Newsletter
Email:
Poll: Letërsia
Cili është lloji juaj i preferuar i letërsisë?
Home | LAJME | Doli nga botimi vëllimi poetik “Sa do të doja”i Vilhelme Vrana Haxhirajt, “Mjeshtre e Madhe e Penës”

Doli nga botimi vëllimi poetik “Sa do të doja”i Vilhelme Vrana Haxhirajt, “Mjeshtre e Madhe e Penës”

Font size: Decrease font Enlarge font
image Doli nga botimi vëllimi poetik “Sa do të doja”i Vilhelme Vrana Haxhirajt, “Mjeshtre e Madhe e Penës”


       Doli nga botimi vëllimi poetik “Sa do të doja”i

Vilhelme Vrana Haxhirajt, “Mjeshtre e Madhe e Penës”

 

     Sh.B. Nacional nxori nga botimi vëllimin poetik me titull, “Sa do të doja” i shkrimtares Vilhelme Vrana Haxhiraj. Ky libër erdhi si dhuratë më 1 tetor,apo si bekim për  Vjeshtën e ngjyrave, lajmëtaren apo Prologun e stinës së Dimrit, e cila sapo ka nisur rrugën e saj, me shira, bubullima e vetëtima, ulje dhe ngritje temperaturash e veçanërisht me ankesa dhe lotë dëshprimi për gjethet që bijen, duke i zhveshur pemët dhe gjithë natyrën. 

 Libri “Sa do të doja “ është ndarë në tri(3) pjesë: 

Në pjesën e parë(I-rë) janë pesëdhjetë e tetë (58) poezi lirike e me tema sociale. 

Në pjesën e dytë ( II-të) janë njëmbëdhjetë (11)poema dhe tri (3) fabula. Kurse në pjesën e tretë (III-të) janë dyzetë e shtatë (47)poezi të shkurtra psiko-filozofike ku vihen në dukje karaktere njerëzore. Libri është një përmbledhje me114 poezi në 172 faqe. Ky botim u realizua nga  bashkëpunimi  i frytshëm i Sh.B. Nacional me shtypshkronjën Europrint. Ja ç’thotë “Mjeshtri Madh i Penës” Dr. Fatmir Terziu, për poezinë e Vilhelmes:  

   “Tredimensionaliteti filozofik i vargut në poezinë e Vranarit rreket në një substancë organikeqë del nga thellësia e shpirtit. “Loti nuk ka faj” (1996), ku loti dukej se ishte ai” gur diamanti” që prodhonte kënde, konfiguracione dhe hapësira për të thelluar arsyen e leximit dhe analizës.

 Më pas në vëllimin “Të pres…” (2000) natyrshëm largësia, hapësira dhe vetë koha në këtë lidhje ishin aspekte sa metaforike aq edhe proverbiale. Mbi çdo fjalë ka një arsye, mbi çdo varg prehet një mesazh. Pakkush mund ta vë në dyshim hapësirën e ‘lotit’ të lexuar në poezinë e kësaj autoreje, pakkush…! As ata që e shohin se është poezi e dalë nga ‘vuajtja’, madje as ata që e shohin vuajtjen si frymëzim i kësaj poeteje.  Po të supozohet poezia e Vranari-Haxhirajt ,e krijuar nga ‘vuajtja’, atëherë si mund të mendohet që kjo poezi është një simbolikë jete?!Jeta ka mjaft hapësira veç ‘vuajtjes’ si proces…Ajo në fakt është një simbolikë jete, që ka anashkaluar vuajtjen, pasi është  tolerante, zemërgjerë dhe bashkëkohore. Është një poezi që vjen nga hapësirat e errëta dhe shtrihet gjerë e gjatë në hapësirat e lirisë, virtytit dhe respektit. Është një simbolikë që vjen nga shpirti dhe i falet buzëqeshjes. 

   Një simbolikë që vjen në tri mënyra për lexuesin. 

   *E para, e vendos poezinë  në interaktivitetin e lexuesit. 

   *E dyta, intensifikon jetën mes figurave retorike dhe përsëritjes. 

   *E treta, i sjell arsyet ‘konceptuale’ të gjykimit dhe njohjes së realitetit ….     

   “Një nga estetët më në zë të kohëve tona, Howell D. Chickering, duke analizuar poezitë e ‘vuajtjeve’, në librin e “V” të Troilus, shpjegon: “stigma e prodhuar nga sensibiliteti i vuajtjes e bën poezinë të ‘pakontrollueshme’,sepse …poezia në vetvete është e tillë, është një projekt që lidh marrëveshje të heshtura mes shpirtit dhe lexuesit.(Chickering, 2000: 243). 

