Newsletter
Email:
Poll: Letërsia
Cili është lloji juaj i preferuar i letërsisë?
Home | LAJME | “Kacafytja me ujkun” eA. Bishqemit vlerësohet në Kosovë libri më i mirë i vitit për fëmijë e të rinj

“Kacafytja me ujkun” eA. Bishqemit vlerësohet në Kosovë libri më i mirë i vitit për fëmijë e të rinj

Font size: Decrease font Enlarge font
image Prof Dr Astrit Bishqemi

             “Kacafytja me ujkun” eA. Bishqemit vlerësohet në Kosovë libri më i mirë i vitit për fëmijë e të rinj

Rakip ZHGUNI

Shkrimtari Astrit Bishqemi na “dhuroi” këtë vit një libër të ri me skica, tregime, novela e gazmore, me titull “Kacafytja me ujkun”, botoi “Rozafa”, Prishtinë 2018. 

Tërë jetën autori ia ka kushtuar letërsisë për fëmijë e të rinj, këtij arti të mrekullueshëm, tek i cili gjejnë mishërim vlerat edukative dhe estetike, që na frymëzojnë e na japin kënaqësi të paskajshme për të bukurën, për të madhërishmen, për jetën në përgjithësi, duke na orientuar drejt së mirës, së dobishmes, së drejtës, kundër veseve të ulëta e të dëmshme për shoqërinë. Dhe ja, i mirënjohuri shkrimtar jo vetëm brenda vendit, mësuesi, pedagogu, krijuesi i mirëfilltë, studiuesi pasionant i letërsisë për fëmijë e të rinj te kjo vepër e re na vë përpara larmi temash, tek të cilat vihet re një realizëm i bukur 

Krijimet e kësaj përmbledhjeje, nga ana përmbajtësore dhe e zhanreve letrare, në një vështrim të thjeshtë mund t’i klasifikojmë në katër blloqe.

Në bllokun e parë rendisim krijimet (tregimet e novelat) që bëjnë fjalë për persona të identifikuar. Autori ka hulumtuar episode, copëza jetësore nga personazhe të njohura brenda e jashtë vendit, dhe i letrarizon ato. Në këtë mënyrë, lexuesi fëmijë njihet me Vaçe Zelën, këngëtaren e famshme myzeqare, e cila qysh në shkollë e nisi karrierën artistike në varfëri, me fustan të vjetër e sandale të ronitura a zbathur, siç e ka pohuar edhe vetë ajo në një intervistë, por që me zërin e saj më vonë arriti majat dhe la gjurmë të pashlyeshme në muzikën shqiptare. Po kështu, autori na tregon edhe një ngjarje nga jeta private e shkrimtarit Bedri Dedja. Nga nxitimi, duke e shkurtuar më tepër sesa duhej një telegram të cilin e niste për në Fier, ai alarmoi prindërit e së shoqes dhe i bëri që të merrnin për tërë natën rrugën për në Tiranë... 

Me shumë respekt tregohet për talentin poetik të Pandeli Koçit, i cili vjershën e parë si krijues nuk e shkroi në letër, por vrulltazi e paparitur, në dërrasën e zezë të klasës ku mësonte. Nuk mund të lëmë pa përmendur historinë e kones së poetit Lasgush Poradeci, që ia “pushkatuan” sikur të ishte kriminele, me shkakun se mbajtja e qenve kosiderohej nga sistemi shoqëror i kaluar si shfaqje borgjeze. Në këtë krijim vihet në dukje jo vetëm zbatimi qorrazi i “vijës së partisë”,  por edhe dallkautllëku i pushtetarëve të djeshën, të cilët poeti i krahason me qentë. 

Po kështu, në një tregim tjetër, autori flet me respekt për mënyrën se si i ngrinte krijimet e tij këngëtari elbasanas Isuf Myzyri, Artist i Popullit, i cili nuk dinte të shkruante e të lexonte, nuk njihte as notat muzikore. Dhe ai që ia hidhte në letër ato këngë ishte një fëmijë fqinjë, nxënës shkolle.

