Newsletter
Email:
Poll: Letërsia
Cili është lloji juaj i preferuar i letërsisë?
Home | LAJME | NDËROI JETË AKTORI VLONJAT QIRJAKO IRAKLI SAVA

NDËROI JETË AKTORI VLONJAT QIRJAKO IRAKLI SAVA

Font size: Decrease font Enlarge font
image QIRJAKO IRAKLI SAVA

NDËROI JETË AKTORI VLONJAT QIRJAKO IRAKLI SAVA

Nga shoku i tij Luan Çipi

 

 

 

Për të ardhur deri në ditën e sotme, Artisti i Merituar Qirjako Sava, kaloi në procesin e gjatë jetësor të formimit dhe edukimit artistik. Ai morri pjesë me sukses në grupin teatror të Shtëpisë se Kulturës Vlorë qysh në vitin 1949, kur regjisori Shefqet Resuli, vuri në skenë dramën e Konstandin Simomonovit ‘’Gështenjat e Pragës’’, me aktorët e rinj Panajot Papingji, Petro Pema, Myqerem Ferra, Foto Shamo, Dhori Strati, Fatushe Kripa, Ervehe Gorishti, etj.

Shumë shpejt shkëlqen talenti i tij prej artisti të vërtetë dhe Qirjako Sava në vitin 1951, në Olimpiadën Teatrore Amatore në Tiranë me regjisor Kadri Roshin merr diplomë nderi, së bashku me Evgjeni Shtrepin dhe Stefan Pemën.

Sukseset vijnë radhë për të ardhur në vitin 1953, në qytetin e Durrësit, kur u vu në skenë drama ‘’Po fillojmë me jetën’’ e Makarenkos dhe Teatri i Shtëpisë së Kulturës së Vlorës, me pjesëmarrjen e Qirjako Savës, Bedrie Mersinit dhe të një trupe krejt me të rinj të talentuar, merr çmimin e dytë.

Qirjako Sava u fut në grupet profesioniste të Teatrit dhe Estradës së qytetit të Vlorës në vitin 1959, duke ardhur natyrshëm atje, nga lëvizja teatrale amatore, i përzgjedhur dhe i përfshirë së bashku me një grup të rinjsh të talentuar, që patën të përbashkët talentin dhe vullnetin e tyre të spikatur. 

Ai morri pjesë në këto trupa, së bashku me Kristo Shkurtin, Bedrie Mersinin, Meliha Dodën, Vasil Beqarin dhe iu shtua artistëve më të vjetër të brezit të parë e në vijim: Gaqi Vishi, Leka Kruta, Pirro Sava, Liza Skrame, Vangjel Panozaqi, Minella Mita, Evgjeni Shtrepi, Myqerem dhe Meliha Fera, Mishel Lako, Mojze Negrini, Liu Mone, Reshat Osmani, Kostandin Thana, Astrit Hasho. Më më pas, dora dorës, grupet u plotësuan me aktorë të ardhura nga shkolla e aktrimit si Albert Veria, Ali Roshi, Aleksandër Pogaçe, Vasillaq Godo, Adem Gjyzeli, Thabit Beqiri, Bujar Asqeriu, Kristaq Skrame, Resmije Ruci, etj. 

Midis këtij brezi të talentuar artistësh, ku më vonë shkëlqyen dhe “Parodistët e Vlorës”, dhe ku Qirjako Sava zuri vend të rëndësishëm, grupet teatrale dhe të estradës së Vlorës, sipas regjisë së Nazmi Bunjakut, Shefqet Resulit, Minella Mitës, Myqerem Ferrës, Pirro Savës, Pëllumb Kullës, Kadri Roshit, Drita Pelingut, etj., dhanë mijëra shfaqje të bukura për spektatorët vlonjatë dhe në turne në mbarë Shqipërinë, duke marrë shpesh herë vende nderi në shkallë kombëtare.

Që në fillim Qirjako Sava,tërheq vëmendjen e spektatorëve dhe bëhet i dashur për ta, me atë pamje rinore, energjike, ekspresive dhe gazmore, si recitues, aktor me spektër të gjerë komik e dramatik, për të mbajtur shpejt mbi supe role më të rëndësishme e deri kryesore.

Premierën e parë si trupë drame profesioniste, Vlora e vuri në skenë në vitin 1962 me pjesën teatrale “Fundosja e Skuadronit” të Kornejcukut, me regjisor të paharruarin Kujtim Spahivogli. Për këtë figurë të shquar të dramaturgjisë shqiptare, duhet thënë se përpara se të vlerësohet si artist nga kolegët dhe qytetarët vlonjatë, çmohet si njeri me personalitet. Është e rëndësishme të theksohet se për interpretimin brilant në këtë shfaqje, Qirjako Sava merr duartrokitje të pareshtura nga spektatorët, si dhe përgëzime nga vetë Sulejman Pitarka e Naim Frashëri.