 Kështu duhet kuptuar edhe poezia e Vranarit.”

 Nga Dr. FatmirTerziu-poet, shkrimtar, kritik, publicist, kineast dhe botues, fitues i disa çmimve letrare dhe “Mjeshtër i Madh i Penës”  -6-12-2009

 Kurse poeti Mujo Buçpapaj, i vlerësuar me disa çmime ndërkombëtare, analisti dhe botuesi  i veprave të autores shprehet:

    “Asnjë shkrimtar tjetër i ndaluar nga regjimi komunist, nuk ka mundur të imponohet me kaq dinjitet njerëzor dhe letrar si Vilhelme Haxhiraj. Ajo  i bëri disa shërbime të rëndësishme letërsisë shqipe:

   * Së pari prishi hierarkinë e emrave letrarë të vendosur në mënyrë të pandershme dhe shpesh mediokre  nga kritika e orientuar politikisht. 

    *Së dyti solli një pasuri të pafundme origjinale të stilit, frazës dhe gjuhës, duke prishur uniformitetin e një letërsie standarte gati 50-vjecare.

    *Së treti ajo shndërroi në letërsi vuajtjen e një kombi nën regjimin komunist, duke tronditur nga themelet piramidën letrare dhe psikologjinë që e prodhoi dhe mbrojti atë.

Proza e  Vilhelme Haxhiraj (Vranarit) për fat të keq nuk është  përkthyer në gjuhët kryesore ndërkombëtare në mënyrë që bota të njihte letërsinë e saj dhe artin e saj tronditës, megjithatë pa frikë mund  të them  se proza dhe poezia e Vranarit është e një niveli europian dhe botëror.Unë mund ta vlerësoj shkrimtaren shqiptare, vlonjaten Vilhelme Vranari si Herta Mulerin shqiptare, e cila fitoi çmimin Nobel për letërsinë 2009.Që të dyja këto shkrimtare që kaluan shumicën e jetës në “Perandorinë e së Keqes”,siç pati deklaruar Presidenti Regan, kanë të përbashkët jo vetëm  përsekutimin  e gjatë  komunist, përndjekjet, burgosjet dhe internimet, por edhe  artin  e të shkruarit, tematikat dhe personazhet. Dallimi ekziston vetëm në faktin se Herta shkruan në një gjuhë të madhe si gjermanishtja dhe ka pas vetes një shtet si Gjermania. Por dallon edhe  tek vuajtjet e Vranarit, të cilat janë të tmerrshme, të vazhdueshme dhe rrënuese. Vranarit nuk iu lejua nga regjimi komunist  që të botonte asgjë deri në rënien e tij në dhjetor 1990.

          M.Buçpapa-Tiranë Panairi i librit -2009

Kurse redaktorja e librit, znj. Lejla Gorishtithotë:”Në këto poezi, forma nuk është vetëm harmoni, por melodi e muzikë në vetvete, si dhe pjesë përbërëse origjinale e brendisë së simfonisë së luajtur në një orkestër filarmonike, ku bukuria e koncertit të luajtur, varet nga tërësia e akordimit të veglave muzikore. Kjo është meritë e dirigjentit, kurse në këtë rast është aftësi e autores që përmes fjalës së bukur, përcjell nota muzikore të tilla,  që e ngrehin shpirtin peshë.

  Me nota të theksuara zemërimi e revoltuar ajo ka ngritur në art letrar të ligat e kësaj bote të rreme, ku ajo kërkon një botë më të mirë:

“… Doja të shihja

një botë të mbarë.

Pa dhunë, 

pa krime

pa prostitucion 

dhe trafik.

Tej e ndanë globit

të mos enden më jetimë.  

E dua botën pa tradhti

të jetë e bukur dhe e dëlirë!…” 

   “Po te kishte Çmim Nobel për liri” ,- thotë poetja , “-ai do t’i takonte pa dyshim Adem Jasharit dhe familjes së tij.

’Uroj vëllazërim 

Bashkim kombëtar,

 Fat e mbarësi,

Kudo që ka shqiptarë !’’ -Poezia e saj është sintezë poetike e ngjarjeve të kohës e mbushur me duf e revoltë, pa zbehur besimin dhe optimizmin për të ardhmen. 

