Newsletter
Email:
Poll: Letërsia
Cili është lloji juaj i preferuar i letërsisë?
Home | LAJME | DEKOROHEN HEROINAT E ANTI-KORRUPSIONIT: DAPHNE CARUANA GALIZIA DHE ANA GARRIDO RAMOS

DEKOROHEN HEROINAT E ANTI-KORRUPSIONIT: DAPHNE CARUANA GALIZIA DHE ANA GARRIDO RAMOS

Font size: Decrease font Enlarge font
image Frank Shkreli

 

                                              Nga Frank Shkreli

Organizata Transparency International njoftoi të hënën – nepërmjet një deklarate për medien -- se kishte dekoruar me Çmimin Anti-Korrupsion për vitin 2018, të ndjerën gazetare Daphne Caruana Galizia nga Malta dhe aktivisten anti-korrupsion Ana Garrido Ramos, nga Spanja.  Dekoratat u dorëzuan të hënën e kësaj jave, në një ceremoni gjatë Konferencës së 28-të të kësaj organizate ndërkombëtare, që u mbajtë në Kopenhagë të Danimarkës. 

 

Siç dihet, organizata Transparency International është një ent ndërkombëtar jo qeveritar, kryeqendra e të cilës është në Berlin të Gjermanisë, e themeluar në vitin 1993. Si një organizatë jo-fitimprurëse, Transparency International, për mision të vetin ka luftën kundër korrupsionit global dhe marrjen e masave për parandalimin e aktiviteteve kriminale që vijnë si pasojë e korrupsionit.  Ajo ka degët e saja në më shumë se 100-vende anë e mbanë botës, të angazhuara në luftën kundër korrupsionit në vendet e tyre.  Sipas Transparency International, “Dekorata Anti-Korrupsion” u jepet organizatave dhe individëve, përfshirë gazetarët, prokurorët, zyrtarët qeveritarë dhe udhëheqësit e shoqërisë civile, të cilët ekspozojnë dhe luftojnë korrupsionin.  Një komision i përbërë prej shtatë vetash nga bordi i kësaj organizate dhe nga lëvizja më e gjërë anti-korrupsion, shërben si juri për të zgjedhur fituesit.  Emërimet për dekorimin e këtyre dy grave të guximshme për këtë vit, janë propozuar nga publiku dhe nga degët e ndryshme të Transparency International.

                                                   

Daphne Caruana Galizia, e cila është vrarë vitin që kaloi nga plasja e një bombe, e    vendosur në makinën e saj, ishte një gazetare malteze, shkrimtare, dhe aktiviste  kundër korrupsionit në vendin e saj.  Në shkrimet e saja, ajo përqëndrohej, veçanërisht, mbi korrupsionin në radhët e qeverisë, nepotizmin, spastrimin e parave, e të tjera afera korruptive, sidomos në radhët e politikanëve dhe të figurave të njohura malteze.  Nepërmjet punës së saj në gazetari, Daphne Caruana Galizia ekspozoi skandale korrupsioni që kishin të bënin me politikanë me influencë dhe persona të tjerë të njohur në Maltë dhe jashtë atij vendi.  Ç’prej vrasjes së saj, më 16 tetor, të vitit të kaluar, thuhet se autoritetet malteze kanë filluar procedurat ligjore kriminale kundër atyre që besohet se mund të kenë qenë vrarësit e saj dhe po bëhen hetime për të vendosur nëse ishin të përzier edhe persona të tjerë në vrasjen e gazetares malteze, Daphne Galizia.  Ndërkaq, familja e saj i ka kërkuar qeverisë së Maltës që të themelojë një ent publik hetimi për të vendosur nëse shteti maltez mban ndonjë përgjegjësi për vrasjen e saj, qoftë edhe për dështimin e shtetit për ta mbrojtur atë ose për të zbuluar nëse vet shteti kishte gisht në vrasjen e gazetares.

Ishte pikërisht për aktivitetin e saj si gazetare në luftën kundër korrupsionit, që Daphne Galizias iu dha dekorata e organizatës më të njohur ndërkombëtare Transparency International në konferencën e saj kundër korrupsionit në Kopenhagë, të hënën që kaloi. Dekoratën e pranoi djali i saj Mathew Caruana Galizia, i cili tha këto me atë rast: “Bomba që na e mori për gjithmonë prej nesh Daphne-n, shuajti zërin më të fortë që kemi pasur ndonjë herë në luftën për integritet në vendin tonë.  Bomba që e vrau atë, kishte gjithashtu për qëllim për të zhdukur, njëkohësisht, edhe shpresën që për ne përfaqësonte zëri i saj i pamposhtur. Asgjë nuk mund të zëvëndesojë gazetaren, e lere më personin tonë, që ne humbëm në luftën e saj kundër korrupsionit. Por, kjo dekoratë na kujton se shpresa, jo vetëm është e jona për ta ruajtur dhe kujtuar atë në mendjet dhe zemrat tona, ndërkohë që edhe një pjesë e madhe e botës shpreson e kujton me ne...një zë kujtese për të gjithë ata që po luftojnë për të siguruar drejtësinë për ‘të dhe për të ruajtur trashëgiminë e saj”, u shpreh djali i saj, Mathew Caruana Galizia, duke pranuar dekoratën në emër të nënës së tij të vrarë. 