Ajo që e bëri më të dallueshëm dhe ia rriti më shumë vlerat si aktor Qirjako Savës, ishte një takim i estradave profesioniste në qytetin e Gjirokastrës në vitin 1963. Shfaqja atje lidhej me numrat e saj përmes konferencierit dhe këtë rol e bëri Qirjakua. Duket e realizoi shumë mirë, sepse në përfundim të takimit specialistët organizatorë kërkuan që ai të bënte edhe konferencierin e shfaqjes përfundimtare, me numrat më të mirë të të gjitha estradave të vendit.

Në vitin 1969 Qirjako Sava u pajis dhe me arsimin e lartë si aktor dhe regjisor. U vunë në skenë nën regjinë e tij, 25 premiera, gjatë karrierës aktive si profesionist dhe tre të tjera, mjaft të suksesshme, në vitet e fundit si pensionist.

Ai e kujton me nostalgji premierën e parë të estradës si regjisor që u quajt “Zgjidh e merr” dhe që u vu në skenë në vitin 1972. Ajo u shfaq 46 herë, me sallën plot. 

Dhe më tej rolet dhe sukseset nuk kanë të sosur. Kështu vijnë shfaqjet “Familja e gëzuar”, “U takuam në udhëtim”, “Dy shokët”, “Çan anija shqiptare”, “Banorët e pallatit tim.

Duhet t’u kujtojmë lexuesve se për shumë kohë, për sukseset e bujshme të trupës së estradës së Vlorës punonin penat e mprehta gjurmëlënëse të Vangjel Picit dhe Flamur Laros.

Më jetëgjatë si regjisor ishte i talentuari Myqerem Ferra, që u dallua sidomos për organizimin e spektakleve me një bosht, sipas libreteve të Vangjel Picit, model që u ndoq me sukses edhe nga regjisori pasionant Nazmi Bunjaku.

Sipas Qirjako Savës modest, po me veprimtari si rrallë kush dhe shumë të gjatë artistike, te çelësi i sekretit të sukseseve të tij gjendet puna këmbëngulëse në grup, me dashuri e pasion 

“Kemi punuar pa u lodhur gjatë fizikisht dhe shpirtërisht, kemi ngritur në art dukuritë negative përmes humorit që mbarte me vete gëzimin edhe edukimin. Çelësi i suksesit tonë të vazhdueshëm - përsërit me vendosmëri Qirjakua -  ka qenë shpirti i kolektivit, puna me pasion dhe dashamirësia, respekti, ndihma reciproke dhe harmonia në grup. Nuk kemi qenë vulgarë dhe nuk zgërdhiheshim për t’i bërë spektatorët të qeshnin, po kjo vinte natyrshëm nëpërmjet skenarëve të zgjedhur me kujdes dhe interpretimit me dinjitet”- deklaron aktori i shquar, duke qenë krenar për karrierën e tij mbi 50 vjeçare prej aktori profesionist.

Nga Bashkia e Qytetit, për merita te shquara, ai është nderuar me titullin e lartë “Qytetar Nderi”.

Edhe pas daljes në pension, Qirjako Sava edhe pse në moshën e tretë, me freski e gjallëri, ishte gjithnjë aktiv, sa në drejtim të biznesit të tij privat në vazhdim të traditës së hershme familjare, po dhe duke vazhduar të jap kontribut të pakursyer e të vazhdueshëm në jetën artistike të qytetit të Vlorës. Ai ishte në ndihmë e në krah të grupit të shquar të “Parodistëve të Vlorës”, me Agron Hamon, Afrim Agalliun dhe Muhamet Likën, të cilët e vlerësonin dhe mbanin përherë pranë.

Por këto dy vitet e fundit e mundën artistin e madh dhe ai nisi të ndjej lëkundje në kujtesë dhe vështirësi fizike, derisa u shua gradualisht drejt amshimit të natyrshëm. 

Qoftë i paharruar kujtimi i Qirjako Savës, një prej bijve më të shquar vlonjat për interpretimin skenik në estradë e teatër, plot humor dhe entuziazëm, me kontribut të pakursyer e të çmuar në jetën artistike të qytetit të Vlorës!

 

Tiranë, më 23 Nëntor 2018

Comments (1 posted):

Dhimiter Xhoga. on 24/11/2018 03:01:19
avatar
I perjetshem kujtimi te ndieri Qiriako Sava,artiste "Qytetar nderi"i Vlores,
Qirjako.pasionanti nje jete per Kulturen dhe artin ne Qytetin e vlores, ku dha nje kontribut te shkelqyer ne cdo situate.Ai,nje nga pionireste paret te artit te estrades ne Vlore, pjesmares i suksesshem ne aktivitete mbarekombetare. .Koleget e tij,ajka e inteligjences artistike te Vlores,si i permendni ju i nderuar Luan Cipi qe ju pergezoj.
Nga Torontua mes dashamiresve shprehim ngushellime;families sa shoqerise.
I paharrur Qiriako Sava dhe vepra e tij.
Toronto23-11-2018 "Pasuesi Veteran"
Dhimiter Xhoga.

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
0
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1