Nuk mund të rrimë pa u ndalur në novelën kushtuar shkrimtarit kosovar për fëmijë Ymer Elshani, ku del në pah egërsia e pushtuesve serbë me masakrat e viteve të fundit të shekullit të kaluar në Kosovë, ku viktimë qe edhe i ndjeri Ymer. Por autori thekson se si krijimet e tij u hodhën në zjarr jo vetëm nga serbët, por edhe nga një i dehur, i cili i kujtoi për thesare, kur i zbuloi të fshehura e të groposura rrëzë një lisi. 

Në bllokun e dytë të krijimeve mund të fusim novelën për të rinj (klasa tetë dhe e nëntë) “Basketbollistja e klasës sonë”. Idetë dhe mesazhet që përcjell novela janë për të luftuar mendjemadhësinë tek lexuesit e kësaj moshe. Ajo që vihet re, është fakti që autori përdor një gjuhë tamam për adoleshentë. Fabula vendoset te nxënësit e një klase të shtatë sportive të qytetit. Skaliten bukur disa personazhe nxënës, si Driola – basketbolliste e talentuar po ca mendjemadhe, Arnisa - tifoze e saj, Danja – komandante e klasës, Andri – hokatar, që bën humor edhe duke përdorur fjalë e shprehje të gjuhës së huaj frangjishte të cilën mësonin në shkollë, etj.

Në bllokun e tretë radhisim skicat e ndryshme të këtij vëllimi. I tillë është, për shembull, krijimi “Biblioteka ndanë lulishtes”, i cili na jep përvojën e qarkullimit dhe të shfrytëzimit shumë të mirë të librit në një qytet të huaj evropian. Kjo është një fshikull për të gjithë, pasi librit i kemi kthyer shpinën e jo më të ngremë biblioteka të tilla të hapura në vende publike për njerëzit e thjeshtë, biblioteka që funksionojnë pa inventar e pa punonjës. Sa larg jemi, sa larg! 

Një bllok më vete formojnë  “Gazmoret e reja”. Janë grimca jetësore të mbedhura me kujdes prej shkrimtarit nga jeta e përditshme e fëmijëve. Autori i emërton “të reja”, sepse më parë ka botuar dy vëllime me copëza të tilla: “Gazmore 300 e ca... buzëqeshje sa? - TOENA,T. 1996” dhe “Nga ditari i një shkrimtari për fëmijë - SEJKO, Elb. 2005”. Siç shprehet edhe vetë, këto “janë shënime të shkurtra, nxjerrë nga ditari” i shkrimtarit. Ai ka një jetë të tërë që herë pas here hedh në bllokun e shënimeve fjalë të këndshme a shprehje të bukura të vajzave të tij, kur ishin fëmijë e më vonë të nipërve e të mbesave, si dhe të fëmijëve të tjerë që e rrethonin, “duke i përceptuar me sy e veshë të vëmendshëm, si prind, si edukator e si shkrimtar i tyre”. Madje, “...vëmendja nuk është përqëndruar te stilemat, fjalët e shqiptuara jo drejt për shkak të moshës. Janë përmbledhur më tepër ato fjalë a shprehje që nxjerrin në pah arsyetimin naiv të fëmijëve, të folurit “figurativ” të tyre për shkak të fjalorit ende të varfër”. Shkrimtari është i ndërgjegjshëm se termi i përdorur “gazmore”nuk është fort i saktë. ”Gazmorja, ashtu si anekdota,- sqaron ai në parathënien e sipërpërmendur- tregohet për humor, për t’i bërë të tjerët të qeshin. Grimcat tona nuk janë thënë për humor nga fëmijët. Gjithçka këtu është e rastësishme, e çastit, e beftë, e papërsëritshme”. Në vëllimin e parë që shënuam më sipër, siç mund të kuptohet edhe nga titulli, janë botuar mbi 300 gazmore të tilla. Në vëllimin e dytë numri i tyre arriti në pesëqind e ca, kurse në këtë botim kemi edhe 39 xhevahire të tilla, të reja. 

