të sotmen dhe të ardhmen, tek ata që i dhanë ushtrisë modelin e oficerit bashkëkohor, të aftë e të përkushtuar, me formim demokratik e për rrjedhojë, në transformimet e viteve 1991- 1992, spikati bindshëm figura e oficerit qytetar, të emancipuar e patriot”. Si për ta thyer disi shtrirjen e këtij libri, me të drejtë janë vendosur edhe fotografi që gjithashtu flasin shumë. Ruzhdiu me familjen, gruan dinjitoze Rozetën dhe fëmijët e bukur si drita, Ledio dhe Aida, me shokë, me personalitete të ndryshëm, nëpër seminare, brenda dhe jashtë vendit dhe nëpër objekte kulturore. Se ai ishte mik edhe me shkencëtarë edhe me artistë (se edhe në shkollën “Skënderbej” merrej me grupin muzikor), edhe me shkrimtarë nga më të njohurit. Petraq Risto që nga Amerika, gjen rasti që duke folur për dhimbjen që i shkaktoi ikja e tij, shpreh konsideratën e lartë për të gjithë ne oficerët, shokët e tij, duke thënë se edhe pse në supe mbajnë gradën e kolonelit, shfaqen me modestinë e ushtarit, kurse poeti matjan Basir Çollaku i këndon mikut të rrallë, Ruzhdiut: “Si pa kuptuar ike, Baxhak! / Një sëmundje tinëzare / Befas të rrëmbeu / I qeshur, i fisëm, / Me trupin si rrap / Mjerë kë tret dheu!” Përgëzime të gjithëve, ju që keni shkruar për Ruzhdi Baxhakun, dhe juve që merrni pjesë në përkujtimin e tij, duke vërtetuar fjalët që ai i tha të bijës se “Pasuria më e madhe që do t`u lë janë miqtë e mi”. Këtë e kishte thënë dikur edhe Maksim Gorki, gjë që vetë Ruzhdiu e zbatoi gjithmonë: “Kënaqësia më e madhe dhe gëzimi më i lartë i jetës është ta ndiesh veten të nevojshëm dhe të afërt për njerëzit e tjerë”. Dhe duke qenë se ky libër nis me fjalët e ish skënderbegasit, Kryegjyshit Botëror Bektashian, Hirësisë së tij Haxhi Dede Edmond Brahimaj, lejomëni ta mbyll këtë parashtresë me diçka nga Kurani: “Kur linde qave, të tjerët qeshën. Jeto në mënyrë të tillë që kur të vdesësh, ti të shkosh duke qeshur, kurse të tjerët të qajnë për ty”. A s`ishte i tillë, edhe i mrekullueshm, miku i të gjithëve Ruzhdi Baxhaku?     

Comments (0 posted):

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
0
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1