 

Ndërkaq, Transparency International njoftoi se gruaja tjetër të cilës iu dorëzua   dekorata në konferencën e kësaj organizate këtë javë në Kopenhagë për veprimtari kundër korrupsionit është spanjollja, Ana Garrido Ramos.  Ajo është gruaja që i dorëzoi një sindikate spanjolle, dosjen prej 300-faqesh me prova që dokumenton praktikat korruptive mbrenda Bashkisë Boadilla, vendi ku ajo punonte para se të largohej nga ajo detyrë.  Ajo që filloi si një hetim mbi korrupsionin në një bashki të vogël, u zgjërua në një hetim më të përgjithëshëm korrupsioni që, eventualisht, përfshiu edhe Partinë Popullore që qeveriste, në atë kohë, Spanjën.  Roli i saj si denoncuese dhe dëshmitare e korrupsionit, me atë rast, çoi më në fund në rënjën e qeverisë së Kryeministrit Mariano Rajoy, në qershor të këtij viti, pas shtatë vitesh në krye të qeverisë spanjolle dhe njëkohësisht edhe si udhëheqës i Partisë Popullore të Spanjës. Në rolin e saj si denoncuese e korrupsionit në Spanjë, Zonja Garrido Ramos është përballur me një fushatë frikësimesh dhe trysnishë agresive kundër saj. Megjithëkëtë, ajo vazhdon të luftojë për miratimin e një ligji që do të mbronte denoncuesit e korrupsionit nga reprezaljet.   Zonja Garrido Ramos citohet të ketë thënë se, “Fatkeqsisht, në Spanjë, sistemi në fuqi shkatërron jetën e denoncuesit të korrupsionit, ndërkohë që të korruptuarit zakonisht marrin detyra më të mira dhe përfitime të ndryshme, si përfundim i aktivitetit të tyre korruptiv.”  Ajo u shpreh se vendi i saj, Spanja, ka shumë nevojë për një ligj që do të mbronte denoncuesit e korrupsionit, si një mjet i doemosdoshëm për të zhdukur korrupsionin, ka thënë ajo.  Por, ajo shtoi se, përballë korrupsionit duhet të reagojnë edhe qytetarët. “Qytetarët nuk mund të qëndrojnë asnjanës në luftën kundër korrupsionit, duke pritur që bota në të cilën jetojnë të ndryshojë vetvetiu.  Secili prej nesh” theksoi ajo, “duhet të jetë pjesë e transformimit. Gjëja për të cilën nuk luftohet, as nuk realizohet kurrë”, ka thekësuar ajo.

Konferenca e 18-të Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit – me temën -- “Së bashku për Zhvillim, paqe dhe sigurim: Tani është koha për veprim” -- përfundoi punimet e saja tre ditëshe më 24 Tetor, 2108 në Kopenhagë të Danimarkës, me një thirrje drejtuar mbarë botës, në emër të lëvizjeve anti-korrupsion: “Ne jemi një fuqi globale dhe ne nuk do të heshtim.  Në një kohë që autoritarizmi në rritje e sipër, i maskuar si regjime populiste, kërcënon të gjithë ata të cilët mbrojnë drejtësinë shoqërore, pa marrë parasyshë se për cilin vend, rajon ose kontinent është fjala. Konferenca e Kopenhagës u bën thirrje të gjitha qeverive që të mbrojnë shoqërinë civile dhe rolin e saj për të ekspozuar korrupsionin dhe për t’u përballur me ‘të, ndërkohë që të angazhohen, njëkohësisht, edhe qytetarët në luftën kundër korurpsionit, me qëllim për t’i dhënë fund mos ndëshkueshmërisë ndaj zyrtarëve dhe personave të përzier në veprimtari kriminale korrupsioni”.

 

Transparency International njofton se në Konferencën e Kopenhagës këtë javë-- ku morën pjesë më shumë se 1800 veta, përfaqsues nga 144-vende të botës -- lartë nga 45 qeveri, firma biznesi dhe organizata të ndryshme nënshkruan një marrëveshje angazhimi të përbashkët, për të ndërmarrë projekte të reja në luftën kundër korrupsionit, kësaj sëmundjeje shoqërore e cila në vendin ku rrënjoset, ajo minon demokracinë, të drejtat e njeriut dhe rrezikon sigurinë shoqërore.   

 

Frank Shkreli

Comments (0 posted):

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
0
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1