  Kësisoj, libri i ngjan një mozaiku plot ngjyresë. Në të gjitha krijimet e kësaj përmbledhjeje vihet re një gjuhë lakonike, e përzgjedhur, pa rënë në moralizime, pa ndërlikime, por thënë shtruar, thjesht, bukur e ëmbël, sa të mbeten në kujtesë. Dhe kjo përbën një vlerë tjetër.

                                    x  x  x 

Në një ceremoni të organizuar në Prishtinë më 7 dhjetor, përmbledhja “Kacafytja me ujkun” eA. Bishqemit është vlerësuar në Kosovë libri më i mirë për fëmijë e të rinj ibotuar gjatë vitit 2018.

Juria e Karvanit të shkrimtarëve për fëmijë në Kosovë, me kryetar studiuesin Ramadan Musliu, në arsyetimin e vendimit për Çmimin “Ymer Elshani” që i jepte autorit të atij libri, shtonte si përfundim:

“Vendimin e fuqizon edhe më shumë fakti se ky libër është e njërit prej shkrimtarëve tanë më të frytshëm për fëmijë dhe e njërit prej studiuesve më të përkushtuar dhe me kontribute monumentale në fushën e studimit të kësaj letërsie.”

Vlerësim e përkufizim konciz dhe mëse i saktë për prof. Astrit Bishqemin, vlerësim që përmban dy tregues:

Së pari, Bishqemi është njëri prej shkrimtarëve tanë më të frytshëm për fëmijë, që u ka dhuruar lexuesve të moshës së re dhjetë romane, dymbëdhjetë vëllime me novela, njëzet e një përmbledhje me tregime e përralla etj. etj.

Së dyti, gjithashtu, Prof. Bishqemi ka dhënë kontribute monumentale  në fushën e studimit të kësaj letërsie. Veç  pesëmbëdhjetë përmbledhjejeve të tilla me studime, ai e pajisi shkollën e lartë dhe letërsinë shqipe për fëmijë e të rinj me botime të tilla bazë, siç janë: “Hyrje në teorinë e letërsisë për fëmijë”, “Histori e letërsisë shqipe për fëmijë e të rinj “ (tekst voluminoz me 950 faqe, i ribotuar katër herë, me shtesa e rishikime; më i fundit më 2014, nga ShBLSh e Re),”Histori e letërsisë botërore për fëmijë”, “Autorëtë letërsisë shqipe për fëmijë e të rinj, 1886-2017”,“Bibliografi e kritikës letrare për fëmijë” etj. etj.

Më lejoni të përmend këtu edhe dy fakte domethënëse: 

Në atestimin që Ministria e Arsimit u bënte në mbarë vendin arsimtarëve të shkollës 9-vjeçare, pasi botonte programin orientues të provimit për lëndën e letërsisë, rendiste si literaturë pesë tekste (tre të parët prej të cilëve ishin të studiuesit për të cilin po bëjmë fjalë): 

Astrit Bishqemi, Letërsia për fëmijë (Pjesa I, Teoria), Elbasan 1997. 

Astrit Bishqemi, Letërsia për fëmijë (Pjesa III, Nëpër botë), Elbasan 1999.

Astrit Bishqemi, Letërsia shqiptare për fëmijë, Elbasan 2001. 

Bedri Dedja, Mbi periodizimin e historisë së letërsisë për fëmijë, Tiranë 1974. 

Tasim Gjokutaj, Letërsia për fëmijë, Tiranë 1997.

                        (Sipas gazetës “Standard”, 30 qershor 2014, f.18) 

   Fakti tjetër është se shkrimtari dhe studiuesi Astrit Bishqemi para disa viteve qe nominuar kandidat i Shqipërisë për Çmimin e lartë botëror “Astrid Lindgren”, që jepet në fushën e Letërsinë për Fëmijë e të Rinj (mund ta shihni në internet: Astrid Lindgren Avvard 2010).

Dhe këto janë fakte që flasin vetë dhe nuk duan komente. Ndaj i urojmë Prof. Astrit Bishqemit, në 75-vjetorin e jetës së tij: shëndet e suksese të mëtejshme !

Comments (0 posted):

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
0
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1