Lejla Gorishti

***                                      

*Librin poetik të sapobotuar me titull, “Sa do të doja”, kushtuar kritikut letrar më të drejtë dhe më të paanshëm, lexuesit të krijimtarisë së autores!

        Parathënia e këtij libri, me titull:“Emocione, ndjenja dhe mendime duke lexuar  vargjet e poetes Vrana –Haxhiraj”, është punuar nga redaktorja  e këtij libri me poezi, znj. Lejla Gorishti, e cila është njohëse e mirë e normave letrare të gjuhës shqipe dhe drejtshkrimit.

        Ndërsa pasthënien, me titull, ”Melos i shpirtit që sfidon vuajtjet përmes poezisë së Vranarit” e ka qëndisur Dr. Fatmir Terziu” Mjershtër i Madh i Penës”, kritik bashkëkohor, i cili ka studiuar veprat e mbi 250 autorëve të paraqitur në dy vëllime, me titull,” Kritika Ndryshe” Vlerësuar nga Oksfordi si një nga tre kritikët më të mirë bashkëkohor.

       Për të dy zotërinjtë, si njohës të mirë të krijimtarisë së saj, autorja  Vilhelme Vrana Haxhiraj shpreh thellësisht nderim dhe mirënjohje!

Gjithashtu autorja Vivra vlerëson dhe falënderon  bashkëpunëtorët e tjerë si : ShB.Nacional, Shtypshkronjën Europrint me të palodhurën znj. Blerina Ndreu. Vlerëson tej mase shijen e hollë në punimin e ballinave të disenjatorit, Jorgo Saqellari, si dhe punën menaxhuese dhe fotografike të bashkëshortit,Fitim Haxhiraj që ka publikuar dhe publikon krijimtarinë e saj. Autorja ndihet komode me ekipin e saj në procesin e botimit të librit.  

Sh.B. Nacional

 Vendi im përrallor

    

 Vendi im përrallor,

Hyjnitë

 të kanë qëndisur me dorë.

 Perlë margaritare, 

që dielli, në 270 ditë në vit

të dhuron ngrohtësi e mirësi

të përkëdhel e të josh përditë, 

por mbi të gjitha...

 të fal shumë dashuri. 

                                                    Të dha ujë, diell dhe dritë, 

                                                    jeta gëlon në çdo stinë...,

                                                    gjallojnë kafshët, çelin lulet

                                                    dhe gjelbërojnë bimësitë.

                                                    Hyu me tepëri të fali bukurinë,  

                                                     me fusha, kodra e male të qëndisi,

                                                    dy dete e shumë lumenjë ujëplot,

                                                    me to të dhuroi mirësinë e gjithësisë.

                                                    Mbitoka mbushur me bukuri e begati

  kurse nëntoka, pambarim pasuri.

  Jo më kot, poeti vlerat t’i di:

  -pozitën e rrallë gjeografike,

                                                                urëlidhëse për jugë e për veri,

                                                                për lindje dhe  perëndim, 

                                                                t’i njeh mirë tekat joshëse,

  bukurinë me gjithë mirësitë.

  I gjori, paçka se sa ndikon,

  po si gjyshet, me t’ëmblat ninulla,

  papushim natë e ditë i këndon, 

  vendit tim përrrallor!

                                                               Ndaj Zoti të bekoi,

                                                              të quajti të Përkëdhelurën e tij, 

                                                             “Parajsa, ku kanë folenë dhe prehen 

 “ Perënditë!”

                                                                              Vivra

Comments (1 posted):

Guri Naimit D(Dh Xhoga) on 05/10/2018 00:10:24
avatar
Me Ju JETOJ-Gezuar FESTAT e NENDORIT!

Faleminderit e nderuara pene arta Vilhelme,qe me kenaq,sjelle Vloren , vendlindien tuaj,me te tera vlerat e saj.Pac miresi per ate ciltersi pene.
Si gjitnje penat tuaja Vlonjate:
VIVLA-V.Kona-Luan Cipi e A Habazaj,me
impresiononi sa me jeni,"triitrina".
Miresite ju shoqerofshin dhe mua gjyshin,83 vjecar,"bllokuar"te oqeani me rikthefte zoti fuqi,te vij gjalle e, te me prehem eshterat ne ATDHE;
-Ku duket BALTA me embel se mjalta".
Me ju jetoj.Dua zemra,ketu tej oqeanit mos me pushoje.Ju paca dhe gezuar festat e NENDORIT SHQIPTAR.

Toronto04-10-2018 Dh Xhoga(GND).

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
0
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1